Njeriu me Përgjigje
Kur shokët e Kristian Monzónit kishin pyetje, ata e dinin se mund t’i kërkonin atij ndihmë.
Çfarë bëni kur hasni në pornografi? Një ditë Kristian Monzóni, nga Asunsion i Paraguajit, i mori hua një celular shokut të tij të shkollës që të luante lojëra në të. Ai zbuloi se tek ai celular ruheshin pamje pornografike.
Nuk kishte asnjë dyshim në mendjen e Kristianit se çfarë duhej të bënte shoku i tij për këtë gjë, prandaj ai e ndihmoi të shihte domosdoshmërinë e çlirimit nga fotot fyese. Kristiani me qetësi i shpjegoi se sa i dëmshëm mund të jetë një informacion i tillë. Ai tha: “Nëse do të ishe baba, ti nuk do të dëshiroje që yt bir të shihte këto”.
Një pjesë e asaj që Kristiani i tha shokut të tij, vinte nga broshura Për Forcën e Rinisë. Kristiani thotë se broshura e ndihmon në çdo fazë të jetës së tij. “Nuk do të isha këtu ku jam pa të”, thotë ai. Ai gjithashtu u ka dhënë nga një kopje shokëve në shkollë. Ata i thanë se ai u ka dhënë drejtimin që u nevojitej për probleme të veçanta.
Ku e gjeni ndihmën në përballje me tundimet e jetës? Kristiani e di se broshura “Për Forcën e Rinisë” ofron ndihmë në shumë tundime që gjenden rëndom ndër shokët e vet — droga dhe pija, për shembull. Pak nga shokët e tij kanë internet në shtëpitë e tyre, por ata mund ta gjejnë lehtë atë — dhe pornografinë — në lokalet me internet.
Shokët e shkollës shpesh i kërkojnë Kristianit dhe vëllait të tij më të rritur, Xhimit, ndihmë për problemet, sepse besojnë se të dy shenjtorët e ditëve të mëvonshme do të kenë përgjigje. Që të dy respektohen nga shokët e shkollës për ato që besojnë. Shokët e klasës së Kristianit e respektojnë aq shumë, sa e kanë zgjedhur përfaqësuesin e tyre studentor. Ndër të tjera, kjo do të thotë se ai është përfaqësues i tyre, nëse ata janë në telash në shkollë.
Si planifikoni për të ardhmen? Kristiani thotë se duke e ditur që një mision kohëplotë është në planet e tij, kjo e ka ndihmuar të vendosë përparësitë. Pasi të mbarojë arsimimin e tij dytësor, do të dëshironte të studionte teknologji informatike. Por kur e dini se po përgatiteni të merrni Priftërinë Melkizedeke, të shkoni në tempull, në një mision dhe të martoheni, kjo ju ndihmon të dini si të përgatiteni.
Dhe, për Kristianin, këtë gjë e bën studimi i doktrinës dhe i historisë së Kishës. Në fakt, historitë e tij të parapëlqyera vijnë nga historia e Kishës. Për shembull, ai gjen forcë në përvojën e Kampit të Zionit më 1834, kur pjesëtarë turmash kërcënonin të sulmonin fushimin dhe Pofeti Jozef Smith profetizoi që Zoti nuk do ta lejonte këtë gjë. Atë mbrëmje, një stuhi e tmerrshme i shpërndau ata.1 Kjo Kristianit i tregon se ai mund të përgatitet për të ardhmen pa frikë, sepse Zoti mundet t’i mbrojë ata që i shërbejnë.
Si e forconi dëshminë tuaj? Një mënyrë që Kristiani ka gjetur është studimi i jetës së Profetit Jozef Smith. Ai përmend Doktrina e Besëlidhje 135:3, që thotë se Jozef Smithi “ka bërë më shumë, përveç Jezusit vetëm, për shpëtimin e njerëzve në këtë botë, sesa çdo njeri tjetër që jetoi ndonjëherë në të”. Kristiani shton: “Duke arritur që unë të njoh Jozef Smithin, më ka ndryshuar jetën”.
Ai thotë se me studimin e historisë së Kishës “arrini të kuptoni rolin që mund të luani ju sot”. Një tjetër histori e parapëlqyer prej tij tregon për të rinjtë që ndihmuan në shpëtimin e kompanisë Martin të karrocave të dorës, më 1856. Të rinjtë i morën kaluar pionierët e rraskapitur e të këputur nga uria, përmes lumit ngrirës Suituoter Rivër.2 Kristiani thotë se ai shpreson se mund të shfaqë atë lloj guximi, nëse do të përballej me një provë të tillë.
Pse është i rëndësishëm ungjilli në jetën tuaj? Kristiani ka një përgjigje edhe për këtë pyetje. Duke qenë një prift në Priftërinë Aarone, ndjek seminarin çdo mëngjes me të rinj të tjerë nga Dega Kokuere e Kunjit Kapiatá, Paraguaj. Klasa e seminarit zhvillohet në shtëpinë e tij; mësuesja është nëna e tij.
Ato që ai ka mësuar për planin e shpëtimit nga Ati ynë, e ka ndihmuar kur gjyshi i tij i dashur papritmas vdiq. Ai ishte në gjendje të gjente ngushëllim dhe paqe për shkak të “shpresës që na jep ungjilli”.
Ai thotë se ungjilli e ndihmon në çdo pjesë të jetës së tij. “E di se shkrimet e shenjta janë zbulesë nga Ati ynë në Qiell”, dëshmon ai. “E di që kjo është Kisha e vërtetë dhe e di që Jezu Krishti jeton.”