Karta me pyetje dhe karta Për Forcën e Rinisë
PËRSE NUK PIJMË ALKOOL OSE DUHAN?
Ati Qiellor i ka urdhëruar fëmijët e Tij të kujdesen si duhet për trupat e tyre. Ne duhet të hamë ushqime të ushqyeshme, të bëjmë ushtrime fizike rregullisht dhe të flemë mjaftueshëm. Kur i bëjmë këto gjëra mbetemi të lirë nga veset e dëmshme dhe kemi kontroll mbi jetën tonë. Ne marrim bekimet e një trupi të shëndetshëm, një mendje të zhdërvjellët dhe të udhëheqjes së Frymës së Shenjtë.
Alkooli dhe duhani dëmtojnë trupat tanë dhe shpirtrat tanë. Ato kthehen në vese dhe do të dëmtojnë trupat tanë, dobësojnë gjykimin e vetëkontrollin tonë dhe do të shkurtojnë jetën tonë. Meqenëse ne duam të jemi fizikisht, mendërisht dhe shpirtërisht të fortë, ne nuk pimë kafe ose çaj, apo nuk abuzojmë me asnjë lloj droge ose kimikati tjetër.
ÇFARË ËSHTË E GABUAR ME SHARJEN?
Një prej Dhjetë Urdhërimeve thotë se Zoti nuk do të mbajë të pafaj asnjë që keqpërdor emrin e Tij, kështu ne gjithmonë i përdorim emrat e Perëndisë dhe Jezu Krishtit me nderim dhe respekt. Fjalori apo gjestet profane, vulgare apo të ulëta, po ashtu si edhe shakatë e pista, janë fyese për Zotin dhe të tjerët.
Mënyra sesi flisni tregon shumë rreth asaj se kush jeni. Një gjuhë e pastër dhe e mençur tregon që ju keni një mendje të mprehtë dhe të shëndetshme. Ne përdorim gjuhë që i inkurajon dhe i përgëzon të tjerët, në mënyrë që të përmbushim urdhërimin për të dashur njëri-tjetrin. Ne i inkurajojmë të tjerët të përdorin gjuhë të pastër gjithashtu.
PËRSE NUK DALIM NË TAKIME PËRPARA MOSHËS GJASHTËMBËDHJETË VJEÇ?
Miqësitë janë të mrekullueshme, por dalja në takime tepër herët mund të çojë në imoralitet, të kufizojë numrin e të rinjve/të rejave të tjerë që mund të njihni dhe t’ju privojë nga përvojat që në fakt do t’ju ndihmojnë të gjeni njeriun me të cilin do të martoheni. Jo të gjithë adoleshentët e kanë të nevojshme ose madje dëshirojnë të dalin në takime. Megjithatë, ne mund dhe duhet të zhvillojmë miqësi të mira në çdo moshë.
Kur me të vërtetë fillojmë të dalim në takime, ne dalim në grupe apo në takime me çifte të tjera dhe planifikojmë aktivitete që janë pozitive, jo të shtrenjta dhe na ndihmojnë të arrijmë të njohim njëri-tjetrin më mirë. Një dajë dhe një vajzë që dalin në takim duhet të ndihmojnë njëri-tjetrin të mbajnë standardet dhe të mbrojnë nderin dhe virtytin e tjetrit.
A JANË MORMONËT TË KRISHTERË?
Ne besojmë që Jezu Krishti është Biri i Perëndisë dhe Krijuesi. Kur Jezusi jetoi në tokë, ai bëri një jetë të përsosur dhe na mësoi me fjalë dhe shembull sesi duhet të jetojmë së bashku në dashuri. Ne besojmë që nëpërmjet Shlyerjes së Krishtit, ne mund të shpëtohemi nga mëkatet tona ndërsa ne e ndjekim Atë.
Çdo javë, në kishë, ndërsa marrim sakramentin, ne rinovojmë premtimin tonë për ta kujtuar Atë gjithmonë dhe për të mbajtur urdhërimet e Tij.
Ne e duam Jezu Krishtin. Ne e adhurojmë Jezu Krishtin. Ai është Shpëtimtari dhe Shëlbyesi ynë.