2008
NGA LAJMET
Tetor 2008


NGA LAJMET

Presidenti Monson Njofton Tre Tempuj të Rinj në Arizonë

Brenda një periudhe kohore prej një muaji, Presidenti Tomas S. Monson ka njoftuar plane për ndërtimin e tre tempujve të rinj në Arizonë, SHBA. Njoftimi më i fundit mbërriti më 24 maj 2008, në të cilin profeti deklaroi plane për të ndërtuar një tempull në Feniks.

Më 28 prill ai njoftoi plane për të ndërtuar tempuj në Gilbert dhe Gila Vallei, në Arizonë.

“Bekimet e tempullit janë të përjetshme”, tha Presidenti Monson në një letër drejtuar anëtarëve. “Ata që do të vijnë në këtë shtëpi të shenjtë, do të ndiejnë dashurinë e Perëndisë për fëmijët e Tij dhe do të arrijnë një kuptim më të madh për origjinën e vet hyjnore dhe potencialin si bij dhe bija të Tij.”

Tempujt e rinj do ta çojnë në pesë numrin e përgjithshëm të tempujve në Arizonë dhe do të lehtësojnë kërkesën e madhe që i drejtohet tempujve të shtetit që janë në funksionim tani në Mesa dhe Snouflejk.

I ndërtuar në vitin 1927, Tempulli i Mesës në Arizonë frekuentohet nga më shumë anëtarë se cilido tempull në botë jashtë Jutas, duke i shërbyer anëtarëve prej 74 kunjeve, sipas Departamentit të Tempullit të Kishës.

Nuk është vendosur afat për ndërtimin e tre tempujve të rinj, të cilët do ta çojnë numrin e përgjithshëm në botë të tempujve në funksionim ose të planifikuar në 140.

Presidenti Monson Përkushton Tempull, Takohet me Nën Presidentin në Brazil

Gjatë javës së përkushtimit të Tempullit të Kuritibës në Brazil, mijëra anëtarë u mblodhën që të dëgjonin Presidentin Tomas S. Monson në vende të ndryshme në pjesën jugore dhe qendrore të Brazilit.

I shoqëruar nga Plaku Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe Plaku Çarls Didier, i të Shtatëdhjetëve, Presidenti Monson përkushtoi tempullin e Kuritibës në katër sesione, të dielën më 1 qershor 2008.

Natën e mëparshme, mijëra anëtarë mbushën stadiumin e futbollit për një festim kulturor ku mori pjesë profeti.

Tempulli i Kuritibës bëhet tempulli i pestë në Brazil, ku anëtarësia po i afrohet një milionëshit. Më shumë se 42000 njerëz e vizituan tempullin gjatë shtëpisë së hapur të tij. Tempulli i gjashtë i Brazilit është planifikuar për në Manaus.

Të hënën, më 2 qershor, Presidenti Monson fluturoi për në Brazilì, Brazil, që të takohej me nën presidentin e Brazilit, Hozè Alankar. Bashkë me Plakun Nelson dhe Plakun Didier, Presidenti Monson i paraqiti z. Alankar një statujë të vogël që paraqet një familje dhe një kopje me kornizë të “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës” (Liahona, tetor 2004, f. 49).

Më pas, Plaku Nelson dhe bashkëshortja e tij, Uendi, u bashkuan me Presidentin Monson për t’iu folur rreth 8000 anëtarëve për një mbrëmje familjare me pjesëmarrje nga shumë kunje.

Anëtarët e Hong Kongut Ndihmojnë Viktimat e Tërmetit

Brenda pak ditësh nga tërmeti i fuqishëm që tronditi provincën kineze të Sihuanit në maj, më shumë se 600 anëtarë të Kishës nga Hong Kongu shkuan në një fabrikë në Shenzhen, në Kinë, për të paketuar 10000 komplete urgjence për viktimat.

Secili komplet përmbante biskota të thata, qumësht pluhur, mish të konservuar, prodhime brumi që përgatiten në çast, sapun, furçë dhe pastë dhëmbësh, peshqirë, mushama, kuvertë dhe ujë të pijshëm.

Organizata Bamirëse e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, një degë humanitare e Kishës, organizoi projektin, që është pjesë e një ndërmarrjeje për përpjekje ndihme më gjithëpërfshirëse për viktimat e tërmetit. Ai përfshin furnizimin me afërsisht 5000 çadra dhe 4000 thasë gjumi me mushama.

Përveç pajisjeve të ndihmës, një çek nga Organizata Bamirëse e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme iu paraqit zyrtarëve të qeverisë dhe Kryqit të Kuq të Shenzhenit. Fondet vijnë nga dhurime të anëtarëve të Kishës në Hong Kong dhe në të gjithë botën.

Brus Lai, një biznesmen nga Hong Kongu dhe anëtar i Kishës, vuri në dispozicion për këtë rast fabrikën e tij në Shenzhen.

Federata e Bamirësisë e Kinës po u shpërndan furnizime komuniteteve në zonën e tërmetit.

Presidenti Uhtdorf Takohet me Shenjtorë Europianë

Presidenti Diter F. Uhtdorf, Këshilltar i Dytë në Presidencinë e Parë, u takua me anëtarë dhe të ftuar të Kishës gjatë një vizite në Angli, Gjermani dhe Francë, në fund të majit dhe në fillim të qershorit 2008.

Duke iu referuar historive të Gjermanisë dhe Francës, ai u tha parizienëve që merrnin pjesë në një mbledhje në Versajë, se “ndonëse midis dy vendeve ka patur shumë luftëra, tani ne jemi miq dhe fqinjë të mirë. Ungjilli i Jezu Krishtit ka fuqinë të na bëjë të gjithëve njerëz më të mirë dhe nuk bën dallime mbi bazën e kombësisë apo ngjyrës.”

Ai vazhdoi: “Ne jemi të gjithë të bashkuar, të gjithë vëllezër e motra. Ungjilli është përgjigja ndaj sfidave në botë, ndaj gjithë problemeve që përballin familjet, komunitetet dhe kombet.”

Presidenti Uhtdorf u bë anëtar i Kishës në Gjermani kur ishte djalë i vogël. Ai u emërua Këshilltar në Presidencinë e Parë në shkurt të këtij viti.