2008
Ëndrra Ime e Mrekullueshme
Tetor 2008


Ëndrra Ime e Mrekullueshme

Në një aksident në autostradë shumë vite më parë, m’u shkaktuan shumë dëmtime, më i rëndi nga të cilët më la në komë për tre muaj. Bekimet e priftërisë, së bashku me mbështetjen e familjes time, më mundësuan të kem atë që një nga mjekët e mi e quajti “një shërim i mrekullueshëm”.

Por dëmtimet në kokë më dobësuan kujtesën afatshkurtër dhe unë nuk mund t’i mbaja mend më ëndrrat e mia. Shpesh unë zgjohem dhe mendoj “oh, po shihja një ëndërr”, por në atë çast, ëndrra shket përgjithmonë nga mendja ime.

Shtatëmbëdhjetë vjet pas atij aksidenti, u thirra të jem peshkopi i lagjes sime. Gjatë mbledhjes së radhës të këshillit të lagjes, presidentja e Fillores propozoi të thirrnim një filan çift për të mësuar klasën ZTD (Zgjidh Të Drejtën). Këshilltarët e mi dhe unë shpejt shkëmbyem vështrime të habitura.

Motra vinte në kishë, ndonëse jo rregullisht, ndërsa bashkëshorti i saj nuk kishte ardhur prej vitesh. Megjithatë, ne të gjithë ndienim se atyre duhet t’u jepej mundësia për ta marrë parasysh thirrjen.

Natën para se të flisja me çiftin, pata një ëndërr të gjallë. U zgjova mëngjesin tjetër dhe e mbaja mend plotësisht. Gjithçka varej nga ajo që do të thuhej në intervistë që ata ta pranonin thirrjen për të shërbyer. U trondita që po kujtoja ëndrrën për herë të parë në 17 vjet, por më tepër se aq, përmbajtja e ëndrrës më ngazëlleu dhe më dha fuqi.

Atë mbrëmje erdhi të më merrte këshilltari im. Ndërsa po shkonim me makinë për në takim, ai tha: “Peshkop, po të lë ta zhvillosh ti të gjithë bisedën”. Më kujtohet që buzëqesha me besim në vetvete, sepse e ndieja se Zoti e kishte skicuar paraqitjen për mua.

Gjatë intervistës, e përsërita saktësisht ëndrrën dhe çifti e pranoi thirrjen. Ndërsa po drejtoheshim në shtëpi atë natë, këshilltari im tha: “Ndiehem sikur të më ketë mësuar një mësues i zoti”. Buzëqesha përsëri, sepse e dija që ishte e vërtetë — që të dy na kishte mësuar Mjeshtri.

Burri dhe gruaja i kryen detyrat e tyre të Fillores me përkushtim dhe të dy u bënë aktivë në lagje. Nja dy vite më vonë ata u vulosën në tempull.

Ende dhe sot, ajo ëndërr e veçantë është e vetmja që unë kam mbajtur mend në 28 vitet e fundit. Jam i sigurt se Ati Qiellor e dinte se ishte koha e përkryer për atë çift. Si rrjedhim, Ai frymëzoi presidenten e Fillores dhe, për një natë, e bekoi kujtesën time pjesërisht të çrregulluar, që të funksiononte përsosmërisht. Edhe një herë, unë e kuptova se Zoti qëndron në krye të kësaj Kishe dhe se “qëllimet e përjetshme të Zotit do të vazhdojnë, derisa të gjitha premtimet e tij të plotësohen” (Mormoni 8:22).