2008
Kujdes nga Kuajt e Drunjtë
Tetor 2008


Kujdes nga Kuajt e Drunjtë

Elder Kenneth Johnson

A keni vënë re që mjedisi përreth mund t’i ndikojë veprimet tona dhe të prekë sjelljen tonë? Më kujtohet se, kur isha student i ri në universitet, mora pjesë në një diskutim me një mësues i cili citoi kërkime shkencore në lidhje me ndikimet e mjedisit mbi prodhimtarinë në vendin e punës. Ai njoftoi se disa mjedise i nxisnin punonjësit të punonin me energji dhe zell më të madh, ndërsa të tjera mjedise kishin ndikim të kundërt. Mendimi se këto gjëra në dukje të thjeshta mund të kishin një ndikim të tillë, për mua ishte mjaft interesant.

Ai foli gjithashtu për një eksperiment të kryer me një grup njerëzish të ulur në një tryezë, të gatshëm për të shijuar ushqimin që u ishte vënë përpara. Ndonëse çdo pjesëmarrës kishte uri dhe shprehte dëshirën për ta ngrënë ushqimin, oreksi i tyre ndikohej fuqimisht nga ndryshimi i ndriçimit të dhomës. Mbas një ndryshimi në ndriçim, shumëkush nuk hëngri fare, të tjerë fare pak dhe, për habi, asnjë nga pjesëmarrësit nuk e shijoi ushqimin.

Fakti që një ushqim oreksndjellës do ta humbte joshjen e tij thjesht ngaqë kishte ndryshuar ndriçimi i dhomës, dëshmon për prekjen dhe ndikimin që ka mjedisi në sjelljen tonë.

Shumë vite më vonë, gjatë karierës në biz-nesin tim, një klient më ftoi t’i realizoja mbulimin e sigurimeve për një sipërmarrje të re që ai po ndërmerrte. Kur arrita në vend, mësova se do të ishte një klub nate.

Ndërsa kaluam përmes hollit, në të hyrë të mjedisit kryesor, më bëri përshtypje dekori. Orenditë dhe zbukurimet, perdet dhe qilimat ishin përshtatur mirë, duke siguruar një mjedis ndër më të pëlqyerit. Kjo nuk ishte ajo që prisja të gjeja kur më thanë për ç’qëllim do të përdorej ai vend. Ndërsa u ulëm me pronarin, duke diskutuar gjërat e nevojshme, një punonjës u afrua dhe pyeti nëse mund t’i provonte sistemet e instaluara.

Klienti im dha leje. Befas ai mjedis i qetë u shndërrua kur ndriçimi i lokalit u zbeh për ta zëvendësuar me shkrepjen e dritave shumëngjyrëshe dhe muzikën tej mase të lartë. Skena e qetësisë u shkatërrua menjëherë.

Ishte e pamundur të bisedoje në kushte të tilla, prandaj u rikthyem tek pjesa e hollit. Gjatë vazhdimit të mëtejshëm të bisedës dhe për arsye të asaj që kisha përjetuar, nuk u ndjeva i qetë të shkoja më tej, prandaj e adresova klientin tim tek një specialist në këtë fushë të sigurimeve. Madje deri sot e kujtoj qartë shndërrimin e beftë që ngjau nga tufat e dritës dhe goditja ritmike e muzikës së lartë që depërtonin lokalin e errësuar.

Mora një mësim të pashlyeshëm nga këto përvoja. Mjediset tona mund të kenë një ndikim të rëndësishëm mbi mënyrën si ndihemi dhe si sillemi.

Kjo është një arsye pse udhëheqësit tanë kanë këshilluar që çdo aktivitet i financuar nga Kisha duhet të zhvillohet në një mjedis ku të jetë i pranishëm Shpirti i Zotit. Mendoni për këtë këshillë. Tani mendoni për aktivitetet e Kishës sonë. Çfarë mund të bëjmë për përmbushjen e qëllimit të Zotit përsa u përket aktiviteteve të shën-detshme dhe frymëzuese të Kishës?

Kali i Trojës

Që nga rinia më ka tërhequr legjenda greke e kalit të Trojës. Ka mundësi që do t’ju kujtohet se ushtria greke e kishte rrethuar për dhjetë vjet qytetin e Trojës, pa mundur të çajë përmes fortifikimeve të padepërtueshme.

Në fund grekët u hoqën sikur bënë tërheqje, duke lënë pas një kalë të madh të drunjtë me një grup sul-muesish të fshehur brenda. Trojanët besuan se kali ishte një shenjë e mirë dhe, përkundër këshillës së disave, e futën brenda mureve të qytetit. Gjatë natës luftëtarët grekë dolën nga aty ku fshiheshin dhe hapën portat e qytetit, duke i lejuar ushtrisë greke të hynte dhe të mposhtte Trojën.

Ne po ashtu duhet të jemi vigjilentë kundër forcave që po komplotojnë për të çarë mbrojtjet tona, me qëllim që të shkatërrojnë mburojën tonë të besimit! Shtëpitë tona dhe vendet tona të adhurimit mund të japin strehë nga furtuna e shkaktuar nga elemente të një natyre materialiste të pavend, duke na krijuar mundësi të “[jemi] të qëndrueshëm dhe të palëvizur, gjithmonë plot me vepra të mira” (Mosia 5:15) dhe të “[qëndrojmë] në vende të shenjta” gjithnjë (DeB 45:32).

Dështimi në vigjilencë mund të shkaktojë që disa të humbin ndjeshmërinë kur tolerojnë muzikën e dëmshme dhe veprimtaritë e papërshtatshme. Lejimi i gjërave të tilla mund të na dëmtojë nga brenda, sikurse ai kalë i drunjtë i çuar brenda asaj që më parë kish qenë një kala e pathyeshme.

Objektivi ynë në planifikimin dhe përgatitjen e aktiviteteve nuk duhet të jetë të imitohen ose të ndiqen stilet e botës, por të sigurohet një mjedis ku mund të rrijë Shpirti i Zotit. Kjo vlen kurdoherë dhe kudo që një aktivitet financohet nga Kisha, dhe duhet të jetë drejtim për ne kur zgjidhen cilat filma të shihen, cilat programe kompjuterike të vështrohen ose cilat aktivitete të tjera çlodhëse të merret pjesë. Duhet t’u kushtojmë vëmendje të veçantë ngjarjeve që përfshijnë përdorimin e ndërtesave të Kishës, meqenëse janë përkushtuar dhe veçuar për veprimtari të cilat janë “të virtytshme, të [dashura] ose me famë të mirë apo të [denja] për t’u lavdëruar” (Nenet e Besimit 1:13).

Nëse Shpëtimtari do të ndiqte një aktivitet në një ndërtesë mbledhjesh të Kishës, a do të ishte reagimi i Tij i përafërt me atë kur Ai dëboi këmbyesit e parave nga tempulli i Jeruzalemit (shih Mateu 21:12–13)? Apo, ashtu si Pjetri në Malin e Shpërfytyrimit, Ai do të shprehej: “Është mirë që ne jemi këtu” (Mateu 17:4)?

Këshilla e Presidentit Gordon B. Hinkli (1910–2008) në lidhje me cilësimet për shër-bimin kohëplotë misionar, gjen zbatim në këtë çështje: “Jam i bindur se ngritja e stekës së pranueshmërisë do të bëjë që të rinjtë tanë, veçanërisht djemtë e rinj, të praktikojnë vetëdisiplinën, të jetojnë sipër standardeve të ulta të botës, të shmangin shkeljen dhe të zgjedhin udhën kryesore në të gjitha veprimtaritë e tyre”1.

Me këto fjalë në mendje, le të vendosë secili prej nesh të planifikojë e të marrë pjesë në veprimtari të shëndetshme, duke e ngritur stekën më lart e duke shtyrë tutje gjërat e botës.

A do ta kufizojë kjo mënyrë gëzimin prej takimeve tona shoqërore dhe a do t’i largojë shprehjet e lumturisë prej tyre? Aspak! Në fakt, e kundërta do të jetë e vërtetë. Duke ngritur standardin ne do të shijojmë përvoja që kultivojnë kujtime të gjata, në përputhje me premtimin e planit të madh të lumturisë.

SHËNIM

  1. Gordon B. Hinckley, “Missionary Service”, Worldwide Leadership Training Meeting, janar 2003, f. 17.