Mesazh nga Udhëheqja Zonale
Ungjilli Është për të Gjithë Njerëzimin
Me 195 shtete nëpër 7 kontinente, mbi 7 000 gjuhë të ndryshme dhe një popullsi prej 7,9 miliardë banorësh, ne jetojmë në një botë jashtëzakonisht të pasur dhe të larmishme. Ka një numër të panumërt traditash dhe kulturash në çdo nivel, nëpër çdo komb dhe madje deri në çdo familje individuale. Është vërtet një çudi. Ne kemi shumë larmishmëri dhe kjo është e mrekullueshme!
Normat shoqërore po ndahen gjithnjë e më shumë nga parimet themelore bazë të ungjillit të Jezu Krishtit, të njohura dhe të kuptuara nëpërmjet rivendosjes së tij në këto ditë të mëvonshme. Por pavarësisht nga kjo gjë, ka gjithmonë një të vërtetë të pandryshueshme, të vazhdueshme, të palëkundur, që pavarësisht nëse kuptohet apo njihet si e tillë, ajo nuk do të ndryshojë kurrë. Kjo është se çdo burrë, grua dhe fëmijë që ka jetuar, jeton dhe do të jetojë në këtë tokë të lavdishme dhe të larmishme, është një fëmijë i Perëndisë, Atit tonë Qiellor. Që ne jemi këtu në këtë tokë për ta përjetuar vdekshmërinë për një qëllim hyjnor, sepse “Perëndia tha: ‘Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë’. … Kështu Perëndia krijoi njeriun simbas shëmbëlltyrës së vet, simbas shëmbëlltyrës së Perëndisë; Ai krijoi mashkullin e femrën” (Zanafilla 1:26–27). Dhe ne duhet të bëhemi si vetë Perëndia “Unë kam thënë: ‘Ju jeni perëndi, jeni të gjithë bijtë e Shumë të Lartit’” (Psalmeve 82:6).
Proklamata mbi Familjen shpall gjithashtu: “Të GJITHA qeniet njerëzore – meshkuj dhe femra – janë krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Secili është një bir ose bijë shpirtërore e dashur e prindërve qiellorë dhe, si i tillë, secili ka një natyrë dhe destinacion hyjnor.” Sa pozicion i privilegjuar është ta dini dhe kuptoni këtë të vërtetë thelbësore! Jam mirënjohës për të. Nuk e marr si të mirëqenë. Kur isha i ri, për shkak të përvojave në jetë në atë kohë, kisha pyetje për natyrën e Perëndisë, cili ishte Ai, si dukej Ai. Vizitova kishat vendore dhe u bëja shërbestarëve këto pyetje. Bëja pyetje lidhur me qëllimin e jetës dhe pse ishim këtu, në qoftë se do të vuanim dhimbje dhe pikëllim. Nuk mund të merrja një përgjigje të kënaqshme që më dukej e drejtë.
Ekziston një e vërtetë tjetër hyjnore dhe e pandryshueshme, se Krishti, vëllai dhe Shpëtimtari ynë, shleu për shkeljet e gjithë njerëzimit, për çdo individ, pavarësisht nga vendi i origjinës, raca apo besimi i tij apo i saj. Ringjallja dhe pavdekësia janë një dhuratë pa kushte për të gjithë fëmijët e Perëndisë. Megjithatë, ka një çmim për të paguar që të përdorim fuqinë hyjnore të Shlyerjes, për pendimin e vërtetë dhe për t’u çliruar nga barra e mëkatit. Vetë Shpëtimtari e shpjegoi këtë kur mbërriti në kontinentin amerikan: “Dhe ju nuk do të më ofroni më derdhje gjaku; po, flijimet tuaja dhe olokaustet tuaja do të marrin fund, pasi unë nuk do të pranoj asnjë nga flijimet tuaja dhe olokaustet tuaja. Dhe ju do të më ofroni për fli një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar. Dhe kushdo që vjen tek unë me një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar, atë do ta pagëzoj me zjarr dhe me Frymën e Shenjtë” (3 Nefi 9:19–20). Duke vazhduar fjalimin e tij, Alma pohon: “Prandaj, kushdo që pendohet dhe nuk e ngurtëson zemrën e tij, ai do të këtë të drejtë për mëshirë nëpërmjet Birit tim të Vetëmlindur në një heqje të mëkateve të tij; dhe këta do të hyjnë në prehjen time” (Alma 12:34). Dhe fatmirësisht ne e dimë nga mësimet e Jakobit, që merren parasysh ata që nuk kanë mundësinë t’u jepet mësim, të kuptojnë dhe të kenë një dëshmi për Krishtin: “Pasi shlyerja kënaq kërkesat e drejtësisë së tij mbi të gjithë ata të cilëve nuk u është dhënë ligji, që ata të çlirohen … dhe ata kthehen tek ai Perëndi që u dha atyre frymë, i cili është i Shenjti i Izraelit” (2 Nefi 9:26).
Oh sa e bukur është kjo dhuratë, për të gjithë njerëzimin! Jam mirënjohës për këtë, sepse përjetoj rregullisht gëzimin e atij të cilit i është falur mëkati, dhe në të njëjtën mënyrë gëzimin e atij që është shëruar.
Po e mbyll me një kujtesë të ftesës që i është bërë secilit prej nesh nga vetë Shpëtimtari: “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj. Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë!” (Mateu 11:28–30.)