Misioni Ka Qenë dhe Mbetet Gjithçka për mua
Gjithçka nisi 13 vjet më parë kur unë isha rreth 9 vjeç dhe hyra në ujërat e pagëzimit. Babai im ishte ai që më pagëzoi. Ishte një nga momentet më të bukura dhe e çmoj shumë atë kohë. Më pas, babai vendosi duart e tij mbi kokën time dhe më konfirmoi anëtar të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Pas kësaj ai më bekoi. Në bekimin e tij, ishin disa fjalë që më tha: “Perëndia ka shumë plane për ty dhe një nga planet është që ti një ditë të shërbesh në një mision me kohë të plotë”. Që nga ajo ditë, unë mezi prisja të shërbeja në një mision.
Mirëpo, rreth moshës 16-17 vjeç, unë pata një lëkundje në besim dhe misioni nuk ishte gjëja që po mendoja të bëja pas shkollës së mesme. Më vonë, unë kuptova që kisha një dëshmi thjesht mekanike dhe jo një dëshmi plotësisht timen. Vendosa t’i lutem Perëndisë me sinqeritet dhe besim. Ajo ishte një nga periudhat më domethënëse në jetën time. Jeta ime mori një kthesë tërësisht ndryshe nga ajo që kisha nisur, kur unë hodha hapat drejt Perëndisë dhe Jezu Krishtit. Unë mora një dëshmi. Një dëshmi për Perëndinë e Abrahamit, Isakut dhe Jakobit dhe që ishte po i njëjti Perëndi që drejtoi Lehin dhe familjen e tij drejt tokës së premtuar.
Perëndia iu përgjigj pyetjeve të mia. Isha kaq shumë borxhli ndaj Tij. Vendosa të plotësoj letrat për mision. Më vonë, u thirra të shërbej në misionin e Londrës, Angli. Nuk kam për ta harruar kurrë atë kohë.
Lexova këtë shprehje në një nga librat që lexoja gjatë misionit tim: “Ti ke një përjetësi duke u përgatitur për mision dhe ke një përjetësi për të reflektuar pas tij…”. Kështu ndihem unë për jetën time.
Gjatë kohës sime në Misionin e Londrës, Angli, unë pashë dorën e Zotit mbi gjithçka. Ishte një periudhë jo e thjeshtë, pasi unë isha një nga të shumtët misionarë që u prekën nga koha e pandemisë. Madje unë isha akoma duke u trajnuar. Ishte transferimi im i dytë kur e gjithë bota u mbyll në një izolim total. Dhe si pasojë, edhe misioni ynë u fut në një të tillë. Dhe kështu gjithçka papritmas ndryshoi. Nuk e dinim sa do qëndronim në mision. Po dëgjonim që shumë misionarë anë e mbanë botës po mbylleshin dhe disa po shkonin në shtëpitë e tyre. Nuk e dinim çfarë do të na sillte e nesërmja. Nuk mund të dilnim të gjenim njerëz në rrugë ose të trokisnim nëpër shtëpi. Nuk dinim se si të vepronim në të tilla situata.
Megjithatë, thuhet se Zoti të mbyll një derë për të të hapur një tjetër. “Epoka e teknologjisë për misionarët.” Kështu e quaj unë këtë periudhë kohe, pasi teknologjia ishte ajo çfarë na kishte mbetur përveç besimit dhe shpresës. Filluam të “përmbytnim botën” me anë të publikimeve dhe mesazheve drejtpërsëdrejti në rrjetet shoqërore. Ishte shumë e vështirë në fillim, por me besim dhe përkushtim pamë dorën e Zotit mbi të gjithë punën tonë. Shumë njerëz u pagëzuan, që i gjetëm nga rrjetet Instagram dhe Facebook. Kurrë s’e kisha menduar që aq shumë njerëz do ta pranonin mesazhin tonë dhe më vonë të hynin në besëlidhje me Perëndinë. Është një dëshmi se si Shpirti i Perëndisë ishte me ne për Të. Na udhëhoqi drejt njerëzve që janë të gatshëm ta lejojnë Perëndinë të triumfojë në jetën e tyre. Dëshmoj se fuqia e qiellit ishte me ne.
Ashtu si dhe vetë jeta, edhe të shërbyerit ishte i vështirë në këtë lloj mënyre. Por edhe vështirësia ishte diçka e mirë, pasi na dha mundësinë të rriteshim shpirtërisht për t’u bërë më shumë si Ati. Më kujtohet një shkrim i shenjtë i Dhiatës së Vjetër: “Ai do të ulet si ai që shkrin dhe pastron argjendin; do t’i pastrojë bijtë e Levit dhe do t’i rafinojë si arin e argjendin, me qëllim që ata të mund t’i ofrojnë Zotit një blatim me drejtësi” (Malakia 3:3). Flet për Jezu Krishtin dhe e krahason atë me rafinuesin e arit dhe argjendit, pra argdhendësi ose ai që nxeh dhe godet metalin. Po kur pushon rafinuesi së godituri atë metal që ai po punon? Ai pushon së godituri kur të mund ta shikojë pasqyrimin e tij të përsosur në metalin që po godet. Me fjalë të tjera, derisa ne të mund të jemi bërë si Jezu Krishti. Pra ‘goditjet’ ose vështirësitë na rafinojnë që të mund të bëhemi më shumë si Jezu Krishti. Këtë dhe shumë të vërteta të tjera i mësova gjatë misionit tim.