Të Njihesha me Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme – një Bekim i Madh në Jetën Time
Mora në dorë Librin e Mormonit për herë të parë në pranverën e vitit 2017. Kur takova në rrugë misionarët iu thashë: “A nuk është Bibla libri i vërtetë që dëshmon për Zotin tonë Jezu Krisht?” Ata më buzëqeshën dhe më ftuan në një takim në kishë. Më vonë, mësimet e kishës i ndiqnim në shtëpinë time. Ne i përkisnim besimit ortodoks dhe deri në atë moment nuk kisha dëgjuar për Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Kur vendosa të shkoja të dielave në kishë, ajo përbëhej nga një grup shumë i vogël anëtarësh. Ishte sakramenti i parë që mora atë ditë. Pas shumë lutjesh, fillova edhe unë të kisha një dëshmi timen për Librin e Mormonit dhe për Kishën. Mësimet me misionarët vazhduan rregullisht, studioja dhe lexoja shumë.
Një muaj më pas, më 10 qershor 2017, vendosa të pagëzohem dhe të konfirmohem anëtare e Kishës. Kur pagëzohemi, ne i premtojmë Perëndisë se besojmë në Jezu Krishtin që dha jetën në kryq për mëkatet e botës. I premtojmë gjithashtu se do ta kujtojmë Atë gjithmonë, do të zbatojmë urdhërimet e Tij që të kemi Shpirtin e Shenjtë me ne. E përsërisim këtë besëlidhje çdo ditë Shabati, kur marrim sakramentin. Unë e di që Ati ka një plan për secilin prej nesh.
Më vonë, mbas një sërë përgatitjesh, pata mundësinë të vizitoja Tempullin e Zvicrës. Ishte përvoja më e bukur e jetës sime, me plot emocione të papërshkrueshme. Na pritën me shumë dashuri, sikur na njihnin prej kohësh. Na udhëzuan, u veshëm të gjithë me të bardha, m’u duk vetja sikur isha mes engjëjve.
Tempulli ishte një shkollë e madhe, kuptueshmëria jonë u rrit, besimi gjithashtu. Atje bëra shumë ordinanca për veten dhe për paraardhësit e mi. Isha shumë e lumtur që Perëndia më donte dhe po më përdorte për të bërë punën e Tij në mbledhjen e Izraelit. Është me ordinancat e tempullit që ne vendosemi në besëlidhje me Të, është atje që ne bëhemi populli i besëlidhjes. Kur i bëjmë këto gjëra, Perëndia na do, na bekon dhe na mbron. Ne do të marrim frymëzim për të përballuar sfidat e jetës. Puna në tempull është e vërtetë. Ne nuk mund të jemi të lumtur dhe të ekzaltohemi pa kryer ordinancat e tempullit. Te vargjet Doktrina e Besëlidhje 124:40-41 lexojmë: “Dhe në të vërtetë unë ju them, kjo shtëpi duhet të ndërtohet për emrin tim, që unë të mund t’ia zbuloj ordinancat e mia popullit tim në të; Sepse unë e mendoj të përshtatshme t’ia zbuloj kishës sime gjërat që janë mbajtur të fshehura përpara themelimit të botës, gjërat të cilat lidhen me periudhën e plotësisë së kohëve”.
Perëndia jeton, Ai na do. Jezusi është Krishti, Ai e drejton Kishën e Tij nëpërmjet profetit të gjallë, apostujve, shikuesve dhe zbuluesve. I dëshmoj këto në emër të Jezu Krishtit, amen.