2022
Fëmijët e Fillores Japin Përgjigje për Pyetjen: “Si na Ndihmon Jezu Krishti në Kohë Sfidash dhe si Gjejmë Ngushëllim tek Ai?”
Shtator 2022


Faqet Vendore

Fëmijët e Fillores Japin Përgjigje për Pyetjen: “Si na Ndihmon Jezu Krishti në Kohë Sfidash dhe si Gjejmë Ngushëllim tek Ai?”

Këtu janë disa komente, dëshmi dhe përvoja nga fëmijët e Fillores se si ata përpiqen ta mbajnë të fortë besimin që kanë në Jezu Krisht.

Erin Çyçi, 8 vjeçe (Lagjja e Dytë, Kunji Tiranë, Shqipëri)

“Jezusi më ndihmon në kohë sfidash duke më dhënë Shpirtin e Shenjtë dhe duke më bërë të ndihem mirë. Jezusi më ndihmon që të kem shpresë. Jezusi më ndihmon në kohë sfidash duke pasur Shpirtin e Tij. Një rast kur Jezu Krishti më ka ndihmuar mua, ishte kur unë doja të thosha një dëshmi dhe isha shumë e emocionuar, nuk dilja dot. Por Jezu Krishti më ndihmoi. Kur u ktheva te mami, i thashë që i kisha lotët gati për të më rënë nga gëzimi sepse isha shumë e lumtur që dola dhe dëshmova për anëtarët e Kishës. Edhe kur lexoj shkrimet e shenjta e ndiej shpirtin në zemër dhe jam e lumtur.”

Asildo Prenga, 8 vjeç (Lagjja e Katërt, Kunji Tiranë, Shqipëri)

“Kur pagëzohemi, ne i japim një premtim Jezu Krishtit që urdhërimet që Ai na ka dhënë, duhet t’i zbatojmë. Kur ne i zbatojmë urdhërimet, Jezu Krishti na ndihmon në kohë sfidash.”

Alisa Toska, 12 vjeçe (Lagjja e Parë, Kunji Tiranë, Shqipëri)

“Unë mendoj se Jezu Krishti mund të na japë forcë dhe shpresë vetëm duke u lutur gjatë sfidave. Shpresën mund ta gjejmë vetëm tek Ai. Kështu, ne mund të jemi të fortë gjatë sfidave të përditshme. Ati Qiellor do të më ndihmojë t’i kapërcej sfidat e mia. Nëse unë përpiqem, do t’ia dal me sukses sepse Jezu Krishti na ka premtuar që do të na bekojë.”

Abigail Gorica, 8 vjeçe (Lagjja e Tretë, Kunji Tiranë, Shqipëri)

“Ndonjëherë, shokët dhe shoqet në shkollë më mërzisin me gjërat që më thonë, por kam mësuar në Kishë që të lutem dhe të lexoj një histori të bukur. Me ndihmën e mamit, unë lexoj libra për Filloren dhe revistën ‘Miku’. Unë e di që Jezu Krishti më do. Ai i do të gjithë fëmijët. Mua më pëlqen shumë të shkoj në Kishë çdo të diel dhe një ditë të bëhem një misionare.”

Emily Çyçi, 5 vjeçe (Lagjja e Dytë, Kunji Tiranë, Shqipëri)

“Jezusi më ngushëllon duke më ndihmuar. Më bën të fortë, më ndihmon që të jem mirë dhe që të jem e gëzuar. Kur jam e sëmurë, Jezusi më shëron. Ai më gëzon me shpirtin e Tij. Ndihem e gëzuar prej Tij kur luaj me motrën dhe më bekon që të jem mirë. Jezusi na qetëson kur jemi të shqetësuar.”

Shtyp në Letër