2023
Historia më e Madhërishme e Pashkës që Është Treguar Ndonjëherë
Maj 2023


14:20

Historia më e Madhërishme e Pashkës që Është Treguar Ndonjëherë

Shiheni Librin e Mormonit nga një këndvështrim i ri dhe merreni parasysh dëshminë e thellë që ai jep për realitetin e Krishtit të ringjallur.

Letra e Presidencës së Parë për Pashkën

Ndoshta ju kujtohet që dëgjuat një letër nga Presidenca e Parë, e cila u lexua në lagjen ose degën tuaj disa javë më parë. Në atë letër u njoftua se të dielën e ardhshme, të dielën e Pashkës, të gjitha lagjet dhe degët do të mblidhen vetëm për mbledhjen e sakramentit, duke lënë kohë shtesë për adhurim në shtëpi si familje për të kremtuar këtë festë shumë të rëndësishme.1

Letra e Presidencës së Parë më tërhoqi vëmendjen dhe më bëri që të reflektoj mbi mënyrën se si familja ime e ka festuar Pashkën përgjatë viteve. Sa më shumë që mendoja rreth kremtimeve tona, aq më shumë e gjeja veten duke vrarë mendjen nëse pa dashje po e cektësonim kuptimin e vërtetë të kësaj feste, kaq thelbësore për të gjithë besimtarët e Jezu Krishtit.

Krishtlindja dhe Traditat e Pashkës

Këto mendime më bënë që të përsiat ndryshimin midis mënyrës se si e kemi festuar Krishtlindjen në krahasim me Pashkën. Gjatë dhjetorit, në njëfarë mënyre ia dalim të ndërthurim harenë e këngës “Jingle Bells” [“Zilet Tringëlluese”], të çorapeve të Krishtlindjes dhe të dhuratave, së bashku me tradita të tjera më domethënëse, të tilla si përkujdesja për njerëzit nevojtarë, të kënduarit e këngëve dhe himneve tona të parapëlqyera të Krishtlindjes dhe, sigurisht, hapja e shkrimeve të shenjta dhe leximi i historisë së Krishtlindjes te Lluka 2. Çdo vit teksa e lexojmë këtë histori të dashur nga një Bibël e madhe dhe e vjetër, familja jonë bën atë që bën ndoshta edhe familja juaj – të mbuluar me peshqirë mbi kokë e supe dhe të veshur me rrobën që përdornim në banjë për të përfaqësuar Jozefin, Marien dhe njerëzit e shumtë që erdhën për ta adhuruar foshnjën Jezus, ne dramatizojmë historinë e çmuar të Krishtlindjes për lindjen e Shpëtimtarit.

Kremtimet tona familjare të Pashkës, gjithsesi, kanë qenë disi të ndryshme. Ndiej se familja jonë është përqendruar më shumë te “shkuarja në kishë” për të siguruar pjesën kuptimplotë, të përqendruar te Krishti, të Pashkës; dhe më pas si familje jemi mbledhur për të bërë së bashku tradita të tjera që lidhen me Pashkën. Më ka pëlqyer shumë t’i shoh fëmijët tanë dhe tani nipërit e mbesat tona që kërkojnë me ngulm vezët e Pashkës dhe gërmojnë nëpër shportat e tyre të dhuratave të Pashkës.

Por letra e Presidencës së Parë ishte një thirrje për të ndryshuar. Jo vetëm që na ftuan ne të gjithë që të sigurohemi që kremtimi ynë i ngjarjes më të rëndësishme që ndodhi ndonjëherë në këtë tokë – Shlyerja dhe Ringjallja e Jezu Krishtit – përfshin nderimin dhe respektin që Zoti e meriton, por ata na dhanë më shumë kohë me familjet tona dhe miqtë tanë të dielën e Pashkës për ta bërë këtë gjë.

Shpëtimtari i ringjallur

Këto fjalë të Profetit Jozef Smith japin më shumë kontekst lidhur me rëndësinë e ngjarjeve që e rrethuan Pashkën: “Parimet themelore të besimit tonë janë dëshmia e Apostujve dhe Profetëve në lidhje me Jezu Krishtin, që Ai vdiq, u varros, u ngrit sërish ditën e tretë dhe u ngjit në qiell; dhe gjithë gjërat e tjera që i përkasin besimit tonë janë vetëm shtojca të kësaj”2.

Lesa dhe unë kemi diskutuar mënyra se si familja jonë mund t’i bëjë gjërat më mirë gjatë periudhës së Pashkës. Ndoshta pyetja që ia kemi bërë vetes, është një pyetje që ne të gjithë mund ta mendojmë: Si i japim formë mësimdhënies dhe kremtimit të Ringjalljes së Jezu Krishtit, historisë së Pashkës, me të njëjtin drejtpeshim, të njëjtën plotësi dhe traditë të pasur fetare që i kushtojmë lindjes së Jezu Krishtit, historisë së Krishtlindjes?

Duket se ne të gjithë po përpiqemi. Unë vëzhgoj një përpjekje në rritje mes shenjtorëve të ditëve të mëvonshme drejt një Pashke më të përqendruar te Krishti. Kjo përfshin një vlerësim më të madh dhe më të kujdesshëm për të Dielën e Palmave dhe të Premten e Mirë, siç praktikohet nga disa prej besimtarëve të tjerë të krishterë. Gjithashtu mund të përvetësojmë tradita të përshtatshme të Pashkës me në qendër Krishtin, siç gjenden në kulturat dhe zakonet e vendeve anembanë botës.

Studiuesi i Dhiatës së Re, N. T. Rajti, sugjeroi: “Ne duhet të ndërmarrim hapa për ta festuar Pashkën në mënyra të reja krijuese; në art, letërsi, lojërat e fëmijëve, poezi, muzikë, vallëzim, festivale, kambana, koncerte të veçanta. … Ajo është festivali ynë më i madh. Hiqni mënjanë Krishtlindjen, dhe në terma biblikë, ju humbisni dy kapituj në fillim të Ungjillit sipas Mateut dhe Llukës, asgjë tjetër. Hiqni mënjanë Pashkën dhe ju nuk keni një Dhiatë të Re; nuk keni një krishterim.”3

Pashka, Bibla dhe Libri i Mormonit

Ne e çmojmë Biblën për gjithçka që na mëson rreth lindjes, shërbesës, Kryqëzimit dhe Ringjalljes së Jezu Krishtit. Asnjë dyshe fjalësh nuk përmban më shumë shpresë dhe rrjedhojë të përjetshme për gjithë njerëzimin sesa fjalët e shqiptuara nga një engjëll qiellor në mëngjesin e Pashkës në Varrin e Kopshtit: “U ringjall”4. Jemi thellësisht mirënjohës për shkrimin e shenjtë të Dhiatës së Re që ruan historinë e Pashkës dhe të shërbesës për Pashkë të Shpëtimtarit në Jude dhe Galile.

Ndërkohë që Lesa dhe unë vazhduam të përsiatim dhe të kërkojmë mënyra për ta zgjeruar festimin e Pashkës si familje që të jetë më i përqendruar te Krishti, diskutuam se çfarë tradite leximi të shkrimeve të shenjta mund të fillonim me familjen tonë, le të themi, të barasvlershëm për Pashkën me kapitullin te Lluka 2 për Krishtlindjen.

Atëherë patëm këtë fanitje qiellore: përveç vargjeve të rëndësishme rreth Pashkës në Dhiatën e Re, neve, si shenjtorë të ditëve të mëvonshme, na është dhënë dhurata më mbresëlënëse nga të gjitha për Pashkën! Një dhuratë e dëshmimit të pashoq, një dëshmi tjetër e mrekullisë së Pashkës që përfshin ndoshta shkrimet e shenjta më të jashtëzakonshme për Pashkën në të gjithë krishterimin. Sigurisht po i referohem Librit të Mormonit dhe më veçanërisht, rrëfimit për Jezu Krishtin që u shfaqet banorëve në Botën e Re në lavdinë e Tij të ringjallur.

Profeti Jozef Smith e përshkroi Librin e Mormonit si “më i sakti nga [cilido] libër”5 dhe duke filluar nga 3 Nefi 11, libri tregon historinë e madhërishme të vizitës së Krishtit të ringjallur te nefitët dhe shërbesën e Shpëtimtarit gjatë Pashkës. Këto shkrime të shenjta të Pashkës japin dëshmi për Ringjalljen e Zotit Jezu Krisht.

Në këta kapituj, Krishti thërret dymbëdhjetë dishepuj, jep mësim ashtu siç bëri në Predikimin e Tij në Mal, shpall se Ai e ka përmbushur ligjin e Moisiut dhe profetizon rreth mbledhjes së Izraelit në ditët e mëvonshme. Ai i shëron të sëmurët dhe lutet për njerëzit në një mënyrë të lavdishme të cilën “asnjë gjuhë nuk mund t[a] flasë, as nuk mund të shkruhet nga ndonjë njeri, as zemrat e njerëzve nuk mund të kuptojnë gjëra kaq të mëdha dhe të mrekullueshme, si ne pamë dhe dëgjuam Jezusin të fliste; dhe askush nuk mund ta kuptojë gëzimin që mbushi shpirtrat tanë kur e dëgjuam t’i lutej Atit për ne”6.

Jezu Krishti u shfaqet nefitëve

Këtë Pashkë, familja jonë do të përqendrohet te 17 vargjet e para të kapitullit 3 Nefi 11, të cilat ju i njihni. Ju e kujtoni turmën e madhe përreth tempullit në tokën Begati, që e dëgjoi zërin e Perëndisë, Atit dhe pa Jezu Krishtin duke zbritur nga qielli për të dhënë ftesën më të bukur për Pashkën:

“Ngrihuni dhe ejani tek unë, që të mund … të ndieni gjurmët e gozhdëve në duart e mia dhe në këmbët e mia, që ju të dini se unë jam Perëndia … i tërë tokës dhe se u vrava për mëkatet e botës.

Dhe … turma shkoi përpara … një nga një … dhe panë me sytë e tyre dhe ndien me duart e tyre, … dhe dëshmuan se ai ishte. …

Dhe … ata thirrën njëzëri, duke thënë:

Hosana! I bekuar qoftë emri i Më të Lartit Perëndi! Dhe ata ranë te këmbët e Jezusit dhe e adhuruan atë.”7

Përfytyrojeni: nefitët në tempull me të vërtetë i prekën duart e Zotit të ringjallur! Ne shpresojmë t’i bëjmë këta kapituj tek 3 Nefi një pjesë po aq të madhe të traditës sonë të Pashkës sa ç’është kapitulli Lluka 2 pjesë e traditës sonë të Krishtlindjes. Në realitet, Libri i Mormonit tregon për historinë më të madhërishme të Pashkës që është treguar ndonjëherë. Le të mos jetë ajo historia më e madhërishme e Pashkës që nuk është treguar asnjëherë.

Ju ftoj ta shihni Librin e Mormonit nga një këndvështrim i ri dhe të merrni parasysh dëshminë e thellë që ai jep për realitetin e Krishtit të ringjallur, si dhe të pasurisë dhe thellësisë së doktrinës së Krishtit.

Libri i Mormonit Dëshmon për Jezu Krishtin

Ne mund të pyesim: Si mund ta bekojë jetën tonë dhe të njerëzve tanë të dashur në mënyrë domethënëse leximi i shkrimeve të shenjta në Librin e Mormonit gjatë kohës së Pashkës? Më shumë nga ç’mund ta kuptojmë. Çdo herë që e lexojmë dhe e studiojmë Librin e Mormonit, ne mund të presim rezultate mbresëlënëse.

Kohët e fundit, Lesa dhe unë morëm pjesë në varrimin e një mikeshe të dashur, një gruaje plot besim, jeta e së cilës mbaroi më shpejt nga ç’pritej prej sëmundjes. U mblodhëm me familjen dhe miqtë e saj të ngushtë, duke shkëmbyer kujtime plot dashuri për këtë shpirt të mrekullueshëm që na kishte pasuruar jetën.

Ndërkohë që qëndronim në njëfarë largësie nga arkivoli, duke biseduar me të tjerët, vura re dy vajza të vogla të moshës së Fillores që iu afruan arkivolit dhe u zgjatën në majë të gishtave, me sytë që mezi arritën në anën e arkivolit, për të shprehur respektin e tyre përfundimtar ndaj tetos së tyre të dashur. Duke mos qenë ndonjë njeri tjetër pranë, Lesa u afrua dhe u përkul përkrah tyre për t’u ofruar ngushëllim dhe për t’i mësuar. I pyeti se si ndiheshin dhe a e dinin se ku ishte tani tetoja e tyre. Ato i treguan për trishtimin e tyre, por më pas këto bija të çmuara të Perëndisë, me vetëbesim që u shkëlqente në sy, thanë që e dinin se tetoja e tyre ishte tani e lumtur dhe se mund të ishte me Jezusin.

Në këtë moshë të njomë, ato gjetën paqe në planin e madh të lumturisë dhe, në vetë mënyrën e tyre fëmijërore, dëshmuan për realitetin e thellë dhe bukurinë e thjeshtë të Ringjalljes së Shpëtimtarit. Ato e dinin këtë në zemrën e tyre për shkak të mësimeve të kujdesshme të prindërve të dashur, familjes, udhëheqëseve të Fillores që kishin mbjellë një farë besimi te Jezu Krishti dhe jeta e përjetshme. Të mençura përtej viteve të jetës së tyre, këto vajza të vogla kuptuan të vërteta që na vijnë nëpërmjet mesazhit të Pashkës, shërbesës së Shpëtimtarit të ringjallur dhe fjalëve të profetëve siç tregohen në Librin e Mormonit.

Kam vëzhguar se kur Presidenti Rasëll M. Nelson i jep si dhuratë një Libër të Mormonit dikujt jo të besimit tonë, përfshirë udhëheqës botërorë, ai shpesh kthehet tek 3 Nefi dhe lexon rreth shfaqjes së Krishtit të ringjallur te nefitët. Duke e bërë këtë gjë, profeti i gjallë në thelb po jep dëshmi për Krishtin e gjallë.

Ne nuk mund të qëndrojmë si dëshmitarë të Jezu Krishtit derisa të mund të japim dëshmi për Të. Libri i Mormonit është një tjetër dëshmi e Jezu Krishtit ngaqë përgjatë faqeve të tij të shenjta, profetët njëri pas tjetrit dëshmojnë jo vetëm se Krishti do të vijë, por se Ai vërtet erdhi.

Për Shkak të Tij

Po mbaj në dorë një kopje të botimit të parë të Librit të Mormonit. Kur e mbaj në dorë atë, gjithmonë ndiej emocion. Për pjesën më të madhe të jetës sime në moshë madhore, kam qenë i magjepsur, i shtangur dhe i habitur nga ajo që bëri i riu Jozef Smith për ta përkthyer dhe botuar këtë libër të shenjtë të shkrimit të shenjtë. Mrekullitë që do të ndodhnin, janë mahnitëse kur i sjell ndër mend.

Por kjo nuk është arsyeja përse ky libër më emocionon. Arsyeja është se ky libër, më shumë se cilido libër tjetër i botuar ndonjëherë në këtë tokë, jep dëshmi për jetën, shërbesën, mësimet, Shlyerjen dhe Ringjalljen e Jezu Krishtit. Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, studimi rregullisht nga ky libër rreth Jezu Krishtit do ta ndryshojë jetën tuaj. Do t’ju hapë sytë për mundësi të reja. Do ta rritë shpresën tuaj dhe do t’ju mbushë me dashuri hyjnore. Mbi të gjitha, do ta ndërtojë dhe forcojë besimin tuaj te Jezu Krishti dhe do t’ju bekojë me një njohuri të sigurt që Ai dhe Ati ynë ju njohin, ju duan dhe dëshirojnë që ju të gjeni udhën tuaj të kthimit në shtëpi, me një SH të madhe.

Të dashur vëllezër e motra, koha ka ardhur, e parathënë nga profetët e lashtë, “kur njohuria për një Shpëtimtar do të përhapet mes çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli”8. Po e shohim përmbushjen e kësaj profecie përpara vetë syve tanë nëpërmjet dëshmisë së Jezu Krishtit që gjendet në Librin e Mormonit.

Zoti Jezu Krisht

Asnjë libër nuk e tregon më mirë se:

  • Për shkak të Jezu Krishtit, gjithçka ndryshoi.

  • Për shkak të Tij, gjithçka është më e mirë.

  • Për shkak të Tij, jeta është e përballueshme, veçanërisht çastet e dhembshme.

  • Për shkak të Tij, gjithçka është e mundur.

Vizita e Tij si një Shpëtimtar i ringjallur, i paraqitur nga Perëndia, Ati është mesazhi më i lavdishëm dhe më triumfues i Pashkës. Ai mesazh do t’i ndihmojë pjesëtarët e familjes sonë që të fitojnë dëshmi vetjake për Jezu Krishtin si Shpëtimtarin dhe Shëlbuesin tonë, i cili i këputi lidhjet e vdekjes.

E mbyll me dëshminë time për vërtetësinë e Librit të Mormonit dhe të Jezu Krishtit si Biri i Perëndisë të gjallë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.