Lajme të Kishës
Një Vështrim mbi Shërbesën Pesëvjeçare të Presidentit Rasëll M. Nelson si President i Kishës
Në fjalimin e tij të parë publik si Presidenti i 17‑të i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, që u mbajt pesë vjet më parë, Presidenti Rasëll M. Nelson e largoi vëmendjen nga vetja për në drejtim të Jezu Krishtit dhe më pas hodhi vështrimin përpara.
“Zoti gjithmonë i ka udhëzuar e frymëzuar profetët e Tij dhe gjithmonë do t’i udhëzojë e frymëzojë ata”, – shpalli ai. “Zoti është në timon. Ne, të cilët jemi shuguruar që të japim dëshmi për emrin e Tij të shenjtë anembanë botës, do të vazhdojmë të përpiqemi ta dimë vullnetin e Tij dhe ta ndjekim atë” (“Teksa Ecim Përpara së Bashku”, Liahona, prill 2018, f. 6).
Marrja e Zbulesës për të Udhërrëfyer Kishën
Presidenti Nelson ka vepruar sipas drejtimit të Zotit teksa ka udhëtuar në 35 kombe, ka bërë përshtatje në organizimin e Kishës, ka përdorur teknologjinë për ta shpërndarë ungjillin, ka udhëhequr Kishën përmes një pandemie, ka shpallur ftesa historike dhe ka ndërtuar ura mirëkuptimi.
Gjatë mandatit të tij si President i Kishës, Presidenti Nelson u ka folur qindra mijëra shenjtorëve të ditëve të mëvonshme dhe është takuar me mbretër, presidentë dhe kryeministra. Ai u ka dhënë ngushëllim viktimave të krimit dhe njerëzve të tjerë që janë të pikëlluar, dhe i ka thelluar marrëdhëniet me udhëheqësit kryesues të National Association for the Advancement of Colored People (NAACP) [Shoqatës Kombëtare për Përparimin e Njerëzve me Ngjyrë], duke marrë një ftesë që të fliste në kuvendin e NAACP‑së në vitin 2019 në Detroit të Miçiganit në SHBA.
Nëpërmjet zbulesës dhe me përkrahjen e plotë të Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, ai gjithashtu ka ndërmarrë ndryshime të shumta të rregullores brenda Kishës.
Nën udhëheqjen e tij të frymëzuar, udhëheqësit dhe udhëheqëset shenjtore të ditëve të mëvonshme i zëvendësuan mësimet e shtëpisë dhe vizitat mësimore me dhënien e shërbesës; i përshtatën oraret e mbledhjeve të së dielës për t’i bërë vend studimit të ungjillit të përqendruar te shtëpia dhe të përkrahur nga Kisha; dhe u kërkuan anëtarëve që të përdorin emrin e plotë dhe të saktë të Kishës. Kisha vuri në veprim një rregullore e cila lejoi për çiftet që janë të martuar zyrtarisht, që të vulosen në tempull sapo të jenë të përgatitur; e riemërtoi dhënien e llogarisë për të dhjetën si deklarimin e së dhjetës; dhe krijoi një rregullore që i lejon gratë të shërbejnë si dëshmitare në vulosjet në tempull dhe gratë, të rinjtë, të rejat dhe fëmijët që janë anëtarë të denjë të Kishës, që të shërbejnë si dëshmitarë për pagëzimet.
“Një prej gjërave që Shpirti ma ka sjellë si mbresë në mënyrë të përsëritur në mendjen time që nga thirrja ime e re si Presidenti i Kishës, është se sa i gatshëm është Zoti për ta zbuluar mendjen dhe vullnetin e Tij”, – tha Presidenti Nelson gjatë konferencës së përgjithshme të Kishës në prill 2018 (“Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, Liahona, maj 2018, f. 94).
Në vitin 2020 Kisha kremtoi dyqindvjetorin e Vegimit të Parë të Jozef Smithit, jo me një festim të madh, por me udhëheqësit e Kishës që i ftuan shenjtorët e ditëve të mëvonshme anembanë globit që të mësojnë ta dëgjojnë zërin e Zotit më mirë dhe më shpesh. Në një bisedë të konferencës së përgjithshme të prillit 2020, Presidenti Nelson paraqiti një proklamatë historike, të titulluar “Rivendosja e Plotësisë së Ungjillit të Jezu Krishtit: Një Proklamatë në Dyqindvjetor drejtuar Botës” (shih te “Dëgjojeni Atë”, Liahona, maj 2020, f. 91–92).
Udhëheqja e Kishës përmes Pandemisë së COVID-19
Me përvojën e një kirurgu nismëtar për zemrën, por akoma më veçanërisht si profeti i Zotit dhe udhëheqësi i një feje mbarëbotërore, Presidenti Nelson e udhëhoqi Kishën përmes pandemisë së COVID-19 që filloi në vitin 2020.
Përgjigjja e Latter-day Saint Charities [Organizatës Bamirëse SHDM] ndaj pandemisë u bë përgjigjja më e gjerë deri tani në historinë e Kishës, me ndihmën që u dha në më shumë se 150 vende.
Në një intervistë në maj 2020 me Church News [Lajmet e Kishës], Presidenti Nelson tha: “Edhe përmes reve të hidhërimit mund të gjenden rreze të argjendta” (në Sarah Jane Weaver, “Video: President Nelson Talks about the ‘Painful’ Decision to Close Temples amid COVID-19”, Church News, 27 korrik 2020, thechurchnews.com). “Rrezet e argjendta të pandemisë”, – tha ai, “ishin gjetja e mënyrave për t’i përfshirë shenjtorët e ditëve të mëvonshme pa iu dashur të hipnin në një avion.” Nëpërmjet teknologjisë, Presidenti Nelson u foli shenjtorëve të ditëve të mëvonshme në Venezuelë dhe në Europë, si edhe në Kaliforni, Kanada dhe Oklahomë. Gjithashtu u foli edhe të rinjve e të rejave në moshë madhore anembanë botës.
Në gusht të vitit 2022, Presidenti Nelson udhëtoi jashtë Jutës për herë të parë që nga përhapja e madhe e pandemisë në mars të vitit 2020, për ripërkushtimin e Tempullit të rinovuar të Uashington D.K.‑së.
Marrja e Çmimit të Paqes “Gandi‑King‑Mandela”
Kolegji “Morhauz”, kolegj historikisht për zezakët në Xhorxhia të SHBA‑së, shpalli se do t’i jepte Presidentit Nelson Çmimin e tij inaugurues të Paqes “Gandi‑King‑Mandela”. Shkolla ia dha këtë çmim të ri nderi profetit 98‑vjeçar më 13 prill 2023, në Asamblenë Mbarëbotërore Ndërfetare dhe Ndërbesimtare në Kishën Ndërkombëtare “Martin Luter King i Riu” në Atlantë.
Këtij çmimi i është vënë emri sipas Mahatma Gandit, Martin Luter Kingut të Riut dhe Nelson Mandelës. Shkolla tha se ai çmim ka si synim që t’i jepet dikujt që nxit paqe e transformim pozitiv shoqëror nëpërmjet mjeteve jo të dhunshme dhe e përdor udhëheqjen e vet globale për të pohuar paqe, drejtësi, larmi dhe pluralizëm.
Presidenti Nelson e pranoi çmimin nëpërmjet transmetimit me material filmik dhe The Tabernacle Choir at Temple Square gjithashtu interpretoi në mënyrë virtuale.
Shërbesa pesëvjeçare e profetit ka qenë e mbushur me nxitje për ta dashur e për ta respektuar çdo njeri. Në një ngjarje në vitin 2018 duke kremtuar 40‑vjetorin e zbulesës së vitit 1978 mbi bekimet e priftërisë që iu shtrinë anëtarëve të denjë të të gjitha racave, ai u dha mësim shenjtorëve të ditëve të mëvonshme që të “ndërtoj[n]ë ura bashkëpunimi në vend të mureve të izolimit” (“Building Bridges”, New Era, gusht 2018, f. 6).