2023
Plaku Xh. Kimo Esplin
Maj 2023


“Plaku Xh. Kimo Esplin”, Liahona, maj 2023.

Plaku Xh. Kimo Esplin

Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë

Disa muaj pas misionit të vet, Plakut Xh. Kimo Esplin i ndodhi një aksident me makinë ku u vra babai i tij. Vetëm pak muaj më vonë, me nënën e vet të ulur pranë, makina e tij u godit nga pas. Makina u përmbys dhe nëna dhe mbesa e tij u vranë.

Pavarësisht nga tragjeditë dhe pikëllimi që ka përjetuar, Plaku Esplin e konsideron veten të bekuar. Ai ia kushton atë ndjenjë Zotit dhe mirësisë e mëshirave të dhembshura të Tij.

“Jeta ka qenë e mirë”, – tha ai.

Një nga thëniet e tij të parapëlqyera është: “Zoti nuk po ta bën ty këtë gjë; Ai po e bën atë për ty”.

Pak kohë pas vdekjes së prindërve, motrat e tij më të mëdha mblodhën para dhe e dërguan të bënte studime në Qendrën në Jerusalem të Universitetit “Brigam Jang”. Atje takoi Kei Dejvisin.

Ata të dy u bënë miq të mirë ndërkohë që grupi i tyre jetoi në kampim në shkretëtirën e Sinait, punoi në fushat e bananeve dhe studioi së bashku Dhiatën e Vjetër dhe të Re.

Pasi u kthyen në Provo të Jutës, ata filluan të dilnin në takime. Ata u martuan në Tempullin e Solt-Lejkut në dhjetor 1985. Ata kanë tetë fëmijë.

Xhon Ros Kimo Esplini u lind më 18 gusht 1962, në Kahuku të Havait në SHBA. Ai ishte fëmija më i vogël, dhe i vetmi djalë, i tetë fëmijëve të Ros S. dhe Oliv Ora Mudi Esplinit.

Plaku Esplin mori një diplomë të nivelit të parë për kontabilitet nga Universiteti “Brigam Jang” në vitin 1987. Pasi e shpërnguli familjen e tij në Çikago të Ilinoisit, ai e filloi karrierën e vet në investimet bankare dhe mori një diplomë pasuniversitare në administrim biznesi.

Kur Plaku Esplin u bë zëvendëspresidenti ekzekutiv dhe drejtuesi financiar për Huntsman Corporation, familja u shpërngul për një kohë të shkurtër në Belgjikë përpara se të vendosej në Kotënud‑Hajts në Jutë.

Plaku Esplin, i cili ishte një I Shtatëdhjetë Zonal në kohën kur mori thirrjen si një Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë, shërbeu si president misioni në Misionin e Japonisë, Tokio dhe në Misionin e Japonisë, Tokio Jugore. Si misionar kohëplotë kur ishte i ri, ai shërbeu në Misionin e Japonisë, Kobe. Ai gjithashtu ka shërbyer si president kunji, këshilltar i lartë dhe peshkop.