2023
Motra Andrea Munjoz Spanaus
Maj 2023


“Motra Andrea Munjoz Spanaus”, Liahona, maj 2023.

Motra Andrea Munjoz Spanaus

Këshilltare e Dytë në Presidencën e Përgjithshme të Të Rejave

Kur ishin fëmijë dhe jetonin në Argjentinë, Andrea Veronika Munjoz dhe motra e saj më e madhe ndoqën një shkollë katolike. Ato nuk kishin dëgjuar kurrë mësime të ndonjë feje tjetër derisa Andrea u bë nëntë vjeçe. Kjo ishte koha kur misionarët shenjtorë të ditëve të mëvonshme filluan t’i jepnin mësim familjes së saj rreth ungjillit të rivendosur.

Pak kohë pasi misionarët i mbaruan mësimet e tyre dhe u larguan, nëna e Andreas shpjegoi se kishte më shumë se vetëm një besim fetar. Andrea e pyeti nënën e saj se cila kishë mendonte ajo se e përfaqësonte më së miri Perëndinë. Nëna e saj u përgjigj: “Mendoj se është kjo kishë” – Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, rreth së cilës sapo i kishin mësuar misionarët.

Gjatë gjithë jetës së vet Andrea gjithmonë kishte “dashur ta kënaqte Perëndinë”, prandaj shqetësohej rreth përqafimit të një besimi të ri fetar. Sidoqoftë, ndjenja zgjati vetëm për pak minuta dhe u zëvendësua nga një dëshirë për të mësuar më shumë rreth Kishës.

Familja u pagëzua “dhe ne filluam një jetë të re”, – tha Motra Spanaus. “Ishte vërtet e mrekullueshme mënyra se si jeta e familjes sonë ndryshoi për të gjithë ne.”

Andrea Veronika Munjoz Spanaus iu lindi Karlos Alberto Munjozit dhe Elida Menikuçit më 18 maj 1968, në Buenos‑Ajres të Argjentinës. Ajo u rrit në Bekar të Argjentinës. Ajo u martua me Alin Spanausin në Tempullin e Buenos-Ajresit në Argjentinë në tetor 1992. Ata janë prindër të dy vajzave.

Motra Spanaus mori një diplomë universitare për arsimin në vitet e para të fëmijërisë dhe studioi art dhe projektim të brendshëm ndërtesash. Ajo po shërben tani në këshillin e përgjithshëm konsultativ të Shoqatës së Ndihmës. Më parë ajo shërbeu në Komitetin e Konferencave “Për Forcën e Rinisë” të Zonës Jugore të Amerikës Jugore, në Komitetin e Konferencës Latine të FSY-së në Jutë dhe me bashkëshortin e saj si udhëheqës i Misionit të Meksikës, Kuernavakë.

Gjithashtu shërbeu si presidente e Shoqatës së Ndihmës, e Të Rejave dhe e Fillores në lagje, mësuese e seminarit herët në mëngjes, këshilltare e lagjes për të rinjtë në moshë madhore që flasin spanjisht dhe misionare në Misionin e Argjentinës, Rezistencia.