Raporti për Vitin 2022: Përkujdesja për Njerëzit Nevojtarë
Raporti vjetor i Kishës për vitin 2022 lidhur me përkujdesjen për njerëzit nevojtarë, tregon se kjo punë përfshiu më shumë se 1 miliard dollarë në shpenzime, 6,3 milion orë pune vullnetare dhe 3 692 projekte humanitare në 190 shtete dhe territore.
Paratë shkuan për ndihmë nga ofertat e agjërimit, ndihmë humanitare, mallra të shpërndara nga depot e peshkopëve dhe dyqanet e Industrive Deseret dhe ndërmarrje të tilla si fermat, fabrikat e përpunimit të ushqimeve, këshillimet nga Shërbimet për Familjen dhe qendrat e punësimit.
Dhurimet më të mëdha monetare që dha Kisha në vitin 2022, përfshijnë 32 milionë dollarë për World Food Programme (WFP) [Programin Botëror të Ushqimit (PBU)] dhe 5 milionë dollarë për programin global të ushqimit të UNICEF‑it, i cili ndihmon fëmijët e kequshqyer.
“Jezusi ka një zemër të dhembshur për fëmijët”, – tha Kamill N. Xhonson, Presidentja e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, kur u njoftua dhurimi për WFP‑në. “Ai vajton kur i sheh ata të vdesin urie. Dhe Ai gëzohet edhe me përpjekjen më të vogël për t’i ndihmuar ata.”
Dhurime të tjera të rëndësishme përfshinë 5,1 milionë dollarë për Kryqin e Kuq Amerikan (përveç dhurimit të më shumë se 1 milion njësive të gjakut nga shenjtorët e ditëve të mëvonshme) dhe 5 milionë dollarë të tjerë dhënë organizatës Rotary International për vaksinat e poliomielit dhe tetanosit për nënat dhe foshnjat e sapolindura.
Gjithashtu Kisha dha kontribute të rëndësishme financiare për të ndihmuar numrin në rritje të njerëzve që janë prekur nga fatkeqësitë natyrore dhe konfliktet e armatosur. Kjo përfshiu ndihmën për refugjatët ukrainas; të mbijetuarit e cunamit në Tongë; viktimat e stuhive në Kentaki, Florida dhe Afrikën e Jugut; si dhe viktimat e konfliktit civil në Republikën Demokratike të Kongos.
“Është mbresëlënëse të shohësh dashurinë dhe dëshirën për të ndihmuar”, – tha Xhulia, një anëtare e Kishës në Austri, e cila ndihmoi refugjatët në disa shtete të Europës Lindore. “Zemrat e njerëzve po tërhiqen drejt njëri‑tjetrit.”
Kisha gjithashtu ndihmoi që t’i sillej elektricitet një komuniteti navaho në Jutë dhe anëtarët e Kishës punuan me anëtarët e fesë sikhe në një projekt shërbimi në Emiratet e Bashkuara Arabe. Shenjtorët e ditëve të mëvonshme bashkëpunuan me NAACP‑në [Shoqatën Kombëtare për Përparimin e Njerëzve me Ngjyrë] në projekte shërbimi në komunitete për nënat në Memfis të Tenesisë në SHBA dhe për njerëzit që kishin nevojë për ushqime të shëndetshme në San‑Fransisko të Kalifornisë. Dhe Makineritë e Dhurimit me nismën “Ndriçoje Botën” mblodhën fonde për të blerë ushqime dhe artikuj të tjerë për njerëzit nevojtarë në 28 vendndodhje anembanë botës.
6,3 milionë orë vullnetare të dhuruara në vitin 2022 përfshinë shërbim në ferma, pemishte, punishte konservash dhe dyqane të Industrive Deseret; misione për t’u kujdesur për njerëzit nevojtarë dhe pastrime pas fatkeqësive natyrore.
Përveç 3 692 projekteve humanitare, 16 285 projekte të reja shërbimi u bënë të mundura nga JustServe.org, faqja në internet vullnetare, pa pagesë e Kishës, që është në dispozicion në 14 vende. Ky mjet i lidh njerëzit me mundësi shërbimi që përputhen me interesat dhe vendndodhjet e tyre.
Peshkopi Kryesues, Zherald Kosé, e ka quajtur JustServe “një lëvizje dhe një mënyrë që ne të mund t’i jetojmë besëlidhjet tona” dhe “ta bekojmë e forcojmë komunitetin [tonë]” (në “The Blessings Will Follow: Benefits of Implementing JustServe” [material filmik], ChurchofJesusChrist.org).
Kisha gjithashtu i vazhdoi nismat e saj për kujdestarinë ndaj mjedisit. Që nga viti 2018, zyrat qendrore të Kishës e kanë pakësuar konsumin e tyre vjetor të ujit me 140 milionë litra. Më shumë se 500 shtëpi mbledhjesh anekënd botës tani kanë panele diellore. Industritë Deseret përpunuan 73 milionë mallra të ricikluara. Dhe Qendra e Shtypjes dhe Shpërndarjes së Kishës ricikloi gati 4 000 ton materiale letre, metalike, kartoni dhe plastike.