2023
E Korra e Papërsosur
Maj 2023


11:2

E Korra e Papërsosur

Shpëtimtari qëndron gati për t’i pranuar ofertat tona të përulura dhe për t’i përsosur ato nëpërmjet hirit të Tij. Me Krishtin, nuk ka të korrë të papërsosur.

Kur isha djalë i vogël, mësova t’i kisha për zemër ndryshimet dramatike gjatë stinëve të vitit në Montanën Jugperëndimore, ku u rrita. Stina ime e parapëlqyer ishte vjeshta, periudha e të korrës. Familja jonë shpresonte dhe lutej që mundi i punës sonë për muaj me radhë të shpërblehej me një të korrë të begatshme. Prindërit shqetësoheshin për motin, shëndetin e kafshëve, të korrat dhe shumë gjëra të tjera të cilat nuk ishin në dorën e tyre.

Teksa rritesha, u bëra edhe më i vetëdijshëm për rëndësinë që kishte kjo. Jetesa jonë varej nga të korrat. Babai im më mësoi për veglat që përdornim për të korrur grurin. Vëzhgova teksa e përdori makinerinë bujqësore në arë, preu një rrip të vogël me grurë dhe më pas kontrolloi mbrapa kombajnën për t’u siguruar që të përfundonte sa më shumë grurë të mundej në kazan dhe jo të hidhej poshtë me bykun. Ai e përsëriti këtë proces disa herë, duke i përshtatur pozicionet në makineri sa herë që e bënte këtë. Unë e ndoqa paralelisht me vrap, kontrollova përciptas bykun me të dhe u hoqa sikur e dija ç’po bëja.

Pasi ai u kënaq me pozicionimet në makineri, unë gjeta disa kokrriza gruri që kishin rënë poshtë me bykun, dhe ia tregova me një vështrim kritikues. Nuk do ta harroj atë që më tha im atë: “Kaq është mirë mjaftueshëm dhe më e mira që mund të bëjë kjo makineri”. Jo shumë i kënaqur nga shpjegimi i tij, përsiata për papërsosuritë e kësaj të korre.

Pak më vonë, kur moti u ftoh gjatë mbrëmjeve, pashë mijëra mjellma, pata dhe rosa në migrim të uleshin në ara për t’u ushqyer në rrugëtimin e tyre të gjatë drejt jugut. Ato hëngrën grurin e mbetur nga e korra jonë e papërsosur. Perëndia e kishte përsosur punën. Asnjë kokrrizë gruri nuk shkoi dëm.

Shpesh është një tundim në botën tonë e madje edhe brenda kulturës së Kishës që të fiksohemi pas përsosurisë. Mediat shoqërore, pritshmëritë jorealiste dhe shpesh kritikat tona ndaj vetes krijojnë ndjenja pamjaftueshmërie, se ne nuk jemi mjaftueshëm të mirë dhe kurrë nuk do të jemi. Disa madje e keqkuptojnë ftesën e Shpëtimtarit: “Jini, pra, të përkryer”1.

Mbajeni mend se përsosuria nuk është e njëjta gjë si përsosja në Krisht.2 Përsosuria kërkon një standard të pamundur, të vetimponuar që na krahason me të tjerët. Kjo shkakton ndjenja faji dhe ankth dhe mund të na bëjë të duam të tërhiqemi dhe të izolohemi.

Bërja i/e përsosur në Krisht është një çështje tjetër. Ai është procesi, i udhëhequr plot dashuri nga Fryma e Shenjtë, i bërjes më shumë si Shpëtimtari. Standardet janë vendosur nga një Atë Qiellor dashamirës dhe i gjithëditur dhe janë përkufizuar qartë te besëlidhjet të cilat ftohemi t’i përqafojmë. Kjo na çliron nga barrët e fajit dhe pamjaftueshmërisë, duke theksuar gjithmonë faktin se cilët jemi në sytë e Perëndisë. Ndonëse ky proces na ngre shpirtërisht dhe na shtyn të bëhemi më të mirë, ne matemi me anë të përkushtimit tonë vetjak ndaj Perëndisë që e tregojmë në përpjekjet tona për ta ndjekur Atë me besim. Ndërsa e pranojmë ftesën e Shpëtimtarit që të vijmë tek Ai, ne shpejt kuptojmë se më e mira që japim, është e mjaftueshme dhe se hiri i një Shpëtimtari të dashur do ta shlyejë pjesën e mbetur në mënyra që nuk mund t’i përfytyrojmë.

Ne mund ta shohim këtë parim në praktikë në rastin kur Shpëtimtari ushqeu pesë mijë njerëzit.

“Jezusi, pra, i ngriti sytë dhe, duke parë se një turmë e madhe po vinte tek ai, i tha Filipit: ‘Ku do të blejmë bukë që këta të mund të hanë?’ …

Filipi iu përgjigj: ‘Dyqind denarë bukë nuk do të mjaftojnë për ata, që secili prej tyre mund të ketë një copë’.

Andrea, i vëllai i Simon Pjetrit, një nga dishepujt e tij, i tha:

‘Këtu është një djalosh që ka pesë bukë elbi dhe dy peshq të vegjël; por ç’janë këto për aq njerëz?’”3

A e pyetni ndonjëherë veten se si mund të jetë ndier Shpëtimtari për këtë djalë të ri, i cili me besimin e një fëmije ofroi atë që duhet ta ketë ditur se mjerisht ishte e pamjaftueshme përballë asaj detyre aq të madhe?

“Pastaj Jezusi mori bukët dhe, pasi falenderoi, ua ndau dishepujve dhe dishepujt njerëzve të ulur; të njëjtën gjë bënë edhe me peshqit, aq sa deshën.

Dhe mbasi ata u ngopën, Jezusi u tha dishepujve të vet: ‘Mblidhni copat që tepruan, që të mos shkojë dëm asgjë’.”4

Shpëtimtari e përsosi ofertën e përulur.

Pak pas kësaj përvoje, Jezusi i nisi përpara dishepujt e Tij me barkë. Ata shpejt e gjetën veten përballë një deti të stuhishëm në mes të natës. I zuri frika kur panë një figurë si hije që ecte drejt tyre mbi ujë.

“Por menjëherë Jezusi u foli atyre duke thënë: ‘Qetësohuni; jam unë, mos kini frikë!’

Dhe Pjetri, duke u përgjigjur tha: ‘Zot, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti mbi ujëra’.

Ai tha: ‘Eja!’ Dhe Pjetri zbriti nga barka dhe eci mbi ujëra, për të shkuar te Jezusi.

Por, duke parë erën e fortë, kishte frikë, dhe duke filluar të fundosej, bërtiti duke thënë: ‘O Zot, shpëtomë!’

Dhe Jezusi ia zgjati menjëherë dorën, e zuri dhe i tha: ‘O njeri besimpak, pse dyshove?’”5

Vëllezër dhe motra, ky mund të mos ketë qenë fundi i bashkëbisedimit. Unë besoj se ndërsa Pjetri dhe Shpëtimtari ecnin për te barka krah për krah, Pjetrit të bërë qull nga uji dhe që ndoshta po ndihej si fare i pamend, Shpëtimtari mund t’i ketë thënë diçka të tillë si: “O, Pjetër, mos ki frikë, mos u shqetëso. Po ta shihje veten siç të shoh unë, dyshimi do të të zbehej dhe besimi do të të rritej. Të dua, Pjetër i dashur; ti zbrite nga barka. Oferta jote është e pranueshme, edhe pse u lëkunde, unë do të jem gjithmonë aty për të të ngritur prej thellësive dhe oferta jote do të bëhet e përsosur.”

Plaku Diter F. Uhtdorf dha mësim:

“Unë besoj se Shpëtimtari Jezu Krisht do të donte që ju ta shihni, ndieni dhe dini se Ai është forca juaj. Se me ndihmën e Tij, nuk ka kufij për atë që mund të përmbushni. Se potenciali juaj është i pakufishëm. Ai do të donte që ju ta shihni veten tuaj ashtu siç ju sheh Ai. Dhe kjo është shumë e ndryshme nga mënyra se si ju sheh bota. …

Ai i jep fuqi të lodhurit; dhe atyre që ndihen të pafuqishëm, Ai ua shton forcën.”6

Ne duhet të kujtojmë se cilado qoftë oferta jonë më e mirë por e papërsosur, Shpëtimtari mund ta bëjë të përsosur. Pavarësisht se sa pa peshë mund të duken përpjekjet tona, ne nuk duhet ta nënvlerësojmë kurrë fuqinë e Shpëtimtarit. Një fjalë e thjeshtë dashamirëse, një vizitë e shkurtër por e sinqertë shërbestare, një mësim në Fillore i dhënë me dashuri, munden që, me ndihmën e Shpëtimtarit, të sjellin ngushëllim, të zbutin zemrat dhe të ndryshojnë jetë të përjetshme. Përpjekjet tona të ngathëta mund të çojnë në mrekulli dhe gjatë procesit ne mund të marrim pjesë në një të korrë të përsosur.

Shpesh vihemi në situata që do të na tendosin. Mund të ndihemi të paaftë për atë detyrë. Mund t’i vëzhgojmë ata me të cilët shërbejmë, dhe të mendojmë se nuk do të jemi kurrë në lartësinë e tyre. Vëllezër e motra, nëse ndiheni kështu, vështrojini burrat dhe gratë e jashtëzakonshme, të ulur pas meje, me të cilët unë shërbej.

E kuptoj shqetësimin tuaj.

Megjithatë, kam mësuar se ashtu siç përsosuria nuk është njësoj si përsosja në Krisht, edhe krahasimi i vetes nuk është njësoj si ndjekja e shembullit. Kur e krahasojmë veten me të tjerët, mund të ketë vetëm dy rezultate. Ose do ta shohim veten më lart se të tjerët dhe të bëhemi gjykues dhe kritikues ndaj tyre, ose do ta shohim veten më poshtë se të tjerët dhe të ndihemi në ankth, kritikues ndaj vetes dhe të shkurajuar. Krahasimi i vetes me të tjerë rrallëherë është frytdhënës, nuk është lartësues dhe nganjëherë kryekëput brengosës. Në fakt, këto krahasime mund të jenë shkatërruese nga ana shpirtërore, duke na ndaluar që të marrim ndihmën shpirtërore që na nevojitet. Nga ana tjetër, ndjekja e shembullit të atyre që i respektojmë, të cilët shfaqin cilësi si të Krishtit, mund të jetë edukues e lartësues dhe mund të na ndihmojë të bëhemi dishepuj më të mirë të Jezu Krishtit.

Shpëtimtari na dha një model për ta ndjekur teksa Ai mori shembull Atin. Ai e udhëzoi dishepullin e Tij Filipin: “Ka kaq kohë që unë jam me ju dhe ti nuk më ke njohur akoma, o Filip? Kush më ka parë mua, ka parë Atin; Si vallë po thua: ‘Na e trego Atin?’”7

Pastaj dha mësim: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: kush beson në mua do të bëjë edhe ai veprat që bëj unë”8.

Pavarësisht se sa pa peshë mund të duken përpjekjet tona, nëse jemi të sinqertë, Shpëtimtari do të na përdorë për të përmbushur veprën e Tij. Nëse thjesht bëjmë më të mirën që mundemi dhe i mirëbesojmë Atij se do ta plotësojë pjesën e mbetur, ne mund të bëhemi pjesë e mrekullive që na rrethojnë.

Plaku Dejll G. Renland tha: “Ju nuk keni përse të jeni të përsosur, por kemi nevojë për ju, sepse çdokush që është i gatshëm, mund të bëjë diçka”9.

Presidenti Rasëll M. Nelson na mëson: “Zotit i pëlqen shumë përpjekja”10.

Shpëtimtari qëndron gati për t’i pranuar ofertat tona të përulura dhe për t’i përsosur ato nëpërmjet hirit të Tij. Me Krishtin, nuk ka të korrë të papërsosur. Ne duhet të kemi guximin për të besuar se hiri i Tij është për ne, që Ai do të na ndihmojë, do të na shpëtojë nga thellësitë kur lëkundemi dhe do t’i përsosë përpjekjet tona aspak të përsosura.

Në shëmbëlltyrën e mbjellësit, Shpëtimtari përshkruan farat që mbillen në tokë të mirë. Disa prodhojnë njëqindfish, disa gjashtëdhjetëfish dhe të tjera tridhjetëfish. Të gjitha janë pjesë e të korrës së Tij të përsosur.11

Profeti Moroni i ftoi të gjithë njerëzit: “Po, ejani te Krishti dhe përsosuni në të … dhe në qoftë se do t’i mohoni vetes çdo ligësi dhe ta doni Perëndinë me gjithë fuqinë, mendjen dhe forcën tuaj, atëherë hiri i tij mjafton për ju, se me anë të hirit të tij ju mund të bëheni të përsosur në Krisht”12.

Vëllezër dhe motra, unë dëshmoj për Krishtin, i cili ka fuqinë të përsosë madje edhe ofertën tonë më të përulur. Le të bëjmë më të mirën tonë, të sjellim atë që mundemi, dhe me besim ta vëmë ofertën tonë të papërsosur te këmbët e Tij. Në emrin e Atij, i cili është Mjeshtri i të korrës së përsosur, madje Jezu Krishtit, amen.