Vazhdon Shërbesa Mbarëbotërore e Apostujve
Plaku Dejvid A. Bednar vizitoi Zvicrën, Austrinë, Shqipërinë dhe Hungarinë në tetor 2022. Në Zvicër, ai u takua me diplomatë të nivelit të lartë të OKB‑së dhe përfaqësues të organizatave mbarëbotërore që bashkëpunojnë me Kishën për projekte humanitare. Në shtetet e tjera, ai u takua me anëtarët, shumë prej të cilëve ishin pionierë në besim në ato vende.
“Po shoqërohemi me shenjtorë që po krijojnë themelin e Kishës, që do të zgjatë për breza të tërë”, – tha ai.
Nga Qendra e Vizitorëve të Tempullit të San‑Paolos më 10 nëntor 2022, Plaku Ronald A. Rasband mori pjesë në një transmetim të drejtpërdrejtë në Facebook, duke dhënë dëshminë e tij për Shpëtimtarin Jezu Krisht.
“Mbani mend përherë se Jezu Krishti është Mbreti i mbretërve. Ai është Zoti i zotërve dhe Princi i Paqes”, – dëshmoi Plaku Rasband.
Gjithashtu në nëntor, Plaku Geri E. Stivenson iu drejtua Forumit Ndërfetar të G20‑s në Bali të Indonezisë. Ai tha se besimet fetare mund të ndihmojnë më së miri për të zgjidhur problemet e botës kur “ato qëndrojnë të vërteta ndaj parimeve të tyre thelbësore ndërkohë që gjithashtu udhëhiqen nga drita dhe njohuria hyjnore shtesë”.
Presidenti M. Rasëll Ballard, Presidenti Veprues i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, u foli misionarëve në Qendrën e Trajnimit të Misionarëve në Meksiko-Siti në dhjetor 2022 dhe dëshmoi për “privilegjin e shpalljes ndaj botës se Jezu Krishti është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi i gjithë njerëzimit”.
Plaku Xhefri R. Holland vizitoi një klasë seminari në Kaliforni të SHBA‑së dhe u foli anëtarëve spanjishtfolës në tetë kunje përreth Venturës në Kaliforni, në dhjetor 2022. Ai foli si në anglisht edhe në spanjisht. Ai i nxiti anëtarët të përqendrohen te rinia dhe u kërkoi të rinjve e të rejave dhe udhëheqësve të pranishëm, që të ishin misionarë pikërisht tani sepse “Perëndia jeton, vëllezër e motra, Perëndia jeton. Kisha është e vërtetë.”
Presidenti Dallin H. Ouks, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë, u foli anëtarëve dhe miqve të Kishës në Ilinois të Indianës dhe Uiskonsin në SHBA, më 11 shkurt 2023. Ai foli nga qendra e kunjit në Uilmet, Ilinois, me mbledhjen që u transmetua në 14 kunje. Të nesërmen në mbrëmje ai u foli rreth 900 të rinjve e të rejave dhe të rinjve e të rejave në moshë madhore, të mbledhur në Qendrën e Kunjit Rokford të Ilinoisit. Mbledhja u transmetua në vendndodhje të tjera në Ilinois, Indianë dhe Uiskonsin.
Anëtarët dhe vullnetarët e shërbimit për Kishën në Indi e mirëpritën Plakun Diter F. Uhtdorf teksa vizitoi Nju‑Delhin, Hiderabadin dhe Bengalurun nga 6 deri në 17 shkurt. “Ne e duam Indinë dhe njerëzit e këtij vendi”, – shpalli Plaku Uhtdorf. “Jemi jashtëzakonisht të emocionuar e plot mbresë.”
Plaku Kuentin L. Kuk u dha mësim shenjtorëve në Madagaskar, Zambia dhe Mozambik gjatë një vizite në shkurt. Më shumë se 500 njerëz që nuk janë anëtarë të Kishës, morën pjesë në një konferencë të ndërthurur të kunjeve në Maputo të Mozambikut, për ta dëgjuar Apostullin ndërsa u fliste atyre. “Ngaqë kishte kaq shumë që nuk ishin anëtarë të besimit tonë në mbledhjen e së dielës, ne i përshtatëm mesazhet tona për të trajtuar parimet doktrinore dhe për të lënë një këndvështrim më të gjerë për ungjillin, për të paraqitur rëndësinë e profetëve dhe për të ndërtuar besim te Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij”, – tha Plaku Kuk.
Në shkurt, Plaku D. Tod Kristoferson vizitoi anëtarët në Ganë, Nigeri, Bregun e Fildishtë dhe Liberi gjatë një vizite 12‑ditore në zonën e Afrikës Perëndimore. Udhëtimi përfshiu një takim me presidentin e Ganës. Ata diskutuan përqendrimin e tyre të përbashkët mbi arsimimin dhe shqyrtuan programet e UBJ-Pathway Mbarëbotëror dhe Vendet e Mbledhjes.
Plaku Dejll G. Renland vizitoi Hondurasin, Belizenë, Panamanë, Nikaraguan dhe Guatemalën në shkurt. Plaku Renland u shoqërua nga bashkëshortja e tij, Ruthi. Gjatë vizitës së tij, ai shkoi në një spital në Nikaragua dhe Motra Renland ndihmoi në një dhurim nga Kisha të kompleteve të higjienës dhe veshjeve për emigrantët në Honduras.
Në mars, Plaku Nil L. Andersen vizitoi Brazilin, ku u takua me udhëheqës të shquar të shoqërisë, vizitoi Tempullin e Brazilias në Brazil, i cili do të përkushtohet së shpejti, dhe u dha mësim e u dëshmoi anëtarëve, misionarëve dhe udhëheqësve anembanë vendit. Gjatë vizitës, ai dhe Motra Keti Andersen u takuan me Zonjën e Parë të Brazilit.
Në mars gjatë një vizite në Meksikë, Plaku Gerit W. Gong u takua me Adan Augusto Lopezin, ministrin e punëve të brendshme të Meksikës. Lopezi është zyrtari i dytë më i lartë në qeverinë meksikane. Në një takim në zyrat qendrore të Ministrisë së Brendshme, Plaku Gong foli rreth përpjekjeve që bën Kisha për të ngritur moralisht familjet në Meksikë. “Duke e bërë këtë gjë, ne po japim ndihmesë në forcimin e shoqërisë”, – tha ai.
Plaku Ulises Soares i nxiti shenjtorët e ditëve të mëvonshme në Zonën e Paqësorit që ta mbanin përqendrimin e tyre te Jezu Krishti. “Kur e përqendrojmë jetën tonë te Shpëtimtari Jezu Krisht dhe përpiqemi fort që ta jetojmë ungjillin e Tij të rivendosur, ne gjithmonë mund të gjemë paqe, prehje dhe gëzim në udhëtimin tonë”, – tha ai në mars gjatë një vizite në Zelandën e Re, Tongë dhe Fixhi.