2023
Kujtoni Atë që Është Më e Rëndësishmja
Maj 2023


13:30

Kujtoni Atë që Është Më e Rëndësishmja

Ajo që është më e rëndësishmja, janë marrëdhëniet tona me Atin Qiellor dhe Birin e Tij të Dashur, me familjet tona, me të afërmit tanë dhe lejimi i Shpirtit që të na udhërrëfejë.

Ndërsa kujtojmë këtë fundjavë hyrjen ngadhënjimtare të Shpëtimtarit në Jerusalem pak kohë përpara flijimit të Tij shlyes, sjell ndërmend fjalët e Tij të shpresës e ngushëllimit: “Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson në mua, edhe sikur të duhej të vdesë do të jetojë”1.

E dua Atë. E besoj Atë. Dëshmoj se Ai është Ringjallja dhe Jeta.

Kjo dëshmi më ka ngushëlluar dhe forcuar gjatë katër viteve e gjysmë të fundit që kur ndërroi jetë bashkëshortja ime, Barbara. E ndiej mungesën e saj.

Shpeshherë kam reflektuar mbi martesën tonë të përjetshme dhe jetën tonë së bashku.

Më parë kam treguar se si e takova për herë të parë Barbarën dhe se si ajo përvojë më mësoi të përdorja aftësinë e “ndjekjes së ecurisë”, që e kisha mësuar në misionin tim. M’u desh ta ndiqja me të shpejtë ecurinë me të pasi u takuam për herë të parë, sepse ishte e bukur, e pëlqyer dhe kishte një mori veprimtarish shumë të ngjeshura shoqërore. Ma tërhoqi herët vëmendjen ngaqë ishte e afrueshme dhe miqësore. E admiroja mirësinë e saj. Ndjeva se ajo dhe unë ishim bërë për njëri-tjetrin. Në mendjen time dukej aq e thjeshtë.

Unë dhe Barbara dolëm në takime dhe marrëdhënia jonë filloi të forcohej, por ajo nuk ishte e sigurt se martesa me mua ishte gjëja e drejtë për të.

Siguria vetëm nga ana ime nuk ishte e mjaftueshme; Barbara duhej ta dinte vetë. E dija se po të kalonim kohë duke agjëruar e duke u lutur për këtë çështje, Barbara mund të merrte një pohim nga qielli.

E kaluam një fundjavë pa dalë në takim, që të mund të agjëronim e luteshim individualisht që ta dinim vetë. Për fatin tim të mirë, ajo mori të njëjtin pohim si unë. Përfundimi, siç mund ta merrni me mend, dihet.

Kur Barbara u largua nga kjo jetë, fëmijët tanë vunë mbi gurin e varrit të saj disa mësime që Barbara donte që ata t’i kujtonin. Një prej këtyre mësimeve është: “Ajo që është më e rëndësishmja, është gjëja që ka jetëgjatësinë më të madhe”.

Sot do të shpreh nga zemra disa ndjenja dhe mendime mbi gjërat që janë më të rëndësishmet.

Së pari, marrëdhënia me Atin tonë Qiellor dhe Birin e Tij, Zotin Jezu Krisht, është më e rëndësishmja. Kjo marrëdhënie është më e rëndësishmja tani dhe në përjetësi.

Së dyti, marrëdhëniet familjare janë ndër ato gjëra që janë më të rëndësishmet.

Gjatë gjithë shërbesës sime, jam takuar me shumë individë dhe familje që janë prekur nga fatkeqësitë shkatërruese natyrore. Shumë ishin të shpërngulur, të uritur dhe të frikësuar. Ata kishin nevojë për ndihmë mjekësore, ushqim e strehim.

Gjithashtu kishin nevojë për familjet e tyre.

E kuptoj se disa njerëz mund të mos i kenë bekimet e një familjeje të dashur, prandaj në termin “familje” përfshij rrethin familjar, miqtë, si dhe familjet e lagjeve. Këto marrëdhënie janë thelbësore për shëndetin emocional dhe fizik.

Këto marrëdhënie mund edhe të ofrojnë dashuri, gëzim, lumturi dhe një ndjenjë përkatësie.

Kultivimi i këtyre marrëdhënieve të rëndësishme është një zgjedhje. Një zgjedhje për të qenë pjesë e një familjeje kërkon zotim, dashuri, durim, komunikim dhe falje.2 Mund të ketë raste kur nuk biem dakord me një person tjetër, por mund ta bëjmë këtë pa qenë të pakëndshëm. Kur dalim në takime dhe në martesë, ne nuk biem në dashuri apo e humbasim dashurinë sikur të jemi sende që lëvizim në një fushë shahu. Ne zgjedhim ta duam dhe ta mbështetim njëri‑tjetrin. Të njëjtën gjë bëjmë edhe në marrëdhëniet e tjera me familjen dhe me miqtë që janë si familje për ne.

Proklamata mbi familjen shpall se “plani hyjnor i lumturisë bën të mundur që marrëdhëniet familjare të vazhdojnë përtej varrit. Ordinancat dhe besëlidhjet e shenjta që janë në dispozicion në tempujt e shenjtë, bëjnë të mundur që individët të kthehen në praninë e Perëndisë dhe që familjet të bashkohen përjetësisht.”3

Një gjë tjetër nga më të rëndësishmet, është ndjekja e nxitjeve të Shpirtit në marrëdhëniet tona më të rëndësishme dhe në përpjekjet tona për t’i dashur të afërmit tanë porsi vetveten, përfshirë shërbesat tona personale dhe publike. E mësova këtë mësim që herët në jetë ndërsa shërbeja si peshkop.

Vonë një mbrëmje të ftohtë dimri me dëborë, po largohesha nga zyra ime e peshkopit kur pata një mbresë të fortë për të vizituar një vejushë të moshuar në lagje. I hodha një sy orës – ishte ora 22:00. Arsyetova se ishte tepër vonë për të bërë një vizitë të tillë. Dhe përveç kësaj, po binte borë. Vendosa ta vizitoja këtë motër të dashur që herët në mëngjes në vend që ta shqetësoja në një orë aq të vonë. Shkova me makinë për në shtëpi dhe rashë në shtrat, por gjatë gjithë natës u rrotullova sa nga një anë në tjetrën, sepse Shpirti po më trazonte.

Të nesërmen herët në mëngjes vajta me makinë drejt e në shtëpinë e vejushës. Vajza e saj hapi derën dhe me lot në sy tha: “Oh, peshkop, faleminderit që erdhe. Nëna ndërroi jetë para dy orësh.” U bëra vrer. Nuk do ta harroj kurrë atë që ndjeva në zemër. Vajtova. Kush më shumë se kjo vejushë e dashur e meritonte që peshkopi i saj t’i mbante dorën, ta ngushëllonte e ndoshta t’i jepte një bekim të fundit? E humba atë mundësi, sepse gjeta arsye që të mos e ndiqja atë nxitje të fortë nga Shpirti.4

Vëllezër dhe motra, të rinj e të reja dhe fëmijë të Fillores, unë dëshmoj se ndjekja e nxitjeve të Shpirtit është një nga gjërat që janë më të rëndësishme në të gjitha marrëdhëniet tona.

Së fundi, në këtë fundjavë të së Dielës së Palmave, unë dëshmoj se kthimi në besimin te Zoti, dhënia e dëshmisë për Të dhe shërbimi ndaj Tij janë gjithashtu ndër gjërat më të rëndësishme.

Besimi te Jezu Krishti është themeli i dëshmive tona. Një dëshmi është një dëshmim ose pohim i së vërtetës së përjetshme, i ngulitur në zemrën dhe shpirtin e çdo njeriu nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Një dëshmi për Jezu Krishtin, e lindur prej Shpirtit dhe e forcuar nëpërmjet Tij, e ndryshon jetën – ajo ndryshon mënyrën se si mendojmë dhe se si jetojmë. Një dëshmi na kthen drejt Atit tonë Qiellor dhe Birit të Tij hyjnor.

Alma dha mësim:

“Vini re, unë ju dëshmoj se e di që këto gjëra, për të cilat unë kam folur, janë të vërteta. Dhe si mendoni që unë di për sigurinë e tyre?

Vini re, unë po ju them se ato m’u bënë të njohura nga Shpirti i Shenjtë i Perëndisë. Vini re, unë kam agjëruar dhe jam lutur për shumë ditë, që t’i di këto gjëra vetë. Dhe tani, unë vetë e di se ato janë të vërteta; pasi Zoti Perëndi m’i ka njoftuar nëpërmjet Shpirtit të tij të Shenjtë.”5

Nuk mjafton vetëm të kesh një dëshmi. Ndërsa kthimi ynë në besimin te Jezu Krishti rritet, natyrisht që duam të dëshmojmë për Të – për mirësinë, dashurinë dhe mirëdashjen e Tij.

Shpesh në mbledhjet tona të dëshmive në të dielat e agjërimit, dëgjojmë frazat: “Jam mirënjohës/e” dhe “E dua” më shumë sesa dëgjojmë frazat “Unë e di” dhe “Unë besoj”.

Ju ftoj ta jepni më shpesh dëshminë tuaj për Jezu Krishtin. Jepni dëshmi për atë që dini dhe besoni dhe për atë që ndieni, jo thjesht për atë që jeni mirënjohës. Dëshmoni për përvojat tuaja vetjake se si keni arritur ta njihni dhe doni Shpëtimtarin, se si t’i jetoni mësimet e Tij, si dhe për fuqinë e Tij shëlbuese dhe aftësuese në jetën tuaj. Ndërsa jepni dëshmi për atë që dini, besoni dhe ndieni, Fryma e Shenjtë do ta pohojë të vërtetën tek ata që e dëgjojnë me zell dëshminë tuaj. Ata do ta bëjnë këtë ngaqë ju kanë vëzhguar të bëheni një ndjekës paqësor i Jezu Krishtit. Do ta kuptojnë se çfarë do të thotë të jesh dishepulli i Tij. Ata gjithashtu do të ndiejnë diçka që mund të mos e kenë ndier më parë. Një dëshmi e kulluar vjen nga një zemër e ndryshuar dhe mund të mbartet nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë brenda zemrave të njerëzve të tjerë që janë të hapur për ta marrë atë.

Ata të cilët ndiejnë diçka si rrjedhojë e dëshmisë suaj, më pas mund t’i kërkojnë Zotit në lutje që t’ua pohojë të vërtetën e dëshmisë suaj. Atëherë ata mund ta dinë vetë.

Vëllezër e motra, unë dëshmoj dhe jap dëshmi se e di që Jezu Krishti është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi i botës. Ai jeton. Ai është Biri i ringjallur i Perëndisë dhe kjo është Kisha e Tij e drejtuar nga profeti dhe apostujt e Tij. Lutem që një ditë, kur të kaloj në botën tjetër, të mund ta bëj këtë gjë me dëshminë time duke shndritur fort.

Gjatë shërbesës sime kam mësuar se ajo që është më e rëndësishmja, janë marrëdhëniet tona me Atin Qiellor dhe Birin e Tij të Dashur, me familjet tona, me të afërmit tanë dhe lejimi i Shpirtit të Zotit që të na udhërrëfejë në këto marrëdhënie, me qëllim që të mund të dëshmojmë për gjërat që janë më të rëndësishmet dhe që kanë jetëgjatësinë më të madhe. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Gjoni 11:25.

  2. Shihni artikujt “Family” [“Familja”], “Unity” [“Uniteti”] dhe “Love” [“Dashuria”] në Gospel Topics [Tema të Ungjillit] në Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] (te ChurchofJesusChrist.org ose në programin për telefonat celularë) për të lexuar shkrime të shenjta dhe biseda nga profetë, apostuj dhe udhëheqës të tjerë të Kishës për këtë temë.

  3. Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, ChurchofJesusChrist.org.

  4. Një rrëfim i kësaj përvoje është në Susan Easton Black and Joseph Walker, Anxiously Engaged: A Biography of M. Russell Ballard (2021), f. 90–91.

  5. Alma 5:45–46.