2023
Mirëbesimi te Doktrina e Krishtit
Maj 2023


10:30

Mirëbesimi te Doktrina e Krishtit

Kur i kemi ndërtuar shtëpitë tona mbi themelin e një marrëdhënieje besëlidhëse me Krishtin, ne po i mirëbesojmë doktrinës së Krishtit.

Me sytë e mendjes, e shoh profetin e moshuar Nefin në tryezën e tij, me fletët prej ari të hapura përpara, me mjetin e tij gdhendës në dorë.

Nefi ishte në procesin e përfundimit të gdhendjes së tij të fundit mbi anal. Ai shkroi: “Dhe tani, vëllezërit e mi të dashur, unë po u jap fund fjalëve të mia”1. Por shpejt pas kësaj, Shpirti e nxiti Nefin t’i kthehej analit të tij dhe të shkruante një mesazh përmbyllës. Nën ndikimin e fuqishëm të Frymës së Shenjtë, ai profet i madh e mori sërish mjetin e tij gdhendës në dorë dhe shkroi: “Prandaj, gjërat që unë kam shkruar më mjaftojnë, me përjashtim të disa fjalëve që duhet të them në lidhje me doktrinën e Krishtit”2.

Sa përjetësisht mirënjohës jemi për ato “disa fjalë”3 dhe për Shpirtin që e detyroi Nefin t’i shkruante ato! Traktati i Nefit për doktrinën e Krishtit është një thesar për ata që ushqehen me bollëk me të. Ai përmban një vegim për pagëzimin e Shpëtimtarit4 dhe zërin e Birit, që i fton të gjithë ta ndjekin Atë5 dhe të “bë[jnë] gjërat që [e] ke[mi] parë [Atë] të bëj[ë]”6. Ai përmban dëshminë e Nefit që ata të cilët, me besim te Krishti, pendohen sinqerisht për mëkatet e tyre dhe e ndjekin Shpëtimtarin në ujërat e pagëzimit, do të “m[arrin] Frymën e Shenjtë; po, atëherë vjen pagëzimi i zjarrit dhe i Frymës së Shenjtë”7. Ne gjithashtu dëgjojmë zërin e Atit duke dëshmuar: “Po, fjalët e Birit tim të Dashur janë të vërteta dhe besnike. Ai që duron deri në fund, do të shpëtohet.”8

Presidenti Rasëll M. Nelson theksoi rëndësinë e pashoqe të doktrinës së Krishtit gjatë fjalëve drejtuar udhëheqësve të sapothirrur të misioneve: “Mbi gjithçka tjetër, duam që misionarët tanë … ta kenë doktrinën e Krishtit të gdhendur në zemër, të rrënjosur … në palcën e kockave të tyre”9.

Predikoni Ungjillin Tim përmbledh pesë elemente të rëndësishme të doktrinës së Krishtit. Në të thuhet: “[Ne] i ftoj[më] të tjerët të vijnë tek Krishti duke i ndihmuar të marrin ungjillin e rivendosur me anë të besimit tek Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij, pendimit, pagëzimit, marrjes së dhuratës së Frymës së Shenjtë dhe durimit deri në fund”10.

Por rëndësia e doktrinës së Krishtit nuk është vetëm për misionarët! Ajo është shumë më e thellë sesa thjesht një përsëritje përmbledhëse e pesë elementeve të saj kyç. Ajo përfshin ligjin e ungjillit. Është plani i madh për jetë të përjetshme.

Vëllezër dhe motra, nëse do ta pranojmë ftesën e Presidentit Nelson për ta pasur doktrinën e Krishtit të rrënjosur në palcën e kockave tona, ne duhet ta thellojmë kthimin tonë në besim te Zoti me anë të studimit, lutjes, të jetuarit me besnikëri dhe me anë të pendimit të vazhdueshëm. Duhet ta ftojmë Frymën e Shenjtë ta gdhendë doktrinën e Krishtit mbi “rrasa[t e] zemra[ve tona të] mishi[t]”11 aq thellë dhe përgjithmonë sa u gdhend nga Nefi mbi fletët prej ari.

Tetorin e kaluar, Presidenti Nelson pyeti: “Çfarë do të thotë ta mundim botën?” Ndër të tjera, ai tha: “Do të thotë t’i mirëbesojmë doktrinës së Krishtit më shumë sesa filozofive të njerëzve”12.

Fjala mirëbesim është përkufizuar si “një mbështetje e sigurt te karakteri, aftësia, forca ose e vërteta e dikujt ose diçkaje”13. Ai dikush është Jezu Krishti dhe ajo diçka është doktrina e Tij.

Pra, si do ta ndryshonte mirëbesimi i qëllimtë te doktrina e Krishtit mënyrën se si e jetojmë jetën tonë?

Po t’i mirëbesojmë doktrinës së Krishtit, do t’i mirëbesojmë Krishtit aq sa të jetojmë sipas çdo fjale të Tij.14 Do të studiojmë gjatë gjithë jetës Jezu Krishtin15, shërbesën e Tij, mësimet e Tij dhe Shlyerjen e Tij të pafundme, përfshirë Ringjalljen e Tij të lavdishme. Do të studiojmë premtimet e Tij dhe kushtet sipas së cilave jepen ato premtime.16 Ndërsa studiojmë, do të mbushemi me dashuri më të madhe për Zotin.

Po t’i mirëbesojmë doktrinës së Krishtit, do t’i qasemi Atit tonë Qiellor çdo ditë në lutje të përulur e të fshehtë ku ne mund të shprehim mirënjohje për dhuratën që është Biri i Tij dhe për të gjitha bekimet tona.17 Mund të lutemi për shoqërimin zbulues të Frymës së Shenjtë18, të lutemi që ta përputhim vullnetin tonë me të Tijin19, të lutemi që të reflektojmë për besëlidhjet tona dhe ta ripërtërijmë zotimin tonë për t’i mbajtur ato20. Mund të lutemi që t’i mbështetim e të shprehim dashurinë për profetët, shikuesit dhe zbuluesit tanë21, të lutemi për fuqinë pastruese të faljes22; dhe të lutemi për forcë që t’i bëjmë ballë tundimit23. Ju ftoj ta bëni lutjen një përparësi në jetën tuaj, duke u përpjekur çdo ditë për ta përmirësuar komunikimin tuaj me Perëndinë.

Po t’i mirëbesojmë doktrinës së Krishtit, do t’i lëmë mënjanë gjërat e shndritshme të botës që të mund të përqendrohemi te Shëlbuesi i botës24. Do ta kufizojmë ose eliminojmë kohën e shpenzuar në mediat shoqërore; me lojërat digjitale; argëtimin shpërdorues, të tepërt ose të papërshtatshëm; joshjen nga thesaret dhe kotësitë e kësaj bote dhe çfarëdo veprimtarie tjetër që u lë vend traditave të rreme dhe filozofive të gabuara të njerëzve. Vetëm te Krishti e gjejmë të vërtetën dhe përmbushjen afatgjatë.

Pendimi i sinqertë25 do të bëhet një pjesë e gëzueshme26 e jetës sonë, si për t’u falur për mëkatin, ashtu dhe për t’u ndryshuar sipas shëmbëlltyrës së Krishtit27. Pendimi me besim në Krisht na jep qasje ndaj Shlyerjes së Krishtit. Presidenti Dallin H. Ouks ka dhënë mësim se kur Shpëtimtari fal, Ai “bën më shumë sesa të [na] pastrojë nga mëkati. Ai gjithashtu [na] jep forcë të re.”28 Secilit prej nesh i nevojitet kjo forcë për t’i zbatuar urdhërimet e Perëndisë dhe për të përmbushur qëllimin e përjetshëm të jetës sonë.

Te Jezusi dhe doktrina e Tij ne gjejmë forcë. Ai tha: “Në të vërtetë, në të vërtetë, unë ju them juve se kjo është doktrina ime dhe kushdo që ndërton mbi këtë, ndërton mbi shkëmbin tim dhe portat e ferrit nuk do të triumfojnë mbi të”29.

E shohim këtë premtim të përmbushur në jetën e njerëzve besnikë. Ishte pak më shumë se një vit më parë që pata privilegjin të takoja Trevisin dhe Kejsin. Ata qenë martuar ligjërisht në vitin 2007. Në atë kohë, Trevisi nuk ishte anëtar i Kishës. Kejsi, ndonëse e rritur në një shtëpi shenjtorësh të ditëve të mëvonshme aktivë, ishte shkëputur nga besimi gjatë adoleshencës dhe ishte larguar nga themeli i saj.

Në vitin 2018, Trevisi takoi misionarët dhe u pagëzua në vitin 2019. Trevisi u bë një misionar për Kejsin, e cila gjithashtu përjetoi një kthim jetëndryshues në besim. Ata u vulosën në tempull në shtator të 2020‑ës. Rreth dy vjet pas pagëzimit të tij, Trevisi u thirr të shërbente në peshkopatë.

Trevisi ka një sëmundje të rrallë që formon vazhdimisht grumbuj tumoresh në organet e tij të brendshme. Ai i është nënshtruar shumë ndërhyrjeve kirurgjikale për t’i hequr tumoret e përsëritura, por sëmundja është e pashërueshme. Disa vjet më parë, Trevisit [mjekët] i dhanë më pak se 10 vjet jetë.

Kejsi ka retinitis pigmentoza, një sëmundje e rrallë gjenetike që shkakton ngushtim të pakthyeshëm të fushës së shikimit derisa të ndodhë verbëria e plotë.

Kejsi më foli për të ardhmen e saj. Ajo e priste kohën, jo shumë të largët, kur do të ishte e ve, e verbër, pa përkrahje financiare dhe e lënë t’i mbante e vetme katër fëmijë që po rriten. E pyeta Kejsin se si mund ta përballonte një të ardhme kaq të zymtë. Ajo buzëqeshi e paqtë dhe tha: “Nuk kam qenë kurrë më e lumtur dhe me shpresë në jetën time. Ne mbahemi te premtimet që morëm në tempull.”

Trevisi tani është peshkopi. Dy muaj më parë, ai bëri një ndërhyrje tjetër madhore. Por ai është optimist dhe në paqe. Shikimi i Kejsit është përkeqësuar. Ajo tani ka një qen udhërrëfyes dhe nuk mund ta ngasë makinën. Por ajo është e kënaqur, duke rritur fëmijët e saj dhe duke shërbyer si këshilltare në presidencën e Të Rejave.

Trevisi dhe Kejsi po e ndërtojnë shtëpinë e tyre mbi shkëmb. Trevisi dhe Kejsi i mirëbesojnë doktrinës së Krishtit dhe premtimit që Perëndia “do t’i shenjtërojë hidhërimet [e tyre] për të mirë[n e tyre]”30. Në planin e përsosur të Perëndisë, vuajtja me besim te Krishti është e lidhur me të bërit të përsosur në Krisht31. Ashtu si njeriu i urtë në shëmbëlltyrë që e ndërtoi shtëpinë e tij mbi një shkëmb32, kur shiu bie dhe përmbytjet vijnë, dhe erërat fryjnë dhe përplasen mbi shtëpinë që po ndërtojnë Trevisi dhe Kejsi, ajo nuk do të bjerë, pasi do të jetë ndërtuar mbi një shkëmb33.

Jezusi nuk foli për mundësinë e shiut, përmbytjes dhe erës në jetën tonë; Ai foli për sigurinë që stuhitë do të ndodhin. Ndryshorja në këtë shëmbëlltyrë nuk është fakti a do të vijnë stuhitë, por mënyra se si kemi reaguar ndaj ftesës së Tij të dashur edhe për ta dëgjuar, edhe për ta bërë atë që Ai ka dhënë mësim34. Nuk ka mënyrë tjetër për të mbijetuar.

Kur i kemi ndërtuar shtëpitë tona mbi themelin e një marrëdhënieje besëlidhëse me Krishtin, ne po i mirëbesojmë doktrinës së Krishtit dhe, teksa vijmë tek Ai, ne kemi premtimin e Tij të jetës së përjetshme. Njerëzit që i mirëbesojnë doktrinës së Krishtit, shkojnë përpara me vendosmëri në Krisht dhe durojnë deri në fund. Nuk ka mënyrë tjetër për t’u shpëtuar në mbretërinë e qiellit.35

Unë jap dëshminë time personale për realitetin e gjallë dhe të ringjallur të Jezu Krishtit. Dëshmoj se Perëndia, Ati ynë, e deshi aq botën, sa dërgoi Birin e Tij për të na shëlbuar nga mëkati36 dhe për të na shëruar nga pikëllimi37. Dëshmoj se Ai ka thirrur një profet të Perëndisë në kohën tonë, madje Presidentin Rasëll M. Nelson, nëpërmjet të cilit na flet dhe na udhërrëfen.

Me gjithë zemër ju ftoj t’i mirëbesoni doktrinës së Krishtit dhe ta ndërtoni jetën tuaj mbi shkëmbin e Shëlbuesit. Ai nuk do t’ju zhgënjejë kurrë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.