2023
Mësimdhënia, Të Mësuarit dhe Vënia në Zbatim e Mesazheve nga Konferenca e Përgjithshme
Maj 2023


Eja, Më Ndiq

Mësimdhënia, Të Mësuarit dhe Vënia në Zbatim e Mesazheve nga Konferenca e Përgjithshme

Kuorumet e pleqve dhe Shoqatat e Ndihmës luajnë një rol jetik në punën e shpëtimit dhe ekzaltimit. Gjatë mbledhjeve të tyre të së dielës, ato diskutojnë mbi mënyrën se si t’i vënë në zbatim mësimet nga mesazhet e konferencës së përgjithshme të fundit në përpjekjet e tyre në këtë punë. Presidencat e kuorumeve të pleqve dhe të Shoqatave të Ndihmës përzgjedhin një mesazh të konferencës për ta mësuar gjatë çdo mbledhjeje të së dielës, bazuar te nevojat e anëtarëve dhe udhërrëfimit nga Shpirti. Me raste, edhe peshkopi ose presidenti i kunjit mund të sugjerojë një mesazh. Në përgjithësi, udhëheqësit duhet të zgjedhin mesazhe nga anëtarët e Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Megjithatë, mund të diskutohet çdo mesazh nga konferenca e përgjithshme më e fundit.

Mësuesit përqendrohen te mënyra se si t’i ndihmojnë anëtarët për t’i vënë në zbatim në jetën e tyre mësimet nga mesazhet e konferencës së përgjithshme. Udhëheqësit dhe mësuesit gjejnë mënyra për t’i nxitur anëtarët që t’i studiojnë mesazhet e përzgjedhura përpara mbledhjeve.

Për më shumë informacion rreth mbledhjeve të kuorumeve të pleqve dhe Shoqatave të Ndihmës, shihni te Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 8.2.1.2, 9.2.1.2, ChurchofJesusChrist.org.

Planifikimi për Mësimdhënien

Pyetjet vijuese mund t’i ndihmojnë mësuesit ndërsa planifikojnë të përdorin një mesazh nga konferenca e përgjithshme për ta dhënë mësim. Sipas nevojës, mësuesit këshillohen me presidencën e kuorumit të pleqve ose të Shoqatës së Ndihmës ndërsa i përsiatin këto pyetje.

  • Përse presidenca e kuorumit të pleqve ose e Shoqatës së Ndihmës zgjodhi për të diskutuar këtë mesazh? Çfarë shpresojnë ne se do të dinë dhe do të bëjnë anëtarët pas diskutimit të këtij mesazhi?

  • Çfarë dëshiron folësi që të kuptojnë anëtarët? Çfarë parimesh të ungjillit po jep mësim ai apo ajo? Si gjejnë zbatim këto parime në kuorumin tim të pleqve apo në Shoqatën time të Ndihmës?

  • Cilat shkrime të shenjta përdori folësi për ta përkrahur mesazhin e tij apo të saj? A ka shkrime të tjera të shenjta që mund t’i lexojnë anëtarët të cilat do ta thellonin kuptueshmërinë e tyre? (Ju mund të gjeni disa te poshtëshënimet e mesazhit ose tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta [scriptures.ChurchofJesusChrist.org].)

  • Çfarë pyetjesh mund të bëj që do t’i ndihmonin anëtarët t’i përsiatnin dhe vinin në zbatim mësimet te mesazhi? Cilat pyetje do t’i ndihmojnë ata që ta kuptojnë rëndësinë e këtyre mësimeve në jetën e tyre, në familjet e tyre dhe në punën e Zotit?

  • Çfarë mund të bëj për ta ftuar Shpirtin në mbledhjen tonë? Çfarë mund të përdor për ta rritur nivelin e diskutimit, përfshirë histori, analogji, muzikë ose vepra arti? Çfarë bëri folësi për t’i ndihmuar anëtarët ta kuptojnë mesazhin e tij ose të saj?

  • A bëri folësi ndonjë ftesë? Si mund t’i ndihmoj anëtarët që ta ndiejnë dëshirën për të vepruar sipas atyre ftesave?

Ide për Veprimtari

Ka shumë mënyra se si mësuesit mund t’i ndihmojnë anëtarët që të mësojnë nga mesazhet e konferencës së përgjithshme dhe t’i vënë ato në zbatim. Këtu janë disa shembuj; mësuesit mund të kenë ide të tjera që do të funksionojnë më mirë në kuorumin e tyre të pleqve ose në Shoqatën e tyre të Ndihmës.

  • Vërini në zbatim të vërtetat në jetën tuaj. Ftojini anëtarët ta shqyrtojnë mesazhin e konferencës për të kërkuar të vërteta që mund t’i ndihmojnë ta kryejnë punën që u ka dhënë Perëndia si individë ose si kuorum pleqsh apo Shoqatë Ndihme. Për shembull, çfarë mësojmë që mund të na ndihmojë si shërbestarë? si prindër? si misionarë anëtarë? Si ndikon ky mesazh te mendimet, ndjenjat dhe veprimet tona?

  • Diskutoni në grupe. Ndajini anëtarët në grupe të vogla dhe caktojini secilit grup që të lexojë dhe diskutojë për një pjesë të ndryshme nga mesazhi i konferencës. Më pas kërkojini secilit grup të tregojë një të vërtetë që zbuloi dhe se si ajo gjen zbatim për ta. Ose mund të krijoni grupe që përbëhen nga anëtarë të cilët studiuan pjesë të ndryshme të mesazhit dhe t’i lini t’ia tregojnë njëri-tjetrit atë që zbuluan.

  • Kërkoni përgjigje për pyetjet. Ftojini anëtarët që t’u përgjigjen pyetjeve si ato në vijim rreth mesazhit të konferencës: Çfarë të vërtetash të ungjillit gjejmë në këtë mesazh? Si mund t’i vëmë në zbatim këto të vërteta? Çfarë ftesash dhe bekimesh të premtuara u dhanë? Çfarë na mëson ky mesazh rreth punës që Perëndia do që ne të bëjmë? Ose krijoni disa pyetje ju vetë që i nxitin anëtarët të mendojnë thellë për mesazhin ose t’i vënë në zbatim të vërtetat që ai u mëson. Lejojini anëtarët të përzgjedhin një nga këto pyetje dhe të gjejnë përgjigje te mesazhi.

  • Shpërndani thënie nga mesazhi. Ftojini anëtarët që të shpërndajnë thënie nga mesazhi i konferencës, që i frymëzojnë ata për t’i përmbushur përgjegjësitë e tyre në punën e shpëtimit dhe ekzaltimit. Nxitini ata që të marrin parasysh se si mund t’i shpërndajnë këto thënie për të bekuar dikë, përfshirë njerëzit e dashur dhe ata të cilëve u japin shërbesë.

  • Jepni mësim me sende. Paraprakisht, ftojini disa anëtarë që të sjellin sende nga shtëpia që mund t’i përdorin për të dhënë mësim rreth mesazhit të konferencës. Gjatë mbledhjes, kërkojuni anëtarëve që të shpjegojnë se si lidhen ato sende me mesazhin dhe se si mesazhi gjen zbatim në jetën e tyre.

  • Përgatitni një mësim që ta jepni në shtëpi. Kërkojuni anëtarëve që të punojnë në dyshe për të planifikuar një mësim për mbrëmjen në shtëpi, të bazuar te mesazhi i konferencës. Ata mund t’u përgjigjen pyetjeve si këto: Si mund ta bëjmë mesazhin më të përshtatshëm për familjet tona? Si mund t’ua shpërndajmë këtë mesazh njerëzve të cilëve u japim shërbesë?

  • Jepni përvoja. Lexoni së bashku disa thënie nga mesazhi i konferencës. Kërkojuni anëtarëve që të japin shembuj nga shkrimet e shenjta dhe nga jeta e tyre, që e ilustrojnë ose e përforcojnë doktrinën që na mësohet në këto thënie.

  • Gjeni një frazë. Ftojini anëtarët që të hulumtojnë në mesazhin e konferencës, duke kërkuar fraza që janë kuptimplota për ta. Kërkojuni atyre t’i thonë frazat dhe atë që mësojnë prej tyre. Kërkojuni atyre të tregojnë se si i ndihmojnë këto mësime të përmbushin punën e Zotit.

Për më shumë ide mbi mënyrën se si të studiohen dhe jepen mësim mesazhet e konferencës së përgjithshme, shihni te “Ideas for Learning and Teaching from General Conference” [“Ide për të Mësuarit dhe Mësimdhënien nga Konferenca e Përgjithshme”]. (Klikoni tek “Ideas for Study” [“Ide për Studim” nën “General Conference” [“Konferenca e Përgjithshme”] te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].)