2023
Kurrë Mos Hiqni Dorë nga një Mundësi që të Dëshmoni për Krishtin
Maj 2023


11:15

Kurrë Mos Hiqni Dorë nga një Mundësi që të Dëshmoni për Krishtin

Gëzimi i vërtetë qëndron në gatishmërinë tonë që t’i afrohemi më shumë Krishtit dhe të dëshmojmë personalisht.

Si sot pesë vjet më parë, ne ngritëm duart për të mbështetur profetin tonë të dashur, Presidentin Rasëll M. Nelson, si President të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, zëdhënësin e Zotit për këtë periudhë mbresëlënëse të rritjes dhe zbulesës. Nëpërmjet tij, ne kemi marrë ftesa të panumërta dhe na janë premtuar bekime të lavdishme nëse do ta përqendrojmë jetën tonë te Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti.

Në vitin 2011, ndërkohë që shërbeja me bashkëshortin tim si udhëheqës misioni në Kuritibën e bukur të Brazilit, gjatë një mbledhjeje më ra telefoni. Duke nxituar që ta vija në heshtje, vura re se telefonata ishte nga babai im. Me të shpejtë u largova nga mbledhja që t’i përgjigjesha: “Tjeta, babi!”

Papritur, zëri i tij u mbush me emocion: “Tjeta, Boni. Duhet të të them diçka. Jam diagnostikuar me ALS [Skleroza Amiotrofike Laterale].”

Më erdhi rrotull mendja nga pështjellimi: “Prit! Çfarë është ALS‑ja?”

Babi tashmë po shpjegonte: “Mendja ime do të qëndrojë zgjuar ndërkohë që trupi im do të shuhet dalëngadalë”.

Ndjeva sikur m’u përmbys bota teksa fillova të ndeshem me pasojat e këtij lajmi të rëndë. Por në atë ditë të paharrueshme, ishte fjalia e tij e fundit që zuri një vend të përhershëm në zemrën time. Babai im i dashur tha me ngut: “Boni, kurrë mos hiq dorë nga një mundësi që të dëshmosh për Krishtin”.

E kam përsiatur dhe jam lutur për këshillën e babit. Shpesh e kam pyetur veten a e di tërësisht se çfarë do të thotë që kurrë të mos heqësh dorë nga një mundësi që të dëshmosh për Jezu Krishtin.

Si ju, me raste jam ngritur të dielën e parë të muajit dhe kam dhënë dëshmi për Krishtin. Shumë herë kam dëshmuar për të vërtetat e ungjillit si pjesë e një mësimi. Me guxim kam dhënë mësim të vërtetën dhe e kam shpallur hyjninë e Krishtit kur isha misionare.

Prapëseprapë ky përgjërim u ndje më vetjak. U duk sikur ai po thoshte: “Boni, mos e lër botën të të shpërqendrojë! Qëndro e vërtetë ndaj besëlidhjeve të tua me Shpëtimtarin. Përpiqu t’i përjetosh bekimet e Tij çdo ditë dhe të jesh në gjendje të dëshmosh nëpërmjet Frymës së Shenjtë për fuqinë dhe praninë e Tij në jetën tënde.”

Ne jetojmë në një botë të rënë, me shpërqendrime që i tundojnë sytë dhe zemrat tona të përqendrohen te bota dhe jo te qielli. Po ashtu si nefitët tek 3 Nefi 11, neve na nevojitet Jezu Krishti. A e përfytyroni dot veten tuaj atje, mes njerëzve që kishin përjetuar kaq shumë rrëmujë dhe shkatërrim? Si do të ishte po ta dëgjonit ftesën vetjake të Zotit:

“Ngrihuni dhe ejani tek unë, që të mund të vini duart tuaja në anën time dhe gjithashtu të ndieni gjurmët e gozhdëve në duart e mia dhe në këmbët e mia, që ju të dini se unë jam … Perëndia i tërë tokës dhe se u vrava për mëkatet e botës.

Dhe … turma shkoi përpara … një nga një … dhe panë me sytë e tyre dhe ndien me duart e tyre, dhe mësuan me siguri … dhe dëshmuan nga vetja e tyre.”1

Këta nefitë, shkuan përpara me zell që të vinin duart e tyre në ijën e Tij dhe të ndienin gjurmët e gozhdëve në duart dhe këmbët e Tij, me qëllim që të mund të dëshmonin vetë se ky ishte Krishti. Ngjashëm, shumë njerëz besimtarë për të cilët kemi studiuar këtë vit në Dhiatën e Re, e kishin pritur me ankth ardhjen e Krishtit. Më pas ata u larguan nga fushat e tyre, nga vendet e punës dhe tryezat e ngrënies dhe e ndoqën Atë, u shtynë drejt Tij, u grumbulluan rreth Tij dhe u ulën me Të. A kemi ne po aq shumë dëshirë që të dëshmojmë vetë sa pati turma në shkrimet e shenjta? A janë bekimet që kërkojmë ne, më pak të nevojshme sesa bekimet e tyre?

Kur Krishti [i ringjallur] fizikisht i vizitoi nefitët në tempullin e tyre, ftesa e Tij nuk ishte që të rrinin në largësi e ta shihnin, por ta preknin, të ndienin vetë se Shpëtimtari i njerëzimit ishte real. Si mund të vijmë aq pranë sa të fitojmë një dëshmi vetjake për Jezu Krishtin? Kjo mund të jetë pjesë e asaj që im atë po përpiqej të më mësonte. Ndërkohë që mund të mos e gëzojmë të njëjtën afërsi fizike sa ata që ecën me Krishtin gjatë shërbesës së Tij në tokë, nëpërmjet Frymës së Shenjtë ne mund ta përjetojmë fuqinë e Tij çdo ditë. Aq shumë sa të na nevojitet!

Të rejat anembanë botës më kanë mësuar kaq shumë rreth kërkimit të Krishtit dhe marrjes së një dëshmie të përditshme, vetjake për Të. Më lejoni të tregoj për urtësinë e dy prej tyre:

Livi e ka parë konferencën e përgjithshme gjatë gjithë jetës së vet. Në fakt, në shtëpinë e saj e kanë traditë t’i shohin që të pesta sesionet së bashku si familje. Në të shkuarën, konferenca për Livin do të thoshte të shkarraviste kot ose të merrte me raste një sy gjumë pa dashur. Por konferenca e përgjithshme e tetorit të kaluar ishte e ndryshme. U bë vetjake.

Këtë herë Livi vendosi të ishte një pjesëmarrëse aktive. I mbylli njoftimet e celularit të saj dhe mbajti shënime për mbresat nga Shpirti. Ajo u mahnit kur ndjeu gjëra të veçanta që Perëndia donte për të që t’i dëgjonte dhe bënte. Ky vendim solli një ndryshim në jetën e saj gati menjëherë.

Vetëm pak ditë më vonë, shoqet e veta e ftuan të shihte një film të papërshtatshëm. Ajo reflektoi: “I ndjeva fjalët dhe shpirtin e konferencës të ktheheshin në zemrën time dhe e dëgjova veten time duke mos e pranuar ftesën e tyre”. Ajo gjithashtu pati guximin të jepte dëshminë e saj për Shpëtimtarin në lagjen e vet.

Pas këtyre ngjarjeve ajo tha: “Gjëja e mrekullueshme është se kur e dëgjova veten të dëshmoja se Jezusi është Krishti, ndjeva që Fryma e Shenjtë ma pohoi atë përsëri”.

Livi gjatë fundjavës së konferencës nuk ishte si ai guri që kur e hedh mbi sipërfaqen e ujit kërcen sa e cek atë; ajo u zhyt brenda në konferencë, me mendje dhe shpirt, dhe e gjeti Shpëtimtarin atje.

Më pas është Medi. Kur familja e saj nuk e frekuentoi më kishën, Medi u pështjellua dhe nuk ishte e sigurt se çfarë të bënte. Ajo e kuptoi se po i mungonte diçka e rëndësishme. Prandaj, në moshën 13 vjeçe, Medi filloi ta frekuentonte kishën e vetme. Ndonëse të qenit vetëm ishte nganjëherë e vështirë dhe e parehatshme, ajo e dinte se mund ta gjente Shpëtimtarin në kishë dhe ajo donte të ishte atje ku ishte Ai. Ajo tha: “Në kishë, shpirti im ndihej sikur të isha në shtëpi”.

Medi u mbajt fort pas faktit që familja e saj ishte e vulosur së bashku për përjetësinë. Ajo filloi t’i merrte vëllezërit e saj më të vegjël me vete në kishë dhe të studionte shkrimet e shenjta me ta në shtëpi. Si përfundim mami i saj filloi të shkojë me ta. Medi i tregoi së ëmës për dëshirën që kishte të shërbente në mision dhe e pyeti a ishte mami i saj gati të shkonte me të në tempull.

Sot Medi është në QTM. Po shërben. Po dëshmon për Krishtin. Shembulli i saj i ndihmoi që të dy prindërit e vet të ktheheshin në tempull dhe të ktheheshin te Krishti.

Ashtu si Livi dhe Medi, kur zgjedhim të kërkojmë Krishtin, Shpirti do të na dëshmojë për Të në shumë situata të ndryshme. Këto dëshmime të Shpirtit ndodhin kur agjërojmë, lutemi, presim dhe vazhdojmë të shkojmë përpara. Afërsia jonë me Krishtin rritet nëpërmjet adhurimit shpesh në tempull, pendimit të përditshëm, studimit të shkrimeve të shenjta, frekuentimit të kishës dhe seminarit, përsiatjes së bekimeve tona patriarkale, marrjes me denjësi të ordinancave dhe nderimit të besëlidhjeve të shenjta. Të gjitha këto gjëra e ftojnë Shpirtin për të na e ndriçuar mendjen dhe ato na sjellin paqe dhe mbrojtje më të madhe. Por a i nderojmë ato si mundësi të shenjta për të dëshmuar për Krishtin?

E kam frekuentuar tempullin shumë herë, por kur adhuroj në shtëpinë e Zotit, ai adhurim më ndryshon. Nganjëherë gjatë agjërimit, e gjej veten thjesht të uritur për ushqim, por në raste të tjera ushqehem me bollëk me Shpirtin plot qëllim. Nganjëherë kam belbëzuar lutje që janë të përsëritura dhe rutinë, por gjithashtu kam pasur dëshirë të madhe për të marrë këshillë nga Zoti nëpërmjet lutjes.

Ka fuqi kur i bëjmë këto zakone të shenjta më pak si një listë që duhet bërë, dhe më shumë një dëshmim. Procesi do të jetë gradual por do të rritet nëpërmjet pjesëmarrjes së përditshme, aktive dhe përvojave qëllimplota me Krishtin. Teksa në mënyrë të vazhdueshme veprojmë sipas mësimeve të Tij, ne fitojmë dëshmi për Të, ndërtojmë një marrëdhënie me Të dhe Atin tonë Qiellor. Ne fillojmë të bëhemi si Ata.

Kundërshtari krijon kaq shumë zhurmë sa mund të jetë e vështirë për ta dëgjuar zërin e Zotit. Bota jonë, sfidat tona, rrethanat tona nuk do të bëhen më të qeta, por ne mund e duhet të kemi uri dhe etje për gjërat e Krishtit që ta “dëgjo[jmë] Atë” me qartësi2. Ne dëshirojmë të krijojmë zakone të dishepullimit dhe dëshmi që do të na e kthejnë vëmendjen çdo ditë drejt mbështetjes sonë te Shpëtimtari ynë.

Babai im ndërroi jetë më shumë se 11 vjet më parë, por fjalët e tij janë të gjalla brenda meje. “Boni, kurrë mos hiq dorë nga një mundësi që të dëshmosh për Krishtin”. Ju ftoj të bashkoheni me mua për ta pranuar ftesën e tij. Shikoni për Krishtin kudo, ju premtoj se Ai është atje!3 Gëzimi i vërtetë qëndron në gatishmërinë tonë që t’i afrohemi më shumë Krishtit dhe të dëshmojmë personalisht.

Ne e dimë se në ditët e fundit, “çdo gju do të gjunjëzohet dhe çdo gjuhë do të pohojë” se Jezusi është Krishti4. Lutem që ky dëshmim do të bëhet një përvojë e zakonshme dhe e natyrshme për ne tani, që ne do ta përdorim çdo mundësi për të dëshmuar plot gëzim: Jezu Krishti jeton!

O, sa e dua Atë! Sa mirënjohës jemi për Shlyerjen e Tij të pafundme, e cila e ka bërë “jetën e përjetshme një mundësi dhe pavdekësinë një realitet për [ne] të gjithë”5. Unë dëshmoj për mirësinë dhe lavdinë e madhërishme të Shpëtimtarit tonë, në emrin e Tij të shenjtë, madje Jezu Krishtit, amen.