2023
Plaku Kristof G. Zhiro-Karrier
Maj 2023


“Plaku Kristof G. Zhiro-Karrier”, Liahona, maj 2023.

Plaku Kristof G. Zhiro-Karrier

Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë

Kur po arrinte moshën madhore, Plaku Kristof G. Zhiro-Karrier kishte plane të mëdha – të fillonte një shteg rigoroz në kolegj, të fitonte një shtyrje të afatit shkollor që të shërbente në një mision kohëplotë, të martohej me të dashurën e vet të adoleshencës dhe më pas të fillonte jetën familjare dhe profesionin e tij si inxhinier në atdheun e tij të lindjes në Francë.

Ndërkohë që misioni dhe martesa shkuan ashtu siç u planifikuan, pritshmëritë e tjera nuk ndodhën. Shtyrja e afatit të shkollës nuk ndodhi, por ndodhi një transferim në Universitetin “Brigam Jang” (UBJ), i pasuar nga dëshira për të dhënë mësim në nivelin universitar. Punët në universitete në Francë ishin të rralla për dikë që ishte arsimuar jashtë vendit, prandaj rritja e familjes, pasja e një karriere të ndryshme dhe shërbimi në Kishë ndodhën në shtete të ndryshme dhe në kohën e Zotit.

“Fakti i thjeshtë që shumë pak gjëra kanë ndodhur në mënyrën që e planifikuam, na lejoi ne të dyve që të kuptojmë se nëse e lejojmë Zotin të bëjë gjënë e Tij dhe të na çojë në vende të ndryshme, atëherë ky është vendi ku Ai dëshiron që ne të jemi dhe ai është vendi ku mund të shërbejmë”, – tha Plaku Zhiro‑Karrier. “Kjo na ka ndihmuar të mësojmë që t’i mirëbesojmë Atij, të mirëbesojmë se Ai mund të na e bëjë jetën tonë më shumë nga çfarë mund ta bënim ne vetë.”

Kristof Zherard Zhiro‑Karrier iu lindi Zherard Zhiro‑Karrierit dhe Eni Zhiro‑Karrierit më 21 janar 1966 në Lion të Francës. Pas shërbimit të tij misionar kohëplotë në Misionin e Kanadasë, Montreal, ai u martua me Izabel Sofi Moklerin në korrik 1988 në Shole të Francës. Ata u vulosën tri ditë më vonë në Tempullin e Bernës në Zvicër. Ata janë prindër të tetë fëmijëve.

Pasi mori diplomat universitare, pasuniversitare dhe doktoraturën në shkencat kompjuterike nga UBJ, Plaku Zhiro‑Karrier punoi si lektor me përvojë në Universitetin e Bristolit në Angli dhe si drejtues kryesor për ELCA Informatique në Zvicër përpara se të kalonte 19 vjet si profesor i shkencës kompjuterike në UBJ.

Në kohën e thirrjes së tij si Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë, Plaku Zhiro-Karrier po shërbente si president kunji në Kunjin e 16‑të të TRMMB-ve në Provo të Jutës. Thirrjet e mëparshme në Kishë përfshijnë shërbimin si president i Misionit të Francës, Lion, këshilltar i lartë dhe peshkop.