Këngëtarë Ndërkombëtarë Bashkohen me The Tabernacle Choir për Konferencën
Për herë të parë, pjesëmarrës që jetojnë jashtë Shteteve të Bashkuara, u bashkuan me The Tabernacle Choir at Temple Square gjatë një konferencë të përgjithshme.
Kohët e fundit, kori e ka zgjeruar misionin e vet për të arritur te një publik global, tha presidenti i korit, Majkëll O. Levit, i cili e përshkruan programin pilot si një përparim të natyrshëm në rritjen e korit. “Po e kryejmë këtë gjë sipas mënyrës së vetme që dimë, që është duke i hedhur hapat një nga një, duke mësuar, duke u përmirësuar dhe duke i kërkuar Zotit më shumë udhërrëfim”, – tha ai. “Në çdo hap, tani bëhet më e qartë se kjo mund të ndodhë.”
Për shkak të orarit rigoroz të ushtrimit të korit, anëtarëve të korit u është kërkuar të jetojnë në një largësi brenda 160 kilometrash nga Tabernakulli historik në Solt-Lejk-Siti. Gjithsesi, Vëllai Levit tha se programi pilot u jep mundësi njerëzve të tjerë me aftësi të jashtëzakonshme muzikore që gjithashtu të përfshihen përkohësisht.
Së bashku me aftësinë e tyre vokale, pjesëmarrësve ndërkombëtarë iu kërkua të paraqitnin aftësinë e tyre në teorinë e muzikës dhe gjuhën angleze gjatë procesit të përzgjedhjes.
Ata që u përzgjodhën që të këndonin me korin, erdhën nga gjashtë vende:
-
Alvaro Horhe Martins nga Natal në Brazil, bariton
-
Rodrigo Domaredzki nga Kuritiba në Brazil, bariton
-
Talita De Karvalho nga San‑Paolo në Brazil, soprano e dytë
-
Tubo-Oreriba Xhozef Elisha nga Akra në Ganë, tenor
-
Xhonanat Hau nga Kuala‑Lumpuri në Malajzi, tenor i dytë
-
Denis Elorza Avalos nga Tihuana në Meksikë, soprano e dytë
-
Xhorxhina Montemajor Uong nga Monterei në Meksikë, soprano e dytë
-
Ronald Baa nga Kagajan de Oro në Filipine, tenor
-
Sande Mae Indino nga Kagajan de Oro në Filipine, soprano e parë
-
Pei-Shan Çung (Kaili Zhong) nga Tajpei në Tajvan, mexosoprano e parë
Pjesëmarrësit ndërkombëtarë u bashkuan për provat e korit, ndoqën shkollën e korit, vizituan disa vende historike të Kishës dhe bënë vizitë në Sheshin e Mirëqenies të Kishës, Sheshin e Tempullit dhe Depon Qendrore të Peshkopëve.
Në fund të konferencës së përgjithshme anëtarët e korit me bazë në Jutë kënduan “Per’ndia me Ju Qoft’ kur Prap’ t’Tako’emi” për pjesëmarrësit vizitorë si lamtumirën e tyre përfundimtare.
Peshkopi Kryesues Zherald Kosé shprehu dashurinë dhe mirënjohjen e tij për pjesëmarrësit ndërkombëtarë. “Shpresoj që kur të ktheheni në vendin tuaj, ju do të dëshmoni për këtë përvojë dhe do të rritni një brez të ri këngëtarësh kudo, anembanë gjithë botës”, – tha ai.
Përvoja dyjavore i ndihmoi pjesëmarrësit që të kishin një ndjesi më të madhe të lidhjes dhe unitetit me komunitetin e Kishës. “Ne kaluam shumë kohë me departamentin muzikor të Kishës. Ndërkohë që u takuam me ta, unë vërtet ndjeva se udhëheqësit e Kishës shpresojnë që shenjtorët e ditëve të mëvonshme përreth gjithë botës të mund të kenë një përvojë më të thellë shpirtërore nëpërmjet muzikës”, – tha Pei-Shan Çungu.