2023
“Ti do të Qëndrosh në Mua dhe Unë në Ty; Prandaj Ec me Mua”
Maj 2023


13:26

“Ti do të Qëndrosh në Mua dhe Unë në Ty; Prandaj Ec me Mua”

Premtimi i Shpëtimtarit për të qëndruar në ne, është i vërtetë dhe në dispozicion për çdo anëtar që i mban besëlidhjet në Kishën e Tij të rivendosur.

Profeti i lashtë Enok, i përshkruar te Dhiata e Vjetër, Doktrina e Besëlidhje dhe Perla me Vlerë të Madhe1, ishte themelor për ngritjen e qytetit të Sionit.

Tregimi në shkrimin e shenjtë për thirrjen e Enokut që të shërbente, vë në dukje se “ai dëgjoi një zë nga qielli, duke thënë: Enok, biri im, profetizoju këtyre njerëzve dhe thuaju atyre – Pendohuni, … sepse zemrat e tyre janë forcuar dhe veshët e tyre janë të ngathët për të dëgjuar e sytë e tyre nuk mund të shohin larg”2.

“Dhe kur Enoku i kishte dëgjuar këto fjalë, ai u përkul përtokë … dhe foli përpara Zotit, duke thënë: Përse është që unë kam gjetur favor në sytë e tu dhe unë nuk jam veçse një djalosh dhe të gjithë më urrejnë; sepse unë jam i ngadaltë në të folur; si rrjedhim, a jam unë shërbëtori yt?”3

Ju lutem, vini re se në kohën e thirrjes së Enokut për të shërbyer, ai u bë i vetëdijshëm menjëherë për papërshtatshmëritë dhe kufizimet e tij vetjake. Mendoj se të gjithë ne, në një kohë apo në një tjetër, në shërbimin tonë në Kishë jemi ndier pothuaj si Enoku. Por besoj se përgjigjja e Zotit ndaj pyetjes përgjëruese të Enokut është udhëzuese dhe gjen zbatim për secilin prej nesh sot.

“Dhe Zoti i tha Enokut: Shko e bëj siç të kam urdhëruar dhe askush nuk do të të ngacmojë. Hape gojën tënde dhe ajo do të mbushet e unë do të t’i jap fjalët. …

Vër re, Shpirti im është mbi ty, si rrjedhim të gjitha fjalët e tua do t’i justifikoj; dhe malet do të marrin arratinë përpara teje dhe lumenjtë do ta ndryshojnë rrjedhën e tyre; dhe ti do të qëndrosh në mua dhe unë në ty; prandaj ec me mua.”4

Enoku përfundimisht u bë një profet i fuqishëm dhe një mjet në duart e Perëndisë për të kryer një vepër të madhërishme, por ai nuk e filloi shërbesën e tij në atë mënyrë! Në vend të kësaj, aftësia e tij me kalimin e kohës u shtua, teksa mësonte të qëndronte në Birin e Perëndisë dhe të ecte me Të.

Unë lutem plot zell për ndihmën e Frymës së Shenjtë teksa e marrim parasysh së bashku këshillën e dhënë Enokut nga Zoti dhe çfarë domethënie mund të ketë ajo për ju dhe mua sot.

Ti do të Qëndrosh në Mua

Zoti Jezu Krisht i drejton secilit prej nesh ftesën për të qëndruar në Të.5 Por në ç’mënyrë mësojmë dhe arrijmë të qëndrojmë në Të në të vërtetë?

Fjala qëndroj do të thotë të rrish i palëvizshëm ose i patundur dhe të durosh pa u dorëzuar. Plaku Xhefri R. Holland shpjegoi se “qëndrimi” si veprim do të thotë “‘[të] rrish, por [të] rrish përgjithmonë’. Ajo është thirrja e mesazhit të ungjillit për … çdo njeri … në botë. Ejani, por ejani që të qëndroni. Ejani me bindje dhe durueshmëri. Ejani përgjithmonë, për hirin tuaj dhe për hirin e të gjithë brezave që duhet t’ju ndjekin.”6 Prandaj ne qëndrojmë në Krisht kur jemi të palëkundur dhe kemi vendosmëri në përkushtimin tonë ndaj Shëlbuesit dhe qëllimeve të Tij të shenjta, në kohë si të mira ashtu edhe të këqija.7

Ne fillojmë të qëndrojmë në Zot duke ushtruar lirinë tonë të zgjedhjes morale për të marrë mbi vete zgjedhën e Tij8 nëpërmjet besëlidhjeve dhe ordinancave të ungjillit të rivendosur. Lidhja nëpërmjet besëlidhjeve, të cilën e kemi me Atin tonë Qiellor dhe Birin e Tij të ringjallur dhe të gjallë, është burimi hyjnor i këndvështrimit, shpresës, fuqisë, paqes dhe gëzimit jetëgjatë; ajo është edhe themeli i patundshëm shkëmbor9 mbi të cilin duhet të ndërtojmë jetën tonë.

Ne qëndrojmë në Të duke u përpjekur vazhdimisht që ta forcojmë marrëdhënien tonë individuale dhe besëlidhëse me Atin dhe Birin. Për shembull, lutja me sinqeritet drejtuar Atit të Amshuar në emrin e Birit të Tij të Dashur e thellon dhe e forcon lidhjen tonë me Ta nëpërmjet besëlidhjeve.

Ne qëndrojmë në Të duke u ushqyer me bollëk me fjalët e Krishtit. Doktrina e Shpëtimtarit na çon ne, si fëmijë të besëlidhjes, më pranë Tij10 dhe do të na thotë të gjitha gjërat që duhet të bëjmë11.

Ne qëndrojmë në Të duke u përgatitur plot zell që të marrim pjesë në ordinancën e sakramentit, duke shqyrtuar e reflektuar mbi premtimet e besëlidhjeve tona dhe duke u penduar sinqerisht. Marrja me denjësi e sakramentit është një dëshmi ndaj Perëndisë se ne jemi të gatshëm të marrim mbi vete emrin e Jezu Krishtit dhe të përpiqemi fort që “gjithmonë ta kujtoj[m]ë atë”12 pas periudhës së shkurtër të kohës që kërkohet për të marrë pjesë në atë ordinancë të shenjtë.

Ne qëndrojmë në Të duke i shërbyer Perëndisë ndërkohë që u shërbejmë fëmijëve të Tij dhe u japim shërbesë vëllezërve dhe motrave tona.13

Shpëtimtari tha: “Po të zbatoni urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time, sikurse unë i zbatova urdhërimet e Atit tim dhe qëndroj në dashurinë e tij”14.

Shkurtimisht kam përshkruar disa prej mënyrave të shumta se si ne mund të qëndrojmë në Shpëtimtarin. Tani e ftoj secilin prej nesh si dishepuj të Tij që të pyesë, kërkojë, trokasë dhe mësojë për veten e vet nga fuqia e Frymës së Shenjtë mënyra të tjera domethënëse se si mund ta bëjmë Krishtin qendrën e jetës sonë në gjithçka që bëjmë.

Dhe Unë në Ty

Premtimi i Shpëtimtarit ndaj pasuesve të Tij është i dyanshëm: nëse qëndrojmë në Të, Ai do të qëndrojë në ne. Por a është vërtet e mundur për Krishtin që të qëndrojë në ju dhe në mua, individualisht dhe personalisht? Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje është një “po” kumbuese.

Në Librin e Mormonit mësojmë se Alma u jep mësim dhe u dëshmon të varfërve, pikëllimet e të cilëve i kishin detyruar të ishin të përulur. Në udhëzimet e tij, ai e krahasoi fjalën me një farë që duhet të mbillet e ushqehet, dhe ai e përshkroi “fjalën” si jeta, misioni dhe flijimi shlyes i Jezu Krishtit.

Alma tha: “Filloni të besoni në Birin e Perëndisë, se ai do të vijë të shëlbejë popullin e tij dhe se ai do të vuajë dhe do të vdesë që të shlyejë mëkatet e tyre; dhe se ai do të ngrihet përsëri nga të vdekurit, që do të shkaktojë ringjalljen, që të gjithë njerëzit do të qëndrojnë para tij për t’u gjykuar, sipas veprave të tyre, ditën e fundit dhe të gjykimit”15.

Me këtë përshkrim të dhënë nga Alma për “fjalën”, ju lutem, merreni parasysh lidhjen frymëzuese që ai e përcakton më pas.

“Dhe tani … unë dëshiroj që ju ta mbillni këtë fjalë në zemrat tuaja dhe posa të fillojë të fryhet, po ashtu, ta ushqeni me besimin tuaj. Dhe vini re, ajo do të bëhet një pemë që rritet në ju, deri në jetën e përjetshme. Dhe atëherë, dhëntë Perëndia që barrat tuaja të jenë të lehta, nëpërmjet gëzimit të Birit të tij. Dhe madje të gjithë këtë ju mund ta bëni në qoftë se doni.”16

Fara që duhet të përpiqemi fort për ta mbjellë në zemrën tonë, është fjala, madje jeta, misioni dhe doktrina e Jezu Krishtit. Dhe teksa fjala ushqehet me anë të besimit, ajo mund të bëhet një pemë që rritet brenda nesh deri në jetë të përjetshme.17

Cili është kuptimi simbolik i pemës në vegimin e Lehit? Pema mund të merret parasysh si një përfaqësim i Jezu Krishtit.18

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, a është Fjala brenda nesh? A janë të vërtetat e ungjillit të Shpëtimtarit të shkruara në rrasat e gurit të zemrës sonë?19 A po vijmë tek Ai dhe dalëngadalë po bëhemi më shumë si Ai? A po rritet pema e Krishtit brenda nesh? A po përpiqemi fort të bëhemi “krijes[a të] re[ja]”20 në Të?21

Ndoshta ky potencial i mrekullueshëm e frymëzoi Almën të thoshte: “A keni lindur shpirtërisht nëpërmjet Perëndisë? A keni marrë shëmbëlltyrën e tij në pamjen tuaj? A e keni provuar këtë ndryshim të madh në zemrat tuaja?”22

Ne gjithmonë duhet ta kujtojmë udhëzimin që i dha Zoti Enokut: “Ti do të [qëndrosh] në mua dhe unë në ty23. Unë dëshmoj se premtimi i Shpëtimtarit për të qëndruar në ne, është i vërtetë dhe në dispozicion për çdo anëtar të Kishës së Tij të rivendosur që i mban besëlidhjet.

Prandaj Ec me Mua

Apostulli Pal i këshilloi besimtarët të cilët e kishin pranuar Zotin: “Pra, ecni në të”24.

Ecja në dhe me Shpëtimtarin nxjerr në pah dy aspekte jetike të dishepullimit: 1) bindjen ndaj urdhërimeve të Perëndisë dhe 2) mbajtjen mend dhe nderimin e besëlidhjeve të shenjta që na lidhin me Atin dhe Birin.

Gjoni shpalli:

“Dhe nga kjo e dimë se e kemi njohur atë, në qoftë se i zbatojmë urdhërimet e tij.

Ai që thotë: ‘Unë e kam njohur atë’, dhe nuk [i] zbaton urdhërimet e tij, është gënjeshtar dhe e vërteta nuk është në të.

Por kush e zbaton fjalën e tij, në të me të vërtetë dashuria e Perëndisë është përsosur. Nga kjo e njohim se jemi në të.

Ai që thotë se qëndron në të, duhet të ecë edhe vetë sikurse ka ecur ai.”25

Jezusi na e bën me shenjë secilit prej nesh: “Eja e më ndiq”26 dhe “ec me mua”27.

Unë dëshmoj se teksa shkojmë përpara me besim dhe ecim në butësinë e Shpirtit të Zotit28, ne do të bekohemi me fuqi, udhërrëfim, mbrojtje dhe paqe.

Dëshmia dhe Premtimi

Alma përshkruan një përgjërim plot dashuri nga Zoti për të gjitha qeniet e gjalla:

“Vini re, ai u dërgon gjithë njerëzve një ftesë, pasi krahët e mëshirës janë shtrirë drejt tyre dhe ai thotë: Pendohuni dhe unë do t’ju pranoj.

… Ejani tek unë dhe ju do të hani nga fruti i pemës së jetës; po, ju do të hani dhe do të pini lirisht nga buka dhe nga ujërat e jetës.”29

E theksoj gjithëpërfshirjen absolute të përgjërimit të Shpëtimtarit. Ai është i etur ta bekojë me hirin dhe mëshirën e Tij çdo person individual që jeton tani, që ka jetuar ndonjëherë dhe që nuk ka jetuar ende në tokë.

Disa anëtarë të Kishës i pranojnë si të vërteta doktrinën, parimet dhe dëshmitë e shpallura në mënyrë të përsëritur nga kjo foltore në Qendrën e Konferencave dhe në bashkësitë vendore anekënd botës dhe prapëseprapë mund të hasin vështirësi të besojnë se këto të vërteta të përjetshme gjejnë zbatim veçanërisht në jetën e tyre dhe ndaj rrethanave të tyre. Ata besojnë plot sinqeritet dhe shërbejnë plot përkushtim, por lidhja e tyre me Atin dhe Birin e Tij Shëlbues nëpërmjet besëlidhjeve ende nuk është bërë një realitet i gjallë dhe shndërrues në jetën e tyre.

Unë premtoj se me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë, ju mund ta dini dhe ta ndieni se të vërtetat e ungjillit që jam përpjekur t’i përshkruaj, janë për ju, për ju individualisht dhe personalisht.

Dëshmoj plot gëzim se Jezu Krishti është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë i dashur dhe i gjallë. Nëse qëndrojmë në Të, Ai do të qëndrojë në ne.30 Dhe kur ecim në Të dhe me Të, ne vërtet do të bekohemi për të prodhuar shumë fryte. Kështu dëshmoj në emrin e shenjtë të Zotit Jezu Krisht, amen.

Shënime

  1. Shih te Zanafilla 5:18–24; Doktrina e Besëlidhje 107:48–57; Moisiu 6–7.

  2. Moisiu 6:27.

  3. Moisiu 6:31.

  4. Moisiu 6:32, 34; theksimi i shtuar.

  5. Shih te Gjoni 15:4–9.

  6. Jeffrey R. Holland, “Abide in Me”, Liahona, maj 2004, f. 32.

  7. Shih te Gjoni 15:10.

  8. Shih te Mateu 11:29–30.

  9. Shih te Helamani 5:12.

  10. Shih te 3 Nefi 27:14–15.

  11. Shih te 2 Nefi 32:3.

  12. Moroni 4:3; 5:2.

  13. Shih te Mosia 2:17.

  14. Gjoni 15:10.

  15. Alma 33:22.

  16. Alma 33:23; theksimi i shtuar.

  17. Shih tek Alma 26:13.

  18. Unë e shpjegova këtë parim në një takim shpirtëror në vitin 2017:

    “Alma ‘fill[oi] të predikon[te] fjalën e Perëndisë mes popullit, duke hyrë në sinagogat e tyre dhe në shtëpitë e tyre; po, dhe madje predikuan fjalën në rrugët e tyre’ [Alma 32:1; theksimi i shtuar]. Ai gjithashtu e krahasoi fjalën e Perëndisë me një farë.

    ‘Tani, në qoftë se bëni vend që një farë të mund të mbillet në zemrën tuaj, vini re, po të jetë një farë e vërtetë, ose një farë e mirë, në qoftë se ju nuk e hidhni tej me mosbesimin tuaj, që ju t’i kundërshtoni Shpirtit të Zotit, vini re, ajo do të fillojë të fryhet në kraharorin tuaj; dhe kur ju të ndieni këto lëvizje të fryrjes, ju do të filloni të thoni me veten tuaj – Kjo duhet të jetë një farë e mirë, ose që fjala është e mirë, pasi po fillon të zmadhojë shpirtin tim; po, po fillon të ndriçojë kuptimin tim, po, po fillon të jetë e këndshme për mua’ [Alma 32:28; theksimi i shtuar].

    Në mënyrë interesante, një farë e mirë bëhet një pemë kur mbillet në zemër dhe fillon të fryhet, të mugëllojë dhe të rritet.

    ‘Dhe vini re, ndërsa pema fillon të rritet, ju do të thoni: Le ta ushqejmë me kujdes të madh, që të mund të lëshojë rrënjë, që të mund të rritet dhe të na japë frut. Dhe tani vini re, në qoftë se ju e ushqeni me shumë kujdes, do të lëshojë rrënjë; dhe do të rritet dhe do të japë frut.

    Por, në qoftë se e lini pemën pas dore dhe nuk mendoni për ta ushqyer, vini re, ajo nuk do të lëshojë ndonjë rrënjë; dhe kur të vijë nxehtësia e diellit dhe ta përzhisë, pasi ajo nuk ka rrënjë, ajo fishket dhe thahet; dhe ju e shkulni dhe e flakni tej.

    Tani, kjo nuk ndodh sepse fara nuk ishte e mirë, as nuk është sepse fruti i saj nuk do të ishte i dëshirueshëm; por është sepse toka juaj është shterpë dhe ju nuk do ta ushqeni pemën, prandaj ju nuk do të mund të keni frutin e saj.

    Dhe kështu, në qoftë se ju nuk do ta ushqeni fjalën, duke pritur me një sy besimi te fruti i saj, ju nuk do të mund të vilni kurrë frutin nga pema e jetës.

    Por, në qoftë se ju do ta ushqeni fjalën, po, do ta ushqeni pemën si të fillojë të rritet, me besimin tuaj, me zell të madh dhe me durim, duke pritur frutin e saj, do të lëshojë rrënjë; dhe vini re, do të jetë një pemë që do të rritet, deri në jetën e përjetshme’ [Alma 32:37–41; theksimi i shtuar].

    … Veçoria thelbësore në ëndrrën e Lehit është pema e jetës, që është një përfaqësim i ‘dashuri[së së] Perëndisë’ [1 Nefi 11:21–22].

    ‘Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme’ [Gjoni 3:16].

    Lindja, jeta dhe flijimi shlyes i Zotit Jezu Krisht janë shfaqjet më të madhërishme të dashurisë së Perëndisë për fëmijët e Tij. Siç dëshmoi Nefi, kjo dashuri ishte ‘më e dëshirueshmja mbi të gjitha gjërat’ dhe ‘më e gëzueshmja për shpirtin’ [1 Nefi 11:22–23; shih edhe te 1 Nefi 8:12, 15]. Kapitulli 11 te 1 Nefi përfaqëson një përshkrim të hollësishëm të pemës së jetës si një simbol për jetën, shërbesën dhe flijimin e Shpëtimtarit – ‘denjimin e Perëndisë’ [1 Nefi 11:16]. Pema mund të konsiderohet si një përfaqësim i Krishtit.

    Një mënyrë e të menduarit rreth frutës në pemë është si një simbol për bekimet e Shlyerjes së Shpëtimtarit. Fruta përshkruhet si ‘[e] dëshiruesh[me] për ta bërë dikë të lumtur’ [1 Nefi 8:10] dhe prodhon gëzim të madh dhe dëshirën për ta ndarë atë gëzim me të tjerët.

    Në mënyrë domethënëse, tema mbisunduese e Librit të Mormonit, të ftuarit e të gjithë njerëzve që të vijnë te Krishti [shih te Moroni 10:32], është parësore në vegimin e Lehit [shih te 1 Nefi 8:19]” (“The Power of His Word Which Is in Us” [fjalim i dhënë në seminarin për udhëheqësit e rinj të misioneve, 27 qershor 2017], f. 4–5).

  19. Shih te 2 Korintasve 3:3.

  20. 2 Korintasve 5:17.

  21. Analogjia e Almës na mëson se dëshira për të besuar e mbjell farën në zemrën tonë, duke e ushqyer farën me anë të besimit tonë e bën të mugëllojë pemën e jetës dhe të ushqyerit e pemës prodhon frytin e pemës që është “i ëmbël mbi çdo gjë që është e ëmbël” (Alma 32:42) dhe është “më i madhi nga të gjitha dhuratat e Perëndisë” (1 Nefi 15:36).

  22. Alma 5:14.

  23. Moisiu 6:34; theksimi i shtuar.

  24. Kolosianëve 2:6.

  25. 1 Gjon 2:3–6; theksimi i shtuar.

  26. Lluka 18:22.

  27. Moisiu 6:34.

  28. Shih te Doktrina e Besëlidhje 19:23.

  29. Alma 5:33–34; theksimi i shtuar.

  30. Shih te Gjoni 15:5.