2023
Bekimi Juaj Patriarkal – Drejtim i Frymëzuar nga Ati Qiellor
Maj 2023


9:28

Bekimi Juaj Patriarkal – Drejtim i Frymëzuar nga Ati Qiellor

Bekimi im patriarkal më ndihmoi të kuptoja identitetin tim të vërtetë të përjetshëm – kush isha me të vërtetë dhe kush mund të bëhesha.

U rrita nga prindër të mrekullueshëm që na deshën dhe na e mësuan me besnikëri ungjillin, neve fëmijëve të tyre. Trishtueshëm, prindërit e mi të dashur patën vështirësi në martesën e tyre për vite të tëra. Unë isha fëmijë në Fillore kur m’u tha se me gjasë do të shkurorëzoheshin një ditë dhe mua e motrave e vëllezërve të mi do të na duhej të zgjidhnim se me cilin prind të jetonim. Si rrjedhojë, për vite të tëra, përjetova ankth të konsiderueshëm; megjithatë, një dhuratë nga Ati im Qiellor përfundimisht ndryshoi çdo gjë për mua: bekimi im patriarkal.

Në moshën 11‑vjeçare, gjithnjë e më shumë i shqetësuar rreth marrëdhënies së prindërve të mi, unë e dëshirova fort bekimin tim patriarkal. E dija se Ati im Qiellor më njihte në mënyrë të përsosur dhe i njihte rrethanat e mia të veçanta. Gjithashtu e dija se do të merrja drejtim nga Ai. Menjëherë pas ditëlindjes sime të 12‑të, mora bekimin tim patriarkal. Kjo ndodhi më shumë se gjysmë shekulli më parë, por më kujtohen gjallërisht hollësitë e asaj përvoje të shenjtë.

Plot mirënjohje, ne kemi drejtim të frymëzuar rreth bekimeve patriarkale në Manualin e Përgjithshëm të Kishës:

“Çdo anëtar i denjë, i pagëzuar ka të drejtën të marrë një bekim patriarkal, i cili siguron një drejtim të frymëzuar nga Ati Qiellor”.

Një anëtar duhet të jetë “mjaft i pjekur për ta kuptuar rëndësinë dhe natyrën e shenjtë të bekimit” dhe “të kuptojë doktrinën bazë të ungjillit”.

“Në rrethana ideale, anëtari duhet të jetë [në moshë] mjaft [të re] që shumë vendime të rëndësishme në jetë të jenë ende përpara për t’u marrë. … Udhëheqësit e priftërisë nuk duhet të vendosin një moshë minimale për një anëtar që të marrë një bekim patriarkal. …

Çdo bekim patriarkal është i shenjtë, konfidencial dhe vetjak. …

Një person që merr një bekim patriarkal, duhet t’i ruajë si thesar fjalët e tij, t’i përsiatë ato dhe të jetojë që të jetë i denjë për t’i marrë bekimet e premtuara në këtë jetë dhe në përjetësi.”1

Presidenti ynë i dashur Rasëll M. Nelson, në mënyrë të përsëritur, ka dhënë mësim rreth rëndësisë së një bekimi patriarkal2, që ai i jep secilit marrës “një deklarim të linjës mbrapa deri tek Abrahami, Isaku dhe Jakobi”3 dhe që “është shkrim i shenjtë vetjak për ju”4.

Bekimi im patriarkal ishte me rëndësi vendimtare për mua kur isha i ri për arsye të shumta. Së pari, nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, bekimi im patriarkal më ndihmoi të kuptoja identitetin tim të vërtetë të përjetshëm, kush isha me të vërtetë dhe kush mund të bëhesha. Më ndihmoi të dija, siç ka dhënë mësim Presidenti Nelson, që unë isha “[një] bir i Perëndisë”, “një [fëmijë] i besëlidhjes” dhe “një dishepull i Jezu Krishtit”5. E dija se Ati im Qiellor dhe Shpëtimtari im më njihnin e më donin dhe se ishin personalisht të përfshirë në jetën time. Kjo më ndihmoi të dëshiroja t’i afrohesha më shumë Atyre dhe ta rritja besimin e mirëbesimin tim tek Ata.

Një mik i shtrenjtë, i cili u bashkua me Kishën kur ishte i ri në moshë madhore, tregoi: “Kur patriarku vuri duart e tij mbi kokën time dhe tha emrin tim, çdo gjë ndryshoi, … jo thjesht në atë çast, por për gjithë pjesën tjetër të jetës sime. Menjëherë ndjeva se, me anë të fuqisë me të cilën ai foli, mua më njihnin në mënyrë intime dhe të thellë. Fjalët që tha ai, depërtuan tërë qenien time. E dija se Ati Qiellor më njihte tërësisht, kokë e këmbë.”

Dijenia se kush isha me të vërtetë më ndihmoi të kuptoja e dëshiroja të bëja atë që Perëndia priste prej meje.6

Kjo më shtyu t’i studioja besëlidhjet që kisha bërë dhe bekimet e premtuara në besëlidhjen e Perëndisë me Abrahamin.7 Ai më dha një këndvështrim të përjetshëm që më frymëzoi t’i mbaja më plotësisht besëlidhjet e mia.

E studiova shpesh bekimin tim patriarkal dhe kur isha i ri, përditë, gjë që më ndihmoi të ndieja ndikimin ngushëllues, udhëzues të Frymës së Shenjtë, i cili ndihmoi të më pakësohej ankthi teksa i ndoqa nxitjet e Tij. Kjo e rriti dëshirën time për të ftuar aktivisht dritën, të vërtetën dhe Frymën e Shenjtë duke i studiuar shkrimet e mia të shenjta, duke u lutur përditë dhe duke u përpjekur që t’i studioja e ndiqja më me zell mësimet e profetit dhe apostujve të Perëndisë. Bekimi im patriarkal më ndihmoi gjithashtu të dëshiroja të isha më i nënshtruar ndaj vullnetit të Atit tim Qiellor dhe ai përqendrim më ndihmoi të përjetoja gëzim, pavarësisht nga rrethanat e mia vetjake.8

Merrja forcë shpirtërore sa herë e studioja bekimin tim patriarkal. Kur prindërit e mi përfundimisht u shkurorëzuan vërtet, bekimi im patriarkal, siç dha mësim Presidenti Tomas S. Monson, ishte bërë për mua “një thesar i vyer dhe i paçmuar vetjak”, madje “një Liahona vetjake”9.

Tani, ju lutem, mos e keqkuptoni. Nuk isha i përsosur. Bëra gjithfarëlloj gabimesh. Shoqja ime e përjetshme do ta pohonte se ende i bëj. Por bekimi im patriarkal më ndihmoi dhe vazhdon të më ndihmojë që të dëshiroj të bëj më mirë dhe të jem më i mirë.10 Studimi i dendur i bekimit tim patriarkal e rriti dëshirën time për t’i bërë ballë tundimit. Më ndihmoi të kisha dëshirën e guximin për t’u penduar; dhe pendimi u bë përherë e më shumë një proces i gëzueshëm.

Ishte jetike për mua ta merrja bekimin tim patriarkal kur isha i ri dhe kur dëshmia ime ishte ende duke u rritur. Jam përgjithmonë mirënjohës që prindërit dhe peshkopi im e kuptuan që dëshira ime tregonte se isha gati.

Kur isha 12 vjeç, bota ishte shumë më pak pështjelluese dhe shpërqendruese sesa bota sot. Presidenti Nelson e ka përshkruar të sotmen si “koha më e ndërlikuar në historinë e botës”, një botë që është e “ngopur me mëkat” dhe “vetëdashëse”11. Fatmirësisht, të rinjtë tanë sot janë shumë më të pjekur sesa unë kur isha 12 vjeç dhe ata gjithashtu kanë vendime me rëndësi vendimtare për të marrë ndërsa janë të rinj! Ata gjithashtu kanë nevojë të dinë se cilët janë me të vërtetë dhe se Perëndia i do dhe është përsosurisht në dijeni për ta!

Jo gjithkush do ta dëshirojë bekimin e vet patriarkal në moshën kur unë e dëshirova. Por lutem që anëtarët të cilët nuk e kanë marrë ende bekimin e tyre patriarkal, do të kërkojnë plot lutje ta dinë se kur janë gati. Ju premtoj se nëse përgatiteni shpirtërisht, përvoja juaj, sikurse e imja, do të jetë e shenjtë për ju. Unë lutem gjithashtu që ata që e kanë marrë tashmë bekimin e tyre patriarkal, do ta studiojnë dhe ruajnë si thesar atë. Të çmuarit e bekimit tim patriarkal ndërsa isha ende i ri më bekoi me guxim kur isha i shkurajuar, ngushëllim kur isha i frikësuar, paqe kur ndihesha i shqetësuar, shpresë kur ndihesha i pashpresë dhe gëzim kur kisha më shumë nevojë për të. Bekimi im patriarkal më ndihmoi ta rritja besimin dhe mirëbesimin tim tek Ati im Qiellor dhe Shpëtimtari im. Ai gjithashtu, më rriti dashurinë për Ta dhe akoma e bën atë.12

Dëshmoj se bekimet patriarkale sigurojnë vërtet drejtim të frymëzuar nga Ati Qiellor. Jap dëshminë time për realitetin e gjallë të Atit tonë në Qiell dhe Birit të Tij, Shpëtimtarit tonë Jezu Krishtit, të cilët na njohin, na duan dhe dëshirojnë të na bekojnë. Unë gjithashtu e di me siguri se Presidenti Rasëll M. Nelson është profeti i Perëndisë në tokë sot. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 18.17, 18.17.1, ChurchofJesusChrist.org.

  2. Shih te Rasëll M. Nelson, “Thanks for the Covenant” (takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 22 nëntor 1988), speeches.byu.edu; “A More Excellent Hope” (takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 8 janar 1995), speeches.byu.edu; “Identity, Priority, and Blessings” (takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 10 shtator 2000), speeches.byu.edu; “Roots and Branches”, Liahona, maj 2004, f. 27–29; “Besëlidhjet”, Liahona, nëntor 2011, f. 86–89; “Rini e Lindjes Fisnike: Çfarë do të Zgjidhni?” (takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang” – Havai, 6 shtator 2013), broadcasts.ChurchofJesusChrist.org; “The Book of Mormon, the Gathering of Israel, and the Second Coming”, Ensign, korrik 2014, f. 26–31; Liahona, korrik 2014, f. 24–29; “Lejojeni Perëndinë të Triumfojë”, Liahona, nëntor 2020, f. 92–95; “The Everlasting Covenant”, Liahona, tetor 2022, f. 1–6; [“Besëlidhja e Përjetshme”, Mesazhi i Përmuajshëm për Revistën Liahona, tetor 2022, varianti digjital në ChurchofJesusChrist.org].

  3. Rasëll M. Nelson, “Besëlidhjet”, f. 88.

  4. Rasëll M. Nelson, “Thanks for the Covenant”, speeches.byu.edu.

  5. Rasëll M. Nelson, “Zgjedhjet për Përjetësinë” (takim shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë e të rejat në moshë madhore, 12 maj 2022), ChurchofJesusChrist.org; theksimi i shtuar.

  6. Shih te Rasëll M. Nelson, “Besëlidhjet”, f. 86–89.

  7. Shih te Zanafilla 17:1–10; shih edhe te Rasëll M. Nelson, “Children of the Covenant”, Ensign, maj 1995, f. 32–34.

  8. Shih te Rasëll M. Nelson, “Gëzimi dhe Mbijetesa Shpirtërore”, Liahona, nëntor 2016, f. 81–84.

  9. Tomas S. Monson, “Your Patriarchal Blessing: A Liahona of Light”, Ensign, nëntor 1986, f. 65–66.

  10. Shih te Rasëll M. Nelson, “Ne Mund të Bëjmë më Mirë dhe të Jemi më të Mirë”, Liahona, maj 2019, f. 67–69.

  11. Rasëll M. Nelson, “Mundeni Botën dhe Gjeni Prehje”, Liahona, nëntor 2022, f. 95–96.

  12. Frymëzuar nga Xhejms E. Faust, “Priesthood Blessings”, Ensign, nëntor 1995, f. 62–64.