2023
Presidentja Emili Bell Friman
Maj 2023


“Presidentja Emili Bell Friman”, Liahona, maj 2023.

Presidentja Emili Bell Friman

Presidente e Përgjithshme e Të Rejave

Shumë njerëz tashmë mund ta njohin Emili Bell Frimanin si oratore, autore, folëse në programe interneti dhe mësuese. Por për ata që nuk e njohin, dhe madje edhe për ata që e njohin, Presidentja Friman shpreson që gjëja e parë që të dinë rreth saj, është se ajo ka një besim të thellë dhe të qëndrueshëm te Jezu Krishti.

“Është nëpërmjet përvojave vetjake me Të që unë kam arritur ta njoh Atin Qiellor dhe kam arritur të përjetoj zbulesë”, – tha Presidentja Friman. “Ai ka qenë faktori përcaktues në jetën time, ai shoqërim gjatë gjithë jetës me Të.”

Kur e filloi punën e saj si autore dhe folëse në programe në internet, ajo e pyeti veten se ku donte të përqendrohej. Përgjigjja ishte që të dëshmonte për Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij.

Ajo lindi më 31 dhjetor 1969 në Boston të Masaçusetsit në SHBA, ndërkohë që ati i saj, Mek‑Kinli Mek‑Vishi Osvarldi, ndiqte Universitetin e Harvardit. Presidentja Friman tha se nëna e saj, Lesli Xhejms Osvaldi, ishte një grua nga një linjë grash “me shumë energji dhe shumë dashuri”.

Presidentja Friman, më e madhja nga gjashtë fëmijët, u rrit në Sendi të Jutës. Jeta e saj ndryshoi gjatë vitit të fundit të shkollës së mesme kur prindërit e saj u thirrën të udhëhiqnin Misionin e Kalifornisë, Venturë. Ajo, motrat dhe vëllezërit e saj morën pjesë në çdo konferencë misioni, zone dhe kunji me prindërit e tyre. Pas shkollës së mesme, ajo u largua nga Kalifornia që të studionte në Universitetin “Brigam Jang”.

Kur Gregori Garth Frimani, i cili shërbeu në Misionin e Kalifornisë, Venturë, u kthye në shtëpinë e vet në Bauntiful të Jutës, udhëheqësit e tij të misionit i kërkuan të shkonte për të parë bijën e tyre në njërën nga angazhimet e saj për të folur në Jutë. Emilia dhe Gregori filluan të dilnin në takime shpejt pas kësaj dhe u martuan në dhjetor 1989 në Tempullin e Los‑Anxhelosit në Kaliforni. Ata kanë pesë fëmijë.

Presidentja Friman ka shkruar më shumë se një duzinë librash dhe ka folur në një larmi konferencash, seminaresh praktike dhe mbledhjesh. Ajo dha mësim për shumë vjet në Sistemin Arsimor të Kishës dhe ka shërbyer si mësuese e Doktrinës së Ungjillit dhe si presidente e Të Rejave dhe Shoqatës së Ndihmës së lagjes.