2023
Një Profet i Gjallë për Ditët e Mëvonshme
Maj 2023


11:22

Një Profet i Gjallë për Ditët e Mëvonshme

Ati në Qiell ka zgjedhur modelin e zbulimit të së vërtetës ndaj fëmijëve të Tij nëpërmjet një profeti.

Kur isha i vogël, më pëlqente shumë dita e shtunë sepse çdo gjë që bëja në atë ditë, më dukej si aventurë. Por çfarëdo që të bëja, ajo paraprihej gjithmonë nga gjëja më e rëndësishme se të gjitha: të shihja filma vizatimorë në televizor. Një mëngjes të tillë të shtune, ndërsa po qëndroja pranë televizorit dhe po ndërroja kanalet, zbulova se filmi vizatimor që prisja të gjeja, ishte zëvendësuar nga një transmetim i konferencës së përgjithshme të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ndërsa shikoja televizor dhe qahesha se nuk kishte film vizatimor, pashë një burrë thinjosh me një kostum dhe kollare të ulur në një ndenjëse të këndshme.

Kishte diçka ndryshe tek ai, kështu që pyeta vëllanë tim më të madh: “Kush është ai?”

Ai tha: “Është Presidenti Dejvid O. Mek‑Kei, ai është profet”.

Mbaj mend se ndjeva diçka dhe në njëfarë mënyre e dija që ai ishte një profet. Pastaj, për shkak se isha një djalosh i çmendur pas filmave vizatimorë, e ndryshova kanalin. Mirëpo, nuk e kam harruar kurrë atë që ndjeva gjatë atij çasti të shkurtër e të papritur që m’u zbulua. Profetin nganjëherë mjafton vetëm një çast për ta njohur.1

Të dish me anë të zbulesës se ka një profet të gjallë mbi tokë, ndryshon gjithçka.2 Ajo bën që njeriut të mos i interesojë debati rreth kohës se kur po flet një profet si profet ose a justifikohet ndonjëherë dikush për mospranimin përzgjedhës të këshillës profetike.3 Një njohuri e tillë e zbuluar, e fton dikë t’i mirëbesojë këshillës së një profeti të gjallë, edhe nëse ne nuk e kuptojmë plotësisht atë.4 Fundja, një Atë i përsosur dhe i dashur në Qiell ka zgjedhur modelin e zbulimit të së vërtetës ndaj fëmijëve të Tij nëpërmjet një profeti, dikujt që nuk e ka kërkuar kurrë një thirrje të tillë të shenjtë dhe që nuk ka nevojë për ndihmën tonë për të qenë në dijeni për papërsosuritë e veta.5 Një profet është dikush që Perëndia e ka përgatitur, thirrur, korrigjuar, frymëzuar, qortuar, shenjtëruar dhe mbështetur Vetë.6 Kjo është arsyeja përse ne nuk jemi kurrë në rrezik shpirtëror kur ndjekim këshillën profetike.

Na pëlqen ose jo, të gjithë ne u zgjodhëm në njëfarë mënyre në jetën paratokësore që të lindnim në këto ditë të mëvonshme. Ka dy realitete që lidhen me ditët e mëvonshme. Realiteti i parë është se Kisha e Krishtit do të rithemelohet në tokë. Realiteti i dytë është se gjërat do të bëhen shumë sfiduese. Shkrimet e shenjta zbulojnë se në ditët e fundit do të ketë një “stuhi breshëri, e dërguar për të shkatërruar prodhimet e tokës”7, plagë8, “luftëra e ushtima luftërash dhe i gjithë dheu do të jetë në rrëmujë, … e paudhësia do të shumohet”9.

Kur isha fëmijë, ato profeci të ditëve të fundit më frikësonin dhe më bënin të lutesha që Ardhja e Dytë të mos vinte në jetën time dhe mund të shtoj se deri tani ka qenë me sukses. Por tani lutem për të kundërtën, ndonëse sfidat e profetizuara janë të sigurta10, sepse kur Krishti të kthehet për të mbretëruar, të gjitha krijimet e Tij do të “prehen të qet[a]”11.

Rrethanat e tanishme në botë u kanë shkaktuar disave të bien në panik. Si fëmijë besëlidhës të Perëndisë, nuk kemi përse të rendim pas kësaj ose asaj për të ditur se si t’i japim drejtim jetës përmes këtyre kohëve të trazuara. Nuk ka përse të kemi frikë.12 Doktrina dhe parimet që duhet të ndjekim për të mbijetuar shpirtërisht dhe për të duruar fizikisht, gjenden në fjalët e një profeti të gjallë.13 Kjo është arsyeja përse Presidenti M. Rasëll Ballard shpalli se “nuk është gjë e vogël … të kemi një profet të Perëndisë në mesin tonë”14.

Presidenti Rasëll M. Nelson, ka dëshmuar se “modeli i Perëndisë i vendosur prej kohësh për [mësimdhënien ndaj] fëmijëve të Tij nëpërmjet profetëve, na siguron se Ai do të bekojë çdo profet dhe se Ai do të bekojë ata që ia vënë veshin këshillës profetike”15. Ndaj çelësi është të ndjekim profetin e gjallë.16 Vëllezër dhe motra, ndryshe nga librat argëtues të epokës dhe makinat klasike, mësimet profetike nuk bëhen më me vlerë me kalimin e kohës. Prandaj nuk duhet të përpiqemi që të përdorim fjalët e profetëve të së shkuarës për të zhvlerësuar mësimet e profetëve të gjallë.17

Më pëlqejnë shumë shëmbëlltyrat e përdorura nga Jezu Krishti për të dhënë mësim parime të ungjillit. Do të më pëlqente këtë mëngjes t’ju tregoja një lloj shëmbëlltyre nga jeta reale.

Një ditë, hyra në mensë te zyrat qendrore të Kishës për të ngrënë drekë. Pasi mora një tabaka me ushqim, hyra në zonën ku hahej dhe pikasa një tryezë, në të cilën ishin ulur që të tre anëtarët e Presidencës së Parë, bashkë me një karrige bosh. Pasiguritë e mia më bënë që të merrja një kthesë të vogël larg asaj tryeze dhe pastaj dëgjova zërin e profetit tonë, Presidentit Rasëll M. Nelson, duke thënë: “Alen, ke një karrige bosh këtu. Eja të ulesh me ne”. Kështu bëra.

Gati në përfundim të drekës, shtanga kur dëgjova një zhurmë të madhe kërcitëse dhe, kur hodha sytë, pashë se Presidenti Nelson e kishte vendosur shishen e ujit drejt, pastaj e kishte shtypur dhe i kishte vënë kapakun.

Presidenti Dallin H. Ouks, më pas bëri pyetjen që doja të bëja unë: “President Nelson, pse e shtype shishen tënde plastike të ujit?”

Ai u përgjigj: “Ua bën më të lehtë atyre që merren me materialet e riciklueshme sepse nuk zë shumë vend në kazanin e riciklimit”.

Ndërkohë që po e përsiatja atë përgjigje, dëgjova sërish të njëjtin tingull kërcitës. Pashë në të djathtën time dhe Presidenti Ouks e kishte shtypur shishen e tij plastike të ujit njësoj si Presidenti Nelson. Pastaj dëgjova një zhurmë në të majtën time dhe Presidenti Henri B. Ajring po shtypte shishen e tij plastike të ujit, ndonëse kishte përdorur një strategji tjetër, duke e shtypur shishen në pozicion horizontal, gjë që kërkoi më shumë përpjekje sesa po ta shtypte në pozicion të drejtë. Duke e vënë re këtë, Presidenti Nelson me mirësjellje i tregoi atij teknikën me shishen në pozicion të drejtë për ta shtypur atë më lehtësisht.

Në atë çast, u anova nga Presidenti Ouks dhe e pyeta qetësisht: “Është kërkesë e re nga mensa për riciklimin, shtypja e shishes plastike të ujit?”

Presidenti Ouks u përgjigj, me buzëqeshje në fytyrë: “Epo, Alen, duhet të ndjekësh profetin”.

Jam i sigurt se Presidenti Nelson nuk po shpallte ndonjë doktrinë të re bazuar te riciklimi atë ditë në mensë. Por ne mund të mësojmë nga përgjigjja e shpejtë18 e Presidentit Ouks dhe Presidentit Ajring ndaj shembullit të Presidentit Nelson dhe vëmendja e Presidentit Nelson për t’u mësuar atyre që ishin të pranishëm, një mënyrë më të mirë19.

Disa vjet më parë, Plaku Nil A. Maksuell dha disa vëzhgime dhe këshilla që nga ana profetike janë me vend për kohën tonë:

“Në muajt dhe vitet përpara nesh, ngjarjet me gjasë do t’i kërkojnë çdo anëtari të vendosë a do ta ndjekë ai [ose ajo] Presidencën e Parë. Anëtarët do ta kenë më të vështirë të vendosin ndërmjet dy opinioneve. …

… Le të lëmë një dëshmim që zgjedhjet të jenë të qarta, duke ua lënë të tjerëve të veprojnë si të dëshirojnë në raport me këshillën profetike. …

Jezusi tha se kur pemët e fikut nxjerrin gjethe, ‘vera është afër’. … Si rrjedhim, duke qenë të paralajmëruar se vera po afron, le të mos ankohemi pastaj për të nxehtin!”20

Brezi i ri po rritet në një kohë kur ka më shumë gjethe fiku dhe ka më shumë nxehtësi. Ai realitet ngarkon një përgjegjësi më të rëndë mbi brezin e ri të tanishëm, veçanërisht kur vjen puna për ndjekjen e këshillës profetike. Kur prindërit e shpërfillin këshillën e profetit të gjallë, ata jo vetëm që humbasin bekimet e premtuara për veten, por edhe më tragjikisht, u mësojnë fëmijëve të tyre se ajo që thotë një profet, është e parëndësishme ose që këshilla profetike mund të merret në mënyrë përzgjedhëse pa u shqetësuar për kequshqyerjen shpirtërore që vjen si pasojë.

Plaku Riçard L. Evans një herë vërejti: “Disa prindër gabimisht mendojnë se mund të rehatohen pak për sa i përket sjelljes dhe bindjes [ndaj rregullave] … se mund të lëshojnë pak fre në gjërat themelore pa ndikuar në familjen e tyre ose të ardhmen e familjes së tyre. Mirëpo, nëse një prind shmanget pak nga udha, fëmijët kanë të ngjarë ta tejkalojnë shembullin e prindit.”21

Si një brez që ka detyrimin e shenjtë për ta përgatitur brezin e ri për rolin e tij të profetizuar në ditët e mëvonshme22, rol i cili duhet të përmbushet në një kohë kur ndikimi i kundërshtarit është në kulmin e vet23, ne nuk mund të jemi një burim pështjellimi për sa i përket rëndësisë së ndjekjes së këshillës profetike. Është pikërisht ajo këshillë që do ta lejojë brezin e ri ta shohë “armikun, ndërsa ai [është] ende larg; dhe atëherë [ata mund të bëhen] gati” për t’i bërë ballë sulmit të armikut.24 Devijimet tona në dukje të vogla, shpërfillja në heshtje ose kritikat e pëshpëritura në përgjigje ndaj këshillës profetike, mund të na çojnë aty sa të ecim duke rrezikuar në buzë të shtegut të besëlidhjeve; por kur zmadhohen nga kundërshtari në jetën e brezit të ri, veprime të tilla mund të ndikojnë tek ata sa për t’u larguar plotësisht nga ai shteg. Një rezultat i tillë është një çmim tepër i lartë për brezat që do të vijnë.25

Disa prej jush mund të ndiejnë se nuk ia dolët mbanë në përpjekjet tuaja për ta ndjekur këshillën e Presidentit Rasëll M. Nelson. Nëse është kështu, atëherë pendohuni, filloni sërish ta ndiqni këshillën e profetit të zgjedhur të Perëndisë. Lëreni mënjanë shpërqendrimin nga filmat vizatimorë fëmijërorë dhe mirëbesojini të vajosurit të Zotit. Gëzohuni sepse përsëri “ka një profet në Izrael”26.

Edhe nëse jeni të pasigurt, unë dëshmoj se ne mund t’i bëjmë ballë nxehtësisë së ditëve të mëvonshme dhe madje të lulëzojmë në to. Ne jemi shenjtorët e ditëve të mëvonshme dhe këto janë ditë madhështore. Mezi pritëm të vinim në tokë në këtë kohë, duke pasur vetëbesim se nuk do të liheshim të pengoheshim kur të përballeshim me mjegullat gjithnjë e më të errëta dhe më pështjelluese të kundërshtarit27, por përkundrazi, do të merrnim këshillë dhe udhëzim nga ai që është i autorizuar për të na thënë neve dhe gjithë botës: “Kështu thotë Zoti [Perëndi]”28. Në emrin e shenjtë të profetit që Perëndia e ngriti, të Shenjtit të Izraelit29, madje Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Presidenti Rasëll M. Nelson, i ftoi kohët e fundit studentët në Universitetin “Brigam Jang” që të kishin të njëjtën përvojë vetjake zbuluese: “Pyeteni Atin tuaj Qiellor a jemi ne vërtet apostujt dhe profetët e Zotit. Pyeteni a kemi marrë zbulesë për këtë çështje dhe të tjera” (“The Love and Laws of God” [takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 17 shtator 2019], speeches.byu.edu). Shih edhe te Nil L. Andersen, “Profeti i Perëndisë”, Liahona, maj 2018, f. 26–27: “Ne kemi privilegjin si shenjtorë të ditëve të mëvonshme që të marrim dëshmi vetjake se thirrja e Presidentit Nelson është nga Perëndia”. Historia e kthimit në besim të Almës ngaqë e dëgjoi profetin Abinadi, jep provë të mëtejshme se zbulesa në lidhje me një profet është në dispozicion për të gjithë ne (shih te Mosia 13:5; 17:2).

  2. “Ne ose e kemi një profet ose nuk kemi asgjë; dhe duke pasur një profet, ne kemi gjithçka” (Gordon B. Hinckley, “We Thank Thee, O God, for a Prophet”, Ensign, janar 1974, f. 122).

  3. “Ata filluan të mos besonin në shpirtin e profecisë dhe në shpirtin e zbulesës; dhe gjykimet e Perëndisë i shikonin rreptë ndër sy” (Helamani 4:23; shih edhe te Doktrina e Besëlidhje 11:25). “Ne këndojmë dhe kemi bërë kështu vazhdimisht: ‘T’falemi, Per’ndi, për profetin, që udhën ne sot na tregon’. Ka shumë njerëz që i vënë një poshtëshënim asaj dhe thonë: ‘Vetëm po na udhërrëfeu ashtu siç ne dëshirojmë e na pëlqen’” (Teachings of Presidents of the Church: Heber J. Grant [2002], f. 80).

  4. “Nganjëherë do të marrim këshillë që nuk mund ta kuptojmë, ose që duket sikur nuk gjen zbatim për ne, madje dhe pas lutjes dhe mendimit të kujdesshëm. Mos e hidhni poshtë këshillën, por mbajeni fort. Nëse dikush që e besoni, ju dorëzon diçka që duket sikur nuk është gjë tjetër veçse rërë me premtimin se përmban ar, ju mund ta mbanit me mençuri në dorë për pak kohë, duke e tundur lehtë. Sa herë që e kam bërë këtë me këshillën e një profeti, pas pak kohe, leskrat e arit kanë filluar të shfaqen dhe unë kam qenë mirënjohës” (Henry B. Eyring, “Finding Safety in Counsel”, Ensign, maj 1997, f. 26; shih edhe tek 3 Nefi 1:13; Doktrina e Besëlidhje 1:14).

  5. Shih te 2 Nefi 4:17–18. “Mos më dënoni për papërsosmërinë time dhe as atin tim për shkak të papërsosmërisë së tij, … por më mirë jepini falënderime Perëndisë që vuri në dukje papërsosmëritë tona, kështu që ju të mësoni dhe të jeni më të urtë sesa qemë ne” (Mormoni 9:31).

  6. Shih te Doktrina e Besëlidhje 3:6–8; shih edhe te Doktrina e Besëlidhje 93:47.

  7. Doktrina e Besëlidhje 29:16.

  8. Shih te Doktrina e Besëlidhje 84:97; shih edhe te Doktrina e Besëlidhje 87:6.

  9. Doktrina e Besëlidhje 45:26, 27.

  10. Shih te Doktrina e Besëlidhje 1:38.

  11. Osea 2:18. “Sepse unë do të shfaqem nga qielli me fuqi e lavdi të madhe, me gjithë ushtritë e tij, dhe do të banoj në drejtësi me njerëzit në tokë për një mijë vjet e të ligjtë nuk do të durojnë dot” (Doktrina e Besëlidhje 29:11).

  12. Shih te 1 Nefi 22:16–17; shih edhe te Doktrina e Besëlidhje 59:23.

  13. “Pasi, vini re, ata hodhën poshtë fjalët e profetëve. Prandaj, në qoftë se ati im do të banonte në këtë tokë, pasi u urdhërua të largohej nga ajo, vini re, edhe ai do të mbaronte” (1 Nefi 3:18; shih edhe te 2 Nefi 26:3; Doktrina e Besëlidhje 90:5).

  14. M. Russell Ballard, “His Word Ye Shall Receive”, Liahona, korrik 2001, f. 65.

  15. Rasëll M. Nelson, “Lypni, Kërkoni, Trokisni”, Liahona, nëntor 2009, f. 82. “Asnjë njeri nuk mund të jetë më i lumtur sesa kur i bindet këshillës së profetit të gjallë” (The Teachings of Lorenzo Snow, red. Clyde J. Williams [1996], f. 86).

  16. “Mbajini sytë drejtuar tek ata që kryesojnë në Kishë sot, ose nesër, dhe ndiqni në jetën tuaj modelin e tyre në vend që të ngecni tek ajo se si dukeshin, mendonin apo kanë thënë profetët e lashtë” (The Teachings of Harold B. Lee, [1996], f. 525).

  17. Presidenti Spenser W. Kimball dikur vërejti se “ata që zbukurojnë varret e profetëve të vdekur, fillojnë t’u gjuajnë me gurë atyre që janë gjallë” (The Teachings of Spencer W. Kimball, red. Edward L. Kimball [1982], f. 462). “Fjalët më të rëndësishme që mund të dëgjojmë, të përsiatim dhe të ndjekim janë ato që zbulohen nëpërmjet profetit tonë të gjallë” (Ronald A. Rasband, “Gjërat e Shpirtit Tim”, Liahona, nëntor 2021, f. 41).

  18. “Kur dëgjojmë këshillën e Zotit të shprehur përmes fjalëve të Presidentit të Kishës, reagimi ynë duhet të jetë pozitiv dhe i shpejtë” (M. Russell Ballard, His Word Ye Shall Receive”, Liahona, korrik 2001, f. 65).

  19. “Kisha e Jezu Krishtit gjithmonë ka qenë e drejtuar nga apostuj dhe profetë të gjallë. Megjithëse të vdekshëm dhe të nënshtruar ndaj papërsosurive njerëzore, shërbëtorët e Zotit janë të frymëzuar që të na ndihmojnë t’i shmangim pengesat që janë shpirtërisht të rrezikshme, dhe që të na ndihmojnë të kalojmë të sigurt përgjatë vdekshmërisë drejt vendmbërritjes sonë të fundit, përfundimtare, qiellore” (M. Rasëll Ballard, “Perëndia Është në Timon”, Liahona, nëntor 2015, f. 24).

  20. Neal A. Maxwell, “A More Determined Discipleship”, Ensign, shkurt 1979, f. 69, 70.

  21. Richard L. Evans, “Foundations of a Happy Home”, në Conference Report, tetor 1964, f. 135–136.

  22. Shih te Doktrina e Besëlidhje 123:11; shih edhe te Robert D. Hejls, “Detyra Jonë ndaj Perëndisë: Misioni i Prindërve dhe Udhëheqësve ndaj Brezit të Ri”, Liahona, maj 2010, f. 95–98.

  23. Shih te Doktrina e Besëlidhje 52:14.

  24. Doktrina e Besëlidhje 101:54.

  25. Shih te Mosia 26:1–4.

  26. 2 Mbretërve 5:8.

  27. “Ju duhet t’u vini veshin fjalëve dhe urdhërimeve të tij, që ai do t’jua japë ashtu siç i merr ato, … pasi duke i bërë këto gjëra, … Zoti Perëndi do t’i shpërndajë fuqitë e errësirës përpara jush dhe do të bëjë që qiejt të dridhen për të mirën tuaj dhe për lavdinë e emrit të tij” (Doktrina e Besëlidhje 21:4, 6). “Asnjë njeri që i ka ndjekur ndonjëherë mësimet ose ka marrë këshillë nga dikush që qëndron si përfaqësues i Zotit, nuk ka shkuar ndonjëherë në rrugë të gabuar” (Doctrines of Salvation: Sermons and Writings of Joseph Fielding Smith, red. Bruce R. McConkie [1998], f. 243).

  28. Ezekiel 3:27. “Sepse fjalën e tij duhet ta merrni si nga goja ime, plot durim e besim” (Doktrina e Besëlidhje 21:5).

  29. Shih te 1 Nefi 22:20–21; shih edhe te 3 Nefi 20:23.