Mësime të Presidentëve
Jeta dhe Shërbesa e Xhorxh Albert Smithit


Jeta dhe Shërbesa e Xhorxh Albert Smithit

Një ditë gjatë shërbimit të tij si President i Kishës, Xhorxh Albert Smithit i dërguan një fotografi me një shënim ku shkruhej: “Po jua dërgoj këtë fotografi sepse është ilustrimi grafik i njeriut që ne besojmë se jeni”. Ishte një fotografi e Presidentit Smith duke u takuar me një nënë dhe katër fëmijët e saj të vegjël. Në atë ditë të veçantë, Presidenti Smith po nxitonte të kapte një tren kur nëna e ndaloi atë, duke shpresuar që fëmijët e saj të mund të kishin mundësinë të shtrëngonin duart me një profet të Perëndisë. Një vëzhgues e fiksoi çastin në fotografi.

Shënimi vazhdonte: “Arsyeja pse e ruajmë kështu si thesar [këtë fotografi] është sepse, aq i zënë sa ishit, me gjithë faktin se po nxitonit për tek makina juaj dhe pastaj tek treni juaj në pritje, përsëri gjetët kohë që t’i shtrëngonit dorën secilit fëmijë në këtë familje”1.

Veprime dashamirësie si ky e karakterizuan jetën dhe shërbesën e Xhorxh Albert Smithit. Qoftë duke i ofruar dashuri dhe inkurajim një fqinji të trazuar për besimin e tij ose duke organizuar përpjekje të gjera për mirëqenie për të ushqyer mijëra njerëz, Xhorxh Albert Smithi jetoi sipas urdhërimit të Shpëtimtarit: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten” (Marku 12:31).

Vitet e Hershme, 1870–1890

Pamja
Fotografi e Xhorxh Albert Smithit fëmijë

Rreth moshës 4 vjeç

Xhorxh Albert Smithi u lindi më 4 prill 1870 Xhon Henri dhe Sara Far Smithit në një shtëpi të thjeshtë në Solt-Lejk-Siti. Familja Smith kishte një trashëgimi të madhe shërbimi në mbretërinë e Perëndisë. Babai i Xhorxh Albertit do të shërbente më vonë në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve dhe në Presidencën e Parë. Gjyshi i tij, emrin e të cilit i kishin vënë, Xhorxh A. Smith, ishte kushëri i Profetit Jozef Smith dhe qe mes pionierëve të parë shenjtorëve të ditëve të mëvonshme që hynë në Luginën e Solt-Lejkut në 1847; Xhorxh A. Smith qe gjithashtu Apostull dhe këshilltar i Presidentit Brigam Jang. Stërgjyshi i Xhorxh Albertit, Xhon Smithi, shërbeu si Patriark i Kishës dhe si presidenti i parë i kunjit në Solt-Lejk-Siti. Ndërsa gjyshi i tij nga nëna, Lorin Far, ishte kryebashkiaku i parë i Ogdenit të Jutas dhe i pari president kunji në atë qytet.

Pamja
Fotografi e Xhon Henri Smithit

Xhon Henri Smith

Xhorxh Albert Smithi i deshi dhe i admiroi prindërit e tij. Ai ia atribuoi atit të tij mësimin për të ndihmuar ata në nevojë2 dhe lavdëroi nënën e tij për sakrificat që bëri për ta rritur familjen e saj në ungjill. “Edhe pse ishim shumë të varfër”, kujtoi ai “dhe babai im qe në mision kur unë isha pesë vjeç, nuk më kujtohet kurrë ta kem dëgjuar nënën time të ankohej dhe nuk e pashë kurrë të derdhte një lot për shkak të kushteve që e rrethonin atë. Ajo qe e aftë t’i përdorte paratë me mençuri si asnjë tjetër që unë njihja. …

… Kur babai mungonte në shtëpi [pasi ishte] në mision, nëna zinte vendin e tij dhe ajo qe vërtet kreu i shtëpisë në mungesë të tij. Ne merrnim pjesë në lutjet tona, kishim bekim të ushqimit dhe, në rast sëmundjeje, ajo thërriste pleqtë [eldrat], sepse ajo kishte besim të madh në ordinancat e ungjillit. Ajo ka qenë gjithmonë paguese strikte e së dhjetës dhe, për aq sa kam qenë në gjendje të zbuloj, asaj nuk i erdhi kurrë në mendje një mendim se ndoshta mund të kishte një gabim dhe ‘Mormonizmi” të mos ishte i vërtetë. Ajo e beson atë me të gjithë shpirtin e saj.”3

Pamja
Fotografi e Sara Far Smithit

Sara Far Smith

Në veçanti, Xhorxh Albert Smithi e kujtoi nënën e tij ta mësonte të lutej dhe të besonte se Perëndia do të përgjigjej: “Kur mendoj për ndikimin e nënës time kur isha [djalë] i vogël kam nderim dhe përlotem. … Më kujtohet sikur të ishte dje, ajo më mori për dore dhe ngjitëm një varg shkallaresh për në katin e dytë. Atje unë u gjunjëzova përpara saj dhe i kapa dorën ndërsa ajo më mësoi të lutem. Faleminderit Perëndisë për ato nëna që kanë në zemrat e tyre shpirtin e Ungjillit dhe një dëshirë për të bekuar. Unë do të mund ta përsërisja atë lutje tani dhe kanë kaluar shumë vite që kur unë e mësova atë. Ajo më dha një sigurim se kisha një Atë Qiellor dhe më mësoi se Ai e dëgjonte e i përgjigjej lutjes. Kur isha më i madh ne ende jetonim në një shtëpi dy katëshe me skelet druri dhe kur era frynte fort, ajo do të lëkundej sikur do të përmbysej. Nganjëherë isha shumë i frikësuar sa të shkoja të flija. Shtrati im ishte në një dhomë të vogël më vete dhe shumë netë unë do të kacavirresha jashtë dhe do të bija në gjunjë, dhe do t’i kërkoja Atit tim në Qiell që të kujdesej për shtëpinë, ta mbronte që ajo të mos bëhej copash dhe pastaj kthehesha prapë në shtratin tim të vogël po aq i sigurt se do të mbrohesha nga e liga sikur të mbaja dorën e Atit tim.”4

Duke vështruar pas në fëmijërinë e tij, Xhorxh Albert Smithi tha:

“Prindërit e mi po jetonin në rrethana shumë të thjeshta, por unë e lëvdoj Krijuesin tim dhe e falënderoj atë me gjithë zemrën time që më dërgoi në shtëpinë e tyre.

… Mësova që kur isha fëmijë, se kjo është puna e Zotit. Mësova se kishte profetë që jetonin në tokë. Mësova se frymëzimi i të Plotfuqishmit do të ndikonte ata që jetonin për ta gëzuar atë.

… Jam mirënjohës për të drejtën time prej lindjes, mirënjohës për prindërit që më mësuan ungjillin e Jezu Krishtit dhe dhanë shembullin në shtëpinë e tyre.”5

I riu Xhorxh Albert njihej si një djalosh i lumtur e shakatar. Miqtë e vlerësonin natyrën e tij gazmore dhe ai gëzohej t’i zbaviste ata me harmonikë, banxho e kitarë dhe një repertor këngësh komike. Përsëri, ai pati gjithashtu përvoja që e ndihmuan të zhvillonte një ndjesi të fortë përgjegjësie, që ishte e shquar për moshën e tij të re. Kur ishte 12 vjeç, Xhorxh Alberti frekuentoi Akademinë Brigam Jang, ku mori disa këshilla që do të kishin ndikim të thellë në jetën e tij. Më vonë ai kujtoi:

“Ishte me fat që pjesë e udhëzimit tim u krye nga Dr. Karl G. Mazer, ai edukues i spikatur që ishte ndërtuesi i parë i shkollave tona të shkëlqyera të Kishës. … Nuk mund të kujtoj shumë prej asaj që u tha gjatë vitit që isha atje, por ka një gjë që ndoshta nuk do ta harroj kurrë. Unë e kam përsëritur shumë herë. … Dr. Mazer një ditë u ngrit e tha:

‘Ju jo vetëm që do të mbaheni përgjegjës për gjërat që bëni, por ju do të mbaheni përgjegjës për vetë mendimet që mendoni.’

Duke qenë një djalosh pa zakonin që t’i kontrolloja shumë mendimet e mia, ishte si një pazëll për mua se çfarë duhej të bëja dhe kjo më shqetësoi. Në fakt, ajo m’u ngjit si një rrodhe. Rreth një javë ose dhjetë ditë pas kësaj, befas e kuptova se çfarë donte të thoshte. Unë munda ta kuptoja filozofinë e asaj atëherë. Përnjëherësh më erdhi ky interpretim i asaj që kishte thënë ai: Epo, sigurisht, ju do të mbaheni përgjegjës për mendimet tuaja, sepse kur jeta juaj të përfundohet në vdekshmëri, do të jetë rezultati i mendimeve tuaja. Ai sugjerim i vetëm ka qenë një bekim i madh për mua gjatë gjithë jetës time dhe më ka bërë të mundur në shumë raste të shmang mendimin e pavend, sepse e kuptoj që do të jem, kur puna e jetës sime të jetë e përfunduar, rezultati i mendimeve të mia.”6

I riu Xhorxh Albert mori përgjegjësi të mëdha në shtëpi në vitin 1882 kur babai i tij, që kishte qenë duke shërbyer në Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve për dy vite, u thirr si president i Misionit Europian. Mungesa e Xhon Henrit kërkoi që Xhorxh Alberti të ndihmonte për të siguruar për familjen. Kur qe 13 vjeç, ai kërkoi të punonte në një fabrikë prodhimi dhe dyqan shitjesh prona të Kishës në Solt-Lejk-Siti, por përgjegjësi tha se ata nuk mund të merrnin njeri në punë. Xhorxh Alberti u përgjigj se nuk kishte kërkuar të merrte pagë, vetëm të punonte. Ai shtoi: “E di se po të vlej diçka, unë do të marr pagesë”7. Qëndrimi i tij pozitiv e bëri atë të fitonte një vend si punëtor fabrike për 2,50$ në javë dhe etika e tij e fortë e punës e ndihmuan të përparonte në poste më të mira në kompani.

Kur qe 18 vjeç, ai gjeti punë në një grup mbikëqyrës të hekurudhës. Kur kryente këtë punë, shkëlqimi verbues nga dielli në rërat e shkretëtirës i dëmtoi sytë. Kjo ia dëmtoi përgjithmonë shikimin Xhorxh Albertit, duke e bërë të vështirë për të që të lexonte dhe duke i shkaktuar shqetësim gjatë gjithë jetës.

Shërbimi Misionar dhe Martesa, 1891–1894

Në shtator 1891, Presidenti Uilford Udraf e thirri Xhorxh Albert Smithin që të shërbente në një mision afatshkurtër në Jutan jugore. Detyra e tij e veçantë qe që të punonte me rininë e Kishës në zonë. Për katër muajt e ardhshëm, ai dhe shoku i tij ndihmuan për krijimin e organizatave të rinisë në kunje e lagje, folën në mbledhje të shumta dhe i nxitën të rinjtë të jetonin standardet e Kishës.

Pamja
Fotografi e Lusi Emili Udraf Smithit

Lusi Emili Udraf Smith

Pas kthimit nga misioni i tij, Xhorxh Alberti vazhdoi të shoqërohej me vajzën që e donte që nga fëmijëria, Lusi Udraf, mbesa e Presidentit Uilford Udraf. Ata ishin rritur si fqinjë dhe Lusi kishte vënë re tiparet e karakterit që po krijonte Xhorxh Alberti. Ajo e shënoi admirimin për të në ditarin e saj: “Sonte po bie të fle me një zemër mirënjohëse ndaj Perëndisë … dhe lutem që ai të mund të më japë forcë që ta meritoj më shumë dashurinë e atij për të cilin besoj vendosmërisht se është një nga të rinjtë më të mirë që ka qenë ndonjëherë mbi tokë. Mirësia dhe zemërbutësia e tij më prekin sa më vijnë lotë në sy.”8

Por Lusi kishte shumë admirues të vetët dhe disa prej tyre ishin të pasur dhe i ofronin dhurata të shtrenjta. Xhorxh Alberti nga ana tjetër, e kishte tërhequr Lusin me përkushtimin e tij ndaj Zotit. Ai i shkroi asaj: “Nëse je e interesuar të martohesh me dikë për pará, ai nuk do të jem unë, sepse prej kohësh e kam vendosur që nuk do t’ia përkushtoj veten, ose jetën time, ose kohën time, fitimit të parave, por shërbimit ndaj Zotit dhe ndihmës ndaj fëmijëve të Tij në këtë botë.”9 Lusi e bëri zgjedhjen e saj dhe, më 25 maj 1892, ajo dhe Xhorxh Alberti u martuan në Tempullin e Mantit në Juta. Babai i Xhorxh Albertit e kreu ceremoninë. Në atë ditë Lusi i dha bashkëshortit të saj një medalion të vogël me fotografinë e saj në të. Ai e mbajti medalionin tek zinxhiri i orës së tij të xhepit, ku i varej pranë zemrës së tij dhe e mbajti thuajse çdo ditë gjatë gjithë pjesës tjetër të jetës së tij.10

Të sapomartuarit patën më pak se një muaj së bashku përpara se Xhorxh Alberti të nisej për një mision tjetër, këtë herë një detyrë kthimi në besim në pjesën jugore të Shteteve të Bashkuara. Edhe pse e dinin se nisja e tij qe e shpejtë – thirrja kishte ardhur tre javë përpara se të martoheshin – ndarja qe përsëri e vështirë. Ata të dy u gëzuan së tepërmi kur, katër muaj më vonë, Lusi u thirr të shërbente në krah të bashkëshortit të saj në zyrën e misionit, kur Plaku Smith ishte caktuar aktualisht të shërbente si sekretar misioni.

Presidenti i Misionit të Shteteve Jugore ishte J. Golden Kimball, që në të njëjtën kohë po shërbente si anëtar i Të Shtatëdhjetëve. Dy herë gjatë periudhës së shërbimit të Plakut Smith, Presidentit Kimball iu desh ta linte misionin që të kujdesej për çështje të rëndësishme në Solt-Lejk-Siti – një herë pak pasi Plaku Smith u bë sekretar i misionit dhe përsëri rreth një vit më vonë. Në të dy rastet, Presidenti Kimball ia la Plakut Smith përgjegjësinë e pamasë për ta udhëhequr dhe administruar misionin, duke i ofruar mbështetje dhe këshillë nëpërmjet letrave të shumta. Gjithsej, Plaku Smith shërbeu si president në veprim i misionit për pothuajse 16 muaj. E shqetësonte Presidentin Kimball të ishte larg për kaq shumë kohë, por ai kishte besim tek asistenti i tij i ri. Ai i shkroi Plakut Smith në një letër: “Mendoj se mprehtësia dhe inteligjenca ime, sado të kufizuara të mund të jenë, më bëjnë të aftë të vlerësoj integritetin dhe vlerën tuaj, që ju siguroj se e bëj”11. Në një letër tjetër ai shkroi: “Gjithmonë lëre këtë ide që të jetë mbizotëruese: se unë e vlerësoj punën, zellin dhe shpirtin tënd të mirë”12.

Presidenti Kimball pati shumë raste për ta dëshmuar zellin dhe shpirtin e mirë të Plakut Smith. Në një rast, të dy po udhëtonin së bashku dhe ishin ftuar ta kalonin natën në një shtëpi të vogël prej trungjesh. Xhorxh Albert Smithi kujtoi më vonë:

“Rreth mesnatës u zgjuam nga një thirrje dhe bërtitje e tmerrshme nga jashtë. Fjalë të ndyra e betime përshëndetën veshët tanë ndërsa u çuam ndenjur në shtrat për të marrë vesh se ç’po ndodhte. Ishte një natë me dritë të bollshme hëne dhe mund të shihnim shumë njerëz përjashta. Presidenti Kimball kërceu në këmbë dhe filloi të vishej. Njerëzit goditën derën dhe përdorën fjalë të ndyra duke urdhëruar që mormonët të dilnin jashtë, se do t’i qëllonin ata. Presidenti Kimball më pyeti nëse do të ngrihesha e do të vishesha dhe iu përgjigja se jo, unë do të qëndroja në shtrat, se isha i sigurt se Zoti do të kujdesej për ne. Vetëm pas disa sekondash dhoma u mbush me të shtëna. Dukej se turma ishte ndarë në katër grupe dhe po qëllonin në cepat e shtëpisë. Cifla drurësh po fluturonin mbi kokat tona në çdo drejtim. Pati disa çaste qetësie, pastaj një seri tjetër të shtënash u shkrep dhe cifla të tjera fluturuan. Unë nuk ndjeva absolutisht lemeri. Isha shumë i qetë ndërsa isha shtrirë atje, duke përjetuar një nga ngjarjet më të tmerrshme të jetës sime, por isha i sigurt … se Zoti do të më mbronte dhe ai e bëri.

Duket se turma u shkurajua dhe u largua. Mëngjesin tjetër kur hapëm derën, aty kishte një vandak të madh shkopinjsh të rëndë prej druri arre si ato që turma përdori për të rrahur misionarët në jug.”13

Vite më vonë, Xhorxh Albert Smithi ua tregoi këtë përvojë nipërve e mbesave të tij për t’u mësuar t’i mirëbesonin Zotit. “Dëshiroj t’jua ngulis juve”, tha ai, “Zoti do të kujdeset për ju në kohë rreziku, nëse do t’ia jepni atij mundësinë.”14

Jeta Familjare

Xhorxh Alberti dhe Lusi u liruan nga misioni i tyre në qershor 1894. Disa muaj pas kthimit të tyre në Solt-Lejk-Siti, Lusi mori një bekim nga gjyshi i saj, Presidenti Uilford Udraf, që i premtonte se ajo do të kishte fëmijë. Më 19 nëntor 1895, ajo lindi një bijë që e quajtën Emili dhe katër vite më vonë, një tjetër bijë, Editi, u lindi. Fëmija i tyre i fundit, Xhorxh Albert i Riu, lindi në 1905.

Xhorxh Albert Smithi qe një baba i dashur, i adhuruar nga fëmijët e tij. Editi shkroi për të: “Për mua, Babai im ka të gjitha tiparet që bëjnë të dashur një baba për bijën e tij. Ai përmbushi të gjitha pritshmëritë e mia të të qenit baba.” Veçanërisht mbresëlënëse për fëmijët, qe mënyra se si Xhorxh Alberti trajtoi gruan e tij të dashur. “Dashuria dhe konsiderata e Babait për nënën ishin të mrekullueshme”, shkroi Editi. “Ai nuk e humbi asnjë rast për të shfaqur vlerësimin e tij për të. Çdo gjë që bënë, ata e bënë së bashku, pas planeve të hartuara mirë dhe me punë në grup. Ajo qe e çmuar për të. … Ndërsa ne të gjithë e adhuruam Mamanë, jam e sigurt se vëmendja dhe butësia e tij ndaj saj e bënë atë edhe më të dashur nga ne fëmijët.”15

Si baba, Xhorxh Albert Smithi u përpoq seriozisht t’i ndihmonte fëmijët e tij të provonin gëzimin që ai ndjeu duke jetuar ungjillin. Një Ditë Krishtlindjeje, pasi u hapën dhuratat, ai i pyeti bijat e tij të vogla se si do të ndiheshin po t’u jepnin disa nga lodrat e tyre fëmijëve që nuk kishin marrë ndonjë dhuratë për Krishtlindje. Meqë sapo kishin marrë disa lodra të reja, vajzat ranë dakord se mund t’u jepnin fëmijëve në nevojë disa nga lodrat e tyre të vjetra.

“A nuk do t’ju pëlqente t’u jepnit atyre edhe disa nga të rejat?” sugjeroi butësisht Xhorxh Albert Smithi.

Bijat e tij qenë ngurruese, por së fundi ato ranë dakord të jepnin një apo dy nga lodrat e tyre të reja. Xhorxh Alberti pastaj i çoi vajzat tek shtëpia e fëmijëve që kishte në mendje, dhe ata shpërndanë dhuratat. Përvoja qe kaq lartësuese moralisht saqë, kur po largoheshin, njëra nga vajzat tha me emocion në zërin e saj: “Tani le të shkojmë e të marrim lodrat e tjera për ta”.16

Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve, 1903–1945

Të martën, më 6 tetor 1903, Xhorxh Albert Smithi pati një ditë angazhuese në punë dhe nuk mundi të merrte pjesë në sesionet e konferencës së përgjithshme atë ditë. Kur u largua nga zyra, sesioni i pasdites i konferencës thuajse po mbaronte, kështu që ai u nis për në shtëpi me plane për të çuar fëmijët në panair.

Kur arriti në shtëpi, u çudit se gjeti një turmë vizitorësh, njëra prej të cilëve doli përpara dhe e uroi ngrohtësisht.

“Përse është e gjithë kjo?” pyeti ai.

“A nuk e dini?” iu përgjigj ajo.

“Nuk e di çfarë?”

“Po, ju jeni mbështetur si anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve”, thërriti vizitorja.

“S’mund të jetë e saktë”, tha Xhorxh Alberti. “Duhet të ketë ndonjë gabim.”

“Unë e dëgjova vetë”, kundërshtoi ajo.

“Duhet të ketë qenë ndonjë Smith tjetër”, tha ai. “Asnjë fjalë nuk më është thënë mua për këtë dhe nuk mund ta besoj se është e vërtetë.”

E hutuar, vizitorja u kthye tek Tabernakulli për të zbuluar nëse e kishte gabim. Atje u informua se kishte të drejtë – Xhorxh Albert Smithi ishte anëtari më i ri i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.17

Bija e tij Emilia e kujtoi më vonë skenën në shtëpinë e Smithëve: “Dukej sikur i gjithë Tabernakulli po rridhte përmes lëndinës për në shtëpinë tonë, duke qarë e duke puthur nënën. Ata të gjithë po thoshin se Babai ishte një apostull dhe ne menduam se të jesh apostull duhet të ishte gjëja më e keqe që mund të të ndodhte.”

Edhe pasi raporti u verifikua, Xhorxh Alberti vendosi se ai ende do t’i çonte të bijat tek panairi siç kishte premtuar, “edhe pse ai nuk pa shumë prej tij”, kujtoi Emilia. “Ai e kaloi të gjithë kohën me shpinën tek muri duke u folur njerëzve.”18

Dy ditë më vonë, më 8 tetor 1903, Xhorxh Albert Smithi u shugurua Apostull në një dhomë të sipërme të Tempullit të Solt-Lejkut nga Presidenti Jozef F. Smith. Pas shugurimit atë e ftuan të ndante ndjenjat e tij me anëtarët e pranishëm të Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve. “Unë ndihem i dobët dhe se më mungon gjykimi në krahasim me burra me më shumë vite pjekurie”, tha ai, “por zemra ime është e drejtë dhe dëshiroj sinqerisht vajtjen përpara të punës së Zotit.” … Unë kam një dëshmi të gjallë të karakterit hyjnor të kësaj pune; unë e di se ungjilli ka ardhur në tokë nën drejtimin dhe udhëheqjen e vetë Zotit dhe se ata që janë zgjedhur të kryesojnë, ishin dhe janë shërbëtorët e Tij në çdo veprim. Unë dëshiroj dhe lutem që të mund të jetoj dëlirshëm dhe përulshëm, kështu që të mund të kem të drejtën për nxitjet dhe paralajmërimet e Shpirtit që të më udhëheqin gjatë gjithë jetës sime.”19

Xhorxh Albert Smithi shërbeu në Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve për afërsisht 42 vite, përfshirë 2 vite si President i Kuorumit. Gjatë kësaj kohe ai përmbushi shumë detyra dhe bekoi njerëzit rreth botës në mënyra të shumta.

Ndarja e Ungjillit dhe Bërja e Miqve për Kishën

Plaku Smith kishte një talent të natyrshëm për t’i bërë njerëzit të ndiheshin rehat dhe për t’i kthyer armiqtë në miq. Një biznesmen i vendit, jo anëtar i Kishës, tha për të në funeralin e tij: “Me atë njiheshe lehtësisht. Ai ishte një njeri që të pëlqente ta njihje. Buzëqeshja e tij miqësore, shtrëngimi i sinqertë i duarve dhe ngrohtësia e përshëndetjes së tij të bënin që të ndieje së brendshmi, në zemrën tënde, sinqeritetin e miqësisë së tij për ty dhe për bashkënjerëzit e tij.”20

Ky talent ishte i çmueshëm në një kohë kur Kisha ishte ende gjerësisht e panjohur në mbarë botën dhe shihej me dyshim nga shumë njerëz. Një herë, kur po kryente një detyrë në Virxhinian Perëndimore, ai mësoi se drejtuesit e qytetit kishin kërcënuar të arrestonin cilindo që kapej duke predikuar mormonizmin. Plaku Smith u takua me sekretarin e bashkisë, z. Engëll, për t’u përpjekur që ta ndryshonte atë politikë. Më vonë ai shkroi në ditarin e tij: “Kur e kontaktova së pari z.Engëll, ai qe shumë i prerë në sjellje dhe më informoi shkurt se ne nuk do të na lejonin në atë qytet. … I thashë se besoja se ishte keqinformuar dhe do të dëshiroja të ulesha me të dhe të fjaloseshim. … Ne kaluam një farë kohe duke diskutuar mormonizmin. Ai u zbut konsiderueshëm përpara se të largohesha, shtrënguam duart dhe më dha kartvizitën e tij. U largova duke u ndier i sigurt se kisha hequr disa paragjykime.”21 Tre ditë më vonë, Plaku Smith e vizitoi edhe një herë dhe këtë herë, i la atij një kopje të Librit të Mormonit.22

Plaku Smith kërkonte gjithmonë mundësi për t’u folur njerëzve për Kishën. Kurdoherë që detyra e tij i kërkonte të udhëtonte, ai merrte me vete kopje të Librit të Mormonit, revista të Kishës dhe materiale të tjera të Kishës, që shpresonte të shpërndante. Meqë Libri i Mormonit jep dëshmi të fuqishme për Jezu Krishtin, Plaku Smith e konsideronte atë një dhuratë ideale për Krishtlindje dhe shpesh iu postonte kopje miqve të besimeve të tjera dhe madje dhe njerëzve të shquar që nuk i kishte takuar kurrë.23 Në një letër që shoqëronte një dhuratë të tillë Krishtlindjeje, ai shkroi: “Pas disa ditësh bota e krishterë do të festojë lindjen e Shpëtimtarit dhe është zakon në atë kohë të kujtojmë miqtë tanë. Unë besoj si rrjedhim se ju do të pranoni prej meje një kopje të Librit të Mormonit. … Duke shpresuar se do të kënaqeni ta keni këtë në bibliotekën tuaj, unë po jua dërgoj si një dhuratë Krishtlindjeje.”

Ai mori përgjigjen që vijon: “Libri do të zerë vend në raftet tona dhe do të lexohet [nga fillimi në fund] me ndërgjegje mendjehapur. Ai nuk mund të mos zgjerojë pikëpamjet dhe të rrisë shpirtin e tolerancës së të gjithëve që e lexojnë me kujdes.”24

Përfshirja Qytetare

Plaku Smith i nxiti anëtarët e Kishës të përfshiheshin në komunitetet e tyre dhe të përdornin ndikimin e tyre për të përmirësuar gjendjen në botë. Ai vetë ishte i përfshirë në disa organizata qytetare me gjithë thirrjen e tij kërkuese si Autoritet i Përgjithshëm. Ai u zgjodh president i International Irrigation Congress [Kongresit Ndërkombëtar të Ujitjes] dhe Dry Farming Congress [Kongresit të Prodhimit të Thatë] dhe u zgjodh në gjashtë mandate si zëvendëspresident i National Society of the Sons of the American Revolution [Shoqatës Kombëtare të Bijve të Revolucionit Amerikan]. Një ithtar i fuqishëm i aviacionit si një mënyrë që Autoritetet e Përgjithshme t’i përmbushnin më me efikasitet detyrat e tyre të udhëtimit, Plaku Smith shërbeu në bordin e drejtorëve të Western Air Lines [Linjave Ajrore Perëndimore]. Ai ishte përfshirë gjithashtu aktivisht tek organizata Boy Scouts of America [Skautistët e Amerikës] dhe në vitin 1934 iu dha çmimi Silver Buffalo [Bualli i Argjendtë], nderimi më i madh që jepet në skautizëm. Në vitet pas Luftës I Botërore, ai shërbeu si kryetar nga shteti i Jutas i fushatave të Ndihmës Armene dhe Siriane dhe si përfaqësues i shtetit në International Housing Convention [Konventën Ndërkombëtare për Strehim], qëllimi i së cilës ishte të gjente strehë për ata që kishin mbetur pa shtëpi prej luftës.25

Përpara thirrjes së tij si Apostull, Xhorxh Alberti kishte qenë aktiv në politikë, duke bërë fushatë me zell për çështje dhe kandidatë që ai ndjente se do ta përmirësonin shoqërinë. Pasi u bë Autoritet i Përgjithshëm, përfshirja e tij në politikë u zvogëlua, por ai vazhdoi të përkrahte çështje tek të cilat besonte. Për shembull, në vitin 1923 ai ndihmoi për paraqitjen e një projektligji në Legjislaturën e Shtetit të Jutas që çoi në ndërtimin e një sanatoriumi për pacientët me tuberkuloz.26

Dhembshuria e Plakut Smith për të tjerët qe veçanërisht e dukshme në shërbimin e tij si president i Society for the Aid of the Sightless [Shoqatës për Ndihmën ndaj të Verbërve], një detyrë që e mbajti nga viti 1933 deri në 1949. Si dikush që vuajti vetë nga dëmtimi i shikimit, Plaku Smith ndjeu dhembshuri të veçantë për ata që ishin të verbër. Ai mbikëqyri botimin e Librit të Mormonit në alfabetin braj dhe krijoi një program për të ndihmuar njerëzit që janë të verbër, për të mësuar që të lexojnë braj dhe për t’iu përshtatur paaftësisë së tyre në mënyra të tjera. Përpjekjet e tij e bënë të dashur për ata të cilëve u shërbeu. Një anëtare e Shoqatës për Ndihmën ndaj të Verbërve e shprehu vlerësimin e saj nëpërmjet një poezie që iu paraqit Plakut Smith në ditëlindjen e tij të 70-të:

Kur Jeta rreh fort me duar stuhie,

Dhe lotë të hidhur bien;

Kur Dimri pa miq shpirtin ma ngrin ,

Dhe jehona boshe thërret –

Atëherë unë kthehem, me shpresë të etur,

Ndonëse me çapa të shuar e të ngadaltë,

Një zemër mirëkuptuese të gjej,

Ku digjet miqësore një flakë e zjarrtë –

Një zemër ku rri Urtia e butë,

E dhembshur dhe e sjellshme,

Besimi i saj tek Perëndia e njeriu u ka mësuar

Një besim të ngjashëm të të Verbërve. …

Ndonëse fytyrën e tij të butë, të dashur

Ne nuk mund ta shohim,

E ndiejmë urtësinë e hijshme

Të zemrës së tij mirëkuptuese;

Ndiejmë paqe në shpirtin e tij

E njohim paqen edhe vetë;

Dëgjojmë lutjen e tij të heshtur që tregon

Se vetëm s’jemi ne;

Besimi i tij tek ne do të na japë forcë,

Kur në shtigje që s’shohim shkojmë;

Shpirti ynë i lartësuar nga një njeri

Që me Perëndinë bashkërisht punon.27

Sëmundja Personale dhe Sfida të Tjera

Për shumicën e jetës së tij, Xhorxh Alberti nuk pati shëndet veçanërisht të mirë. Edhe pse atij i pëlqente noti, kalërimi dhe aktivitete të tjera fizike, trupi i tij qe i brishtë dhe shpesh i dobët. Përveç problemeve të tij kronike me sytë, Plaku Smith vuajti nga dhimbje stomaku dhe shpine, lodhje e vazhdueshme, shqetësime zemre dhe shumë sëmundje të tjera gjatë gjithë jetës së tij. Stresi dhe presioni i përgjegjësive të tij të shumta gjithashtu patën pasoja fizike mbi të dhe, së pari, ai nuk qe i gatshëm ta ulte ritmin e tij të angazhuar për të ruajtur shëndetin e tij. Si rezultat, nga viti 1909 deri në 1912 ai luftoi me një sëmundje kaq të rëndë saqë e mbërtheu në shtrat dhe e pengoi të plotësonte detyrat e tij në Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve. Ishte një kohë shumë e vështirë për Plakun Smith, që dëshironte me dëshpërim të rifillonte shërbimin e tij. Vdekja e babait të tij në 1911 dhe një rast i rëndë gripi që preku bashkëshorten e tij, e bënë shërimin e Plakut Smith edhe më të vështirë.

Vite më vonë, ai tregoi përvojën në vijim që e pati gjatë kësaj periudhe:

“Disa vite më parë, isha shumë i sëmurë. Në fakt, mendoj se të gjithë i humbën shpresat për mua përveç bashkëshortes sime. … U dobësova aq shumë saqë mezi mundja të lëvizja. Për mua qe një përpjekje e ngadaltë dhe rraskapitëse edhe që të rrotullohesha në shtrat.

Një ditë, në këto kushte, humba vetëdijen për mjedisin rrethues dhe mendova se kisha ndërruar jetë. E gjeta veten duke ndenjur me shpinën nga një liqen i madh e i bukur, me fytyrë nga një pyll i madh me pemë. Nuk dukej asnjë njeri, nuk kishte barkë mbi liqen ose ndonjë mjet tjetër të dukshëm që të tregonte se si mund të kisha mbërritur atje. E kuptova, ose dukej sikur kuptova se e kisha mbaruar punën time në vdekshmëri dhe isha kthyer në shtëpi. …

Fillova të eksploroj dhe shpejt gjeta një shteg nëpër pyll që dukej se ishte përdorur shumë pak dhe që thuajse ishte mbuluar nga bari. E ndoqa këtë shteg dhe, pasi kisha ecur për njëfarë kohe e kisha përshkuar një distancë të konsiderueshme nëpër pyll, pashë një burrë të vinte drejt meje. E kuptova se ai ishte një burrë shumë i madh dhe i nxitova hapat që ta arrija, sepse e njoha atë se ishte gjyshi im [Xhorxh A. Smith]. Në vdekshmëri ai peshonte mbi 136 kilogramë, kështu që mund ta dini se ai ishte burrë madhosh. Më kujtohet sa i lumtur isha që e shihja duke ardhur. Mua më kishin vënë emrin e tij dhe kisha qenë gjithmonë krenar për këtë.

Pamja
Fotografi e Xhorxh A. Smithit

Xhorxh A. Smith

Kur Gjyshi erdhi nja dy metra larg meje, ai ndaloi. Ndalesa e tij qe një ftesë që unë të ndaloja. Atëherë – dhe dëshiroj që këtë djemtë, vajzat e rinia mos ta harrojnë kurrë – ai më vështroi shumë seriozisht dhe tha:

‘Dua të di se çfarë ke bërë me emrin tim’.

Gjithçka që kisha bërë ndonjëherë, kaloi para meje si të ishte një figurë e shpejtë në një ekran – gjithçka kisha bërë. Ky prapavështrim i gjallë më erdhi shpejt në vetë çastin kur po qëndroja atje. E gjithë jeta ime kishte kaluar para meje. Buzëqesha, vështrova gjyshin tim dhe thashë:

‘Nuk kam bërë asnjëherë ndonjë gjë me emrin tënd për të cilën të duhet të turpërohesh’.

Ai eci përpara e më mori në krahët e tij dhe, ndërsa e bëri këtë, u ndërgjegjësova sërish për mjedisin tim tokësor. Jastëku im qe i lagur sikur mbi të të kishin hedhur ujë – i lagur me lot mirënjohjeje që mund të përgjigjesha pa pasur turp.

Kam menduar për këtë shumë herë dhe dëshiroj t’ju them se jam përpjekur, më shumë që nga ajo herë, që të kujdesem për atë emër. Kështu dua t’u them djemve e vajzave, të rinjve e të rejave, rinisë së Kishës dhe të të gjithë botës: Nderojini etërit tuaj dhe nënat tuaja. Nderojini emrat që keni.”28

Përfundimisht Plaku Smith filloi ta rifitonte forcën e tij dhe doli nga kjo sprovë me një ndjesi të përtërirë mirënjohjeje për dëshminë e tij për të vërtetën. Ai u tha shenjtorëve gjatë një konference të përgjithshme pasuese: “Unë kam qenë në luginën e hijes së vdekjes në vitet e fundit, kaq pranë anës tjetër saqë jam i sigurt që [po të mos ishte] për bekimin e veçantë të Atit tonë Qiellor, nuk do të mund të kisha mbetur këtu. Por, kurrë për asnjë çast nuk u dobësua ajo dëshmi me të cilën më ka bekuar Ati im Qiellor. Sa më shumë iu afrova anës tjetër, aq më e madhe qe siguria ime se ungjilli është i vërtetë. Tani që jeta ime është kursyer, unë gëzohem të dëshmoj se e di që ungjilli është i vërtetë dhe me të gjithë shpirtin tim e falënderoj Atin tim Qiellor që ai ma ka zbuluar atë mua.”29

Gjendje të rënda fizike të ndryshme dhe fatkeqësi të tjera vazhduan ta prekin Plakun Smith në vitet e ardhshme. Ndoshta sprova e tij më e madhe erdhi në vitet 1932 deri 1937 kur bashkëshortja e tij, Lusi, vuajti nga artriti dhe nevralgjia. Ajo kishte dhimbje të mëdha dhe, nga viti 1937, kërkoi përkujdesje thuajse të vazhdueshme. Pastaj një krizë zemre në prill 1937 thuajse i mori jetën dhe e la edhe më të dobët se më parë.

Edhe pse shqetësohej vazhdimisht për Lusin, Plaku Smith vazhdoi të kryente detyrat e tij sa më mirë që mundi. Më 5 nëntor 1937, ai foli në funeralin e një miku dhe, kur u ul pas fjalimit të tij, dikush i dorëzoi një shënim ku i thuhej të kthehej në shtëpi menjëherë. Më vonë ai shkroi në ditarin e tij: “U largova nga kishëza menjëherë, por bashkëshortja ime e Dashur kishte dhënë frymën e fundit përpara se të arrija në shtëpi. Ajo po ndërronte jetë kur unë po flisja në funeral. Sigurisht unë kam mbetur pa një partnere të dobishme e të përkushtuar dhe do të jem i vetmuar pa atë.”

Lusi dhe Xhorxh Alberti kishin qenë të martuar prej pak më shumë se 45 vitesh në kohën e vdekjes së saj. Ajo ishte 68 vjeçe. Edhe pse i mungonte thellësisht bashkëshortja, Plaku Smith e dinte se ndarja ishte vetëm e përkohshme dhe kjo dijeni i solli atij forcë. “Ndërkohë që familja ime është thellësisht e pikëlluar”, shkroi ai, “ne ngushëllohemi nga siguria e një ribashkimi me nënën, nëse do të mbetemi besnikë. Ajo ka qenë një bashkëshorte dhe nënë e përkushtuar, e dobishme dhe e vëmendshme. Ajo ka vuajtur për gjashtë vite në një mënyrë apo një tjetër dhe jam i sigurt se ajo është e lumtur me nënën e saj dhe të dashur të tjerë atje. … Zoti është tepër dashamirës dhe e ka hequr çdo ndjenjë të keqe të vdekjes, për të cilën jam jashtëzakonisht mirënjohës.”30

President i Misionit Europian

Në 1919 Presidenti Hiber J. Grant, që ishte mbështetur së fundi si President i Kishës, e thirri Plakun Smith të kryesonte mbi Misionin Europian. Gjatë fjalimit në një konferencë të përgjithshme, vetëm disa ditë përpara nisjes së tij, Plaku Smith tha:

“Dëshiroj t’ju them juve, vëllezërit e motrat e mia, se e vlerësoj si një nder – jo, më shumë se një nder, e vlerësoj një bekim shumë të madh – që Zoti më ka ngritur nga gjendja e pafuqishme ku isha pak kohë më parë, duke më rivendosur në një gjendje të tillë shëndetësore që vëllezërit e kanë ndier se do të jetë e mundur për mua të përmbush një mision në një tokë të huaj. …

… Të mërkurën e ardhshme unë pres t’i hipi trenit për në bregdet dhe pastaj përmes oqeanit për tek terreni ku jam thirrur. Faleminderit Perëndisë për mundësinë që të shkoj. Jam mirënjohës që dijenia e kësaj së vërtete ka ardhur në shpirtin tim.”31

Në këtë kohë Europa ende po e merrte veten nga Lufta I Botërore, që kishte marrë fund vetëm disa muaj më parë. Për shkak të luftës, numri i misionarëve në Europë ishte shumë i ulët dhe një nga detyrat e Plakut Smith ishte ta rriste atë numër. Kushtet ekonomike të dobëta në Europën e pasluftës, megjithatë, i bënë qeveritë mosdashëse për të dhënë vizat e nevojshme. Për ta bërë çështjen dhe më keq, kishte ende shumë keqkuptim dhe paragjykim ndaj shenjtorëve të ditëve të mëvonshme. Për të përmirësuar imazhin e Kishës, Plaku Smith u takua me zyrtarë të shumtë qeveritarë dhe figura të tjera të spikatura. Duke shpjeguar qëllimin e misionarëve në Europë dhe në mbarë botën, ai shpesh do të thoshte: “Mbani gjithë gjërat e mira që keni, mbani gjithçka që Perëndia ju ka dhënë, që ju pasuron jetën, dhe pastaj na lejoni të ndajmë diçka me ju, që do ta përforcojë lumturinë tuaj dhe do të rrisë kënaqësinë tuaj.”32 Sipas njërit prej misionarëve që shërbeu nën drejtimin e tij, “nëpërmjet mënyrës së tij të aftë e dashamirëse, ai fitoi vlerësimin e miqësinë e tyre dhe siguroi lëshime në lidhje me misionarët, që ishin mohuar më parë”33.

Deri në fund të shërbimit të tij në 1921, Plaku Smith kishte pasur sukses për rritjen e numrit të misionarëve që shërbenin në Europë, dhe për ndryshimin e disa ideve të gabuara mbi shenjtorët e ditëve të mëvonshme. Ai gjithashtu kishte bërë miq për Kishën dhe mbajti kontakt me ta nëpërmjet letrave për shumë vitet që do të vinin.

Mbrojtja e Vendeve Historike të Kishës

Plakut Smith i pëlqente shumë t’u tregonte të tjerëve mbi Kishën dhe ngjarjet e mëdha në historinë e saj. Gjatë gjithë shërbesës së tij, ai bëri shumë për të ndihmuar që të mbrohej ajo histori, duke krijuar monumente dhe duke shënuar ndryshe vende interesante në historinë e Kishës. Siç shkroi një nga kolegët e tij: “Ai ka besuar se duke tërhequr vëmendjen e brezit të ri në arritjet e paraardhësve të tyre, ai po bënte një shërbim të rëndësishëm”34.

Si Apostull i ri, ai shkoi në Palmira të Nju-Jorkut dhe zhvilloi bisedime për blerjen e fermës së Jozef Smith Plakut në emrin e Kishës. Kur qe në Nju-Jork, ai vizitoi gjithashtu një burrë të quajtur Plini Sekston, i cili zotëronte kodrën Kumorah, vendin ku Jozef Smithi mori fletët e arta. Z.Sekston nuk qe i gatshëm t’ia shiste tokën Kishës, por megjithatë, ai dhe Plaku Smith u bënë miq. Pjesërisht në saje të marrëdhënies së mirë që Plaku Smith mbajti me z. Sekston, Kisha përfundimisht qe në gjendje ta blinte pronën dhe të përkushtonte një monument atje.

Në vitin 1930, njëqind vjetori i organizimit të Kishës, Plaku Smith ndihmoi për krijimin e Shoqërisë së Shtigjeve dhe Pikave të Referimit të Pionierëve të Jutas dhe u zgjodh si presidenti i parë i grupit. Gjatë 20 viteve të ardhshme, kjo organizatë vendosi më shumë se 100 monumente dhe shënues, shumë prej të cilëve përkujtonin rrugën e pionierëve për në Luginën e Solt-Lejkut. Plaku Smith kreu shërbesën në përkushtimin e shumicës së këtyre monumenteve.35

Duke shpjeguar interesin e Kishës për vendet historike, ai shkroi: “Ka qenë zakon të ndërtohen monumente për individët që kujtimet e tyre të mund të ruhen. Ngjarje të mëdha janë ngulur gjithashtu qëndrueshëm në mendjen e njerëzve duke ndërtuar monumente. … Ka shumë pika interesi që po harrohen, dhe njerëzit e kanë ndier se ishte e dëshirueshme të shënoheshin ato në një mënyrë të dukshme, kështu që atyre që vijnë pas do t’u tërhiqet vëmendja tek ngjarje të rëndësishme.”36

Si një njeri, gjyshërit e të cilit kishin shkuar në Juta me pionierët, Plaku Smith ndjeu respekt të thellë për ata anëtarë të hershëm të Kishës, që kishin sakrifikuar aq shumë për besimin e tyre. Në një fjalim për Shoqatën e Ndihmës, ai ndau përvojën vijuese që pati ndërsa po ripërshkonte itinerarin e pionierëve të karrocave të dorës:

“Ne erdhëm tek pjesa e rrugës ku Kompania Martin e Karrocave të Dorës kishte humbur kaq shumë jetë. Ne gjetëm, me aq afërsi sa mundëm, vendin ku ata kishin ngritur kampin. Ata që ishin pasardhës të atij grupi qenë atje për të ndihmuar në vendosjen e një shënuesi. Pastaj ne shkuam tek Rok-Krik, një shënues i përkohshëm ishte vendosur atje nga ne vitin e mëparshëm. Në atë periudhë të veçantë të vitit, lule të bukura të egra po rriteshin kudo, zambakët e egër ishin me shumicë dhe anëtarët e grupit mblodhën disa nga këto lule e i vendosën butësisht mbi një grumbull gurësh, që ishte grumbulluar vitin e mëparshëm. … Këtu 15 anëtarë të kësaj Kishe ishin varrosur në një varr, ata kishin vdekur nga uria dhe ekspozimi ndaj kushteve të ashpra atmosferike.

Ju e dini, ka çaste dhe vende kur na duket t’i afrohemi Atit tonë Qiellor. Ndërsa u ulëm rreth zjarrit të kampit në atë luginë të vogël të Rok-Krikut, ku Kompania Uilli e Karrocave të Dorës kishte hasur fatkeqësinë – ne që ishim pasardhësit e pionierëve, të atyre që kishin kapërcyer rrafshnaltat në nxehtësinë e verës dhe të ftohtin e dimrit – u treguan histori për përvojat e paraardhësve tanë. … Ishte një rast i këndshëm. Historia po përsëritej për përfitimin tonë.

… Dhe më dukej mua se ne ishim në vetë praninë e atyre që kishin dhënë gjithçka të tyren që ne të mund të kishim bekimet e Ungjillit. Neve na dukej se ndjenim praninë e Zotit.

Ndërsa u larguam, pasi kishim derdhur lotët tanë – sepse dyshoj nëse kishte ndonjë sy pa lot në grupin prej rreth 30 apo 40 vetësh – ndikimi që erdhi si rezultat i asaj mbledhjeje të vogël, na kishte prekur zemrat dhe një nga motrat e mira më kapi për krahu e tha: ‘Vëllai Smith, unë do të jem një grua më e mirë që këtej e tutje’. Kjo grua … është një nga më të mirat e grave, por besoj se ajo ishte prekur siç ishim ndoshta shumica prej nesh, nga fakti se në disa imtësi ne ndiemë se nuk ishim ngritur në lartësinë e idealeve që duhet të ishin në shpirtin tonë. Njerëzit e varrosur aty jo vetëm që kishin dhënë ditë nga jeta e tyre, por ata dhanë vetë jetën si provë e besimit të tyre në karakterin hyjnor të kësaj vepre. …

Nëse anëtaret e kësaj organizate [Shoqatës së Ndihmës] do të jenë aq besnike sa ato që shtrihen të varrosura në rrafshnalta, që i përballuan problemet e tyre me besim tek Zoti, ju do t’i shtoni arritjet tuaja të shumta dhe pëlqimi i një Ati të dashur do të rrjedhë tek ju dhe njerëzit tuaj.”37

President i Kishës, 1945–1951

Herët në mëngjesin e 15 majit 1945, ndërsa po udhëtonte me tren për në lindje të Shteteve të Bashkuara, Plakun Smith e zgjoi një punonjës i hekurudhës me një mesazh: Presidenti Hiber J. Grant, që ishte President i Kishës në atë kohë, kishte ndërruar jetë. Plaku Smith i ndërroi trenat sa më shpejt që mundi dhe u kthye në Solt-Lejk-Siti. Vetëm disa ditë më vonë, Xhorxh Albert Smithi, si anëtari më i vjetër i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, u veçua si Presidenti i tetë i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Në fjalimin e tij të parë në konferencë të përgjithshme si President i Kishës, ai u tha shenjtorëve që sapo e kishin mbështetur: “Vras mendjen nëse ndonjë njeri tjetër këtu ndihet aq i dobët dhe i përulur sa burri që qëndron para jush”38. Ai u shprehu ndjenja të ngjashme pjesëtarëve të familjes së tij: “Unë nuk e kam dashur këtë post. Unë nuk jam ndier i aftë për të. Por ai më ka ardhur dhe do ta përmbush me më të mirën e aftësive të mia. Unë dëshiroj që të gjithë ju ta dini se, çfarëdo që po bëni në kishë, nga mësimi [i shtëpisë] deri tek kryesimi mbi një kunj, nëse e bëni me më të mirën e aftësive tuaja, posti juaj është po aq i rëndësishëm sa dhe imi.”39

Pati shumë vetë që ndien se talentet e Presidentit Smith ishin përshtatur në mënyrë të pashoqe për këtë thirrje. Një nga Autoritetet e Përgjithshme e shprehu këtë besim pak pasi u mbështet Presidenti Smith: “Është thënë shpesh se Zoti e ka ngritur një njeri të veçantë për të kryer një mision të veçantë. … Nuk më takon mua të them se çfarë misioni të veçantë ka përpara tij Presidenti Xhorxh Albert Smith. Këtë e di, megjithatë, se në këtë kohë të veçantë në historinë e botës, asnjëherë nuk ka qenë nevoja për dashuri mes vëllezërve kaq jashtëzakonisht e nevojshme sa është sot. Për më tepër, unë e di këtë, se nuk ka njeri nga ata që njoh, që e do familjen njerëzore, bashkërisht dhe veç e veç, më thellësisht sesa e do Presidenti Xhorxh Albert Smith.”40

Ndihma për Nevojtarët gjatë Pasojave të Luftës II Botërore

Lufta II Botërore përfundoi vetëm disa muaj pasi Xhorxh Albert Smithi u bë President i Kishës. Lufta kishte lënë mijëra njerëz pa shtëpi e pa katandi në Europë dhe Presidenti Smith mobilizoi shpejt burimet e Kishës për mirëqenie për të siguruar ndihmë. Presidenti Gordon B. Hinkli tha më vonë për këtë përpjekje: “Unë qeshë mes atyre që punuan netëve tek Uellfer Skuer këtu në Solt-Lejk-Siti duke ngarkuar mallra në vagona, që i çonin ushqimet në port prej nga ato dërgoheshin me anije përtej detit. Gjatë kohës së përkushtimit të Tempullit të Zvicrës [në vitin 1955], kur shumë nga shenjtorët e Gjermanisë erdhën në tempull, dëgjova disa prej tyre, me lotë që u shkisnin faqeve, të flisnin me vlerësim për atë ushqim që u kishte shpëtuar jetën.”41

Presidenti Smith e dinte gjithashtu se kishte nevoja të mëdha shpirtërore mes njerëzve të botës pas një lufte kaq rrënuese. Si përgjigje, ai ndërmori hapa për të riorganizuar misione në vende ku lufta e kishte ndërprerë punën misionare dhe ai i nxiti shenjtorët të jetonin ungjillin e paqes në jetën e tyre personale. “Prova më e mirë e mirënjohjes në këtë kohë”, tha ai pak pas përfundimit të luftës, “është të bëjmë gjithçka mundemi për t’i sjellë lumturi kësaj bote të trishtuar, sepse ne jemi të gjithë fëmijët e Atit tonë dhe jemi të gjithë nën detyrimin që ta bëjmë këtë botë një vend më të lumtur sepse ne kemi jetuar në të.

Le ta shtrijmë dashamirësinë dhe interesimin tek të gjithë ata që kanë nevojë për të, pa harruar ata të cilëve u mungojnë; dhe në kohën tonë të gëzimit për paqen, le të mos i harrojmë ata që kanë dhënë njerëzit e tyre të dashur si pjesë e çmimit të paqes. …

Unë lutem që njerëzit të mund t’i kthehen Perëndisë dhe t’u binden udhëve të tij dhe, si rrjedhim, ta shpëtojnë botën nga konflikti dhe shkatërrimi i mëtejshëm. Unë lutem që paqja që vjen vetëm nga Ati ynë Qiellor, të mund të banojë në zemrat e në shtëpitë e të gjithëve që mbajnë zi.”42

Mundësi të Shtuara për të Ndarë Ungjillin

Presidenti Smith vazhdoi ta ndante ungjillin me të tjerët në çdo mundësi dhe këto mundësi u shtuan me postin e tij të ri. Në maj 1946, Presidenti Smith u bë Presidenti i parë i Kishës që vizitonte shenjtorët në Meksikë. Përveç takimit me anëtarët e Kishës dhe fjalimin në një konferencë të madhe, Presidenti Smith u takua gjithashtu me disa zyrtarë të nivelit të lartë në Meksikë dhe bisedoi me ta mbi ungjillin e rivendosur. Gjatë një vizite te presidenti meksikan Manuel Kamaço, Presidenti Smith dhe grupi i tij shpjeguan: “Ne vijmë me një mesazh të veçantë për ju dhe popullin tuaj. Ne jemi këtu për t’ju treguar për paraardhësit tuaj dhe për Ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit. … Ne kemi një libër që … tregon për një profet të madh i cili, me familjen e tij dhe të tjerë, u largua nga Jeruzalemi 600 vjet përpara Krishtit dhe erdhi tek … kjo tokë e shkëlqyer e Amerikës, e njohur për ta si ‘një tokë [e] premtimit, … që është e zgjedhur mbi të gjitha tokat e tjera’. Ky Libër i Mormonit tregon gjithashtu për vizitën e Jezu Krishtit në këtë kontinent dhe se Ai organizoi Kishën e Tij e zgjodhi dymbëdhjetë dishepujt e Tij.”

Presidenti Kamaço, që shprehu respekt dhe admirim për shenjtorët e ditëve të mëvonshme që jetonin në vendin e tij, u interesua shumë për Librin e Mormonit dhe pyeti: “A do të ishte e mundur të siguroja një kopje të Librit të Mormonit? Nuk kam dëgjuar kurrë më parë për të.” Presidenti Smith i paraqiti atij atëherë një kopje me kapak lëkure në spanjisht, me fragmente me interes të veçantë të renditura në fillim të librit. Presidenti Kamaço tha: “Do ta lexoj të gjithë librin, sepse është shumë interesant për mua dhe për popullin tim.”43

Festimi i Njëqind Vjetorit të Mbërritjes së Pionierëve

Një nga pikat kulmore, të gjashtë viteve të Xhorxh Albert Smithit si President i Kishës, erdhi në vitin 1947, kur Kisha festoi njëqind vjetorin e mbërritjes së pionierëve në Luginën e Solt-Lejkut. Presidenti Smith e mbikëqyri festimin, që tërhoqi vëmendje kombëtare dhe përfundoi me përkushtimin e monumentit “This Is the Place” [“Ky Është Vendi”] në Solt-Lejk-Siti, pranë vendit ku pionierët hynë së pari në luginë. Që në vitin 1930, Presidenti Smith ishte përfshirë në planifikimin e një përmendoreje për të nderuar arritjet dhe besimin e pionierëve. Megjithatë, ai qe i kujdesshëm që të sigurohej se monumenti nderonte gjithashtu eksploruesit e hershëm, misionarët nga besime të tjera dhe udhëheqës të rëndësishëm të indianëve të Amerikës nga ajo periudhë.

Në përkushtimin e monumentit “This Is the Place” [“Ky Është Vendi”], Xhorxh Q. Morris, atëherë president i Misionit të Shteteve Lindore, vuri re një shpirt dashamirësie, që ai ua atribuoi përpjekjeve të Presidentit Smith: “Ndihmesa e Presidentit Smith ndaj vëllazërisë dhe tolerancës u pasqyrua në shërbimin përkushtues. … Vetë monumenti paraqet në skulpturë – për aq sa është e mundur në gdhendjen e portreteve të veçanta – njerëzit që shkruan historinë në perëndimin mes maleve duke u paraprirë pionierëve mormonë, pavarësisht racës apo fesë. Kur po përgatitej programi për shërbimin përkushtues, ishte dëshira e Presidentit Smith që të përfaqësoheshin të gjitha grupet kryesore fetare përveç zyrtarëve të shtetit, kontesë dhe qytetit. Një prift katolik, një peshkop protestant, një rabin jude dhe përfaqësues të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, qenë folës të rëndësishëm. Një vizitor nga lindja, pas programit, bëri këtë vërejtje: ‘Sot kam pasur një ripagëzim shpirtëror. Ajo çfarë kam dëshmuar nuk do të mund të ndodhte askund tjetër në botë. Shpirti i tolerancës që u shfaq sot, ishte madhështor.’”44

Edhe pse monumenti 18 metërsh ishte mbresëlënës, Presidenti Smith dha mësim se mënyra më e mirë për të nderuar pionierët ishte të ndiqej shembulli i tyre i besimit dhe i përkushtimit. Në lutjen në përkushtim të monumentit, ai tha: “Ati ynë që je në qiell, … ne qëndrojmë në praninë tënde këtë mëngjes në këtë shpat kodre të qetë dhe shohim një monument të shkëlqyer që është ngritur në nderim të bijëve e të bijave të tua dhe të përkushtimit të tyre. … Ne lutemi që të mund të bekohemi me të njëjtin shpirt që karakterizoi ata besnikë, të cilët besuan tek ti dhe tek Biri yt i Dashur, që erdhën tek kjo luginë sepse dëshironin të jetonin këtu dhe të të adhuronin ty. Ne lutemi që shpirti i adhurimit dhe i mirënjohjes të mund të vazhdojë në zemrat tona.”45

Mendime mbi Jetën në Moshën 80 Vjeç

Megjithë vitet e tij të shkuar, gjatë pjesës më të madhe të presidencës së tij, Presidenti Smith qe në gjendje të përmbushte përgjegjësitë e tij pa gjëndje të rënda fizike që e kishin kufizuar në të kaluarën. Në një artikull të botuar në prill 1950, pranë ditëlindjes së tij të 80-të, Presidenti Smith hodhi vështrimin pas në jetën e tij dhe vuri re se si Perëndia e kishte mbështetur dhe bekuar atë:

“Në këto tetëdhjetë vite, kam përshkuar më shumë se një milion kilometra në botë në interes të ungjillit të Jezu Krishit. Kam qenë në shumë klima dhe në shumë toka, dhe në shumë kombe dhe, që nga fëmijëria, njerëzit kanë qenë të sjellshëm e të gjindshëm për mua, anëtarë të Kishës dhe joanëtarë po ashtu. Kudo që kam shkuar, kam gjetur burra e gra fisnike. …

… Kur mendoj se çfarë individi i dobët e i brishtë jam, që të thirrem për të qenë udhëheqësi i kësaj Kishe të shkëlqyer, e kuptoj se sa shumë kam nevojë për ndihmë. Me mirënjohje njoh ndihmën e Atit tim në qiell dhe inkurajimin e shoqërimin gjatë jetës time të shumë prej burrave e grave më të mira që mund të gjenden kudo në botë, si në vendin tim ashtu dhe jashtë tij.”

Ai vazhdoi duke shprehur dashurinë për njerëzit që u kishte shërbyer për kaq shumë vite:

“Sigurisht është një gjë e bekuar të shoqërohesh me njerëz të tillë dhe, nga thellësia e shpirtit tim, përfitoj nga ky rast për t’ju falënderuar të gjithëve për dashamirësinë tuaj ndaj meje dhe gjithashtu përfitoj nga ky rast që t’ju them të gjithëve ju: Nuk do ta dini kurrë se sa shumë ju dua. Nuk kam fjalë që ta shpreh këtë. Dhe dëshiroj të ndiej po ashtu kundrejt çdo biri dhe çdo bije të Atit tim Qiellor.

Kam jetuar për një kohë të gjatë, krahasuar me mesataren e qenieve njerëzore dhe kam pasur një jetë të lumtur. Nuk do të kalojnë shumë vite, me kursin e natyrshëm të ngjarjeve, derisa të më vijë thirrja për në anën tjetër. E pres atë kohë me pritshmëri të këndshme. Dhe pas tetëdhjetë vitesh në vdekshmëri, duke udhëtuar në shumë pjesë të botës, duke u shoqëruar me shumë burra e gra të shkëlqyer e të mirë, unë ju dëshmoj juve, se unë e di sot më mirë nga sa e kam ditur ndonjëherë më parë se Perëndia jeton; se Jezusi është Krishti; se Jozef Smithi ishte një profet i Perëndisë së Gjallë; dhe se Kisha që ai organizoi nën drejtimin e Atit tonë Qiellor, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme … funksionon nën fuqinë dhe autoritetin e së njëjtës priftëri që u dha nga Pjetri, Jakobi dhe Gjoni mbi Jozef Smithin dhe Oliver Kaudrin. E di këtë, ashtu si e di që unë jetoj, dhe e kuptoj se t’jua jap këtë dëshmi juve është një çështje shumë serioze dhe se do të mbahem përgjegjës nga Ati im Qiellor për këtë dhe të gjitha gjërat e tjera që i kam dhënë mësim në emrin e tij. … Me dashuri e dashamirësi në zemrën time për të gjithë, e jap këtë dëshmi në emrin e Jezu Krishtit Zotit tonë.”46

Një vit më vonë, në ditëlindjen e tij të 81-të, më 4 prill 1951, Xhorxh Albert Smithi ndërroi jetë qetësisht në shtëpinë e tij me birin dhe bijat e tij pranë shtratit.

Veprime të Thjeshta Shërbimi të Dashur

Xhorxh Albert Smithi përmbushi shumë gjatë 81 viteve të tij – në Kishë, në komunitetin e tij dhe në mbarë botën. Por ata që e njihnin atë personalisht e kujtuan më mirë për veprimet e tij të shumta, të thjeshta e të përulura të dashamirësisë dhe dashurisë. Presidenti Dejvid O. Mek-Kei, që kreu shërbesën në funeralin e Presidentit Smith, tha për të: “Vërtet që ai ishte një shpirt fisnik, më i lumtur kur i bënte të lumtur të tjerët”47.

Plaku Xhon A. Uidso, anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi një përvojë që pati kur po përpiqej të zgjidhte një çështje të rëndësishme e të vështirë:

“U ula në zyrën time shumë i lodhur pas punës së ditës. … Isha i këputur. Pikërisht atëherë pati një trokitje në derë dhe hyri Xhorxh Albert Smithi. Ai tha: ‘Po shkoj në shtëpi pas ditës sime të punës. Mendova për ty dhe problemet që priten t’i zgjidhësh ti. Erdha të të qetësoj dhe të të bekoj.’

Kështu qe mënyra e Xhorxh Albert Smithit. … Unë kurrë nuk do ta harroj atë. Folëm së bashku një copë herë; u ndamë, ai shkoi në shtëpi. Zemra ime u lartësua. Nuk isha më i këputur.

E shihni, dashuria … nuk është thjesht një fjalë ose një ndjesi përbrenda. Që të jetë një dashuri e denjë, ajo duhet të sillet në veprim. Presidenti Smith në atë rast e bëri atë. Ai më dha mua nga vetë koha e tij, nga vetë forca e tij.”48

Plaku Methju Kouli, gjithashtu një anëtar i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve dhe një mik i ngushtë i Presidentit Smith, shfaqi nderimin në shërbimin e funeralit në këtë mënyrë:

“Kushdo që ishte në ankth, kushdo i ngarkuar me sëmundje ose fatkeqësi tjetër, cilido që erdhi në praninë e këtij biri të Perëndisë, mori virtyt dhe forcë prej tij. Të ishe në praninë e tij ishte të shëroheshe, nëse jo fizikisht, atëherë me siguri shpirtërisht. …

… Perëndia i tërheq besimtarët dhe jam i sigurt se udhëtimi më i shkurtër që bëri ndonjëherë ky njeri Perëndie nga të gjithë udhëtimet e tij, ka qenë udhëtimi që ai sapo ndërmori. Perëndia është dashuri. Xhorxh Albert Smithi është dashuri. Ai është besimtar. Perëndia e ka marrë pranë vetes.

… Ne nuk mund ta nderojmë me fjalë një jetë si kjo. Ato nuk janë të mjaftueshme. Ka vetëm një mënyrë për ta nderuar virtytin e tij, ëmbëlsinë e tij të karakterit, cilësitë e tij të shkëlqyera të dashurisë dhe kjo është me veprat tona. …

Le të jemi të gjithë pak më shumë falës, pak më shumë të butë në shoqëritë tona me njëri-tjetrin, pak më shumë të vëmendshëm ndaj njëri-tjetrit, pak më shumë bujarë për ndjenjat e njëri-tjetrit.”49

Mbi gurin e varrit të Xhorxh Albert Smithit është mbishkrimi që vijon. Ai jep një përmbledhje me vend të jetës dhe shërbimit të dashur të tij:

“Ai i kuptoi dhe i përhapi mësimet e Krishtit, dhe qe jashtëzakonisht i suksesshëm në venien e tyre në praktikë. Ai qe i sjellshëm, i durueshëm, i mençur, zemërgjerë dhe mirëkuptues. Ai shkoi duke bërë mirë. Ai i donte Jutan dhe Amerikën, por nuk qe mendjengushtë. Ai kishte besim, pa rezerva, në nevojën për dashuri dhe në fuqinë e saj. Për Kishën e tij dhe familjen e tij ai pati dashuri të pakufijshme dhe u shërbeu atyre me pasion. Përsëri dashuria e tij qe e pakufizuar; ajo përfshinte të gjithë njerëzit, pavarësisht nga raca, besimi, apo gjendja shoqërore. Atyre dhe për ata ai tha shpesh: ‘Ne jemi të gjithë fëmijët e Atit tonë’.”

Shënime

  1. Në D. Arthur Haycock, “A Day with the President”, Improvement Era, prill 1950, f. 288.

  2. Shih “Pres. Smith’s Leadership Address”, Deseret News, 16 shkurt 1946, Church section, f. 6.

  3. “Mothers of Our Leaders”, Relief Society Magazine, qershor 1919, f. 313–314.

  4. “To the Relief Society”, Relief Society Magazine, dhjetor 1932, f. 707–708.

  5. “After Eighty Years”, Improvement Era, prill 1950, f. 263.

  6. “Pres. Smith’s Leadership Address”, f. 1.

  7. Në Merlo J. Pusey, Builders of the Kingdom (1981), f. 209.

  8. Ditar i Lucy Woodruff, 5 shkurt 1888, George Albert Smith Family Papers, University of Utah, kutia 138, libri 1.

  9. Në Emily Stewart Smith, “Some Notes about President George Albert Smith”, maj 1948, George Albert Smith Family Papers, University of Utah, kutia 5, faqe 3.

  10. Shih Emily Stewart Smith, “Some Notes about President George Albert Smith”, f. 5.

  11. J. Golden Kimball, letër datuar 18 mars 1893, George Albert Smith Family Papers, University of Utah, kutia 72, dosja 12.

  12. J. Golden Kimball, letër datuar 30 qershor 1893, George Albert Smith Family Papers, University of Utah, kutia 72, dosja 15.

  13. “How My Life Was Preserved”, George Albert Smith Family Papers, University of Utah, kutia 121, album me shënime 1, faqet 43–44.

  14. “How My Life Was Preserved”, f. 43.

  15. Edith Smith Elliott, “No Wonder We Love Him”, Relief Society Magazine, qershor 1953, f. 366, 368.

  16. Shih Builders of the Kingdom, f. 240.

  17. Shih Builders of the Kingdom, f. 224–225.

  18. Emily Smith Stewart, në “Pres. Smith Mementos At Y.” Deseret News, 14 tetor 1967, Church section, f. 6–7.

  19. George Albert Smith Family Papers, University of Utah, kutia 100, dosja 23, faqe 11.

  20. John F. Fitzpatrick, në Conference Report, prill 1951, f. 172.

  21. Ditar i George Albert Smith, 27 tetor 1906, George Albert Smith Family Papers, University of Utah, kutia 73, libri 3, faqe 70.

  22. Shih Ditar i George Albert Smith, 30 tetor 1906, George Albert Smith Family Papers, University of Utah, kutia 73, libri 3, faqe 72.

  23. Shih Francis M. Gibbons, George Albert Smith: Kind and Caring Christian, Prophet of God (1990), f. 208–209.

  24. Në Glenn R. Stubbs, “A Biography of George Albert Smith, 1870 to 1951” (PhD diss., Brigham Young University, 1974), f. 295.

  25. Shih Bryant S. Hinckley, “Greatness in Men: Superintendent George Albert Smith”, Improvement Era, mars 1932, f. 270, 271.

  26. Shih “A Biography of George Albert Smith”, f. 283.

  27. Irene Jones, “The Understanding Heart”, Improvement Era, korrik 1940, f. 423.

  28. “Your Good Name”, Improvement Era, mars 1947, f. 139.

  29. Në Conference Report, tetor 1921, f. 42.

  30. Ditar i George Albert Smith, 5 nëntor 1937, George Albert Smith Family Papers, University of Utah, kutia 74, libri 11, faqet 83–84.

  31. Në Conference Report, qershor 1919, f. 42, 44.

  32. Në Conference Report, tetor 1950, f. 8.

  33. James Gunn McKay, në “A Biography of George Albert Smith”, f. 141.

  34. George Q. Morris, “Perpetuating Our Ideals through Markers and Monuments”, Improvement Era, prill 1950, f. 284.

  35. Shih “Markers and Monuments”, f. 284.

  36. Letër për Leslie O. Loveridge, 15 mars 1937, George Albert Smith Family Papers, University of Utah, kutia 67, dosja 25.

  37. “To the Relief Society”, Relief Society Magazine, dhjetor 1932, f. 705–706.

  38. Në Conference Report, tetor 1945, f. 18.

  39. Builders of the Kingdom, f. 315–316.

  40. Joseph F. Smith, në Conference Report, tetor 1945, f. 31–32; Joseph F. Smith ishte Patriark i Kishës dhe nip i Presidentit Joseph F. Smith, Presidentit të gjashtë të Kishës.

  41. Gordon B. Hinckley, në Conference Report, prill 1992, f. 75; ose Ensign, maj 1992, f. 52.

  42. “Some Thoughts on War, and Sorrow, and Peace”, Improvement Era, shtator 1945, f. 501.

  43. Shih Arwell L. Pierce, në Conference Report, prill 1951, f. 112–113.

  44. “Markers and Monuments,” f. 284–285.

  45. “Dedicatory Prayer”, Improvement Era, shtator 1947, f. 571.

  46. “After Eighty Years”, f. 263–264.

  47. David O. McKay, në Conference Report, prill 1951, f. 3.

  48. John A. Widtsoe, në Conference Report, prill 1951, f. 99.

  49. Matthew Cowley, në Conference Report, prill 1951, f. 168–169.

Misionarë në Misionin e Shteteve Jugore. Lusi e sapomartuar (e treta nga e majta) dhe Xhorxh Albert Smithi (ulur pranë saj) shërbyen së bashku në shtëpinë e misionit.

Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve në vitin 1921. Në këmbë, nga e majta në të djathtë: Jozef Filding Smith, Xhejms E. Talmixh, Stefen L. Riçards, Riçard R. Liman, Melvin J. Ballard dhe Xhon A. Uidso. Ulur, nga e majta në të djathtë: Raxher Klauson, Rid Smut, Xhorxh Albert Smith, Xhorxh F. Riçards, Orson F. Uitni dhe Dejvid O. Mek-Kei.

Plaku Xhorxh Albert Smith mbikëqyri botimin e Librit të Mormonit në alfabetin braj.

Monument në kodrën Kumorah, ku engjëlli Moroni ia dorëzoi fletët e arta Jozef Smithit.

President Smithi dhe këshilltarët e tij, J. Ruben Klark i Riu (majtas) dhe Dejvid O. Mek-Kei (djathtas)

Monumenti “This Is the Place” [“Ky Është Vendi”], që përkujton mbërritjen e pionierëve në Luginën e Solt-Lejkut, u përkushtua nga Presidenti Smith në vitin 1947.

Presidenti Smith në zyrën e tij.

Fëmijët e Xhon Henri dhe Sara Far Smithit. Xhorxh Albert Smithi është në të majtë.

Shtyp në Letër