Konferenca e Përgjithshme
Jetoni në Lartësinë e Privilegjeve Tuaja
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2024


11:46

Jetoni në Lartësinë e Privilegjeve Tuaja

Mësoni se si ordinancat e priftërisë dhe premtimet e besëlidhjeve do ta lejojnë fuqinë e Perëndisë të rrjedhë në jetën tuaj.

Kohët e fundit, bashkëshortit tim, Gregut, i dhanë një diagnozë që do të kërkonte një operacion të rëndë dhe muaj me kimioterapi. Si shumë prej jush që jeni përballur me një situatë të ngjashme, ne menjëherë filluam të luteshim për ndihmën e qiellit dhe fuqinë e Perëndisë. Të dielën pas operacionit të Gregut, sakramentin na e sollën në dhomën tonë të spitalit.

Në këtë rast, isha i vetmi person që po e merrja sakramentin. Një copëz bukë. Një kupëz ujë. Në kishë, mendja shpesh më përqendrohet te sistemi i kryerjes së sakramentit: përgatitja, bekimi dhe shpërndarja. Por atë pasdite, përsiata dhuratën e fuqisë së Perëndisë që m’u vu në dispozicion nëpërmjet vetë ordinancës së shenjtë dhe premtimit besëlidhës që po bëja teksa i mora atë copëz bukë dhe atë kupëz ujë. Kjo ishte një kohë kur më nevojitej fuqi nga qielli. Mes dhembjes, rraskapitjes dhe pasigurisë së madhe, unë pyesja veten për këtë dhuratë që do të më lejonte të merrja fuqi nga Ai, e cila më nevojitej kaq skajshëm. Marrja e sakramentit do ta rritë bashkëshoqërimin tim me Shpirtin e Zotit, duke më lejuar të marr nga dhurata e fuqisë së Perëndisë, përfshirë dhënien e shërbesës nga engjëjt dhe forcën aftësuese të Shpëtimtarit për ta mposhtur sprovën.

Nuk mendoj se e kisha kuptuar ndonjëherë më parë me kaq shumë qartësi që nuk është vetëm personi që e kryen punën në ordinancë ajo që ka rëndësi, ajo që shkyçin ordinanca dhe premtimi ynë besëlidhës, gjithashtu meritojnë përqendrimin e vëmendjes sonë. Ordinancat e priftërisë dhe premtimet e besëlidhjeve e lejojnë Perëndinë që të na shenjtërojë dhe më pas kryejnë mrekulli në jetën tonë. Por si ndodh kjo?

Së pari, me qëllim që një ordinancë të shfaqë fuqinë e Perëndisë në jetën tonë, ajo duhet të bëhet me autoritet nga Biri i Perëndisë. Sistemi i kryerjes është i rëndësishëm. Ati ia mirëbesoi Jezu Krishtit çelësat dhe autoritetin për të mbikëqyrur kryerjen e ordinancave të priftërisë së Tij. Nën drejtimin e Tij, brenda rendit të priftërisë së Tij, bijtë e Perëndisë janë shuguruar që të qëndrojnë në vend të Birit të Perëndisë.

Së dyti, ne nuk bëjmë thjesht premtime besëlidhëse – ne duhet t’i mbajmë ato. Në shumë ordinanca të ungjillit, ne bëjmë besëlidhje të shenjta me Perëndinë; Ai premton të na bekojë kur i mbajmë ato besëlidhje. A e kuptojmë se është ndërthurja e ordinancave të priftërisë së bashku me mbajtjen e premtimeve të besëlidhjeve që na lejon të marrim fuqinë e Perëndisë?

Atë pasdite pyeta veten nëse unë, një bijë besëlidhëse e Perëndisë, e kuptoja plotësisht se si ta përdorja dhuratën e fuqisë së Perëndisë nëpërmjet ordinancave të priftërisë dhe nëse e dalloja vërtet se si fuqia e Perëndisë vepron brenda meje.

Në vitin 2019, një ftesë profetike iu drejtua grave të Kishës, duke na mësuar se si ta marrim fuqinë e Shpëtimtarit në jetën tonë. Presidenti Rasëll M. Nelson na ftoi të studiojmë vargjet te Doktrina e Besëlidhje 25, një zbulesë që iu dha Ema Smithit në Harmoni të Pensilvanisë. Pranimi i asaj ftese ma ndryshoi jetën.

Muajin e kaluar pata një mundësi të paparashikuar që të vizitoja Harmoninë. Atje, nën pemët e panjës, priftëria iu rivendos Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit. Pranë atyre pemëve është dera e hyrjes në shtëpinë e Jozefit dhe të Emës. Përkundrejt vatrës së zjarrit në atë shtëpi është një dritare. Qëndrova tek ajo dritare dhe pyeta veten se çfarë mund të kishte menduar Ema teksa vështronte drejt atyre pemëve.

Në korrik të vitit 1830, Ema ishte 26 vjeçe; ajo ishte kaq e re. Kishte qenë e martuar për tre vjetësh e gjysmë. Kishte humbur një djalë foshnjë, fëmijën e saj të parë. Varri i tij i vogël është fare pranë në shtegun poshtë shtëpisë së saj. Ndërsa qëndroja tek ajo dritare, nuk ishte e vështirë për mua që të përfytyroja se çfarë mund të kishte bluajtur në mendje. Sigurisht që shqetësohej për gjendjen e tyre financiare, rreth përndjekjes në rritje që ua kërcënonte sigurinë, rreth të ardhmes së tyre. Dhe prapëseprapë, vepra e Perëndisë ishte kudo përreth saj. A e pyeste veten edhe për vendin e vet në atë plan, qëllimin e saj në mbretërinë e Tij dhe potencialin e saj në sytë e Perëndisë?

Mendoj se mund ta ketë bërë.

Pikërisht aty pranë, dhurata e autoritetit dhe çelësave të priftërisë së Perëndisë ishte rivendosur në tokë. Kjo ishte një kohë kur Emës aktualisht i nevojitej fuqi nga qielli. Mes dhembjes, rraskapitjes dhe pasigurisë së madhe, unë përfytyroj se Ema pyeste veten për këtë dhuratë të priftërisë së Perëndisë që mund të shkyçte fuqinë nga Ai, e cila i nevojitej kaq skajshëm.

Por Ema nuk qëndroi thjesht tek ajo dritare dhe pyeti veten.

Ndërkohë që Profetit Jozef po i jepej mësim për çelësat, detyrat, ordinancat dhe se si të ndihmonte në shërbimin e priftërisë, Zoti Vetë, nëpërmjet profetit të Tij, i dha Emës një zbulesë. Jo Emës që qe presidente e Shoqatës së Ndihmës në Navu, kjo zbulesë iu dha Emës 26‑vjeçare në Harmoni. Nëpërmjet zbulesës, Ema do të mësonte rreth shenjtërimit të brendshëm dhe lidhjes besëlidhëse që do ta rriste aftësinë e atyre ordinancave të priftërisë për të funksionuar në jetën e saj.

Së pari, Zoti i kujtoi Emës vendin e saj në planin e Tij, përfshirë faktin se cila ishte ajo dhe se e kujt ishte ajo – një bijë në mbretërinë e Tij. Asaj iu bë ftesa të “ec[te] në shtigjet e virtytit”, një shteg i cili përfshinte ordinancat që do të shkyçnin fuqinë e Perëndisë nëse Ema do të mbahej tek besëlidhjet e saj.

Së dyti, në periudhën e vajtimit të thellë, Zoti i dha asaj një qëllim. Ema nuk ishte thjesht e ulur në radhën e parë të Rivendosjes; ajo ishte një pjesëmarrëse thelbësore në veprën që po ndodhte. Ajo do të veçohej “për të sqaruar shkrimet e shenjta dhe për ta këshilluar kishën”. Koha e saj do t’i “kushtohe[j] të shkruarit dhe të lexuarit të shumtë”. Emës iu dha një rol i shenjtë për të ndihmuar që t’i përgatiste shenjtorët për të adhuruar; këngët e tyre për Zotin do të pranoheshin si lutje dhe do të “m[errnin] përgjigje me një bekim mbi kokat e tyre”.

Së fundi, Zoti përvijoi një proces të shenjtërimit të brendshëm që do ta përgatiste Emën për ekzaltim. “Në qoftë se nuk e bën këtë”, – i shpjegoi Zoti Emës, – “aty ku unë jam, ti nuk mund të vish.”

Nëse lexojmë te seksioni 25 me kujdes, ne zbulojmë një përparim të rëndësishëm që po ndodhte. Ema do të kalonte nga të qenit një bijë në mbretërinë te një “zonjë e zgjedhur”, te një mbretëreshë. Ordinancat e Priftërisë Aarone dhe Melkizedeke të ndërthurura me mbajtjen e premtimeve të besëlidhjeve të saj, do ta shtonin bashkëshoqërimin e saj me Shpirtin dhe me engjëjt, duke i dhënë fuqi të manovronte përgjatë jetës me udhërrëfim hyjnor. Nëpërmjet fuqisë së Tij hyjnore, Perëndia do t’ia shëronte zemrën, do t’ia zmadhonte aftësinë dhe do ta shndërronte atë në variantin e vetes që Ai e dinte se ajo mund të bëhej. Nëpërmjet ordinancave të Priftërisë Melkizedeke, “fuqia e perëndishmërisë [do të] manifestohe[j]” në jetën e saj dhe Zoti do ta hapte velin që ajo të mund të merrte të kuptuar prej Tij. Kjo është mënyra se si duket kur fuqia e Perëndisë vepron brenda nesh.

Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim:

Gjithçka që ndodhi në [Harmoni,] ka rrjedhoja shumë të rëndësishme për jetën tuaj. Rivendosja e priftërisë, së bashku me këshillën e Zotit për Emën, mund ta udhërrëfejnë e ta bekojnë secilën prej jush. …

… E drejta e përdorimit të fuqisë së Perëndisë në jetën tuaj kërkon të njëjtat gjëra që Zoti e udhëzoi Emën dhe secilën prej [nesh] të bëjë.”

Pati gjëra të rëndësishme që po ndodhnin në të dyja anët e asaj dritareje në Harmoni, përfshirë zbulesën që iu dha zonjës së zgjedhur, të cilën Zoti e kishte thirrur, një zbulesë që do ta forconte, inkurajonte dhe udhëzonte Ema Smithin, bijën e Perëndisë.

Kur mbesës sonë, Izabelës, iu dha një emër dhe një bekim, babai i saj e bekoi me kuptueshmëri për priftërinë, që ajo të vazhdonte të rritej dhe të mësonte rreth bekimeve që priftëria do t’i siguronte në jetë dhe që besimi i saj te priftëria të rritej teksa kuptueshmëria e saj të vazhdonte të rritej.

Nuk ndodh shpesh që një vajzë e vogël të bekohet për të kuptuar priftërinë dhe për të mësuar se si ato ordinanca të priftërisë dhe premtime të besëlidhjeve do ta ndihmojnë që të përdorë fuqinë e Perëndisë. Por m’u kujtua Ema dhe mendova me veten time: “Përse jo?” Kjo bijë e vockël ka potencialin që të bëhet një zonjë e zgjedhur në mbretërinë e Tij dhe përfundimisht një mbretëreshë. Nëpërmjet ordinancave të priftërisë së Tij dhe mbajtjes së premtimeve të saj të besëlidhjeve, fuqia e Perëndisë do të veprojë brenda dhe nëpërmjet saj për ta ndihmuar që të mposhtë çfarëdo gjëje që sjell jeta, dhe për t’u bërë gruaja që Perëndia e di se ajo mund të bëhet. Kjo është diçka që dëshiroj që ta kuptojë secila vajzë në mbretëri.

“[Jetoni në lartësinë e privilegjeve] tuaja.”

Mësoni se si ordinancat e priftërisë dhe premtimet e besëlidhjeve do ta lejojnë fuqinë e Perëndisë të rrjedhë në jetën tuaj me efektshmëri më të madhe, duke vepruar brenda dhe nëpërmjet jush, duke ju fuqizuar e pajisur që të arrini qëllimin dhe potencialin tuaj të plotë.

Studiojini dhe përsiatini me kujdes ordinancat e Priftërisë Aarone dhe Melkizedeke, premtimet e besëlidhjeve të cilat i bëjmë nëpërmjet secilës priftëri dhe fuqinë e Perëndisë për të cilën marrim të drejtë përdorimi nëpërmjet atyre ordinancave.

Mbajeni mend, nuk është vetëm personi që e kryen punën në ordinancë ajo që ka rëndësi; ajo që shkyçin ordinanca dhe premtimi juaj besëlidhës e meriton gjithashtu përqendrimin e vëmendjes suaj.

Ngrënia e bukës dhe pirja e ujit është një kujtues i përjavshëm i fuqisë së Tij që vepron brenda jush për t’ju ndihmuar që të mposhtni sprovat. Mbajtja veshur e veshjes së brendshme të priftërisë së shenjtë është një kujtues i përditshëm i dhuratës së fuqisë së Tij që vepron brenda jush për t’ju ndihmuar që të bëheni [si Perëndia].

Ne të gjithë kemi të drejtën e përdorimit të dhuratës së fuqisë së Perëndisë.

Sa herë që e marrim sakramentin.

Sa herë që e kalojmë pragun e një tempulli.

Ky është çasti kulmor i Shabatit tim. Kjo është arsyeja pse e kam të shtrenjtë rekomandimin tim të tempullit.

“Në ordinancat e saj, fuqia e perëndishmërisë manifestohet.”

Për këtë dhuratë unë jap dëshmi, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 107:20.

  2. Plaku D. Tod Kristoferson dha mësim: “Në të gjitha ordinancat, veçanërisht në ato të tempullit, neve na dhurohet fuqi nga lart. Kjo ‘fuqi e perëndishmërisë’ vjen tek personi dhe nëpërmjet ndikimit të Frymës së Shenjtë. … Unë dëshmoj se Perëndia do t’i mbajë premtimet e Tij ndaj jush kur ju do t’i respektoni besëlidhjet [tuaja] me Të. … Ai do t’ju mbushë me fuqi[në e] perëndish[mërisë] nëpërmjet [Shpirtit të Tij] të Shenjtë” (“Fuqia e Besëlidhjeve”, Liahona, maj 2009, f. 22, 23).

  3. Shihni te Dallin H. Oaks, “The Aaronic Priesthood and the Sacrament”, Liahona, nëntor 1999, f. 45.

  4. “Çdo burrë dhe çdo grua që merr pjesë në ordinancat e priftërisë dhe që bën e i mban besëlidhjet me Perëndinë, mund të marrë drejtpërsëdrejti nga fuqia e Perëndisë” (Rasëll M. Nelson, “Besëlidhja e Përjetshme”, Liahona, tetor 2022, f. 10).

  5. Shihni te Jozueut 3:5. Plaku Dejll G. Renland shpjegoi: “Nëpërmjet këtyre besëlidhjeve kemi të drejtë më të madhe përdorimi të fuqisë së [ Zotit]. Për të qenë i qartë, besëlidhjet e pagëzimit dhe të tempullit nuk janë, në vetvete, burimi i fuqisë. Burimi i fuqisë janë Zoti Jezu Krisht dhe Ati ynë Qiellor. Bërja dhe mbajtja e besëlidhjeve krijojnë një kanal përçues për fuqinë e Tyre në jetën tonë.” (“Cikli i Fuqishëm e i Virtytshëm i Doktrinës së Krishtit”, Liahona, maj 2024, f. 82.)

  6. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 107:1–3; Përkthimi prej Joseph Smith‑it, Hebrenjve 7:3 (tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta); Alma 13:2, 16. Presidenti Dallin H. Ouks dha mësim: “Nga shkrimet e shenjta gjithashtu e dimë se ata që e kryejnë detyrën në priftëri, veprojnë në emër të Zotit (shihni te Doktrina e Besëlidhje 1:38; 36:2). Tani unë do të sugjeroj se si mësuesit, priftërinjtë dhe dhjakët duhet t’i kryejnë përgjegjësitë e tyre të shenjta për të vepruar në emër të Zotit në përgatitjen, administrimin dhe shpërndarjen e sakramentit” (“The Aaronic Priesthood and the Sacrament”, Liahona, nëntor 1999, f. 45).

  7. Shihni te Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 3.5.1–2, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  8. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 107:18–20; Filipianëve 1:6.

  9. Shihni te Rasëll M. Nelson, “Thesaret Shpirtërore”, Liahona, nëntor 2019, f. 77.

  10. Shihni te “Joseph and Emma Smith’s Home” (history.ChurchofJesusChrist.org) për më shumë hollësi rreth bërjes së një kopjeje të shtëpisë së familjes Smith në vendin historik të Kishës në Harmoni të Pensilvanisë.

  11. Autoriteti dhe çelësat e priftërisë e lejojnë fuqinë e Perëndisë të rrjedhë në jetën e atyre që i marrin ordinancat e priftërisë dhe i bëjnë e i mbajnë besëlidhjet që lidhen me to (shihni te Manuali i Përgjithshëm, 3.5, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]).

  12. Shihni te Joseph Smith – History 1:71, shënim.

  13. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 25.

  14. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 25:1.

  15. Doktrina e Besëlidhje 25:2.

  16. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 25:13. “Fjala besëlidhje [në anglisht covenant] është me origjinë nga latinishtja, con venire dhe fjalë për fjalë do të thotë ‘ardhje së bashku’. Në kontekstin e priftërisë, një ‘besëlidhje’ është një ardhje së bashku ose një marrëveshje midis Perëndisë dhe njeriut. Ajo nënkupton se Perëndia dhe njeriu vijnë së bashku që të bëjnë një kontratë, që të bien dakord për premtimet, kushtet, privilegjet dhe përgjegjësitë. …

    Një besëlidhje e bërë në këtë mënyrë është e patundshme dhe e pandryshueshme. Ajo e ankoron shpirtin; ajo krijon një themel të qëndrueshëm e të sigurt për pritshmëritë e ardhshme” (Dale G. Renlund dhe Ruth Lybbert Renlund, The Melchizedek Priesthood: Understanding the Doctrine, Living the Principles [2018], f. 60).

  17. Doktrina e Besëlidhje 25:7.

  18. Doktrina e Besëlidhje 25:8.

  19. Doktrina e Besëlidhje 25:12.

  20. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 25:15.

  21. Doktrina e Besëlidhje 25:15. Presidenti Dallin H. Ouks dha mësim: “Ordinanca e pagëzimit dhe besëlidhjet që lidhen me të, janë kërkesat për hyrjen në mbretërinë çelestiale. Ordinancat dhe besëlidhjet që lidhen me tempullin, janë kërkesat për ekzaltimin në mbretërinë çelestiale, e cila është jeta e përjetshme, ‘më e madhja nga të gjitha dhuratat e Perëndisë’ [Doktrina e Besëlidhje 14:7]” (“Besëlidhjet dhe Përgjegjësitë”, Liahona, maj 2024, f. 96).

  22. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 25:1.

  23. Doktrina e Besëlidhje 25:3.

  24. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 25:15.

  25. Shihni te Dallin H. Oaks, “The Aaronic Priesthood and the Sacrament”, Liahona, janar 1999, f. 44–45. Presidenti Ouks dha mësim:

    “Në një mënyrë të lidhur ngushtë, këto ordinanca të Priftërisë Aarone janë gjithashtu jetike për shërbesën e engjëjve. …

    … Mesazhet engjëllore mund të jepen nga një zë apo thjesht nga mendimet ose ndjenjat e komunikuara mendjes” (“The Aaronic Priesthood and the Sacrament”, Liahona, janar 1999, f. 44, 45).

    Krahas kësaj, Profeti Jozef Smith bëri këtë premtim kur u foli motrave të Shoqatës së Ndihmës: “Nëse [jetoni në lartësinë e privilegjeve] tuaja, engjëjt nuk do të ngurrojnë të bëhen shoqëruesit tuaj” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 484).

  26. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 84:19–20.

  27. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 107:18–19.

  28. Rasëll M. Nelson, “Thesaret Shpirtërore”, f. 77. “Uillard Riçardsi raportoi: Presidenti Jozef Smith i lexoi zbulesën [e dhënë] Ema Smithit … dhe deklaroi se … jo vetëm ajo, por dhe të tjera, mund të arrinin të njëjtat bekime” (Mësimet: Jozef Smith [2009], f. 484). Shihni edhe te Nauvoo Relief Society Minute Book, 17 mars 1842, në The First Fifty Years of Relief Society: Key Documents in Latter-day Saint Women’s History (2016), 1.2.1, churchhistorianspress.org.

  29. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 24, kreu i seksionit. Ky thotë se “tri zbulesat e mëposhtme u dhanë në këtë kohë për t’i forcuar, inkurajuar dhe udhëzuar ata”.

  30. Mësimet: Joseph Smith, f. 484.

  31. Shihni te Rasëll M. Nelson, “Thesaret Shpirtërore”, f. 77. “Ju nxit që t’i studioni me lutje të gjitha të vërtetat që mund të gjeni rreth fuqisë së priftërisë. Mund ta filloni te Doktrina e Besëlidhje me seksionet 84 dhe 107. Këto seksione do t’ju udhëheqin drejt fragmenteve të tjera. Shkrimet e shenjta dhe mësimet nga profetët, shikuesit dhe zbuluesit modernë janë të mbushura me këto të vërteta. Ndërkohë që rritet të kuptuarit tuaj dhe ndërkohë që ushtroni besim te Zoti dhe fuqia e priftërisë së Tij, do të rritet aftësia juaj për [të marrë nga] ky thesar shpirtëror që Zoti e ka vënë në dispozicion” (Rasëll M. Nelson, “Thesaret Shpirtërore”, f. 79).

  32. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 109:22.

  33. Doktrina e Besëlidhje 84:20.