Konferenca e Përgjithshme
Vdekshmëria e Kryen Funksionin!
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2024


10:59

Vdekshmëria e Kryen Funksionin!

Pavarësisht nga sfidat me të cilat përballemi të gjithë, Ati ynë i dashur Qiellor e ka hartuar planin e lumturisë në mënyrë të tillë që e kemi të paracaktuar të mos dështojmë.

Për disa vjet u caktova të bëja mësimet e shtëpisë te një motër e moshuar e lagjes. Ajo nuk kishte një jetë të lehtë. Kishte probleme të ndryshme shëndetësore dhe përjetoi gjithë jetën dhembje për shkak të një aksidenti në këndin e lojërave në fëmijëri. E shkurorëzuar në moshën 32‑vjeçare me katër fëmijë të vegjël për të rritur dhe ushqyer, u rimartua në moshën 50‑vjeçare. Bashkëshorti i dytë i vdiq kur ajo ishte 66 vjeçe; dhe kjo motër jetoi edhe 26 vjet të tjera si vejushë.

Pavarësisht një jete të tërë me sfida, qe besnike deri në fund ndaj besëlidhjeve të veta. Kjo motër ishte një gjenealogjiste e zjarrtë, frekuentuese e tempullit, koleksioniste dhe shkruese e historive familjare. Ndonëse kishte shumë sprova të vështira, dhe pa diskutim që ndonjëherë ndiente trishtim dhe vetmi, kishte një pamje të gëzuar dhe një personalitet të hijshëm e të këndshëm.

Nëntë muaj pasi ndërroi jetë, njëri nga djemtë e saj pati një përvojë mbresëlënëse në tempull. Nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, ai mësoi se e ëma kishte një mesazh për të. Ajo komunikoi me të, por jo me anë të vegimit apo fjalëve të dëgjueshme. Mesazhi i pagabueshëm që pason i erdhi në mendje djalit nga nëna: “Dua që të dish se vdekshmëria e kryen funksionin e saj dhe dua që të dish se tani e kuptoj se pse të gjitha gjërat [në jetën time] ndodhën ashtu si ndodhën – dhe gjithçka është në rregull”.

Ky mesazh është akoma më mbresëlënës kur dikush merr parasysh situatën e saj dhe vështirësitë që duroi dhe kapërceu kjo motër.

Vëllezër dhe motra, vdekshmëria e kryen funksionin e saj! Është hartuar që të funksionojë! Pavarësisht nga sfidat, pikëllimet dhe vështirësitë me të cilat përballemi të gjithë, Ati ynë i dashur, i urtë dhe i përsosur Qiellor e ka hartuar planin e lumturisë në mënyrë të tillë që e kemi të paracaktuar të mos dështojmë. Plani i Tij siguron një mënyrë që të ngrihemi mbi dështimet tona në vdekshmëri. Zoti ka thënë: “Kjo është vepra ime dhe lavdia ime – të bëj të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut”.

Megjithatë, nëse duam të jemi përfitues të “vepr[ës] dhe lavdi[së]” së Zotit, madje edhe të “pavdekësi[së] dhe jet[ës] [së] përjetshme”, duhet të presim që të shkollohemi e të marrim mësim, dhe të kalojmë përmes zjarrit të rafinuesit, herë‑herë deri në caqet tona më të tejme. Shmangia e plotë e problemeve, sfidave dhe vështirësive të kësaj bote do të ishte anashkalim i procesit që është njëmend i nevojshëm që vdekshmëria të funksionojë.

Ndaj nuk duhet të befasohemi kur të na vijnë kohë të vështira. Do të hasim situata që na sprovojnë dhe njerëz që na mundësojnë të ushtrojmë dashuri hyjnore dhe durim të vërtetë. Por duhet t’u bëjmë ballë trimërisht vështirësive tona dhe të kujtojmë, siç tha Zoti:

“Dhe kushdo që e jep jetën e tij për kauzën time, për hir të emrit tim, do ta gjejë atë përsëri, madje jetë të përjetshme.

Si rrjedhim, mos kini frikë nga armiqtë tuaj [ose problemet, sfidat tuaja apo provat e kësaj jete], sepse unë kam dekretuar …, thotë Zoti, që unë do t’ju vë në provë në gjithçka, nëse do ta duroni besëlidhjen time … që ju të mund të gjendeni të denjë.”

Kur ndihemi të brengosur ose në ankth për problemet tona ose mendojmë se mund të na ketë rënë një hise më e madhe vështirësish në jetë se ajo që na takon, mund të kujtojmë atë që Zoti u tha bijve të Izraelit:

“Kujto gjithë rrugë[t] që Zoti, Perëndia yt, të ka bërë të përshkosh në kët[a] dyzetë vjet në shkretëtirë që ti të ulësh kokën dhe të vihesh në provë, për të ditur çfarë [ke] në zemrën tënde dhe në se do [t’i] respektoje apo jo urdhërimet e tij”.

Sikurse Lehi e mësoi birin e tij, Jakobin:

“Ti ke vuajtur hidhërime dhe shumë brenga. … Megjithatë, … [Perëndia] do t’i shenjtërojë hidhërimet e tua për të mirë. … Prandaj, unë e di që ti je shëlbuar, për shkak të drejtësisë së Shëlbuesit tënd.”

Për shkak se kjo jetë është një terren prove dhe “re t’zeza hallesh mbi ne jan’ [dhe] paqen na kërc’nojn’ me shkat’rrim”, është e dobishme të kujtojmë këtë këshillë dhe premtim që gjendet te Mosia 23 lidhur me sfidat e jetës: “Megjithatë – kushdo që vendos besimin e tij [te Zoti], po ai do të ngrihet në ditën e fundit”.

Kur isha i ri, personalisht përjetova dhembje dhe turp të madh emocional që erdhi si pasojë e veprimeve të padrejta të dikujt tjetër, të cilat për shumë vjet ndikuan në vlerën që i jepja vetes dhe në ndjesinë e denjësisë sime para Zotit. Sidoqoftë, jap dëshmi vetjake se Zoti mund të na forcojë dhe të na japë zemër në çfarëdo vështirësie që jemi thirrur të përjetojmë gjatë qëndrimit tonë në këtë luginë lotësh.

Ne e njohim përvojën e Palit:

“Dhe, që të mos më rritet mendja për shkak të jashtëzakonshmërisë së zbulesave [që kam marrë], m’u dha një gj[e]mb në mish, një engjëll i Satanit, për të më rënë me grushta, që të mos mbahem me të madh.

Lidhur me këtë iu luta tri herë Zotit që ta largonte nga unë.

Por ai më tha: ‘Hiri im të mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi’. Prandaj me kënaqësi të madhe do të krenohem më tepër për dobësitë e mia, që fuqia e Krishtit të rrijë tek unë.”

Ne nuk e dimë se çfarë ishte “gj[e]mb[i] në mish” i Palit. Ai zgjodhi të mos e përshkruante a ishte një sëmundje fizike, një lëngatë mendore ose emocionale, apo një tundim. Nuk na duhet ta dimë atë hollësi për të ditur se ai po mundohej dhe iu përgjërua Zotit për ndihmë dhe se përfundimisht, forca dhe fuqia e Zotit janë ato që e ndihmuan ta kalonte.

Ashtu si me Palin, me anë të ndihmës së Zotit, përfundimisht edhe unë u forcova emocionalisht dhe shpirtërisht dhe më në fund e kuptova pas shumë vjetësh se kam qenë gjithmonë një person me vlerë dhe i denjë për bekimet e ungjillit. Shpëtimtari më ndihmoi t’i kapërceja ndjenjat e padenjësisë dhe t’i jepja falje të sinqertë keqtrajtuesit. Më në fund e kuptova se Shlyerja e Shpëtimtarit ishte një dhuratë posaçërisht për mua dhe se Ati im Qiellor dhe Biri i Tij më duan në mënyrë të përsosur. Për shkak të Shlyerjes së Shpëtimtarit, vdekshmëria e kryen funksionin e saj.

Ndërsa përfundimisht u bekova për të kuptuar se si Shpëtimtari më shpëtoi dhe më qëndroi përkrah përgjatë atyre përvojave, e kuptoj qartë se situata fatkeqe e viteve të mia të adoleshencës ishte rrugëtimi dhe përvoja ime personale, për zgjidhjen dhe pasojën përfundimtare të së cilës nuk mund t’u vihet gishti atyre që kanë vuajtur dhe vazhdojnë të vuajnë nga sjellja e padrejtë e të tjerëve.

E kuptoj që përvojat e jetës, të mira dhe të këqija, mund të na japin mësime të rëndësishme. Tani e di dhe jap dëshmi se vdekshmëria e kryen funksionin e saj! Shpresoj që si rezultat i mbledhjes së përvojave të jetës sime, të mira dhe të këqija, të kem dhembshuri për viktimat e pafajshme të veprimeve të dikujt tjetër dhe ndjeshmëri për të shtypurit!

Shpresoj sinqerisht që si rezultat i përvojave të jetës sime, të mira dhe të këqija, të jem më i sjellshëm me të tjerët, t’i trajtoj të tjerët siç do të bënte Shpëtimtari, të kem mirëkuptim më të madh për mëkatarin dhe të kem integritet të plotë moral. Ndërsa arrijmë të mbështetemi te hiri i Shpëtimtarit dhe i mbajmë besëlidhjet tona, mund të shërbejmë si shembuj të rrjedhojave largpamëse të Shlyerjes së Shpëtimtarit.

Po jap një shembull të fundit që vdekshmëria e kryen funksionin e saj.

Tezja e Plakut Hejls dhe nëna e tij.

Tezja e Plakut Hejls, Llois VandenBosh dhe nëna e tij, Klea VandenBosh.

Nëna ime nuk pati një rrugëtim të lehtë përgjatë vdekshmërisë. Ajo nuk mori vlerësime apo nderime nga bota, dhe nuk pati mundësi arsimimi përtej shkollës së mesme. E zuri poliomieliti kur ishte fëmijë, gjë që i shkaktoi një jetë të tërë me dhembje dhe bezdi në këmbën e majtë. Në moshë madhore, përjetoi shumë rrethana të vështira e sfiduese fizike dhe financiare, por qe besnike ndaj besëlidhjeve të saj dhe e donte Zotin.

Kur nëna ime ishte 55 vjeçe, motra ime që qe pak më e madhe se unë ndërroi jetë, duke lënë pa nënë një vajzë tetëmuajshe, mbesën time. Për arsye të ndryshme, nëna ime përfundoi duke u kujdesur shumicën e kohës për mbesën time për 17 vitet pasuese, shpesh në rrethana tejet të vështira. Prapëseprapë, pavarësisht nga këto përvoja, ajo i shërbeu me gëzim dhe gatishmëri familjes, fqinjëve dhe anëtarëve të lagjes, dhe shërbeu si punonjëse ordinancash në tempull për shumë vjet. Gjatë disa viteve të fundit të jetës, nëna vuajti nga një formë demence, ngatërrohej shpesh dhe jetoi e mbyllur në një godinë përkujdesjeje. Me keqardhje, ajo qe vetëm kur u largua nga jeta papritur.

Disa muaj pasi vdiq, pashë një ëndërr që nuk e kam harruar kurrë. Në ëndërr, isha ulur në zyrën time në Ndërtesën e Administrimit të Kishës. Nëna hyri në zyrë. E dija që kishte ardhur nga bota e shpirtrave. Do t’i kujtoj përherë ndjenjat që pata. Nuk tha asnjë fjalë, por rrezatonte një bukuri shpirtërore që nuk e kisha përjetuar kurrë më parë dhe që e kam të vështirë ta përshkruaj.

Pamja dhe qenia e saj ishin vërtet mahnitëse! Mbaj mend që i thashë: “Nënë, sa e bukur je!”, – duke iu referuar fuqisë dhe bukurisë së saj shpirtërore. Ajo më njohu, sërish pa folur. E ndjeva dashurinë e saj për mua dhe e kuptova atëherë se ajo është e lumtur dhe e shëruar nga shqetësimet dhe sfidat e botës dhe pret me ëndje “një ringjallje të lavdishme”. E di se për nënën vdekshmëria e kreu funksionin e saj, dhe ajo e kryen funksionin e vet edhe për ne.

Vepra dhe lavdia e Perëndisë është të bëjë të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut. Përvojat e vdekshmërisë janë pjesë e rrugëtimit që na lejojnë të rritemi dhe të përparojmë drejt asaj pavdekësie dhe jete të përjetshme. Nuk u dërguam këtu për të dështuar, por për t’ia dalë mbanë në planin e Perëndisë për ne.

Siç dha mësim Mbreti Beniamin: “Dhe për më tepër, unë do të doja që ju të keni parasysh gjendjen e bekuar dhe të lumtur të atyre që zbatojnë urdhërimet e Perëndisë. Pasi vini re, ata janë të bekuar në të gjitha gjërat, qoftë tokësore ashtu edhe shpirtërore; dhe nëse qëndrojnë besnikë deri në fund, ata janë marrë në qiell, që si rrjedhim të jetojnë me Perëndinë, në një gjendje lumturie të pafund.” Me fjalë të tjera, vdekshmëria e kryen funksionin e saj!

Dëshmoj se kur marrim ordinancat e ungjillit, hyjmë në besëlidhje me Perëndinë dhe më pas i mbajmë ato besëlidhje, pendohemi, u shërbejmë të tjerëve dhe durojmë deri në fund, edhe ne mund të kemi sigurinë dhe mirëbesimin e plotë te Zoti se vdekshmëria e kryen funksionin e saj! Dëshmoj për Jezu Krishtin dhe se e ardhmja e lavdishme me Atin tonë Qiellor është bërë e mundur nëpërmjet hirit dhe Shlyerjes së Shpëtimtarit. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.