Konferenca e Përgjithshme
Ditë për të Mos u Harruar Kurrë
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2024


14:19

Ditë për të Mos u Harruar Kurrë

Çaste të ardhshme do t’u ofrojnë anëtarëve të Kishës, kudo ku janë, mundësi të shtuara për të treguar lajmet e gëzuara të ungjillit të Jezu Krishtit.

Hyrje

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, historia e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në këtë periudhë ungjillore shkëlqen plot me përvoja hyjnore që tregojnë se si Zoti e ka udhëhequr Kishën e Tij. Megjithatë, ka një dekadë në historinë tonë që qëndron mahnitshëm supreme mbi çdo tjetër, dekada nga viti 1820 deri në vitin 1830. Duke filluar me përvojën e Profetit Jozef Smith në Korijen e Shenjtë në pranverën e vitit 1820, kur ai pa Perëndinë, Atin, dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin, dhe duke vazhduar deri më 6 prill 1830, ajo dekadë nuk ngjan me asnjë tjetër.

Moroni duke dorëzuar fletët e arta.
Rivendosja e Priftërisë Melkizedeke.
Oliver Kaudëri.

Merrini parasysh këto ngjarje mbresëlënëse! Profeti i ri bisedoi me engjëllin Moroni, përktheu fletët e arta dhe botoi Librin e Mormonit! Ai ishte instrumenti nëpërmjet të cilit u rivendosën Priftëria Aarone dhe Melkizedeke dhe më pas ai organizoi Kishën! Oliver Kaudëri e përshkroi mirë atë epokë: “Këto ishin ditë për të mos u harruar kurrë”. Ngjarje të mrekullueshme kanë vazhduar deri më sot.

Lejomëni të jem aq guximtar sa të sugjeroj se këtë vit kemi hyrë në një dekadë që mund të rezultojë të jetë po aq e rëndësishme sa çdo dekadë tjetër që ka pasuar atë dekadë të pashembullt themelimi gati dy shekuj më parë.

Dekada Jonë

Më lejoni ta shpjegoj. Midis vitit të tanishëm 2024 dhe vitit 2034, ne do të përjetojmë ngjarje thelbësore që do të rezultojnë në mundësi të pashembullta për të shërbyer, për t’u bashkuar me anëtarë e miq dhe për t’ua paraqitur Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme më shumë njerëzve se kurrë më parë.

Kremtimi i ditëlindjes së 100‑të të Presidentit Nelson.

Sapo dëshmuam fuqinë e një çasti vërtet historik, ndërsa kremtuam me dhjetëra miliona njerëz ditëlindjen e 100‑të të Presidentit Rasëll M. Nelson.

Duke raportuar për ditëlindjen e Presidentit Nelson, revista Newsweek shkroi një titull që thoshte: “Udhëheqësi Fetar më i Moshuar në Botë Mbush 100 Vjeç”. Më pas, ata renditën 10 udhëheqësit më të moshuar të besimeve fetare në botë, ku Presidenti Nelson ishte i pari në një listë që përfshinte Papa Françeskun dhe Dali Lamën.

Kjo thënie nga një artikull i gazetës New York Times përfaqëson frymën e përmbajtjes së reportazhit ndërkombëtar: “Në një cikël zgjedhjesh presidenciale [në Shtetet e Bashkuara] që ka nxitur kërkime shpirtërore rreth plakjes dhe udhëheqjes, momenti historik i z. Nelson sugjeron që, të paktën në kishën e tij, një ditëlindje me tre shifra nuk meriton shumë shqetësim. Ai mbetet një figurë popullore mes anëtarëve të kishës, të cilët e shohin presidentin e tyre jo vetëm si një drejtues ekzekutiv, por si një ‘profet, shikues dhe zbulues’.”

Sa mirënjohës jemi që ditëlindja historike e Presidentit Nelson na dha mundësi t’i paraqesim një publiku botëror një profet të Perëndisë, një kremtim për të mos u harruar kurrë.

Sheshi i rinovuar te Ndërtesa e Zyrave të Kishës.

Në fillim të kësaj pranvere, na u zbulua sheshi i rinovuar në Sheshin e Tempullit, ku paraqiten flamuj ndërkombëtarë që përfaqësojnë vendet ku njihet Kisha. Hyrja e sheshit shenjohet nga një monument graniti mbi të cilin janë gdhendur këto fjalë profetike: “Në ditët e fundit do të vij që mali ku ndodhet shtëpia e Zotit do të vendoset në majën e maleve dhe do të ngrihet mbi disa kodra, dhe këtu do të vërshojnë tërë kombet”.

Sigurisht, ngjarjet monumentale që do të ndodhin gjatë 10 viteve të ardhshme, përbëjnë një shfaqje se si po përmbushet kjo profeci e Isaisë.

Tempulli i Solt‑Lejkut.

Mendoni për numrin e pashembullt të shtëpive të hapura të tempujve dhe të përkushtimeve që janë planifikuar të ndodhin gjatë dekadës së ardhshme, madje një potencial prej 164 tempujsh, numër që vazhdon të rritet. Përfytyroni dhjetëra miliona njerëz si ju dhe miqtë tuaj duke ecur nëpër një shtëpi të Zotit. Qendra simbolike e këtyre ngjarjeve do të jetë ripërkushtimi i Tempullit të Solt‑Lejkut dhe aktivitetet që lidhen me këtë gjë. Këto me siguri do të jenë ditë për të mos u harruar kurrë.

Organizimi i Kishës.

Viti 2030 do të sjellë mundësi në mbarë botën për të përkujtuar dyqindvjetorin e organizimit të Kishës. Edhe pse është tepër herët për të thënë se si Kisha do ta përkujtojë këtë çast historik, sigurisht që do të na lejojë të ftojmë familjarët, miqtë, kolegët dhe të ftuarit e veçantë që të “[vijnë] e shiko[jnë]” dhe të kuptojnë më mirë ndikimin e fuqishëm që ka Kisha në jetën e anëtarëve të saj.

Lojërat Olimpike Dimërore të vitit 2002 në Solt‑Lejk‑Siti.

Në vitin 2034, mijëra personalitete, vizitorë dhe atletë nga e gjithë bota do të vërshojnë në rrugët e Solt‑Lejk-Sitit, skenës së Lojërave Olimpike Dimërore. Ndoshta nuk ka shpërfaqje më të madhe të unitetit mbarëbotëror sesa ai i mishëruar në Lojërat Olimpike. Sytë e botës do të jenë te Kisha dhe anëtarët e saj, duke ofruar një mori mundësish për të bërë punë vullnetare, për të shërbyer dhe për të treguar lajmet e gëzuara nëpërmjet veprave të mira, një ngjarje për të mos u harruar kurrë.

Këto çaste të ardhshme do t’u ofrojnë anëtarëve të Kishës, kudo ku janë, mundësi të shtuara për të treguar lajmet e gëzuara të ungjillit të Jezu Krishtit nëpërmjet fjalës dhe veprës, një dekadë për të mos u harruar kurrë.

Lajme të Gëzuara

Në një takim vetëm disa javë përpara ditëlindjes së tij, Presidenti Nelson tregoi arsyen pse ai e çmon frazën “lajme të gëzuara”. Në pamje të parë, vuri në dukje ai, fraza përcjell gëzim dhe lumturi. Por fraza “lajme të gëzuara” përcjell shumë më tepër se kaq. Ai shpjegoi se kjo frazë vjen nga fjala origjinale greke euangelion, që fjalë për fjalë do të thotë “lajmi i mirë” ose “ungjill”. Lumturia dhe gëzimi në këtë jetë dhe në tjetrën janë gjithmonë të lidhura me ungjillin e Jezu Krishtit. Kështu, fraza “lajme të gëzuara” e përçon këtë kuptim të dyfishtë në një mënyrë të mrekullueshme.

“Njerëzit janë, që ata të mund të kenë gëzim.” Ati Qiellor ka siguruar planin e lumturisë që mundëson gëzim nëpërmjet bekimeve të Tij. Këto përfshijnë të jetuarit në praninë e Tij përjetësisht si familje. Shlyerja e Jezu Krishtit është qendrore në planin e Perëndisë për të na shëlbuar. Për të marrë jetë të përjetshme, ne duhet të vijmë te Krishti. Teksa e bëjmë këtë “dhe i ndihmojmë të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë, ne marrim pjesë në veprën e Perëndisë për shpëtimin dhe ekzaltimin”.

Ky mesazh i lajmeve të gëzuara të ungjillit të Jezu Krishtit, është mesazhi më i rëndësishëm në tokë. Dhe këtu hyjnë në veprim rinia dhe të rinjtë e të rejat në moshë madhore të Kishës.

Për Forcën e Rinisë

Tani, ndërsa kjo dekadë e ardhshme mund të jetë e mbushur me ditë për të mos u harruar kurrë për çdo anëtar të Kishës, kjo mund të jetë veçanërisht e vërtetë për ju të brezit të ri. Ju jeni këtu në tokë tani sepse u përzgjodhët që të ishit këtu tani. Ju keni forcën dhe aftësinë për të qenë dishepuj të Krishtit në një mënyrë të pashembullt.

Presidenti Xhorxh Q. Kenon dha mësim: “Perëndia ka ruajtur për këtë periudhë ungjillore shpirtra që kanë kurajën dhe vendosmërinë për t’i bërë ballë botës dhe gjithë fuqive të të ligut [dhe për të] … ndërtuar Sionin e Perëndisë tonë, të patrembur nga të gjitha pasojat”.

Për këtë qëllim, dëshiroj t’ju flas juve të brezit të ri, t’ju ftoj që të përfytyroni se sa emocionuese kjo dekadë e ardhshme, dekadë për të mos u harruar kurrë, mund të jetë për ju. Ofroj gjithashtu disa fjalë të thjeshta këshillimi dhe inkurajimi, që mund t’ju fuqizojnë gjatë kësaj dekade të ardhshme.

Ashtu si shumë prej jush, unë kam një telefon inteligjent që, me raste dhe pa asnjë komandë, mbledh së bashku një grup fotografish që tregojnë se çfarë po bëja në një ditë të caktuar. Është gjithmonë befasuese të shohësh se sa shumë kanë ndryshuar gjërat për mua dhe familjen time në vetëm pak vite.

Përfytyroni fotografitë që telefoni juaj do t’ju tregojë pas 10 vjetësh! Mund ta shihni veten duke u diplomuar nga shkolla e mesme ose kolegji, duke marrë dhurimin tuaj, duke shkuar në një mision, duke u martuar dhe duke pasur fëmijën tuaj të parë. Për ju personalisht, kjo do të jetë një dekadë për të mos u harruar kurrë. Por do të jetë dyfish e tillë, nëse përpiqeni fort aktivisht të bëheni një dritë për botën për mënyrën se si lajmet e gëzuara të ungjillit të Jezu Krishtit mund ta pasurojnë dhe përmirësojnë jo vetëm jetën tuaj, por edhe atë të familjes, miqve dhe ndjekësve në rrjetet sociale.

Mund të jeni duke pyetur veten se si ta bëni këtë.

Profetët e Perëndisë na kanë mësuar se kjo bëhet nëpërmjet katër aktiviteteve të thjeshta, të përmendura si përgjegjësi të caktuara në mënyrë hyjnore: së pari, të jetuarit e ungjillit të Jezu Krishtit; së dyti, përkujdesja për njerëzit nevojtarë; së treti, ftesa ndaj të gjithë njerëzve që ta pranojnë ungjillin; dhe së katërti, bashkimi i familjeve për përjetësinë. Në mënyrë mbresëlënëse, secila mund të bëhet në mënyrat më normale dhe të natyrshme.

Përgjegjësi të Caktuara në Mënyrë Hyjnore

Ju premtoj se kjo do të jetë një dekadë për të mos u harruar kurrë për ju, nëse i përqafoni këto katër përgjegjësi të caktuara në mënyrë hyjnore. Le të shqyrtojmë se çfarë mund të kërkojë kjo.

Katër përgjegjësitë e caktuara në mënyrë hyjnore.
E re duke u lutur.

Së pari, jetojeni ungjillin e Jezu Krishtit. Studiojini fjalët e profetëve dhe mësoni ta doni Atin tuaj në Qiell. Anojini zemrat tuaja drejt Tij dhe përpiquni fort të ecni në udhën e Tij. Lartësohuni nga “siguria që vjen nga besëlidhjet”, që ka përshkruar Plaku Ulises Soares. Ky besim vjen nga bërja e besëlidhjeve për të ndjekur Jezu Krishtin, duke e ditur se Shpëtimtari nga ana e Tij do t’ju forcojë e do t’ju përkrahë.

Lërini miqtë tuaj të shohin gëzimin që ndieni në të jetuarit e ungjillit, dhe ju do të jeni mesazhi më i mirë i ungjillit që ata marrin ndonjëherë.

Së dyti, shtrijeni dorën me dhembshuri për t’u përkujdesur për njerëzit nevojtarë. Brezi juaj është jashtëzakonisht i ndërgjegjshëm për më pak fatlumët. Sa herë që godet fatkeqësia dhe anëtarët e Kishës nxitojnë për të ndihmuar për largimin e mbeturinave dhe ngushëllimin e të prekurve, duket se shumica e njerëzve të veshur me bluzat “Duart Ndihmëtare” janë adoleshentë dhe ata që janë rreth të njëzetave. Është në natyrën tuaj që “të mbani barrat e njëri-tjetrit” dhe të “ngushëlloni ata që kanë nevojë të ngushëllohen”. Duke e bërë këtë, ne “përmbush[im] ligjin e Krishtit”.

Fëmijë duke mbledhur kavanoza me reçel për njerëzit nevojtarë.

Evani, një djalë i ri në moshën e Fillores, vendosi t’i kalonte pushimet e tij verore të shkollës duke mbledhur furnizime për sanduiçe me gjalpë kikiriku dhe pelte frutash që t’ia dhuronte bankës së tij ushqimore të zonës. Ai e gjeti projektin në faqen e internetit JustServe [ThjeshtShërbe]. Evani i vogël angazhoi të gjithë klasën e tij të shkollës për të ndihmuar në mbledhjen e mbi 700 kavanozave me pelte frutash! Lërini njerëzit të cilëve u shërbeni, të dinë se shqetësimi juaj për ta është i rrënjosur në dashurinë tuaj për Perëndinë dhe në dëshirën tuaj për ta trajtuar të afërmin si vetveten.

Misionarë në Brazil.

Së treti, ftojini të gjithë që ta pranojnë ungjillin. Këtë vit, ne hapëm 36 misione të reja në mbarë botën për t’u bërë vend të gjithë atyre që dëshirojnë të shërbejnë në misione me kohë të plotë. Në një epokë kur shumë të rinj e të reja po zgjedhin të mos përfshihen fare në veprimtari fetare zyrtare, kjo është mbresëlënëse dhe flet për natyrën madhështore të dëshmive tuaja. Pavarësisht nëse shërbeni me kohë të plotë ose jo, ju lutemi kuptoni aftësinë tuaj të pamasë për të ndikuar te bashkëmoshatarët tuaj teksa jepni dashuri, u tregoni dhe i ftoni ata që ta hulumtojnë ungjillin e Jezu Krishtit.

Të rinj e të reja në Tempullin e Prestonit, Angli.

Së katërti, bashkojini familjet për përjetësinë. Teksa i vizitoj tempujt anembanë botës, mrekullohem me turmat e të rinjve që presin në këmbë në pagëzimore ngaqë nuk ka vend, dhe nga numri në rritje i të rinjve dhe të rejave në moshë madhore që shërbejnë si punonjës ordinancash. Kohët e fundit, një grup të rinjsh e të rejash prej mbi 600 vetash nga Skocia dhe Irlanda udhëtoi për në Tempullin e Prestonit në Angli, duke kryer mbi 4 000 ordinanca, shumë prej të cilave ishin për paraardhësit e tyre të vdekur! Ju nxit që të angazhoheni në historinë familjare, të kaloni kohë në tempull dhe të përgatiteni me kujdes që të jeni lloji i burrit ose gruas gati për t’u martuar me një shoqe/shok po aq të denjë në tempull. Zhvilloni një model në jetën tuaj tani për ta bërë tempullin një pjesë të rregullt të jetës suaj.

Përfundimi

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, miqtë e mi të dashur të rinj në moshë, ka të ngjarë që të ketë vështirësi për secilin prej nesh në ditët në vijim. Megjithatë, ndërsa hyjmë në këtë dekadë të ardhshme me çaste të pashembullta, le t’i tregojmë lajmet e gëzuara nëpërmjet aktiviteteve të thjeshta të të jetuarit, të përkujdesjes, të ftesës dhe të bashkimit. Ndërsa e bëjmë këtë, Zoti do t’ju bekojë me përvoja për të mos u harruar kurrë.

Dëshmoj se ata që i afrohen Zotit me një zemër të sinqertë dhe qëllim të vërtetë, ata që e kanë emrin e Shpëtimtarit në buzët e tyre dhe Shpirtin e Shenjtë në frymën e tyre, ata që e nisin këtë pelegrinazh madhështor e të lavdishëm, do të zbulojnë dhe përjetojnë bekime të bollshme qiellore dhe do të marrin një dëshmi se Perëndia i dëgjon, i njeh dhe i do. Ju do të përjetoni ditë për të mos u harruar kurrë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 27:8, 12–13.

  2. Joseph Smith – Historia 1:71, shënimi.

  3. Shihni tek Theo Burman, “World’s Oldest Religious Leader Turns 100”, Newsweek, 9 shtator 2024, Newsweek.com.

  4. Ruth Graham, “The Leader of the Mormon Church Turns 100”, New York Times, 9 shtator 2024, nytimes.com. Një artikull nga gazeta “Associated Press” citoi një drejtues nga Shkolla Hyjnore e Universitetit “Djuk” që thoshte: “Mosha, urtësia dhe autoriteti shpirtëror shkojnë paralelisht” (Angie Hong, në Hannah Schoenbaum dhe Deepa Bharath, “The Mormon Church’s Oldest-Ever President Has Turned 100”, 9 shtator 2024, apnews.com).

  5. Isaia 2:2.

  6. Gjoni 1:46.

  7. Shihni te James Strong, The New Strong’s Expanded Exhaustive Concordance of the Bible (1984), pjesa greqisht e fjalorit, zëri 2098.

  8. 2 Nefi 2:25.

  9. Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 1.2, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  10. Gospel Truth: Discourses and Writings of President George Q. Cannon, përzgj. Jerreld L. Newquist (1957), 1:21.

  11. Shihni te Manuali i Përgjithshëm, 1.2, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  12. Shihni tek Ulises Soares, “Siguria që Vjen nga Besëlidhjet nëpërmjet Jezu Krishtit”, Liahona, maj 2024, f. 17–21.

  13. Mosia 18:8, 9.

  14. Galatasve 6:2.

  15. Shihni te Jessica Lawrence, “Finding Joy in Donating Jelly”, Church News, 18 qershor 2023, thechurchnews.com.

  16. Shihni te Mateu 22:37–40.

  17. Shihni te Melina Myers, “Scottish and Irish Youth Perform over 4,000 Ordinances in the Preston England Temple”, Church News, 13 qershor 2024, thechurchnews.com.