Kërkojeni Atë me Gjithë Zemër
Nëse vetë Jezu Krishti kërkoi kohë të qetë për të komunikuar me Perëndinë dhe për t’u forcuar prej Tij, do të ishte e mençur që edhe ne të bënim të njëjtën gjë.
Disa vite më parë, bashkëshortja ime dhe unë shërbyem si udhëheqës misioni në Tokio të Japonisë. Gjatë një vizite në misionin tonë nga presidenti Rasëll M. Nelson, në atë kohë Plaku Nelson, një nga misionarët e pyeti se si të përgjigjej më së miri kur një person u thoshte se ishte tepër i zënë për t’i dëgjuar. Me pak ngurrim, Plaku Nelson tha: “Unë do t’i pyesja a do të ishin tepër të zënë për të ngrënë drekë atë ditë dhe më pas do t’u mësoja se kanë si një trup edhe një shpirt, dhe ashtu si trupi i tyre do të vdesë nëse nuk ushqehet, po kështu do të vdesë edhe shpirti i tyre nëse nuk ushqehet nga fjala e mirë e Perëndisë”.
Është interesante të theksojmë se fjala japoneze për “i zënë me punë”, isogashii, përbëhet nga një karakter me dy simbole (忙). Ai në të majtë do të thotë “zemër” ose “shpirt” dhe ai në të djathtë do të thotë “vdekje” – duke sugjeruar ndoshta, siç dha mësim Presidenti Nelson, se të qenit tepër i zënë për të ushqyer shpirtin mund të na bëjë që të vdesim shpirtërisht.
Zoti e dinte se, në këtë botë me ritme të shpejta, plot shpërqendrime dhe rrëmujë, gjetja e një kohe cilësore për Të do të ishte një nga sfidat kryesore të kohës sonë. Duke folur nëpërmjet profetit Isaia, Ai dha këto fjalë këshillimi dhe paralajmërimi, që mund të ngjajnë me ditët e trazuara në të cilat jetojmë:
“Duke u kthyer tek unë dhe duke pushuar tek unë, do të shpëtoni; forca juaj qëndron në qetësinë dhe në [vetë]besimin tuaj. Por ju nuk keni dashur,
madje keni thënë: ‘Jo, ne do të ikim me kuajt tanë!’. Prandaj ju do të ikni. Dhe: ‘Do të shkojmë me kuaj të shpejtë!’. Prandaj ata që do t’ju ndjekin do të jenë edhe më të shpejtë.”
Me fjalë të tjera, edhe pse shpëtimi ynë varet nga kthimi shpesh tek Ai dhe pushimi nga shqetësimet e botës, ne nuk e bëjmë këtë. Megjithëse vetëbesimi ynë do të vijë nga një forcë e zhvilluar në kohë të qeta duke u ulur me Zotin në meditim dhe reflektim, ne nuk e bëjmë këtë. Pse jo? Sepse ne themi: “Jo, jemi të zënë me gjëra të tjera”, duke ikur me kuajt tanë, për ta shprehur kështu. Prandaj, ne do të largohemi gjithnjë e më shumë nga Perëndia; do të këmbëngulim të ecim gjithnjë e më shpejt; dhe sa më shpejt të ecim, aq më shpejt do të na ndjekë Satani.
Ndoshta kjo është arsyeja pse Presidenti Nelson na është përgjëruar vazhdimisht që të gjejmë kohë për Zotin në jetën tonë – “për çdo ditë”. Ai na kujton se “koha e qetë është kohë e shenjtë – kohë që do ta lehtësojë zbulesën vetjake dhe të mbrujë paqe brenda nesh”. Por që ta dëgjoni zërin e qetë të Zotit, këshilloi ai, “edhe ju duhet të jeni të qetë”.
Megjithatë, për të qenë të qetë kërkohet më shumë sesa thjesht të gjejmë kohë për Zotin; kërkohet të heqim dorë nga mendimet tona gjithë dyshime dhe frikë dhe ta përqendrojmë zemrën dhe mendjen tonë tek Ai. Plaku Dejvid A. Bednar dha mësim: “Këshilla e Zotit ‘rrini të qetë’ përfshin shumë më tepër sesa thjesht të mos flasim ose të mos lëvizim”. Fraza “rrini të qetë”, – sugjeroi ai, – “mund të jetë një mënyrë për të na kujtuar të përqendrohemi te Shpëtimtari, pa lëkundje.”
Të qenit i qetë është një akt besimi dhe për të kërkohet përpjekje. Materiali Lectures on Faith [Ligjërata mbi Besimin] thotë: “Kur një njeri vepron me anë të besimit, ai vepron duke e vënë mendjen në punë”. Presidenti Nelson shpalli: “Përqendrimi ynë duhet të ngulitet te Shpëtimtari dhe ungjilli i Tij. Kërkon një përpjekje të madhe mendore që të shohësh tek Ai në çdo mendim. Por kur ne e bëjmë këtë, dyshimet tona dhe frika jonë largohen.” Duke folur mbi këtë nevojë për të përqendruar mendjen tonë, Presidenti Dejvid O. Mek‑Kei tha: “Mendoj se i kushtojmë shumë pak vëmendje vlerës së meditimit, një parim përkushtimi. … Meditimi është një nga … dyert më të shenjta përmes së cilës ne kalojmë për të qenë në praninë e Zotit.”
Ekziston një fjalë në japonisht, mui, që, për mua, përcjell kuptimin e tillë si besimplotë dhe përsiatës të asaj që do të thotë të rrish i qetë. Ajo përbëhet nga dy karaktere (無為). Ai në të majtë do të thotë “asgjë” ose “asgjësi”, dhe ai në të djathtë do të thotë “të bësh”. Së bashku ata nënkuptojnë “mosbërje”. E marrë fjalë për fjalë, fjala mund të keqinterpretohet duke nënkuptuar “të mos bësh asgjë” në të njëjtën mënyrë që fraza të “rrish i qetë” mund të keqinterpretohet si “të mos flasësh ose të mos lëvizësh”. Sidoqoftë, ashtu si fraza “rrini të qetë”, ka një kuptim më të lartë; për mua është një kujtesë për të ulur ritmin dhe për të jetuar me vetëdije më të madhe shpirtërore.
Ndërsa shërbeja në Presidencën e Zonës së Azisë Veriore me Plakun Takashi Uada, mësova se bashkëshortja e tij, Motra Naomi Uada, është një kaligrafiste e arrirë japoneze. E pyeta Motrën Uada a mund të vizatonte për mua karakteret japoneze për fjalën mui. Doja ta varja kaligrafinë në murin tim si një kujtesë për të ndenjur i qetë dhe për t’u përqendruar te Shpëtimtari. U habita kur ajo nuk u pajtua me këtë kërkesë në dukje të thjeshtë.
Të nesërmen, duke e ditur se ndoshta e kisha keqkuptuar ngurrimin e saj, Plaku Uada shpjegoi se shkrimi i atyre karaktereve do të kërkonte një përpjekje të konsiderueshme. Asaj do t’i duhej të përsiaste dhe të meditonte mbi konceptin dhe karakteret derisa ta gjente kuptimin thellë në shpirtin e saj dhe të mund t’i shprehte këto përshtypje të ndiera në çdo hedhje të penelit. Më erdhi rëndë që i kisha kërkuar me kaq lehtësi të bënte diçka kaq kërkuese. I kërkova që t’i përcillte ndjesën për padijen time dhe t’i bënte të ditur se po e tërhiqja kërkesën.
Mund ta përfytyroni habinë dhe mirënjohjen time se kur po largohesha nga Japonia, Motra Uada, pa ia kërkuar, më dhuroi këtë vepër të bukur kaligrafie që përmban karakteret japoneze për fjalën mui. Tani ajo rri varur aq spikatur në murin e zyrës sime, duke më kujtuar të rri i qetë, ta kërkoj Zotin çdo ditë dhe t’i shërbej Atij me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën time. Ajo e kishte rrokur, me këtë akt vetëmohues, kuptimin e fjalës mui, ose qetësinë, më mirë se ç’mund ta shprehte çdo fjalë tjetër. Në vend që t’i vizatonte karakteret pa u menduar dhe si e detyruar, ajo iu qas kaligrafisë së saj me qëllim të plotë të zemrës dhe synim të vërtetë.
Po ashtu, Perëndia dëshiron që ne t’i qasemi kohës sonë me Të me të njëjtin lloj përkushtimi të ndier. Kur e bëjmë këtë, adhurimi ynë bëhet shprehje e dashurisë sonë për Të.
Ai dëshiron që ne të komunikojmë me Të.. Një herë, pasi bëra lutjen e hapjes në një takim me Presidencën e Parë, Presidenti Nelson u kthye nga unë dhe më tha: “Ndërkohë që luteshe, mendova se sa shumë duhet ta vlerësojë Perëndia kur marrim kohë nga programi ynë i ngjeshur për ta konsideruar Atë”. Ishte një kujtues i thjeshtë por prapëseprapë i fuqishëm se sa shumë do të thotë për Atin Qiellor kur ndalemi për të komunikuar me Të.
Sado që e dëshiron vëmendjen tonë, Ai nuk do të na detyrojë që të vijmë tek Ai. Zoti i ringjallur u tha nefitëve: “Sa herë do t’ju kisha mbledhur sikurse një klloçkë mbledh zogjtë e saj, por ju nuk keni dashur”. Ai vijoi më tej me këtë ftesë plot shpresë që gjen zbatim edhe për ne sot: “Sa herë do të të mbledh si një pulë mbledh zogjtë e saj nën krahët e saj, në qoftë se do të pendohesh dhe kthehesh tek unë, me qëllim të plotë të zemrës”.
Ungjilli i Jezu Krishtit na jep mundësi që të kthehemi tek Ai shpesh. Këto mundësi përfshijnë lutjet e përditshme, studimin e shkrimeve të shenjta, ordinancën e sakramentit, ditën e Shabatit dhe adhurimin në tempull. Po sikur t’i hiqnim këto mundësi të shenjta nga listat e gjërave që duhet t’i bëjmë dhe t’i vendosnim ato në listat e “gjërave që nuk i bëjmë”, që do të thotë t’u qasemi atyre me të njëjtin ndërgjegjësim dhe përqendrim me të cilin Motra Uada i qaset kaligrafisë së saj?
Mund të jeni duke menduar: “Nuk kam kohë për këtë”. Shpesh jam ndier edhe unë kështu. Por më lejoni të sugjeroj se ajo që mund të nevojitet nuk do të thotë të jetë medoemos më shumë kohë, por më shumë vetëdije dhe përqendrim te Perëndia gjatë kohës që kemi lënë mënjanë për Të.
Për shembull, kur lutemi, po sikur të kalonim më pak kohë duke folur, dhe më shumë kohë thjesht duke qenë me Perëndinë; dhe kur të flisnim, të jepnim më shumë shprehje të ndiera dhe specifike mirënjohjeje dhe dashurie?
Presidenti Nelson ka këshilluar që jo vetëm t’i lexojmë shkrimet e shenjta, por t’i shijojmë ato. Çfarë ndryshimi do të kishte nëse do të lexonim më pak dhe t’i shijonim më shumë?
Po sikur të bënim më shumë për ta përgatitur mendjen për të marrë sakramentin dhe të përsiatnim me gëzim për bekimet e Shlyerjes së Jezu Krishtit gjatë kësaj ordinance të shenjtë?
Në Shabat, që në hebraisht do të thotë “pushim”, po sikur të pushonim nga shqetësimet e tjera dhe të gjenim kohë për t’u ulur qetësisht me Zotin për t’ia drejtuar lutjet tona Atij?
Gjatë adhurimit në tempull, po sikur të bënim përpjekje më të disiplinuar për t’i kushtuar vëmendje ose të rrinim pak më gjatë në dhomën çelestiale për të reflektuar qetësisht?
Kur përqendrohemi më pak në bërjen e gjërave dhe më shumë në forcimin e lidhjes sonë besëlidhëse me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin, unë dëshmoj që secili prej këtyre çasteve të shenjta do të përmirësohet dhe ne do të marrim udhërrëfimin e nevojshëm në jetën tonë vetjake. Ne, ashtu si Marta në rrëfimin e Llukës, jemi shpesh “të merakosur dhe të shqetësuar për shumë gjëra”. Megjithatë, ndërsa komunikojmë me Zotin çdo ditë, Ai do të na ndihmojë të dimë atë që është më e nevojshme.
Edhe Shpëtimtari mori kohë nga shërbesa e Tij për të ndenjur i qetë. Shkrimet e shenjta janë plot me shembuj kur Zoti tërhiqej në një vend të vetmuar: në një mal, në një vend të shkretë, në shkretëtirë ose duke shkuar “pak më tutje” për t’iu lutur Atit. Nëse vetë Jezu Krishti kërkoi kohë të qetë për të komunikuar me Perëndinë dhe për t’u forcuar prej Tij, do të ishte e mençur që edhe ne të bënim të njëjtën gjë.
Ndërsa i përqendrojmë zemrën dhe mendjen tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti dhe dëgjojmë zërin e qetë e të vogël të Frymës së Shenjtë, do të kemi më shumë qartësi rreth asaj që është më e nevojshme, do të zhvillojmë dhembshuri më të thellë dhe do të gjejmë pushim dhe forcë tek Ai. Në mënyrë paradoksale, që ta ndihmojmë Perëndinë të përshpejtojë punën e Tij të shpëtimit dhe ekzaltimit mund të kërkojë që ne të ngadalësojmë ritmin. Të qenit përherë në lëvizje mund të jetë duke e shtuar rrëmujën në jetën tonë dhe duke na grabitur paqen që kërkojmë.
Dëshmoj se ndërsa kthehemi shpesh te Zoti me qëllim të plotë të zemrës, në qetësi dhe vetëbesim, ne do të arrijmë ta njohim Atë dhe të ndiejmë dashurinë e Tij të pafundme, besëlidhëse, për ne.
Zoti premtoi:
“M’u afroni pranë dhe unë do të afrohem pranë jush; kërkoni me zell dhe do të më gjeni”.
“Do të më kërkoni dhe do të më gjeni, sepse do të më kërkoni me gjithë zemrën tuaj.”
Dëshmoj se ky premtim është i vërtetë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.