Konferenca e Përgjithshme
Burri që Foli me Jehovën
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2024


11:8

Burri që Foli me Jehovën

Jozef Smithi u “bekua të hap’ k’të kohë të fundit” dhe ne jemi të bekuar që ai e bëri këtë gjë.

Qëllimi im këtë ditë dhe gjithmonë është të dëshmoj për Jezu Krishtin, se Ai është Biri i Perëndisë, Krijuesi dhe Shpëtimtari i botës, Çliruesi dhe Shëlbuesi ynë. Për shkak se “parimet themelore të fesë sonë janë dëshmia e apostujve dhe profetëve në lidhje me Jezu Krishtin”, sot ju tregoj njohurinë dhe dëshminë time për Shpëtimtarin, ndërsa janë forcuar dhe thelluar nga jeta dhe mësimet e një apostulli dhe profeti kyç.

Fillesat e Urtësisë

Në mëngjesin e një dite të bukur e të kthjellët, në fillim të pranverës së vitit 1820, 14‑vjeçari Jozef Smith, hyri në një korije pemësh pranë shtëpisë së familjes së tij për t’u lutur për mëkatet e veta dhe për të pyetur se cilës kishë t’i bashkohej. Lutja e tij e çiltër, e ofruar me besim të paepur, mori vëmendjen e forcave më të fuqishme në univers, duke përfshirë Atin e Birin dhe djallin. Secili prej tyre kishte një interes të madh për atë lutje dhe për atë djalë.

Ajo që ne tani e quajmë Vegimi i Parë, shënoi fillimin e Rivendosjes së të gjitha gjërave në këtë periudhë të fundit ungjillore. Mirëpo për Jozefin, përvoja ishte sa vetjake edhe përgatitore. Gjithçka që ai dëshironte, ishte falje dhe drejtim. Zoti ia dha të dyja. Udhëzimi që të mos “bashkohe[j] me asnjë prej [kishave]” ishte orientues. Fjalët “mëkatet e tua të janë falur” ishin shëlbuese.

Nga të gjitha të vërtetat e bukura që mund të mësojmë nga ai Vegim i Parë, ndoshta mesazhi kryesor i Jozefit ishte thjesht: “Unë kisha mësuar se dëshmia e Jakobit ishte e vërtetë – se një njeri të cilit i mungon urtësia, mund t’i kërkojë Perëndisë dhe të marrë”.

Siç vuri në dukje një studiues: “Mesazhi kryesor i Vegimit të Parë sot është të dish se është natyra e Perëndisë që t’u japë atyre që u mungon urtësia. … Perëndia që ia zbulon Veten Jozef Smithit në korijen e shenjtë, është një Perëndi që u përgjigjet adoleshentëve në kohë shqetësimi.”

Përvoja e Jozefit në korije i dha atij vetëbesimin për të kërkuar falje dhe drejtim gjatë gjithë jetës. Përvoja e tij më ka dhënë edhe mua vetëbesim për të kërkuar falje dhe drejtim gjatë gjithë jetës.

Pendimi i Rregullt

Më 21 shtator 1823, Jozefi u lut me zell për falje, i sigurt se për shkak të përvojës së tij në korije tre vjet më parë, qielli do të përgjigjej përsëri. Dhe ashtu ndodhi. Zoti dërgoi një engjëll, Moronin, për ta udhëzuar Jozefin dhe për ta vënë në dijeni për një anal të lashtë që ai do ta përkthente më vonë me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë – Librin e Mormonit.

Pothuajse 13 vjet pas kësaj, Jozefi dhe Oliver Kaudëri u gjunjëzuan në lutje solemne dhe të heshtur në Tempullin e Kirtlandit të përkushtuar rishtas. Ne nuk e dimë se për çfarë u lutën ata, por lutjet e tyre ka gjasa të kenë përfshirë një lutje për falje, sepse, pasi u ngritën në këmbë, Shpëtimtari u shfaq dhe shpalli: “Vini re, mëkatet tuaja ju janë falur; ju jeni të pastër përpara meje”.

Në muajt dhe vitet pas kësaj përvoje, Jozefi dhe Oliveri do të mëkatonin përsëri dhe përsëri. Por në atë çast, për atë çast, në përgjigje të lutjes së tyre dhe si përgatitje për rivendosjen e lavdishme të çelësave priftërisë që do të ndodhte, Jezusi i bëri ata pa mëkat.

Jeta e Jozefit duke u penduar rregullisht më jep vetëbesimin për t’ju “afr[uar] … me guxim fronit të hirit, që të marr mëshirë”. Kam mësuar se Jezu Krishti është vërtet “i gatshëm të falë”. Nuk është as misioni i Tij dhe as natyra e Tij që të dënojë. Ai erdhi për të na shpëtuar.

T’i Kërkosh Zotit

Si pjesë e premtimit të “ripërtëritjes [s]ë të gjitha gjërave” Zoti, nëpërmjet Jozef Smithit, nxori në dritë Librin e Mormonit dhe zbulesa të tjera që përmbajnë plotësinë e ungjillit të Tij. Të vërtetat thelbësore morën qartësi dhe plotësi ndërsa Jozefi i kërkonte vazhdimisht Zotit për drejtim të mëtejshëm. Merreni parasysh sa vijon:

  1. Ati dhe Biri kanë trupa “po aq të prekshëm sa edhe të një njeriu”.

  2. Jezusi mori mbi Vete jo vetëm mëkatet tona, por edhe sëmundjet, hidhërimet dhe dobësitë tona.

  3. Shlyerja e Tij ishte aq torturuese, saqë bëri që Atij t’i rridhte gjak nga çdo por.

  4. Ne shpëtohemi nëpërmjet hirit të Tij “pas gjithçkaje që ne mund të bëjmë”.

  5. Ka kushte për mëshirën e Krishtit.

  6. Ndërsa vijmë te Krishti, Ai jo vetëm që do të na i falë mëkatet, por do të ndryshojë edhe vetë natyrën tonë, në mënyrë që të mos “kemi më prirje të bëjmë keq”.

  7. Krishti e urdhëron gjithnjë popullin e Tij që të ndërtojë tempuj, ku Ai t’ua shfaqë Veten atyre dhe t’iu dhurojë fuqi nga lart.

Unë dëshmoj se të gjitha këto gjëra janë të vërteta dhe të domosdoshme. Ato përfaqësojnë vetëm një pjesëz të plotësisë që u rivendos nga Jezu Krishti nëpërmjet Jozef Smithit si përgjigje e kërkesave të përsëritura të Jozefit për drejtim.

Çuarja Përpara e Kësaj Mbretërie

Në vitin 1842, Jozefi shkroi për gjëra të mahnitshme që do të ndodhnin në këtë periudhë të fundit ungjillore. Ai shpalli se gjatë kohës sonë “priftëria qiellore do të bashkohet me tokësoren, [që të ndodhin] ato qëllime [madhështore]; dhe ndërsa ne jemi të bashkuar kështu në kauzën e vetme të përbashkët, për të [çuar përpara] mbretërinë e Perëndisë, Priftëria qiellore nuk është spektatore e plogët”.

Mikut të tij, Benxhamin Xhonsonit, Jozefi i tha: “Benxhamin, [nëse vdes] nuk do të [isha] larg teje dhe nëse do të isha në anën tjetër të velit, do të [punoja] ende me ty dhe me një fuqi akoma më të madhe, për ta çuar përpara këtë mbretëri”.

Më 27 qershor 1844, Jozef Smithi dhe vëllai i tij, Hajrëmi, u vranë. Trupi i Jozefit u vendos të prehej në varr, por dëshmia e tij vijon të kumbojë në mbarë botën dhe në shpirtin tim:

“Unë kisha parë një vegim; unë e dija atë dhe e dija se Perëndia e dinte atë dhe nuk mund ta mohoja”.

“Kurrë nuk ju thashë se jam i përsosur, por nuk ka gabim në zbulesat që ju kam mësuar.”

“Parimet themelore të besimit tonë janë dëshmia e Apostujve dhe Profetëve në lidhje me Jezu Krishtin, që Ai vdiq, u varros, u ngrit sërish ditën e tretë dhe u ngjit në qiell; dhe gjithë gjërat e tjera që i përkasin besimit tonë janë vetëm shtojca të kësaj.”

Ajo që u tha për Gjon Pagëzorin, mund të thuhet edhe për Jozef Smithin: “Qe një njeri i dërguar nga Per[ë]ndia; emri i tij ishte [Jozef]. … Ai nuk ishte drita, por u dërgua për të dëshmuar për dritën”, “që të gjithë të besonin nëpërmjet tij.”

Unë besoj. Unë besoj dhe jam i sigurt se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë. Dëshmoj se Perëndia i gjallë është Ati ynë i dashur. Unë e di këtë sepse zëri i Zotit ma ka thënë mua dhe po kështu zëri i shërbëtorëve të Tij, apostujve dhe profetëve, duke përfshirë dhe filluar me Jozef Smithin.

Dëshmoj se Jozef Smithi ishte dhe është një profet i Perëndisë, një dëshmitar dhe shërbëtor i Zotit Jezu Krisht. Ai u “bekua të hap’ k’të kohë të fundit” dhe ne jemi të bekuar që ai e bëri këtë gjë.

Zoti e urdhëroi Oliver Kaudërin dhe të gjithë ne: “I qëndro pranë shërbëtorit tim Joseph, me besnikëri”. Dëshmoj se Zoti qëndron pranë shërbëtorit të Tij Jozefit dhe Rivendosjes së bërë nëpërmjet tij.

Jozef Smithi tani është pjesë e asaj priftërie qiellore për të cilën foli vetë. Siç i premtoi mikut të tij, ai nuk është shumë larg nesh dhe, në anën tjetër të velit, ai ende po punon me ne dhe me një fuqi akoma më të madhe, për ta çuar përpara këtë mbretëri. Me gëzim dhe falënderim, ngre zërin për t’i dhënë “lavdi burrit që me Jehovën foli!” Mbi të gjitha, lavdi Jehovës që foli me atë burrë! Në emrin e Jezu Krishtit, amen.