Konferenca e Përgjithshme
Dora e Tij Është Gati për të na Ndihmuar
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2024


10:13

Dora e Tij Është Gati për të na Ndihmuar

Ndërsa i drejtohemi Jezu Krishtit për ndihmë me besim, Ai do të jetë gjithmonë pranë.

Kur isha fëmijë, si familje, shkonim me pushime në një plazh në bregdetin e vendit tim të lindjes, Kilit. Isha i emocionuar që do të kaloja disa ditë duke shijuar verën me familjen. Isha edhe i ngazëllyer ngaqë mendoja se më në fund mund të bashkohesha me dy vëllezërit e mi më të mëdhenj dhe të bëja atë që bënin zakonisht ata për t’u argëtuar në ujë.

Një ditë, vëllezërit shkuan të luanin atje ku përplaseshin dallgët dhe u ndjeva mjaftueshëm i madh dhe i rritur për t’u shkuar pas. Ndërsa shkoja drejt asaj zone, kuptova se dallgët ishin më të mëdha nga sa dukeshin nga bregu. Papritur, një dallgë m’u afrua me shpejtësi, duke më zënë në befasi. M’u duk sikur fuqia e natyrës më kishte mbërthyer dhe më tërhoqi në thellësitë e detit. Nuk mund të shihja ose ndieja asnjë pikë referimi ndërsa përplasesha sa andej‑këtej. Pikërisht kur mendova se aventurës sime në tokë po i vinte fundi, ndjeva një dorë të më tërhiqte drejt sipërfaqes. Përfundimisht, munda të shihja diellin dhe të mbushesha me frymë.

Vëllai im, Klaudioja, kishte vrojtuar përpjekjet e mia për të vepruar si i rritur dhe kishte ardhur të më shpëtonte. Nuk isha larg bregut. Edhe pse uji ishte i cekët, isha çorientuar dhe nuk e kisha kuptuar se mund t’ia kisha dalë vetë. Klaudioja më tha se duhej të isha i kujdesshëm dhe, nëse doja, mund të më mësonte ai. Pavarësisht nga litrat e ujit që kisha gëlltitur, krenaria dhe dëshira ime për të qenë djalë i rritur ishin më të forta dhe i thashë: “Sigurisht”.

Klaudioja më tha se duhej t’i çaja dallgët. I thashë vetes se me siguri do ta humbisja atë betejë kundër asaj që dukej si një mur i stërmadh uji.

Ndërsa po afrohej një dallgë tjetër e madhe, Klaudioja tha me të shpejtë: “Më shiko; bëhet kështu”. Klaudioja vrapoi drejt dallgës që po vinte, dhe u zhyt në të para se ajo të përplasej. U mahnita kaq shumë nga zhytja e tij, saqë e humba nga sytë dallgën e radhës që po vinte. Ndaj, përsëri, përfundova në thellësitë e detit dhe u shkunda nga forcat e natyrës. Pak sekonda më vonë, një dorë ma rroku dorën dhe më tërhoqi përsëri drejt sipërfaqes dhe ajrit. Flaka e krenarisë sime po shuhej.

Këtë herë, im vëlla më ftoi të zhytesha me të. Sipas ftesës së tij, e ndoqa dhe u zhytëm së bashku. Ndjeva sikur po mposhtja sfidën më të ndërlikuar. Sigurisht, nuk ishte shumë e lehtë, por e bëra, falë ndihmës dhe shembullit të treguar nga vëllai im. Dora e tij më shpëtoi dy herë; shembulli i tij më tregoi si ta përballoja sfidën time dhe të isha fitimtar atë ditë.

Presidenti Rasëll M. Nelson na ka ftuar të mendojmë çelestialisht dhe dëshiroj ta ndjek këshillën e tij dhe ta përdor për historinë time të verës.

Fuqia e Shpëtimtarit mbi Kundërshtarin

Nëse mendojmë çelestialisht, do të kuptojmë se në jetën tonë do të përballemi me sfida që duken më të mëdha se aftësia jonë për t’i kapërcyer ato. Gjatë kohës sonë në vdekshmëri, ne u nënshtrohemi sulmeve të kundërshtarit. Ashtu si dallgët që kishin fuqi mbi mua atë ditë vere, ne mund të ndihemi të pafuqishëm dhe mund të duam të dorëzohemi para një fati më të fortë. Ato “dallgë dashakeqe” mund të na përplasin sa andej‑këtej. Por mos harroni se kush ka fuqi mbi ato dallgë dhe në fakt, mbi çdo gjë. Ai është Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti. Ai ka fuqinë të na nxjerrë nga çdo gjendje e mjerueshme apo situatë fatkeqe. Pavarësisht nëse ndihemi apo jo pranë Tij, Ai ende mund të na vijë në ndihmë atje ku jemi, ashtu siç jemi.

Ndërsa i drejtohemi Atij për ndihmë me besim, Ai do të jetë gjithmonë pranë dhe në kohën e Tij, do të jetë gati dhe i gatshëm të na i rrokë duart dhe të na tërheqë drejt një vendi të sigurt.

Shpëtimtari dhe Shembulli i Tij i Dhënies së Shërbesës

Nëse mendojmë çelestialisht, do ta dallojmë Jezu Krishtin si një shembull i patëmetë i dhënies së shërbesës. Ka një model për ne në shkrimet e shenjta, kur Ai ose dishepujt e Tij i qasen dikujt që ka nevojë për ndihmë, shpëtim apo bekim, ndërsa ua shtrijnë dorën e tyre të ndihmës. Ashtu si në historinë time, e dija se vëllai im ishte pranë, por të qenit pranë për mua nuk mjaftonte. Klaudioja e dinte që isha në telashe dhe erdhi të më ndihmonte për të më nxjerrë nga uji.

Herë pas here, mendojmë se thjesht duhet t’i rrimë pranë dikujt në nevojë dhe shpeshherë mund të bëjmë më tepër. Pasja e një këndvështrimi të përjetshëm mund të na ndihmojë të marrim zbulesë për t’ua dhënë ndihmën në kohë njerëzve në nevojë. Ne mund të mbështetemi në udhërrëfimin dhe frymëzimin e Frymës së Shenjtë për të dalluar se çfarë lloj ndihme nevojitet, qoftë përkrahje fizike si ngushëllim në aspektin emocional, ushqim ose ndihmë për detyrat e përditshme, apo udhërrëfim shpirtëror për t’i ndihmuar të tjerët në rrugëtimin e tyre për t’u përgatitur, për t’i bërë dhe për t’i nderuar besëlidhjet e shenjta.

Shpëtimtari Është Gati të na Shpëtojë

Kur Pjetri, Apostulli më i vjetër në detyrë, “eci mbi ujëra, për të shkuar te Jezusi, … [ai] kishte frikë, dhe … fill[oi] të fundosej”, më pas, “bërtiti duke thënë: ‘O Zot, shpëtomë’”. Jezusi e dinte besimin që kishte ushtruar Pjetri për të ardhur tek Ai mbi ujë. Ai ishte i vetëdijshëm edhe për frikën e Pjetrit. Sipas rrëfimit, Jezusi “ia zgjati menjëherë dorën, e zuri”, duke i thënë fjalët në vijim: “O njeri besimpak, pse dyshove?” Fjalët e Tij nuk kishin për qëllim ta qortonin Pjetrin, por t’i kujtonin atij se Ai, Mesia, ishte me të dhe dishepujt.

Nëse mendojmë çelestialisht, do të marrim në zemrat tona pohimin se Jezu Krishti është njëmend Shpëtuesi ynë, Avokati ynë me Atin dhe Shëlbuesi ynë. Ndërsa ushtrojmë besim tek Ai, Ai do të na shpëtojë nga gjendja jonë e rënë, përtej sfidave, dobësive dhe nevojave tona në këtë jetë tokësore dhe do të na japë dhuratën më të madhe nga të gjitha, që është jeta e përjetshme.

Shpëtimtari Nuk Heq Dorë prej Nesh

Vëllai im nuk hoqi dorë prej meje atë ditë, por këmbënguli që të mund të mësoja si ta bëja vetë. Ai këmbënguli, edhe nëse kjo kërkonte të më shpëtonte për të dytën herë. Ai këmbënguli edhe pse nuk e kuptova atë gjë që herën e parë. Ai këmbënguli që unë të mund ta mposhtja atë sfidë dhe t’ia dilja mbanë. Nëse mendojmë çelestialisht, do ta kuptojmë se Shpëtimtari ynë do të jetë pranë aq herë sa të jetë e nevojshme për të ofruar ndihmë nëse duam të mësojmë, të ndryshojmë, të kapërcejmë, të përballojmë ose të kemi sukses në çdo gjë që do të sjellë lumturi të vërtetë dhe afatgjatë në jetën tonë.

Duart e Shpëtimtarit

Shkrimet e shenjta e përjetësojnë simbolin dhe domethënien e duarve të Shpëtimtarit. Në flijimin e Tij shlyes, duart e Tij u tejshpuan nga gozhdët për ta mbërthyer në kryq. Pas Ringjalljes së Tij, Ai iu shfaq dishepujve të Tij me një trup të përsosur, por vurratat në duart e Tij mbeten si një kujtues i flijimit të Tij të pafundmë. Dora e Tij do të jetë gjithmonë pranë nesh, edhe nëse nuk mund ta shohim apo ndiejmë në fillim, sepse Ai u zgjodh nga Ati ynë Qiellor për të qenë Shpëtimtari ynë, Shëlbuesi i gjithë njerëzimit.

dora e shtrirë e Shpëtimtarit

Within Our Grasp [Aty ku Mundemi ta Rrokim], nga Jay Bryant Ward

dora shpëtuese e Shpëtimtarit

The Hand of God [Dora e Perëndisë], nga Yongsung Kim

Nëse unë mendoj çelestialisht, e di që nuk lihemi të vetëm në këtë jetë. Ndërsa na duhet të përballemi me sfida e sprova, Ati ynë Qiellor i njeh aftësitë tona dhe e di se mund t’i përballojmë apo kapërcejmë vështirësitë tona. Duhet të bëjmë pjesën tonë dhe të drejtohemi tek Ai me besim. Biri i Tij i Dashur, Jezu Krishti, është shpëtuesi ynë dhe do të jetë gjithmonë pranë. Në emrin e Tij, emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shihni te Rasëll M. Nelson, “Mendoni Çelestialisht!”, Liahona, nëntor 2023, f. 118:

    “Kur bëni zgjedhje, ju ftoj të shihni në një këndvështrim për të ardhmen, një këndvështrim të përjetshëm. Vëreni Jezu Krishtin të parin, sepse jeta juaj e përjetshme varet nga besimi juaj tek Ai dhe te Shlyerja e Tij. …

    Kur të përballeni me një mëdyshje, mendoni çelestialisht! Kur t’ju vërë në provë tundimi, mendoni çelestialisht! Kur jeta ose njerëz të dashur t’ju lënë në baltë, mendoni çelestialisht! Kur dikush të vdesë para kohe, mendoni çelestialisht. Kur dikush lëngon gjatë nga një sëmundje shkatërrimtare, mendoni çelestialisht. Kur trysnitë e jetës të mblidhen mbi ju, mendoni çelestialisht! Ndërsa merrni veten nga një aksident ose lëndim, si unë tani, mendoni çelestialisht!”

  2. Shihni te Marku 4:35–41.

  3. Ndonëse besojmë se Ati ynë Qiellor dhe Jezu Krishti kanë aftësinë të na ndihmojnë sa herë që kemi nevojë, ndihma e Tyre mund të mos vijë gjithmonë në mënyrën që e presim. Është e rëndësishme të mirëbesojmë se Ata na njohin më mirë nga sa e njohim ne veten dhe do të ofrojnë përkrahjen dhe ndihmën që është më e mira për ne në kohën e duhur: “Dije, biri im, se gjithë këto gjëra do të të japin përvojë dhe do të jenë për të mirën tënde” (Doktrina e Besëlidhje 122:7).

    Sprovat dhe sfidat që hasim, na ndihmojnë të zhvillojmë forcën dhe karakterin për t’i bërë ballë tundimit dhe për ta mposhtur njeriun e natyrshëm.

  4. Shihni te Mateu 14:31; Marku 1:31; 5:41; 9:27; Veprat e Apostujve 3:7; 3 Nefi 18:36.

  5. Kur Presidenti Rasëll M. Nelson na ftoi të japim shërbesë në një mënyrë më të re dhe më të shenjtë (shihni te “Dhënia e Shërbesës”, Liahona, maj 2018, f. 100), ai gjithashtu na kërkoi të kuptojmë se kjo mënyrë e re e dhënies së shërbesës nuk ka të bëjë me ne personalisht dhe atë që duam të ofrojmë, por me atë që kanë nevojë të tjerët. Jezu Krishti po na jep mundësinë për ta dashur të afërmin tonë (shihni te Lluka 10:27) në një mënyrë më të lartë dhe më të shenjtë.

  6. Mateu 14:29–30.

  7. Mateu 14:31.

  8. Për ta kuptuar vërtet lumturinë, duhet të kuptojmë rolin e bekimeve në jetën tonë. Përkufizimi i termit bekime ndihmon për ta qartësuar këtë koncept: Një bekim është “t’i japësh dikujt miratim hyjnor. Çdo gjë që kontribuon në lumturi, mirëqenie ose përparim të vërtetë, është një bekim” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Bekoj, Bekuar (i), Bekim”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]). Bota shpesh e ngatërron lumturinë e vërtetë me kënaqësinë e përkohshme, e cila imiton një “lumturi” që është jetëshkurtër.

  9. Shihni tek Isaia 49:16.