Të Lidhur me Jezu Krishtin: Të Bëhemi Kripa e Tokës
Teksa qëndrojmë të lidhur me Zotin, jeta jonë do të pasqyrojë natyrshëm dritën e Tij dhe ne do të bëhemi kripa e tokës.
Shpëtimtari dha mësim se kur “thirre[mi] në ungjillin [e Tij] të përjetshëm dhe lidhi[m] besë me një besëlidhje të përjetshme, [ne] llogarite[mi] si kripa e tokës”. Kripa është e përbërë nga dy elementë të lidhur së bashku. Ne, të vetëm, nuk mund të jemi; nëse duam të jemi kripa e tokës, ne duhet të lidhemi me Zotin dhe këtë e shoh ndërsa shoqërohem me anëtarë të Kishës anembanë botës – shoh anëtarë besnikë të Kishës të lidhur me Zotin, të zotuar në përpjekjet e tyre për t’u shërbyer të tjerëve dhe për të qenë kripa e tokës.
Përkushtimi juaj i palëkundur është një shembull që shkëlqen. Shërbimi juaj vlerësohet dhe çmohet.
Të rinjtë tanë kanë treguar guxim dhe përkushtim mbresëlënës. Ata e kanë përqafuar me entuziazëm punën e historisë familjare dhe vizitat e tyre të shpeshta në shtëpinë e Zotit janë një dëshmi e përkushtimit të tyre. Gatishmëria e tyre për t’i kushtuar kohë dhe energji shërbimit në misione anembanë globit, pasqyron një besim të thellë e të qëndrueshëm. Ata jo thjesht po marrin pjesë, por po e prijnë udhën për t’u bërë dishepuj të lidhur me Jezu Krishtin. Shërbimi i tyre rrezaton dritë e shpresë, duke prekur jetë të panumërta. Juve, të rinjve të Kishës, ju shprehim falënderimet tona të përzemërta për shërbimin tuaj frymëzues. Nuk jeni vetëm e ardhmja e Kishës, por e tashmja e saj. Ju jeni njëmend kripa e tokës!
E dua Zotin Jezu Krisht dhe ndihem i bekuar për mundësinë që të shërbej përkrah jush në Kishën e Zotit. Uniteti dhe forca jonë, të themeluara në besimin tonë të përbashkët, na sigurojnë se nuk jemi kurrë vetëm në këtë rrugëtim. Bashkërisht, mund të vazhdojmë të ndërtojmë mbretërinë e Perëndisë të rrënjosur te shërbimi, dashuria dhe besimi i palëkundur.
Kur Jezu Krishti dha mësim në Detin e Galilesë, shpesh përdorte elemente nga përditshmëria, të njohura për dëgjuesit e Tij, për të përcjellë të vërteta të thella shpirtërore. Një element i tillë ishte kripa. Jezusi shpalli: “Ju jeni kripa e tokës”2, një pohim gjithë kuptim dhe domethënie, veçanërisht për njerëzit e kohës së Tij, që e kuptonin vlerën e shumanshme të kripës.
Zanati i lashtë i përpunimit të kripës në Algarve, rajonin jugor të vendlindjes sime, Portugali, daton mijëra vjet më parë, në epokën e Perandorisë Romake. Çuditërisht, metodat e përdorura nga punëtorët e kripës, të cilët njihen si marnotos‑ët, kanë ndryshuar paksa që nga ajo kohë. Këta artizanë të përkushtuar përdorin teknika tradicionale, duke e kryer punën e tyre tërësisht me dorë, duke ruajtur një trashëgimi që ka rezistuar përgjatë shekujve.
Kjo metodë e lashtë prodhon atë që quhet “lulja e kripës”. Për ta vlerësuar plotësisht procesin e ndërlikuar të përpunimit të lules së kripës, është thelbësore të kuptojmë mjedisin në të cilin prodhohet. Kënetat bregdetare të kripës në Algarve ofrojnë kushtet ideale për prodhimin e kripës. Uji i detit kanalizohet në pellgje të cekëta, të njohura si vaska kripe, ku lihet të avullojë nën diellin intensiv. Ndërsa uji avullon, lulja e kripës formon kristale delikate në sipërfaqen e vaskave të kripës. Këto kristale janë jashtëzakonisht të pastra dhe kanë një përbërje unike dhe kërcitëse. Marnotos‑ët i heqin me kujdes kristalet nga sipërfaqja e ujit duke përdorur mjete të posaçme, një proces që kërkon zotësi të madhe dhe saktësi. Në Portugali, kësaj kripe me cilësi të rafinuar i referohen si “ajka e kripës”, sepse mund të hiqet lehtësisht si ajka që del në sipërfaqe të qumështit. Kjo kripë delikate çmohet për pastërtinë dhe aromën e saj të jashtëzakonshme, duke e bërë atë një përbërës të çmuar në artin e kuzhinës.
Ashtu si marnotos‑ët bëjnë përpjekje të mëdha për t’u siguruar që të nxjerrin cilësinë më të lartë të kripës, edhe ne, si populli i besëlidhjes së Zotit, duhet të bëjmë gjithmonë më të mirën tonë, në mënyrë që dashuria dhe shembulli ynë të jenë, sa më shumë që të jetë e mundur, një pasqyrim i kulluar i Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit.
Në botën e lashtë, kripa ishte më shumë sesa thjesht një përbërës për shije, ajo ishte një ruajtës jetësor dhe simbol i pastërtisë dhe besëlidhjes. Njerëzit e dinin se kripa ishte thelbësore për ruajtjen e ushqimit dhe përmirësimin e shijes. Ata gjithashtu i kuptonin pasojat e rënda të humbjes së kripësirës ose shijes së kripës kur ndotej ose hollohej.
Ashtu siç mund ta humbasë kripa vetinë e saj, edhe ne mund ta humbasim gjallërinë tonë shpirtërore nëse besimi ynë te Jezu Krishti kthehet në [praktikë] rastësore. Mund të dukemi njësoj nga jashtë, por pa një besim të fortë të brendshëm, e humbasim aftësinë për të bërë një ndryshim në botë dhe për të nxjerrë më të mirën tek ata që na rrethojnë.
Pra, si mund t’i kanalizojmë energjinë dhe përpjekjet tona për të bërë një ndryshim dhe për të qenë ndryshimi që bota ka nevojë sot? Si mund ta ruajmë dishepullimin dhe të vazhdojmë të jemi një ndikim pozitiv?
Fjalët e profetit tonë të dashur ende më jehojnë në mendje: “Perëndia dëshiron që ne të punojmë së bashku dhe ta ndihmojmë njëri‑tjetrin. Kjo është arsyeja pse Ai na dërgon në tokë në familje dhe na organizon në lagje dhe kunje. Kjo është arsyeja pse Ai na kërkon t’i shërbejmë dhe japim shërbesë njëri‑tjetrit. Kjo është arsyeja pse Ai kërkon që ne të jetojmë në botë, por të mos jemi të botës.”
Kur jeta jonë është e mbushur me qëllim dhe shërbim, ne e shmangim apatinë shpirtërore; nga ana tjetër, kur jetës sonë i mungon qëllimi hyjnor, shërbimi domethënës ndaj të tjerëve dhe mundësitë e shenjta për përsiatje dhe reflektim, gradualisht mbytemi nga veprimtaria dhe interesi vetjak, duke rrezikuar të humbasim shijen tonë. Kundërhelmi për këtë është të vazhdojmë të përfshihemi në shërbim, duke u përfshirë me zell në vepra të mira dhe në përmirësimin e vetes dhe të shoqërisë ku jetojmë.
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, çfarë bekimi kemi të gjithë ne sot që i përkasim Kishës së Jezu Krishtit dhe kemi mundësinë të shërbejmë në Kishën e Tij! Rrethanat tona mund të ndryshojnë, por të gjithë ne mund të bëjmë një ndryshim.
Mos harroni marnotos‑ët, punëtorët e kripës; ata përdorin mjete të thjeshta për të mbledhur kristalet më të mira, kripën më të mirë! Edhe ne mund të bëjmë gjëra të thjeshta që, me përpjekje të vazhdueshme në vepra të vogla e domethënëse, mund ta thellojnë dishepullimin dhe angazhimin tonë ndaj Jezu Krishtit. Këtu janë katër mënyra të thjeshta e megjithatë të thella, se si mund të përpiqemi fort për të qenë kripa e tokës:
-
Ta mbajmë shtëpinë e Zotit në qendër të përkushtimit tonë. Tani që tempujt janë më afër se kurrë më parë, bërja përparësi e adhurimit të rregullt në shtëpinë e Zotit, do të na ndihmojë të përqendrohemi tek ajo që ka më tepër rëndësi dhe ta mbajmë jetën të përqendruar te Krishti. Në tempull gjejmë thelbin e besimit tonë te Jezu Krishti dhe shpirtin e përkushtimit tonë ndaj Tij.
-
Të jemi të qëllimshëm në përpjekjet tona për t’i forcuar të tjerët duke e jetuar ungjillin bashkërisht. Ne mund t’i forcojmë familjet tona nëpërmjet përpjekjeve të vazhdueshme dhe të qëllimshme për t’i sjellë parimet e ungjillit në jetën dhe shtëpitë tona.
-
Të jemi të gatshëm ta pranojmë një thirrje dhe të shërbejmë në Kishë. Shërbimi në bashkësitë tona vendore na lejon ta përkrahim njëri‑tjetrin dhe të rritemi së bashku. Ndërkohë që shërbimi nuk është gjithmonë i volitshëm, ai është gjithmonë shpërblyes.
-
Së fundi, t’i përdorim mjetet digjitale të komunikimit me qëllim. Sot, mjetet digjitale të komunikimit na lejojnë të lidhemi si kurrë më parë. Ashtu si shumica prej jush, edhe unë i përdor këto mjete për t’u lidhur me vëllezërit dhe motrat në Kishë dhe me familjen e miqtë. Ndërsa lidhem me ta, ndihem më afër tyre; ne mund t’i japim shërbesë njëri-tjetrit në kohë nevoje kur nuk mund të jemi fizikisht të pranishëm. Këto mjete janë padyshim një bekim, megjithatë mund edhe të na largojnë nga thellësia e ndërveprimeve kuptimplota dhe përfundimisht, të na tërheqin në zakone që e harxhojnë kohën tonë me aktivitete më pak të qëllimshme. Të përpjekurit fort për të qenë kripa e tokës përfshin shumë më tepër se të parit e pafund të materialeve filmike në një ekran prej pesëmbëdhjetë centimetrash.
Ndërsa e mbajmë shtëpinë e Zotit në qendër të jetës sonë, i forcojmë qëllimisht të tjerët duke e jetuar ungjillin, i pranojmë thirrjet për të shërbyer dhe i përdorim me qëllim mjetet digjitale, ne mund ta ruajmë gjallërinë tonë shpirtërore. Ashtu si kripa që në formën e saj më të pastër ka fuqinë të përmirësojë dhe të ruajë, po ashtu na bën besimi ynë te Jezu Krishti, kur ai ushqehet dhe mbrohet nga përkushtimi ynë ndaj shërbimit dhe dashurisë si të Krishtit.
Teksa qëndrojmë të lidhur me Zotin, jeta jonë do të pasqyrojë natyrshëm dritën e Tij dhe ne do të bëhemi kripa e tokës. Në këtë përpjekje, jo vetëm që pasurojmë jetën tonë, por forcojmë familjet dhe komunitetet tona gjithashtu. U përpjekshim për ta ruajtur këtë lidhje me Zotin, mos e humbshim asnjëherë shijen tonë, dhe qofshim ato kristalet e imta e të vogla të kripës që Zoti do që të jemi! Në emrin e Jezu Krishtit, amen.