Konferenca e Përgjithshme
“Ju Jeni Miqtë e Mi”
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2024


10:49

“Ju Jeni Miqtë e Mi”

Deklarata e Shpëtimtarit “ju jeni miqtë e mi” është një thirrje trumbetuese për të ndërtuar marrëdhënie më të larta dhe më të shenjta mes gjithë fëmijëve të Perëndisë.

Në një botë të mbushur me grindje dhe përçarje, ku ligjërimi civil është zëvendësuar me gjykimin e përbuzjen dhe miqësitë përcaktohen nga botëkuptime dhe ideologji të ngjashme, kam arritur të di se ekziston një shembull i qartë, i thjeshtë dhe hyjnor tek i cili mund ta shohim bashkimin, dashurinë dhe përkatësinë. Ai shembull është Jezu Krishti. Dëshmoj se Ai është bashkuesi i madh.

Ne Jemi Miqtë e Tij

Në dhjetor të vitit 1832, ndërsa “pamjet e trazirave midis kombeve” po bëheshin “më të dukshme” në krahasim me çdo kohë tjetër që nga organizimi i Kishës, udhëheqësit e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme në Kirtland të Ohajos u mblodhën për një konferencë. Ata iu lutën “Zotit veçan dhe me zë për t’u zbuluar atyre vullnetin e tij”. Si pranim i lutjeve të këtyre anëtarëve besnikë gjatë kohëve të shqetësimit të madh, Zoti i ngushëlloi ata, duke iu drejtuar shenjtorëve tri herë me dy fjalë të fuqishme: “miqtë e mi”.

Jezu Krishti i ka quajtur prej kohësh miq ndjekësit e Tij besnikë. Katërmbëdhjetë herë te Doktrina e Besëlidhje, Shpëtimtari përdor termin mik për të përkufizuar një marrëdhënie të shenjtë dhe të dashur. Nuk po flas për fjalën mik siç e përkufizon bota, në varësi të ndjekësve në rrjetet sociale apo “pëlqimeve”. Ajo fjalë nuk mund të paraqitet nga një thurje [hashtag] apo nga një numër ndjekësish në Instagram ose në platformën X.

Pa dyshim, kur isha adoleshent, më kujtohen bisedat të cilave iu druhesha kur dëgjoja ato fjalë të dhembshme nga vajzat që më pëlqenin: “Ej, a mund të jemi thjesht miq?” ose “Le të mbetemi thjesht miq”. Askund në shkrimin e shenjtë nuk e dëgjojmë Atë të thotë: “Ju jeni thjesht miqtë e mi”. Përkundrazi, Ai dha mësim se “askush s’ka dashuri më të madhe nga kjo: të japë jetën e vet për miqtë e tij”. Dhe “ju jeni ata që Ati im m’i ka dhënë; ju jeni miqtë e mi”.

Ndjenja është e qartë: Shpëtimtari është në dijeni për secilin prej nesh dhe na vëzhgon. Ky kujdes i vëmendshëm nuk është i parëndësishëm ose i papërfillshëm. Përkundrazi, ai është ekzaltues, lartësues dhe i përjetshëm. Deklaratën e Shpëtimtarit “ju jeni miqtë e mi” e shoh si një thirrje trumbetuese për të ndërtuar marrëdhënie më të larta dhe më të shenjta mes gjithë fëmijëve të Perëndisë “që ne të mund të jemi një”. Ne e bëjmë këtë ndërsa mblidhemi së bashku duke kërkuar mundësi për t’u bashkuar si dhe një ndjesi përkatësie për të gjithë.

Ne Jemi Një në Të

Shpëtimtari e demonstroi bukur këtë gjë në thirrjen e Tij: “Eja e më ndiq”. Ai u mbështet te dhuntitë dhe cilësitë individuale të një grupi të ndryshëm ndjekësish për të thirrur Apostujt e Tij. Ai thirri peshkatarë, zelota, vëllezër të njohur për personalitetin e tyre si bubullimë, madje edhe një tagrambledhës. Besimi i tyre te Shpëtimtari dhe dëshira për t’u afruar tek Ai, i bashkoi ata. Ata e vështruan, panë Perëndinë përmes Tij dhe “i lanë menjëherë rrjetat dhe e ndoqën”.

Edhe unë kam parë se si krijimi i marrëdhënieve më të larta e më të shenjta na bashkon në një. Bashkëshortja ime, Xheniferi, dhe unë u bekuam t’i rritnim të pesë fëmijët tanë në qytetin e Nju‑Jorkut. Atje, në atë metropol të ngarkuar, ne krijuam marrëdhënie të çmuara dhe të shenjta me fqinjët, miqtë nga shkolla, bashkëpunëtorët në sipërmarrje, udhëheqësit në besim dhe bashkëshenjtorët.

Në maj të vitit 2020, pikërisht kur bota po përballej me përhapjen e një pandemie botërore, anëtarët e Komisionit të Udhëheqësve Fetarë të Qytetit të Nju‑Jorkut u mblodhën nëpërmjet internetit në një mbledhje të thirrur papritmas. Nuk kishte rend dite. Asnjë të ftuar të veçantë. Vetëm një kërkesë për t’u mbledhur së bashku dhe për të diskutuar mbi sfidat me të cilat ne të gjithë po përballeshim si udhëheqës besimesh fetare. Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve sapo kishte raportuar se qyteti ynë ishte epiqendra e pandemisë nga virusi COVID‑19 në Shtetet e Bashkuara. Kjo nënkuptonte se nuk do të kishte më grumbullime. Nuk mund të bëheshim më bashkë.

Për këta udhëheqës fetarë, heqja e shërbesës vetjake, e grumbullimit si bashkësi dhe e adhurimit javor ishte një goditje shkatërruese. Grupi ynë i vogël, i cili përfshinte një kardinal, një të përnderuar, një rabi, një imam, një pastor, një monsinjor dhe një plak, e dëgjoi, e ngushëlloi dhe e përkrahu njëri‑tjetrin. Në vend që të përqendroheshim te ndryshimet tona, ne pamë atë që kishim të përbashkët. Folëm për mundësitë dhe më pas gjasat. U mblodhëm dhe iu përgjigjëm pyetjeve rreth besimit dhe së ardhmes. Më pas u lutëm. O, me sa zjarr u lutëm.

Në një qytet tejet të larmishëm, të mbushur me ndërlikime dhe kultura që përplasen, pamë që ndryshimet tona u davaritën ndërsa u bashkuam si miq me një zë, një qëllim dhe një lutje të vetme.

Nuk po e vështronim më njëri-tjetrin nga ana e kundërt e tryezës, por po vështronim së bashku drejt qiellit. Nga çdo mbledhje pasuese, ne u larguam më të bashkuar dhe të gatshëm për të marrë “lopatat” në dorë e për t’iu futur punës. Bashkëpunimi që pasoi dhe shërbimi që iu dha mijëra njujorkezëve, më mësoi se në një botë që kërkon përçarje, largësi dhe mospërfshirje, ka gjithmonë shumë më tepër gjëra që na bashkojnë sesa që na ndajnë. Shpëtimtari u përgjërua: “Jini një; dhe nëse nuk jeni një, nuk jeni të mitë”.

Vëllezër dhe motra, ne duhet të ndalojmë së kërkuari arsye për t’u përçarë dhe të kërkojmë mundësi për të “[qenë] një”. Ai na ka bekuar me dhunti dhe cilësi të pashoqe që na ftojnë të mësojmë nga njëri‑tjetri dhe të rritemi nga ana vetjake. U thosha shpesh studentëve të mi se, në qoftë se unë bëj atë që bëni ju dhe ju bëni atë që bëj unë, ne nuk kemi nevojë për njëri‑tjetrin. Por për shkak se ju nuk bëni atë që bëj unë dhe unë nuk bëj atë që bëni ju, kemi nevojë për njëri‑tjetrin. Kjo nevojë na bën bashkë. Përçarja dhe sundimi është plani i kundërshtarit për të shkatërruar miqësitë, familjet dhe besimin. Është Shpëtimtari Ai që bashkon.

Ne i Përkasim Atij

Një nga bekimet e premtuara të “bërjes një” është një ndjesi e fuqishme e përkatësisë. Plaku Kuentin L. Kuk dha mësim se “thelbi i përkatësisë me të vërtetë, është që të jemi një me Krishtin”.

Në një vizitë të fundit me familjen time në Ganë, shteti i Afrikës Perëndimore, u dashurova me një zakon vendas. Me të mbërritur në një kishë ose në shtëpi, na përshëndetnin me fjalët “Mirë se vini”. Kur shërbehej ushqimi, i zoti i shtëpisë shpallte: “Jeni të ftuar”. Këto përshëndetje të thjeshta bëheshin me qëllim dhe dashje. Mirë se vini! Jeni të ftuar.

Ne vendosim deklarata të ngjashme të shenjta në dyert e shtëpive tona të mbledhjeve. Por shenja “Mirë se Vini Vizitorë” nuk mjafton. A i mirëpresim ngrohtë të gjithë ata që hyjnë përmes dyerve? Vëllezër dhe motra, nuk mjafton vetëm të ulemi nëpër stola. Ne duhet t’ia vëmë veshin thirrjes së Shpëtimtarit për të krijuar marrëdhënie më të larta dhe më të shenjta me të gjithë fëmijët e Perëndisë. Duhet ta jetojmë besimin tonë! Babai im më kujtonte shpesh se ulja në një stol të dielën mund të të bëjë një të krishterë të mirë po aq sa fjetja në një garazh mund të të kthejë në një makinë.

Ne duhet ta jetojmë jetën në mënyrë që bota të mos na shohë ne, por të shohë Atë nëpërmjet nesh. Kjo nuk ndodh vetëm të dielave. Ndodh në dyqanin e ushqimeve, në një pikë karburanti, në mbledhjen e shkollës, mbledhjen e lagjes së banimit, në të gjitha vendet ku punojnë dhe jetojnë anëtarët e pagëzuar dhe të papagëzuar të familjes sonë.

Unë adhuroj të dielave si një kujtesë se kemi nevojë për njëri‑tjetrin dhe së bashku kemi nevojë për Të. Dhuntitë dhe talentet tona të pashoqe që na dallojnë në një botë laike, na bashkojnë në një hapësirë të shenjtë. Shpëtimtari na ka bërë thirrje që ta ndihmojmë njëri‑tjetrin, ta lartësojmë moralisht njëri‑tjetrin dhe ta udhëzojmë njëri‑tjetrin. Kështu bëri Ai kur shëroi gruan me fluks gjaku, kur pastroi lebrosin që u përgjërua për mëshirën e Tij, kur këshilloi të riun pasanik, i cili e pyeti se çfarë mund të bënte më tepër, kur e deshi Nikodemin që e dinte se kush qe Ai, por u lëkund në besim, dhe kur u ul me gruan te pusi, gjë e cila nuk i përshtatej zakonit të kohës, por së cilës Ai i shpalli misionin e Tij si Mesia. Kjo për mua është kisha, një vend grumbullimi dhe shërimi, ndreqjeje dhe ripërqendrimi. Siç na ka mësuar Presidenti Rasëll M. Nelson: “Rrjeta e ungjillit është rrjeta më e gjerë në botë. Perëndia i fton të gjithë që të vijnë tek Ai. … Ka vend për çdo njeri.”

Disa prej jush mund të kenë pasur përvoja që ju bëjnë të ndieni se nuk keni përkatësi. Mesazhi i Shpëtimtarit për ju dhe mua është i njëjtë: “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje”. Ungjilli i Jezu Krishtit është vendi i përkryer për ne. Ardhja në kishë ofron shpresën për ditë më të mira, premtimin se nuk jeni vetëm dhe na ofron një familje që ka nevojë për ne po aq sa kemi ne nevojë për të. Plaku D. Tod Kristoferson, pohon se “të qenit një me Atin, Birin dhe Shpirtin e Shenjtë është pa dyshim lloji më i mirë i përkatësisë”. Kujtdo që është larguar dhe po kërkon një mundësi për t’u kthyer, unë i ofroj një të vërtetë të përjetshme dhe ftesë: Ju përkisni. Kthehuni. Kjo është koha.

Në një botë plot grindje dhe të përçarë, unë dëshmoj se Shpëtimtari Jezu Krisht është bashkuesi i madh. E ftoj secilin prej nesh që të jetë i denjë për ftesën e Shpëtimtarit që të “j[em]i një” dhe për të shpallur me guxim siç bëri Ai: “Ju jeni miqtë e mi”. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.