Mirëbesimi tek Ati Ynë
Perëndia na mirëbeson që të marrim shumë vendime të rëndësishme dhe, në të gjitha çështjet, Ai na kërkon që të mirëbesojmë tek Ai.
Më 1 qershor 1843, Edison Prati u largua nga Navuja në Ilinois, për të predikuar ungjillin në ishujt e Havait, duke lënë bashkëshorten e tij, Luiza Barns Pratin, që të kujdesej për fëmijët e tyre të vegjël.
Në Navu, teksa përndjekjet u shtuan duke i detyruar shenjtorët të largoheshin, dhe më vonë në Lagjet Dimërore teksa ata përgatiteshin për t’u shpërngulur drejt Luginës së Solt‑Lejkut, Luiza u përball me vendimin a ta bënte apo jo udhëtimin. Do të kishte qenë më e lehtë të qëndronte e të priste Edisonin që të kthehej sesa të udhëtonte e vetme.
Në të dyja rastet, ajo kërkoi udhërrëfim nga profeti, Brigam Jangu, i cili e nxiti që të shkonte. Pavarësisht nga vështirësia e madhe dhe ngurrimi i saj vetjak, ajo e bëri me sukses udhëtimin në secilin rast.
Fillimisht, Luiza gjeti pak gëzim gjatë udhëtimit. Gjithsesi, shpejt filloi të mirëpriste barin e gjelbër të stepave, lulet e egra shumëngjyrëshe dhe ngastrat e vogla të tokës përgjatë brigjeve të lumenjve. “Zymtia në mendjen time u largua dalëngadalë”, – shënoi ajo, – “dhe nuk kishte një grua më gazmore në të gjithë kompaninë.”
Historia e Luizës më ka frymëzuar thellësisht. E admiroj gatishmërinë e saj për të lënë mënjanë parapëlqimet e saj vetjake, aftësinë e saj për t’i mirëbesuar Perëndisë dhe mënyrën se si e ushtroi besimin për ta ndihmuar që ta shihte ndryshe gjendjen.
Ajo më ka kujtuar se kemi një Atë të dashur në Qiell, i cili kujdeset për ne kudo ku jemi, dhe se mund t’i mirëbesojmë Atij më shumë sesa ndonjë njeriu ose gjëje tjetër.
Burimi i së Vërtetës
Perëndia na mirëbeson që të marrim shumë vendime të rëndësishme dhe, në të gjitha çështjet, Ai na kërkon që të mirëbesojmë tek Ai. Kjo është veçanërisht e vështirë kur gjykimi ynë ose opinioni publik ndryshojnë nga vullneti i Tij për fëmijët e Tij.
Disa njerëz sugjerojnë se duhet ta ndryshojmë përkufizimin e asaj që është e drejtë dhe asaj që është e gabuar, sepse thonë që e vërteta është relative, realitetin e përcaktojmë vetë, ose që Perëndia është aq zemërgjerë sa Ai faktikisht nuk e vret mendjen për atë që bëjmë ne.
Teksa përpiqemi ta kuptojmë dhe pranojmë vullnetin e Perëndisë, është e dobishme të kujtojmë se kufijtë midis së drejtës dhe së gabuarës nuk na takon t’i përcaktojmë ne. Perëndia i ka vendosur Vetë këta kufij, nisur nga të vërteta të përjetshme për përfitimin dhe bekimin tonë.
Dëshira për t’i ndryshuar të vërtetat e përjetshme të Perëndisë ka një histori të gjatë. E ka zanafillën që përpara se të fillonte bota, kur Satani ngriti krye kundër planit të Perëndisë, duke kërkuar me egoizëm që të shkatërronte lirinë e zgjedhjes së njerëzve. Duke ndjekur këtë model, njerëz si Sheremi, Nehori dhe Korihori kanë argumentuar se besimi është marrëzi, zbulesa është e pavend dhe çfarëdo që dëshirojmë të bëjmë, është e drejtë. Për fat të keq, kaq shumë shpesh, këto shtrembërime të së vërtetës së Perëndisë kanë çuar në hidhërim të madh.
Ndërkohë që disa gjëra mund të varen nga konteksti, nuk varet gjithçka nga konteksti. Presidenti Rasëll M. Nelson ka dhënë vazhdimisht mësim se të vërtetat shpëtuese të Perëndisë janë absolute, të pavarura dhe të përcaktuara nga Vetë Perëndia.
Zgjedhja Jonë
Vendimi se kujt zgjedhim t’i mirëbesojmë është një nga vendimet më të rëndësishme të jetës. Mbreti Beniamin e udhëzoi popullin e vet: “Besoni në Perëndinë; besoni se ai është … ; besoni se ai ka të gjithë diturinë … ; besoni se njeriu nuk i kupton të gjitha gjërat që Zoti mund të kuptojë”.
Për fat të mirë, ne kemi shkrimet e shenjta dhe udhërrëfimin nga profetët e gjallë për të na ndihmuar që ta kuptojmë të vërtetën e Perëndisë. Nëse nevojitet sqarim përtej asaj që kemi, Perëndia na e jep nëpërmjet profetëve të Tij. Ai do t’u përgjigjet lutjeve tona të sinqerta nëpërmjet Frymës së Shenjtë teksa përpiqemi t’i kuptojmë të vërtetat që ende nuk i vlerësojmë plotësisht.
Plaku Nil L. Andersen dikur dha mësim se nuk duhet të habitemi “nëse me raste pikëpamjet [tona] vetjake fillimisht nuk janë në harmoni me mësimet e profetit të Zotit. Këto janë çaste mësimi”, – tha ai, – “përuljeje, kur ne biem në gjunjë për lutje. Ne ecim përpara me besim, duke mirëbesuar te Perëndia, duke e ditur se me kohën, do të marrim më shumë qartësi shpirtërore nga Ati ynë Qiellor.”
Në çdo kohë, është e dobishme të sjellim ndërmend mësimin e Almës se Perëndia e jep fjalën e Tij në përputhje me vëmendjen dhe përpjekjen që i përkushtojmë asaj. Kur ia vëmë veshin fjalës së Perëndisë, do të marrim më shumë; nëse e shpërfillim këshillën e Tij, do të marrim gjithnjë e më pak derisa të mos kemi asnjë. Kjo humbje e njohurisë nuk do të thotë se e vërteta ishte e gabuar; përkundrazi, tregon se e kemi humbur aftësinë për ta kuptuar atë.
Shihni te Shpëtimtari
Në Kapernaum, Shpëtimtari dha mësim rreth identitetit dhe misionit të Tij. Shumë njerëzve iu dukën të vështira për veshin fjalët e Tij, gjë që i bëri t’ia kthenin shpinën dhe ata “nuk shkuan më me të”.
Përse u larguan ata?
Ngaqë nuk iu pëlqeu ajo që tha Ai. Pra, duke mirëbesuar te gjykimi i tyre vetjak, ata u larguan, duke i mohuar vetes bekime që do t’u kishin ardhur po të kishin qëndruar.
Është e lehtë që krenaria jonë të bëhet pengesë midis nesh dhe së vërtetës së përjetshme. Kur nuk kuptojmë, mund të ndalemi, t’i lëmë ndjenjat tona të qetësohen dhe më pas të zgjedhim se si të reagojmë. Shpëtimtari na nxiti që të “sh[ohim] tek [Ai] në çdo mendim; [të] mos dysho[jmë], [të] mos k[emi] frikë”. Kur përqendrohemi te Shpëtimtari, besimi ynë mund të fillojë t’i mposhtë shqetësimet tona.
Siç na nxiti Presidenti Diter F. Uhtdorf që të bëjmë: “Ju lutem, së pari kini dyshim te dyshimet tuaja përpara se të keni dyshim te besimi juaj. Ne kurrë nuk duhet ta lejojmë dyshimin që të na mbajë të burgosur dhe të na largojë nga dashuria hyjnore, paqja dhe dhuratat që vijnë nëpërmjet besimit te Zoti Jezu Krisht.”
Bekime u Vijnë Atyre që Qëndrojnë
Kur dishepujt u larguan nga Shpëtimtari atë ditë, Ai atëherë i pyeti Të Dymbëdhjetët: “A doni edhe ju të largoheni?”
Pjetri u përgjigj:
“Zot, te kush të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përjetshme.
Ne kemi besuar dhe kemi njohur se ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë.”
Tani, apostujt jetuan në të njëjtën botë dhe u përballën me të njëjtat trysni shoqërore sikurse dishepujt që u larguan. Sidoqoftë, në atë çast, ata zgjodhën besimin e tyre dhe i mirëbesuan Perëndisë, duke i ruajtur kështu bekimet që Perëndia ua jep atyre që qëndrojnë.
Ndoshta ju, sikurse unë, nganjëherë e gjeni veten në të dyja anët e këtij vendimi. Kur e kemi të vështirë që ta kuptojmë ose përqafojmë vullnetin e Perëndisë, është ngushëlluese të kujtojmë se Ai na do siç jemi, kudo që jemi. Ai ka diçka më të mirë për ne. Nëse kërkojmë ndihmë prej Tij, Ai do të na e ofrojë.
Edhe kur shtrirja e dorës drejt Tij mund të jetë e vështirë, po ashtu si babait i cili kërkoi shërim për të birin, iu tha nga Shpëtimtari: “Çdo gjë është e mundshme për atë që beson”. Në çastet tona të vështirësisë, edhe ne mund të thërrasim: “Ndihmo mosbesimin tim”.
Nënshtrimi i Vullnetit Tonë ndaj Vullnetit të Tij
Plaku Nil A. Maksuell dikur dha mësim se “nënshtrimi i vullnetit personal është me të vërtetë e vetmja gjë vetjake, e pashoqe, që duhet të vendosim mbi altarin e Perëndisë”. S’është e habitshme pse mbreti Beniamin kishte kaq shumë dëshirë që populli i tij të bëhej “si një fëmijë, i nënshtruar, i bindur, i përulur, i duruar, plot me dashuri, i gatshëm t’u nënshtrohet të gjitha gjërave që Zoti i sheh të përshtatshme të shkaktojë mbi të, madje sikurse një fëmijë i nënshtrohet atit të tij”.
Si gjithmonë, Shpëtimtari dha shembullin e përsosur për ne. Me një zemër të rënduar dhe duke e ditur punën e dhembshme që duhej të bënte, Ai iu nënshtrua vullnetit të Atit të Tij, duke përmbushur misionin e Tij mesianik dhe duke çelur premtimin e përjetësisë për ju dhe për mua.
Zgjedhja për t’ia nënshtruar vullnetin tonë atij të Perëndisë, është një veprim besimi që ndodhet në thelb të dishepullimit tonë. Duke bërë atë zgjedhje, ne zbulojmë se nuk pakësohet liria jonë e zgjedhjes; përkundrazi, ajo zmadhohet dhe shpërblehet nga prania e Frymës së Shenjtë, që sjell qëllim, gëzim, paqe dhe shpresë që nuk mund t’i gjejmë askund tjetër.
Disa muaj më parë, unë dhe një president kunji vizituam një motër në kunjin e tij dhe birin e saj të ri në moshë madhore. Pasi ishte larguar nga Kisha për vite të tëra, duke u endur nëpër shtigje të vështira dhe jomiqësore, ajo ishte rikthyer. Gjatë vizitës sonë e pyetëm se përse ishte rikthyer.
“E kisha bërë jetën lëmsh”, – tha ajo, – “dhe e dija se ku duhej të isha.”
Më pas e pyeta se çfarë kishte mësuar përgjatë rrugëtimit të saj.
Me njëfarë emocioni, tregoi se kishte mësuar që i nevojitej të frekuentonte kishën për aq kohë sa duhej për ta thyer zakonin e mosardhjes dhe që i nevojitej të qëndronte derisa të ishte vendi ku të dëshironte të ishte. Rikthimi i saj nuk ishte i lehtë, por teksa ushtronte besim në planin e Atit, ajo e ndjeu rikthimin e Shpirtit.
Dhe më pas ajo shtoi: “Kam mësuar vetë se Perëndia është i mirë dhe se udhët e Tij janë më të mira se të miat”.
Jap dëshmi për Perëndinë, Atin tonë të Përjetshëm, i cili na do; për Birin e Tij, Jezu Krishtin, i cili na shpëtoi. Ata i dinë lëndimet dhe sfidat tona. Ata nuk do të na braktisin kurrë dhe e dinë përsosurisht se si të na ndihmojnë. Ne mund të marrim zemër teksa u mirëbesojmë Atyre më shumë sesa ndonjë njeriu ose gjëje tjetër. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.