Fjalët e Krishtit dhe Fryma e Shenjtë do të na Prijnë tek e Vërteta
Njohuria për këtë plan të jashtëzakonshëm do të na ndihmojë të dimë që jemi fëmijë të Perëndisë dhe mund të bëhemi si Ai.
Perëndia është Ati ynë në Qiell. Ne jemi fëmijët e Tij shpirtërorë dhe jemi krijuar sipas shëmbëlltyrës së Tij. Prandaj, secili prej nesh, si fëmijë i Perëndisë, ka një potencial hyjnor për t’u bërë si Ai.
Ne jetuam me Të si shpirtra përpara se të vinim në këtë tokë. Ati Qiellor, si prindi ynë shpirtëror, na do, dëshiron më të mirën për ne dhe përgatiti një plan që ne të marrim bekimet e Tij më të mëdha, të cilat janë pavdekësia dhe jeta e përjetshme. Sipas planit, neve, si fëmijë shpirtërorë, do të na jepej liria e zgjedhjes për ta zgjedhur planin e Tij. Duke ardhur në tokë, ne do të largoheshim nga prania e Perëndisë, do ta harronim jetën para lindjes, do të merrnim trupa prej mishi e kockash, do të fitonim përvojë vetjake dhe do të zhvillonim besimin. Me trupin prej mishi e kockash, si njerëz të natyrshëm, do t’i nënshtroheshim tundimit, të bëheshim të papastër e të largët nga Perëndia dhe nuk do të ishim në gjendje të ktheheshim në praninë e Tij të shenjtë. Prej dashurisë së pafundme të Atit Qiellor për ne, Ai dërgoi Birin e Tij të Parëlindur, Jezu Krishtin, që të ishte Shpëtimtari ynë. Nëpërmjet flijimit të Tij, Shlyerjes, Jezu Krishti bëri të mundur që ne të shëlboheshim nga mëkatet dhe të ringjalleshim e të merrnim jetën e përjetshme.
Jam tejet mirënjohës për këto të vërteta të lavdishme, atë që e quajmë planin e Atit për shpëtimin, planin e Tij të mëshirës ose planin e Tij të madh për lumturinë. Të mësuarit e këtyre të vërtetave të rëndësishme më ka ndihmuar ta di identitetin tim të vërtetë dhe bekimet e mëdha të ekzaltimit dhe jetës së përjetshme që Perëndia ka përgatitur për ne. Profeti Nefi na e mësoi mënyrën: “Prandaj, … ushqehuni me bollëk me fjalët e Krishtit; pasi, vini re, fjalët e Krishtit do t’ju tregojnë të gjitha gjërat që ju duhet të bëni”. Ai shtoi: “Në qoftë se ju do të hyni nëpërmjet udhës dhe do të merrni Frymën e Shenjtë, ai do t’ju tregojë të gjitha gjërat që duhet të bëni”. Sot, do të doja të tregoja se si më kanë ndihmuar fjalët e Krishtit dhe Fryma e Shenjtë që t’i gjej këto të vërteta paqedhënëse të rëndësishme në vitet e adoleshencës.
Fjalët e Krishtit do t’ju Tregojnë të Gjitha Gjërat që Ju Duhet të Bëni
Sikurse e pohoi Nefi në vargun që hap librin te 1 Nefi, edhe unë u “lind[a] nga prindër të mirë”. U rrita në Nagano të Japonisë, në një shtëpi ku ndershmëria, zelli dhe përulësia nxiteshin fuqimisht dhe ku zbatohej në mënyrë të prerë bindja ndaj zakoneve të vjetra. Im atë ishte shumë fetar. E shihja të lutej përpara altarëve të besimit shinto dhe budist çdo mëngjes dhe çdo natë. Megjithëse nuk e kisha farë idenë se kujt po i lutej dhe për çfarë po lutej, besoja se një lloj fuqie e padukshme ose Perëndia do të ishte “i fuqishëm të [na] shpëto[nte]” ose të na ndihmonte po të luteshim sinqerisht.
Si adoleshentët e tjerë, përjetova shumë vështirësi. Mundohesha nga mendimi se jeta ishte e padrejtë dhe kishte shumë ulje‑ngritje. Ndihesha i humbur, pa pasur një ndjesi orientimi në jetë. Jeta dukej aq fluturake sepse do të mbaronte kur të vdisja. Jeta, pa e ditur planin e shpëtimit, qe pështjelluese.
Jo shumë kohë pasi nisa të mësoja gjuhën angleze në nëntëvjeçare, të gjithë nxënësit e shkollës sonë morën një kopje të Dhiatës së Re. Ndonëse sapo e kishim filluar studimin e anglishtes, mësuesi na tha se duhej ta studionim gjuhën angleze duke e lexuar atë. E hapa dhe shqyrtova përmbajtjen e saj. Fjalët në Dhiatën e Re qenë tejet të vështira për mua. Fjalët në gjuhën japoneze qenë po aq të vështira. Sidoqoftë, më tërhoqi një listë thëniesh dhe pyetjesh të shpirtit që qe përfshirë pikërisht para tekstit biblik në Biblën e organizatës Gideon, pyetje rreth të ndierit të vetmuar, mungesës së vetëbesimit, të qenit të pështjelluar, përballimit me sprovat e jetës e kështu me radhë. Secili zë në listë ndiqej nga një referencë për te disa vargje dhe faqe në Dhiatën e Re. Më tërhoqi veçanërisht thënia: “Kur të jesh i/e rraskapitur”. Referenca më shtyu të hapja vargjet te Mateu 11:28–30, tek të cilat Jezusi u tha dishepujve:
“Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje.
Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj.
Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë!”
Kjo ishte hera e parë që mbaj mend t’i kem lexuar fjalët e Jezu Krishtit. Megjithëse nuk i kuptoja të gjitha fjalët e thëna prej Tij, fjalët e Tij më ngushëlluan, më lartësuan shpirtërisht dhe më dhanë shpresë. Sa më shumë i lexoja fjalët e Tij, aq më shumë ndieja se duhej ta provoja virtytin e fjalëve të Tij. Nuk isha ndier kurrë si atë ditë. Ndjeva se më donte. Ndjeva se Jezu Krishti ishte dikush që njihja.
Teksa vazhdova studimin, u ndjeva sikur Ai po më fliste drejtpërsëdrejti mua kur tha: “Lum ata që janë të uritur dhe të etur për drejtësi, sepse ata do të ngopen”.
Fjalët e Tij ma mbushën zemrën edhe pse nuk mund t’i përshkruaja mirë ndjenjat në atë kohë. Megjithëse Jezu Krishti jetoi shumë shekuj më parë, në një vend të panjohur për mua, mendova se mund t’u mirëbesoja fjalëve të Tij me gjithë zemër. Shpresoja që një ditë në të ardhmen, të mund të mësoja më shumë rreth Jezu Krishtit.
Fryma e Shenjtë do t’ju Tregojë të Gjitha Gjërat që Ju Duhet të Bëni
Ajo një ditë erdhi vetëm pak vite më vonë. Njoha misionarët kohëplotë të rinj në moshë, shumë të përkushtuar të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Shpejt njoha një grup të vogël shenjtorësh dashamirës e buzagaz të ditëve të mëvonshme, që përpiqeshin fort ta ndiqnin Jezu Krishtin. Pavarësisht se m’u desh ca kohë që t’u mirëbesoja plotësisht, arrita të shihja në ungjillin e rivendosur atë që ma donte shpirti kur studiova Dhiatën e Re – fjalët e Jezu Krishtit dhe shpresën e paqen që vijnë prej tyre.
Një përvojë veçanërisht e shenjtë qe kur misionarët më mësuan të lutesha. Mësova se duhej t’i drejtoheshim Perëndisë në emër. Kur lutemi, duhet të flasim nga zemra, të shprehim mirënjohjen tonë dhe të tregojmë shpresat e dëshirat tona. Pasi të kemi thënë gjithçka që duam të themi, e mbyllim lutjen duke thënë: “Në emrin e Jezu Krishtit, amen”. Ne e bëjmë këtë sepse Jezusi na urdhëroi të lutemi në emrin e Tij. Lutjet ndaj Atit Qiellor më ndihmuan ta dija se kush ishte Ai dhe të dija marrëdhënien time me Të – që isha biri i Tij i dashur shpirtëror. Mësova se, ngaqë Ati Qiellor më njeh e më do, Ai do të më fliste në mënyrë vetjake e të pashoqe dhe në mënyra që do t’i kuptoja vetëm nëpërmjet Frymës së Shenjtë.
Pati një periudhë kur nuk mundesha vërtet ta dalloja Frymën e Shenjtë. E keqkuptoja duke menduar se gjithë çfarë duhej të bëja, ishte të ndiqja hapat e lutjes dhe do të ndodhte diçka dramatike. Një ditë, gjatë një mësimi me misionarët, dola nga mësimi për të bërë një pushim. Isha ende i pështjelluar në lidhje me atë që duhej të bëja me jetën time nëse ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit ishte njëmend i vërtetë.
Ndërsa po kthehesha në dhomën ku po prisnin misionarët, dëgjova zërin e njërit prej misionarëve. Dëgjova emrin tim. Në vend që ta hapja derën, dëgjova zërin nga ana tjetër e derës. U shtanga. Ata thjesht po i luteshin Atit Qiellor. Ai që po bënte lutjen, po i përgjërohej Perëndisë që të dëgjonte lutjen time. Ndonëse nuk e fliste rrjedhshëm gjuhën japoneze, të dëgjuarit e lutjes së tij të sinqertë ma zbuti zemrën. Vrisja mendjen pse ata interesoheshin aq shumë për mua. Më pas e kuptova se lutja e tyre në emrin tim qe një pasqyrim i dashurisë së Atit Qiellor dhe Shpëtimtarit kundrejt meje. Ajo dashuri më dha shpresë dhe, paskëtaj, e pyeta vërtet Perëndinë me besim dhe qëllim të vërtetë. Kur e bëra, pata një ndjesi të gëzueshme e paqësore që isha njëmend një fëmijë i Perëndisë dhe se kisha një potencial e vendmbërritje hyjnore. Plani i shpëtimit m’u zhyt thellë në zemër.
Presidenti Rasëll M. Nelson ka thënë: “Mënyra se si mendoni rreth asaj se kush jeni vërtet, ndikon … në çdo vendim që do të merrni ndonjëherë”. Sa e vërtetë është kjo për mua! Vendimi për ta ndjekur Shpëtimtarin, Jezu Krishtin, duke u pagëzuar dhe duke marrë dhuratën e Frymës së Shenjtë ma bekoi jetën më shumë nga sa e kisha përfytyruar ndonjëherë. Ndërsa hyjmë në besëlidhjen e pagëzimit me Perëndinë, ne premtojmë se jemi të gatshëm të marrim mbi vete emrin e Jezu Krishtit, të zbatojmë urdhërimet e Perëndisë dhe t’i shërbejmë Atij gjatë gjithë pjesës së mbetur të jetës. Ati ynë Qiellor, në këmbim, na premton se mund ta kemi gjithmonë Shpirtin e Tij me vete, udhërrëfimin e vazhdueshëm nga Fryma e Shenjtë.
Ju ftoj të keni besim te mesazhi që na mësoi Nefi se fjalët e Krishtit dhe Fryma e Shenjtë do t’ju drejtojnë tek “të gjitha gjërat që duhet të bëni”. Të gjitha! Kjo është një dhuratë e jashtëzakonshme nga Perëndia.
Vëllezër e motra, jam mirënjohës për planin e Atit tonë Qiellor për shpëtimin. Ngaqë na do, Ai përgatiti udhën që të kthehemi në praninë e Tij nëpërmjet Birit të Tij të Vetëmlindur, Jezu Krishtit. Njohuria për këtë plan të jashtëzakonshëm do të na ndihmojë të dimë që jemi fëmijë të Perëndisë dhe mund të bëhemi si Ai. Jam mirënjohës për këtë të vërtetë të rëndësishme. Ju jap dëshminë time se fjalët e Jezu Krishtit dhe Fryma e Shenjtë do të na prijnë për të marrë jetën e përjetshme. E di që këto gjëra janë të vërteta. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.