Konferenca e Përgjithshme
Bëhu i Pastër
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2024


9:43

Bëhu i Pastër

Pendimi i përditshëm na lejon të dallojmë udhërrëfimin e Zotit nëpërmjet Frymës së Shenjtë.

Kur isha diku te pesë vjeç, po luaja futboll me miqtë prapa kishës, në fshatin tim të vogël në Bregun e Fildishtë. Më kujtohet si tani thirrja e predikuesit drejtuar bashkësisë së tij për të pastruar rrobat e tyre si përgatitje për ardhjen e Shpëtimtarit. Duke qenë i ri në moshë, e mora këtë thirrje në kuptimin e drejtpërdrejtë. Vrapova për në shtëpi aq shpejt sa mund të më çonin këmbët e mia të vockla dhe iu luta nënës të më pastronte ato pak rroba që kisha, në mënyrë që të isha i panjollë dhe gati për ardhjen e Shpëtimtarit të nesërmen. Ndonëse nëna ime ishte skeptike për rikthimin e afërt të Shpëtimtarit, prapëseprapë më lau veshjen më të mirë.

Të nesërmen në mëngjes, vesha rrobat, ende disi të njoma, dhe prita me padurim njoftimin për ardhjen e Shpëtimtarit. Ndërsa dita kalonte dhe asgjë nuk ndodhi, vendosa të shkoja në shtëpinë e mbledhjeve. U zhgënjeva thellësisht kur e gjeta kishën bosh dhe Shpëtimtari nuk kishte ardhur. Mund ta përfytyroni se si u ndjeva ndërsa ecja ngadalë për në shtëpi.

Vite më vonë, ndërsa po merrja mësimet nga misionarët për t’u përgatitur që të bashkohesha me Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, lexova sa vijon: “Dhe asgjë e papastër nuk mund të hyjë në mbretërinë e tij; prandaj asgjë nuk hyn në pushimin e tij, vetëm ata që kanë larë rrobat e tyre në gjakun tim, për shkak të besimit të tyre dhe të pendimit [për] të gjitha mëkate[t e] tyre dhe të besnikërisë së tyre deri në fund”.

Sqarimi që mora asokohe, më ndihmoi të kuptoja të vërtetën e rëndësishme që i kishte shpëtuar mendjes sime djaloshare shumë vjet më parë. Mesazhi i predikuesit qe përqendruar te rëndësia e pastërtisë shpirtërore. Ai e nxiti bashkësinë të kërkonte pendimin, të bënte ndryshime në jetë dhe të drejtohej te Shpëtimtari për shëlbim.

Ati ynë Qiellor e kupton rrugëtimin tonë në vdekshmëri dhe pashmangshmërinë e mëkatit në jetën tonë. Jam thellësisht mirënjohës që Ai dha një Shpëtimtar që të shlyente për shkeljet tona. Nëpërmjet flijimit shëlbues të Shpëtimtarit, çdonjëri prej nesh mund të pendohet, të kërkojë falje dhe të bëhet i pastër. Pendimi, një parim themelor i ungjillit, është thelbësor për zhvillimin tonë shpirtëror dhe qëndrueshmërinë ndërsa përballemi me sfidat e jetës.

Gjatë konferencës së përgjithshme të prillit 2022, Presidenti Rasëll M. Nelson e ftoi çdo anëtar të Kishës të përjetojë gëzimin e pendimit të përditshëm. Ai tha:

“Ju lutem, mos iu druani pendimit ose ta shtyni atë. Satani kënaqet nga mjerimi juaj. Prijani shkurt atij. Dëbojeni ndikimin e tij nga jeta juaj. Filloni që sot ta përjetoni gëzimin nga zhveshja e njeriut të natyrshëm. Shpëtimtari na do gjithmonë, por veçanërisht teksa pendohemi. …

Nëse ndieni se jeni endur shumë larg shtegut të besëlidhjeve ose për shumë kohë dhe nuk keni asnjë udhë kthimi, kjo thjesht nuk është e vërtetë.”

Nëse ka diçka për të cilën nuk jeni penduar plotësisht, ju inkurajoj t’ia vini veshin thirrjes së Presidentit Nelson për të mos e shtyrë pendimin tuaj. Mund të kërkojë njëfarë guximi për t’u angazhuar në këtë proces; megjithatë, mund t’ju siguroj se gëzimi që buron nga pendimi i vërtetë, e tejkalon kuptueshmërinë. Nëpërmjet pendimit, barrët tona të fajit hiqen dhe zëvendësohen nga një ndjesi paqeje dhe qetësie. Kur pendohemi me zell, ne shenjtërohemi nëpërmjet gjakut të Shpëtimtarit, duke e rritur ndjeshmërinë tonë ndaj nxitjeve dhe ndikimit të Frymës së Shenjtë.

Shoqja ime e përjetshme ka lindur me probleme të dëgjimit dhe, si pasojë, duhet të mbajë aparat dëgjimi. Pluhuri dhe djersa mund të ndikojnë në rendimentin e këtyre pajisjeve, dhe kështu që çdo mëngjes e vëzhgoj atë duke i pastruar me zell tubat lidhës para se ta vendosë aparatin. Kjo rutinë e thjeshtë, por e vazhdueshme, eliminon çdo pisllëk, lagështi ose kondensim, duke e përmirësuar kështu aftësinë e saj për të dëgjuar dhe komunikuar me efektshmëri. Kur ajo e anashkalon këtë ritual të përditshëm, aftësia e saj për të dëgjuar çalon gjatë gjithë ditës; gradualisht fjalët e thëna zbehen dhe si përfundim bëhen të padëgjueshme. Ashtu si pastrimi i përditshëm i aparatit të dëgjimit prej saj e lejon atë të dëgjojë qartë, edhe pendimi i përditshëm na lejon të dallojmë udhërrëfimin e Zotit nëpërmjet Frymës së Shenjtë.

Nga fundi i shërbesës në vdekshmëri të Zotit dhe para nisjes së Tij për në Kopshtin e Gjetsemanit, Ai i përgatiti dishepujt e Tij për t’u përballur me sprovat e ardhshme. Ai i siguroi ata, duke u thënë: “Por Ngushëlluesi, Fryma e Shenjtë, që Ati do ta dërgojë në emrin tim, do t’ju mësojë çdo gjë dhe do t’ju kujtojë të gjitha këto që ju thashë”.

Një nga funksionet thelbësore të Frymës së Shenjtë është ta paralajmërojë, ta udhëheqë dhe ta prijë çdo individ që e dëgjon zërin e butë dhe të brendshëm. Ashtu si tubat e bllokuar të komunikimit të një aparati dëgjimi mund ta pengojnë funksionimin e duhur, edhe lidhja jonë shpirtërore me Atin tonë Qiellor mund të dëmtohet, duke çuar në koncepte të gabuara e të rrezikshme ose mosdëgjim të këshillës së Tij. Ardhja e internetit e ka bërë informacionin më të arritshëm sesa kurrë më parë. Kjo mund të na bëjë që t’i drejtohemi botës për udhërrëfim dhe jo Perëndisë. Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Në ditët e ardhshme, nuk do të jetë e mundur të mbijetojmë shpirtërisht pa ndikimin udhërrëfyes, drejtues, ngushëllues dhe të vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë”.

Jam mirënjohës që secili prej nesh mund ta marrë dhuratën e Frymës së Shenjtë në kohën e konfirmimit tonë. Megjithatë, Presidenti Dallin H. Ouks paralajmëroi se “bekimet e vëna në dispozicion nëpërmjet dhuratës së Frymës së Shenjtë kushtëzohen nga denjësia [dhe] ‘Shpirti i Zotit nuk banon në tempuj jo të shenjtë’ [Helamani 4:24]”.

Kur me vetëdije zgjedhim të ndjekim udhërrëfimin e profetëve dhe apostujve, rritet aftësia jonë për të pasur Frymën e Shenjtë si shoqëruesin e vazhdueshëm. Fryma e Shenjtë jep qartësi në vendimmarrje, duke nxitur mendime dhe përshtypje që përputhen me vullnetin e Atit tonë Qiellor. Të pasurit e Frymës së Shenjtë si shoqëruesin e vazhdueshëm është vendimtar për rritjen tonë shpirtërore.

Kohët e fundit më caktuan të kryesoja në një konferencë kunji në Kunjin e Greinxhër‑Uestit në Solt-Lejk, Jutë. Gjatë kësaj ngjarjeje, takova një president kunji, i cili e ka zhvilluar me zell aftësinë e tij për t’i dalluar nxitjet e Frymës së Shenjtë nëpërmjet të jetuarit me drejtësi dhe pendimit të përditshëm. Si pjesë e përpjekjeve tona për dhënie shërbese, ne i bashkërenduam vizitat në tri familje. Pas përfundimit të vizitës së fundit, na kishin mbetur afërisht 30 minuta kohë para angazhimit të radhës. Ndërsa po ktheheshim për në qendrën e kunjit, Presidenti Çesnat mori një mbresë se duhej të vizitonim edhe një familje tjetër. Të dy ramë dakord ta ndiqnim atë nxitje.

Vijuam me vizitën në familjen Xhons ku zbuluam se motra Xhons kishte zënë shtratin për shkak të sëmundjes. Ishte e dukshme që ajo kishte nevojë për një bekim priftërie. Me lejen e saj, e administruam bekimin. Teksa u bëmë gati të largoheshim, motra Xhons pyeti se si e dinim për nevojën e saj të ngutshme për një bekim. E vërteta është se ne nuk e dinim. Megjithatë, Ati ynë Qiellor, i cili ishte në dijeni për nevojat e saj, njëmend e dinte dhe e frymëzoi Presidentin Çesnat t’i shkonte për vizitë në shtëpi. Kur jemi të hapur ndaj udhërrëfimit të zërit të vogël e të qetë, jemi më të mirëpërgatitur për t’u dhënë shërbesë më me efektshmëri njerëzve në nevojë.

Dëshmoj për një Atë dashamirës e të dashur Qiellor. Jezu Krishti është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi i njerëzimit. Dëshmoj se Shlyerja e Jezu Krishtit është reale dhe se ndërsa mësojmë ta ndjekim udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë, Ai do të na prijë drejt pendimit dhe përdorimit të fuqisë së Shlyerjes së Shpëtimtarit në jetën tonë. Presidenti Rasëll M. Nelson është profeti i vërtetë dhe i gjallë i Zotit, me të gjitha çelësat e priftërisë në tokë sot. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. 3 Nefi 27:19.

  2. Rasëll M. Nelson, “Fuqia e Hovit Shpirtëror”, Liahona, maj 2022, f. 98.

  3. Gjoni 14:26.

  4. Rasëll M. Nelson, “Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, Liahona, maj 2018, f. 96.

  5. Dallin H. Oaks, “Always Have His Spirit”, Ensign, nëntor 1996, f. 61.

  6. Mbiemri Xhons nuk është mbiemri i familjes që vizituam. Kam përdorur një mbiemër rastësor për arsye privatësie. Kam marrë miratimin me shkrim nga Presidenti Çesnat për ta përdorur mbiemrin e tij si dhe emrin e kunjit të tij.