Përqendrohuni te Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij
Kur i shpërfillim shpërqendrimet e botës dhe përqendrohemi te Krishti dhe ungjilli i Tij, na garantohet sukses.
Në vitin 1996, ekipi nigerian i futbollit për meshkuj fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike të zhvilluara në Atlanta të Shteteve të Bashkuara. Me përfundimin e finales, turmat e ngazëllyera vërshuan nëpër rrugët e çdo qyteti dhe qyteze në Nigeri; ky vend me 200 milionë njerëz u shndërrua menjëherë në një festim masiv në orën dy të mëngjesit! Kishte gëzim, lumturi dhe ngazëllim ngjitës, ndërsa njerëzit hanin, këndonin e kërcenin. Në atë çast, Nigeria ishte e bashkuar dhe çdo nigerian ishte i kënaqur që ishte nigerian.
Përpara Lojërave Olimpike, ky ekip u përball me sfida të shumta. Kur filloi turneu, përfundoi përkrahja e tyre financiare. Ekipi konkurroi pa veshjet e duhura, ambientet stërvitore, ushqim apo shërbimet e larjes së veshjeve.
Jerome Prevost/Getty Images
Në një pikë të lojës, ata ishin pak minuta larg eliminimit nga gara, por ekipi nigerian triumfoi kundër të gjitha gjasave. Ky çast thelbësor e ndryshoi mënyrën se si e shihnin vetveten. Me vetëbesimin e sapogjetur dhe me punën e palodhur dhe vendosmërinë e paepur individuale dhe si ekip, ata i shpërfillën të bashkuar shpërqendrimet dhe u përqendruan te fitorja. Ky përqendrim i bëri të fitonin medalje të arta dhe nigerianët i pagëzuan me emrin “Ekipi i Ëndrrave”. Ekipi i Ëndrrave në Lojërat Olimpike të vitit 1996 vazhdon të përmendet në sportet nigeriane.
David Cannon/Allsport/Getty Images
Pasi ekipi i futbollit mësoi t’i shpërfillte shpërqendrimet e shumta që haste dhe u përqendrua te synimi i vet, ia doli mbanë përtej asaj që mendoi se ishte e mundur dhe përjetoi gëzim të madh. (Siç përjetuam dhe ne të tjerët në Nigeri!)
Në mënyrë të ngjashme, kur i shpërfillim shpërqendrimet e botës dhe përqendrohemi te Krishti dhe ungjilli i Tij, na garantohet sukses përtej asaj që mund të përfytyrojmë plotësisht, dhe mund të ndiejmë gëzim të madh. Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Kur përqendrimi i jetës sonë është te … Jezu Krishti e ungjilli i Tij, ne mund të ndiejmë gëzim pavarësisht nga ajo që po ndodh – apo nuk po ndodh – në jetën tonë”.
Lutem që Fryma e Shenjtë do ta ndihmojë secilin prej nesh që t’ia vëmë veshin ftesës së Presidentit Nelson për ta përqendruar jetën tonë te “Jezu Krishti e ungjilli i Tij” që të mund të përjetojmë gëzim te Krishti “pavarësisht nga ajo që po ndodh – apo nuk po ndodh – në jetën tonë”.
Disa rrëfime në Librin e Mormonit përshkruajnë ata individë që e ndryshuan jetën e tyre për mirë duke u përqendruar te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij.
Merrni parasysh Alma të Riun. Ai ngriti krye dhe luftoi kundër Kishës. Babai i tij, Alma, u lut dhe agjëroi. Një engjëll u shfaq dhe i bëri thirrje Alma të Riut që të pendohej. Në atë çast, Alma filloi të vuante “dhembjet e një shpirti të mallkuar”. Në orët e tij më të errëta, ai solli ndërmend të atin që jepte mësim se Krishti do të vinte që të shlyente për mëkatet e botës. Ndërsa mendja u kap fort te ky mendim, ai iu përgjërua Perëndisë për mëshirë. Rrjedhoja ishte gëzimi, një gëzim që ai e përshkroi si të mrekullueshëm! Almës i erdhën mëshirë dhe gëzim ngaqë ai dhe ati i tij u përqendruan te Shpëtimtari.
Për prindërit që kanë fëmijë të cilët kanë shkuar në udhë të gabuar, merrni zemër! Në vend që të vrisni mendjen përse një engjëll nuk vjen për ta ndihmuar fëmijën tuaj të pendohet, dijeni se Zoti ka vendosur një engjëll të vdekshëm në shtegun e tij ose të saj: peshkopin, një udhëheqës tjetër të Kishës apo një vëlla ose motër shërbestare. Nëse vazhdoni të agjëroni dhe të luteni, nëse nuk vendosni një kohë ose afat për Perëndinë dhe nëse mirëbesoni që Ai po e shtrin dorën e Tij për të ndihmuar, atëherë, herët a vonë, do ta gjeni Perëndinë duke e prekur zemrën e fëmijës suaj kur fëmija juaj të këtë zgjedhur të dëgjojë. Kjo ndodh pasi Krishti është gëzim, Krishti është shpresë; Ai është premtimi “i të mirave që do të vijnë”. Pra, mirëbesojani Jezu Krishtit fëmijën tuaj, sepse Ai është forca e çdo prindi dhe e çdo fëmije.
Pasi Alma i Riu përjetoi gëzim te Krishti, ai jetoi me atë gëzim. Por si e ruajti ai një gëzim të tillë madje përmes vështirësisë dhe sprovës? Ai shpall:
“Që atëherë madje deri tani, unë kam punuar pa pushim që të sjell shpirtra në pendim; që të mund t’i sjell të shijojnë prej gëzimit të jashtëzakonshëm të cilin unë shijova. …
… Dhe … Zoti më jep një gëzim jashtëzakonisht të madh në frytin e punëve të mia. …
Dhe jam përkrahur në sprova dhe në shqetësime të çdo lloji.”
Gëzimi te Krishti filloi për Almën kur ushtroi besim tek Ai dhe bëri thirrje për mëshirë. Më pas, Alma e ushtroi besimin te Krishti duke punuar për t’i ndihmuar të tjerët që të shijonin të njëjtin gëzim. Këto punë të vazhdueshme sollën gëzim të madh tek Alma, madje edhe gjatë sprovave dhe shqetësimeve të çdo lloji. Siç e shihni, “Zotit i pëlqen shumë përpjekja” dhe përpjekja e përqendruar tek Ai, sjell bekime. Edhe sprovat më të rënda mund të gëlltiten “në gëzimin për Krishtin”.
Një grup tjetër në Librin e Mormonit që i bënë Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij përqendrimin e jetës së tyre dhe gjetën gëzim, janë ata që themeluan qytetin e Helamit, një vend ku mund të rritnin fëmijët e tyre dhe të gëzonin ushtrimin e lirë të fesë së tyre. Ky popull i drejtë që po jetonte një jetë të mirë, u skllavërua nga një grup plaçkitësish dhe iu hoq e drejta themelore e njeriut për të ushtruar fenë. Ndonjëherë gjëra të këqija iu ndodhin njerëzve të mirë:
“Zoti e shikon të arsyeshme ta qortojë popullin e tij; po, ai provon durimin e tyre dhe besimin e tyre.
Megjithatë – kushdo që vendos besimin e tij në të, po ai do të ngrihet në ditën e fundit. Po, dhe kështu ishte me këtë popull.”
Si duroi ky popull nëpër sprovat dhe vuajtjet e veta? Duke u përqendruar te Krishti dhe ungjilli i Tij. Shqetësimet e tyre nuk i përcaktuan ata; përkundrazi, secili prej tyre u drejtua te Perëndia, mundësisht duke e përcaktuar veten si një fëmijë të Perëndisë, një fëmijë të besëlidhjes dhe një dishepull të Jezu Krishtit. Ndërsa kujtonin se kush ishin dhe i bënin thirrje Perëndisë, ata morën paqe, forcë dhe më së fundmi gëzim te Krishti:
“Alma dhe njerëzit e tij … ia derdhën zemrat e tyre [Perëndisë]; dhe ai i njohu mendimet e zemrave të tyre.
Dhe ndodhi që zëri i Zotit u erdhi në pikëllimet e tyre, duke thënë: Ngrini kokat tuaja dhe ngushëllohuni, pasi unë e di besëlidhjen që ju keni bërë me mua; dhe unë do të bëj besëlidhje me popullin tim dhe do ta çliroj nga robëria.”
Si përgjigje, Zoti vërtet ua “lehtëso[i] … barrat … mbi shpatulla. … Po, Zoti i forcoi ata që të mund të duronin barrat e tyre me lehtësi dhe ata iu nënshtruan me gëzim dhe me durim gjithë vullnetit të Zotit.” Vini re se këta shenjtorë i lanë shqetësimet, vuajtjet dhe sprovat e tyre të gëlltiteshin në gëzimin për Krishtin! Pastaj, në kohën e duhur, Ai i tregoi Almës udhën për arratisjen dhe Alma, një profet i Perëndisë, i udhëhoqi ata drejt sigurisë.
Kur përqendrohemi te Krishti dhe e ndjekim profetin e Tij, edhe ne do të udhëhiqemi drejt Krishtit dhe gëzimit të ungjillit të Tij. Presidenti Nelson ka dhënë mësim: “Gëzimi është i fuqishëm dhe përqendrimi te gëzimi e sjell fuqinë e Perëndisë në jetën tonë. Si në të gjitha gjërat, Jezu Krishti është shembulli ynë më i lartë, ‘i cili, për gëzimin që ishte përpara tij, duroi kryqin’ [Hebrenjve 12:2].”
Nëna ime ndërroi jetë kohët e fundit; ishte tronditëse. E dua nënën time dhe nuk mendoja se do ta humbisja në moshë kaq të re. Për shkak të vdekjes së saj, unë dhe familja ime kemi përjetuar si hidhërim edhe gëzim. E di se për shkak të Tij, ajo nuk ka vdekur – ajo jeton! Dhe e di se për shkak të Krishtit dhe çelësave të priftërisë të rivendosura nëpërmjet Profetit Jozef Smith, do të jem përsëri me të. Pikëllimi i humbjes për nënën time është gëlltitur në gëzimin për Krishtin! Po mësoj se të “mendo[sh] çelestialisht” dhe ta “lejo[sh] Perëndinë të triumfojë”, përfshin përqendrimin në gëzimin që është në dispozicion te Krishti.
Ai me dashuri na bën ftesën: “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje”. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.