Përqafojeni Dhuratën e Zotit për Pendim
Le të mos presim që gjërat të vështirësohen përpara se t’i drejtohemi Perëndisë! Le të mos presim fundin e jetës sonë në vdekshmëri për t’u penduar vërtet!
Dëshmoj për një Atë të dashur Qiellor. Në konferencën e përgjithshme të prillit 2019, pak çaste pasi u mbështeta në përgjegjësinë time të re si Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë, kori këndoi një interpretim të himnit “Qëndroj Plot Habi” që më depërtoi në zemër e shpirt.
Ndërsa i dëgjoja ato fjalë, u mahnita i tëri. Ndjeva se pavarësisht nga papërshtatshmëritë dhe të metat e mia, Zoti më bekoi me këtë dijeni se “në fuqinë e tij unë mund të bëj të gjitha gjërat”.
Ndjenja e zakonshme e papërshtatshmërisë, dobësisë apo edhe padenjësisë është diçka të cilën shumë prej nesh ndonjëherë e vuajnë. Unë ende e vuaj këtë; e ndjeva ditën kur mora thirrjen. E kam ndier shumë herë, dhe e ndiej akoma edhe tani që po ju flas juve. Megjithatë, kam mësuar se nuk jam i vetmi që ndihet kështu. Në fakt, ka shumë rrëfime në shkrimet e shenjta të atyre që duket se kanë pasur ndjenja të ngjashme. Për shembull, kujtojmë Nefin si një shërbëtor besnik dhe trim të Zotit. Hera‑herës, edhe ai i vuajti ndjenjat e padenjësisë, dobësisë dhe papërshtatshmërisë.
Ai tha: “Me gjithë mirësinë e madhe të Zotit, që më tregon mua veprat e tij të mëdha dhe të mrekullueshme, zemra ime bërtet: O, ç’njeri i mjerë që jam! Po, zemra ime brengoset për shkak të mishit tim; shpirti im pikëllohet për shkak të paudhësive të mia.”
Profeti Jozef Smith foli për faktin se shpesh ndihej i “ndëshkuar”, në rininë e tij, “për dobësinë dhe papërsosmëritë e [tij]”. Por ndjenjat e Jozefit të papërshtatshmërisë dhe shqetësimit ishin pjesë e asaj që e shtyu atë të përsiaste, të studionte, të mësonte dhe të lutej. Siç mund ta mbani mend, ai shkoi të lutej në korijen afër shtëpisë së vet për të gjetur të vërtetën, paqe dhe falje. Ai e dëgjoi Zotin t’i thoshte: “Jozef, biri im, mëkatet e tua të janë falur. Shko në udhën tënde, sillu sipas statuteve të mia dhe zbatoji urdhërimet e mia. Vër re, unë jam Zoti i lavdisë. Unë u kryqëzova për botën që të gjithë ata që besojnë në emrin tim, të mund të kenë jetë të përjetshme.”
Dëshira e sinqertë e Jozefit për t’u penduar dhe për të kërkuar shpëtim për shpirtin e tij e ndihmoi atë të vinte te Jezu Krishti dhe të merrte falje për mëkatet e tij. Kjo përpjekje e vazhdueshme hapi derën për Rivendosjen në vazhdimësi të ungjillit të Jezu Krishtit.
Kjo përvojë mbresëlënëse e Profetit Jozef Smith ilustron se si ndjenjat e dobësisë dhe papërshtatshmërisë mund të na ndihmojnë të njohim natyrën tonë të rënë. Nëse jemi të përulur, kjo do të na ndihmojë të kuptojmë varësinë tonë te Jezu Krishti, dhe të na ngjallë në zemër një dëshirë të sinqertë për t’u kthyer te Shpëtimtari dhe për t’u penduar për mëkatet tona.
Miqtë e mi, pendimi është gëzim! Pendimi i ëmbël është pjesë e një procesi të përditshëm nëpërmjet të cilit, “rresht pas rreshti, parim pas parimi”, Zoti na mëson të jetojmë një jetë të përqendruar te mësimet e Tij. Sikurse Jozefi dhe Nefi, ne mund t’i “përgjëro[hemi] [Perëndisë] për mëshirë; pasi ai është i fuqishëm të shpëtojë”. Ai mund të përmbushë çdo dëshirë ose përgjërim të drejtë dhe mund të shërojë çdo plagë në jetën tonë.
Në Librin e Mormonit: Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit, ju dhe unë mund të gjejmë rrëfime të panumërta të individëve që mësuan se si të vinin te Krishti nëpërmjet pendimit të sinqertë.
Do të doja t’ju tregoja një shembull të mëshirave të dhembshura të Zotit nëpërmjet një përvoje që ndodhi në ishullin tim të dashur amtar, Porto-Riko.
Ishte në qytetin tim të lindjes, në Pons, që një motër në Kishë, Selia Kruz Ajala, vendosi t’ia jepte Librin e Mormonit një mikeshe. Ajo e mbështolli dhe shkoi ta dorëzonte këtë dhuratë, që për të ishte më e çmuar se diamantet apo rubinët. Rrugës iu afrua një hajdut, ia grabiti çantën dhe ia mbathi me vrap me dhuratën e veçantë brenda.
Kur e tregoi këtë histori në kishë, mikesha e saj tha: “Ku i dihet? Mbase kjo qe mundësia jote për të shpërndarë ungjillin!”
Epo, disa ditë më vonë, a e dini se çfarë ndodhi? Selia mori një letër. E mbaj në dorë sot atë letër, të cilën Selia ma tregoi. Aty thuhet:
“Znj. Kruz,
Të më falni, të më falni. Nuk e keni idenë sa keq më vjen që iu sulmova. Por për këtë shkak, jeta ime ka ndryshuar dhe do të vazhdojë të ndryshojë.
Ai libër [Libri i Mormonit] më ka ndihmuar në jetën time. Ëndrra e atij njeriu të Perëndisë më ka tronditur. … Do t’jua kthej pesë [dollarët] tuaj, sepse nuk mund t’i shpenzoj. Dua që të dini se kishte një lloj shkëlqimi te ju. Ajo dritë dukej se më ndaloi [që të mos ju bëja keq, prandaj] ia mbatha me vrap.
Dua që të dini se do të më shihni përsëri, por gjer atëherë, nuk do të më njihni, sepse unë do të jem vëllai juaj. … Këtu, ku jetoj, duhet të gjej Zotin dhe të shkoj në kishën ku ju bëni pjesë.
Mesazhi që kishit shkruar në atë libër, më përloti. Që nga mbrëmja e së mërkurës, nuk kam mundur të ndaloj së lexuari atë. Jam lutur dhe i kam kërkuar Perëndisë të më falë [dhe] ju kërkoj që edhe ju të më falni. … Mendova se dhurata juaj e mbështjellë ishte diçka që mund ta shisja. [Por në fakt] më ka bërë të dëshiroj të [ndryshoj] jetën time. … Ju lutem shumë të më falni.
Vëllezër dhe motra, drita e Shpëtimtarit mund të na arrijë të gjithëve, pavarësisht nga rrethanat tona. “Nuk është e mundur që ju të zhyteni më poshtë se[sa ku shkëlqen] drita e pafundme e Shlyerjes së Krishtit”, – tha Presidenti Xhefri R. Holland.
Sa për marrësin e paplanifikuar të dhuratës së Selias, Librit të Mormonit, ky vëlla vijoi të dëshmonte më shumë mëshirë prej Zotit. Edhe pse këtij vëllai iu desh kohë ta falte veten, ai gjeti gëzim gjatë pendimit. Çfarë mrekullie! Një motër besnike, një Libër i Mormonit, pendimi i sinqertë dhe fuqia e Shpëtimtarit çuan në gëzimin e plotësisë së bekimeve të ungjillit dhe besëlidhjeve të shenjta në shtëpinë e Zotit. Pjesëtarë të tjerë të familjes ndoqën dhe i pranuan përgjegjësitë e shenjta në vreshtin e Zotit, duke përfshirë shërbimin misionar kohëplotë.
Ndërsa vijmë te Jezu Krishti, shtegu ynë i pendimit të sinqertë do të na prijë përfundimisht drejt tempullit të shenjtë të Shpëtimtarit.
Çfarë motivi i drejtë për t’u përpjekur fort që të jemi të pastër, të jemi të denjë për plotësinë e bekimeve të mundësuara nga Ati ynë Qiellor dhe Biri i Tij nëpërmjet besëlidhjeve të shenjta të tempullit! Shërbimi i rregullt në shtëpinë e Zotit dhe përpjekja fort për t’i mbajtur besëlidhjet e shenjta që bëjmë atje, do t’i rritin dëshirën dhe aftësinë tonë për të përjetuar ndryshimin e zemrës, forcës, mendjes dhe shpirtit, të domosdoshme për t’u bërë më shumë si Shpëtimtari ynë. Presidenti Rasëll M. Nelson ka dëshmuar: “Asgjë nuk do t’i hapë më shumë qiejt [sesa adhurimi në tempull]. Asgjë!”
Miqtë e mi të dashur, a ndiheni të papërshtatshëm? A ndiheni të padenjë? A jeni në dilemë me veten? Ndoshta mund të shqetësoheni e të pyesni: A jam në lartësinë e duhur? Mos është tepër vonë për mua? Pse vazhdoj të dështoj edhe pse po përpiqem me gjithë mundin tim?
Vëllezër dhe motra, sigurisht që gjatë udhës do të bëjmë gabime në jetën tonë. Por ju lutem, mbani mend se, siç ka dhënë mësim Plaku Gerit W. Gong: “Shlyerja e Shpëtimtarit tonë është e pafundme dhe e përjetshme. Secili prej nesh shkon në udhë të gabuar dhe dështon. Për njëfarë kohe, ne mund ta humbasim udhën. Perëndia plot dashuri na siguron [se], pavarësisht se ku jemi ose çfarë kemi bërë, … nuk ka udhë pa kthim. Ai pret i gatshëm për të na përqafuar.”
Siç më ka mësuar edhe gruaja ime e dashur, Keri Luja, ne të gjithë duhet të pendohemi, t’i rikthejmë dhe t’i kurdisim minutat te “ora zero” çdo ditë.
Pengesat do të vijnë. Le të mos presim që gjërat të vështirësohen përpara se t’i drejtohemi Perëndisë! Le të mos presim fundin e jetës sonë në vdekshmëri për t’u penduar vërtet! Përkundrazi, pavarësisht se në cilën pjesë të shtegut të besëlidhjeve jemi, le të përqendrohemi tani te fuqia shëlbuese e Jezu Krishtit dhe te dëshira e Atit Qiellor për t’u rikthyer tek Ai.
Shtëpia e Zotit, shkrimet e Tij të shenjta, profetët dhe apostujt e Tij të shenjtë na frymëzojnë të përpiqemi fort drejt shenjtërisë personale nëpërmjet doktrinës së Krishtit.
Dhe Nefi tha: “Dhe tani, vini re, vëllezërit e mi të dashur, kjo është udha; dhe s’ka udhë tjetër dhe as emër të dhënë nën qiell, nëpërmjet të cilit njeriu mund të shpëtohet në mbretërinë e Perëndisë. Dhe tani, vini re, kjo është doktrina e Krishtit dhe e vetmja doktrinë e vërtetë e Atit dhe e Birit dhe e Frymës së Shenjtë.”
Procesi ynë i “bërjes një” me Perëndinë, mund të na duket sfidues. Por ju dhe unë mund të ndalemi, të qëndrojmë, të shikojmë te Shpëtimtari dhe të kërkojmë të gjejmë dhe të veprojmë sipas asaj që Ai do të donte që ne të ndryshonim. Nëse e bëjmë këtë me qëllim të plotë, do të dëshmojmë shërimin e Tij. Mendoni se si do të bekohen pasardhësit tanë ndërsa e përqafojmë dhuratën e Zotit për pendim!
Poçari Mjeshtër, siç më mësoi babai, do të na japë formë dhe do të na rafinojë, gjë e cila mund të jetë e vështirë. Sidoqoftë, Shëruesi Mjeshtër do të na pastrojë gjithashtu. E kam përjetuar dhe vazhdoj ta përjetoj atë fuqi shëruese. Dëshmoj se ajo vjen nëpërmjet besimit te Jezu Krishti dhe pendimit të përditshëm.
Dëshmoj për dashurinë e Perëndisë dhe fuqinë e pafundme të Shlyerjes së Birit të Tij. Mund ta ndiejmë atë thellësisht ndërsa pendohemi sinqerisht dhe me gjithë zemër.
Miqtë e mi, unë jam dëshmitar i Rivendosjes së lavdishme të ungjillit nëpërmjet Profetit Jozef Smith dhe udhërrëfimit aktual hyjnor të Shpëtimtarit nëpërmjet profetit dhe zëdhënësit të Tij, Presidentit Rasëll M. Nelson. Unë e di se Jezu Krishti jeton dhe se Ai është Shëruesi Mjeshtër i shpirtrave tanë. E di dhe dëshmoj se këto gjëra janë të vërteta, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.