Përputhja e Vullnetit Tonë me të Tijin
Zbatimi i vullnetit të Zotit në jetën tonë do të na mundësojë të gjejmë margaritarin më të çmuar në botë, mbretërinë e qiejve.
Në një rast të caktuar, Shpëtimtari foli për një tregtar që po kërkonte “margaritarë të bukur”. Gjatë kërkimit të tij, tregtari gjeti një margaritar “me vlerë të madhe”. Megjithatë, për ta fituar margaritarin madhështor, ky njeri duhej të shiste të gjitha pasuritë, gjë të cilën e bëri menjëherë dhe me gëzim.
Nëpërmjet kësaj shëmbëlltyre të shkurtër e të menduar mirë, Shpëtimtari na mësoi bukur se mbretëria e qiejve i ngjason një margaritari të paçmuar, me të vërtetë thesari më i çmuar që duhet dëshiruar mbi çdo gjë tjetër. Fakti që tregtari i shiti menjëherë të gjitha pasuritë për ta marrë atë margaritar të vlefshëm, tregon qartë se ne duhet t’i përputhim mendjen dhe dëshirat me vullnetin e Zotit dhe të bëjmë me dashje gjithçka që mundemi gjatë udhëtimit tonë në vdekshmëri, për të arritur bekimet e përjetshme të mbretërisë së Perëndisë.
Për të qenë të denjë për këtë shpërblim të madh, sigurisht që duhet, ndër të tjera, të bëjmë përpjekjet tona më të mira që të lëmë mënjanë të gjitha veprimtaritë egoiste dhe të braktisim çdo ngatërresë që na pengon për t’iu përkushtuar plotësisht Zotit dhe udhëve të Tij më të larta e më të shenjta. Apostulli Pal u referohet këtyre veprimtarive shenjtëruese si “të ke[ni] mendjen e Krishtit”. Siç është dhënë shembull nga Jezu Krishti, kjo do të thotë “të bëj[më] vazhdimisht gjërat që i pëlqejnë [Zotit]” në jetën tonë, ose siç thonë disa njerëz në ditët e sotme, “të bëjmë atë që funksionon për Zotin”.
Nga pikëpamja e ungjillit, “bë[rja] vazhdimisht [e] gjëra[ve] që i pëlqejnë [Zotit]”, lidhet me nënshtrimin e vullnetit tonë ndaj vullnetit të Tij. Shpëtimtari në mënyrë të mirëmenduar dha mësim mbi rëndësinë e këtij parimi ndërsa i udhëzoi dishepujt e Tij:
“Sepse unë kam zbritur nga qielli jo për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më ka dërguar.
Ky është vullneti i Atit që më ka dërguar: që unë të mos humbas asgjë nga të gjitha ato që ai më ka dhënë, por t’i ringjall në ditën e fundit.
Ky, pra, është vullneti i atij që më ka dërguar: që kushdo që sheh Birin dhe beson në të, të ketë jetë të përjetshme, dhe unë do ta ringjall atë në ditën e fundit.”
Shpëtimtari arriti një nivel të përsosur dhe hyjnor nënshtrimi ndaj Atit duke lejuar që vullneti i Tij të shkrihej në vullnetin e Atit. Njëherë Ai tha: “Dhe ai që më ka dërguar është me mua; Ati s’më ka lënë vetëm, sepse bëj vazhdimisht gjërat që i pëlqejnë”. Duke i dhënë mësim Profetit Jozef Smith rreth ankthit dhe agonisë së Shlyerjes, Shpëtimtari tha:
“Pasi vër re, unë, Perëndia, i kam vuajtur këto gjëra për të gjithë, që ata të mos vuajnë nëse do të pendohen; …
Vuajtje që më bëri mua, madje Perëndi, më i madhi i të gjithëve, të dridhem për shkak të dhembjes e të më dalë gjak nga çdo por dhe të vuaj si në trup e në shpirt – dhe të dëshiroj që të mos e pi kupën e hidhur e të mpakem –
Megjithatë, lavdi i qoftë Atit dhe unë mora pjesë e i mbarova përgatitjet e mia për fëmijët e njerëzve.”
Gjatë qëndrimit tonë të përkohshëm në vdekshmëri, ne shpesh luftojmë me atë që mendojmë se dimë, atë që mendojmë se është më e mira, dhe atë që hamendësojmë se funksionon për ne, në vend që të kuptojmë atë që Ati Qiellor di në të vërtetë, çfarë është më e mira në përjetësi dhe çfarë është absolutisht e përshtatshme për fëmijët sipas planit të Tij. Kjo luftë e madhe mund të ndërlikohet së tepërmi, veçanërisht kur marrim parasysh profecitë që përmbahen në shkrimet e shenjta për kohën tonë: “Dhe dije këtë, në ditët e fundit … njerëzit do të jenë egoistë, … dëfrimdashës më fort se perëndidashës”.
Një shenjë që tregon përmbushjen e kësaj profecie, është prirja e tanishme në botë që vazhdon të rritet, e përvetësuar nga kaq shumë njerëz, e përqendrimit plotësisht te vetja dhe shpalljes vazhdimisht: “Sido që të jetë, unë jetoj të vërtetën time ose bëj atë që funksionon për mua”. Siç tha Apostulli Pal, ata “kërkojnë interesin e vet dhe jo gjërat e Jezu Krishtit”. Kjo mënyrë të menduari shpesh justifikohet si të qenit “autentike” prej atyre që kënaqen nga veprimtaritë me veten në qendër, që përqendrohen te parapëlqimet vetjake ose që duan të justifikojnë disa lloje sjelljesh që shpesh nuk përputhen me planin e dashur të Perëndisë dhe vullnetin e Tij për ta. Nëse i lëmë zemrën dhe mendjen tonë të përqafojnë këtë mënyrë të të menduarit, mund të krijojmë pengesa të rëndësishme për veten për marrjen e margaritarit më të çmuar që Perëndia ka përgatitur me dashuri për fëmijët e Tij – jetës së përjetshme.
Ndërsa është e vërtetë që secili prej nesh bën një udhëtim të individualizuar dishepullimi në shtegun e besëlidhjeve, duke u përpjekur fort ta mbajë zemrën dhe mendjen e vet të përqendruar te Krishti Jezus, ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe vazhdimisht vigjilentë që të mos tundohemi ta përvetësojmë këtë lloj filozofie të botës në jetën tonë. Plaku Kuentin L. Kuk tha se “të qenit sinqerisht si Krishti është një synim akoma më i rëndësishëm sesa të qenit autentikë”.
Miqtë e mi të dashur, kur zgjedhim ta lëmë Perëndinë të jetë ndikimi më i fuqishëm në jetën tonë përkundrejt veprimtarive tona egoiste, ne mund të përparojmë në dishepullimin tonë dhe të rritim aftësinë për të bashkuar mendjen dhe zemrën tonë me Shpëtimtarin. Në të kundërt, kur nuk e lejojmë mënyrën e Perëndisë të triumfojë në jetën tonë, ne lihemi vetëm dhe, pa udhërrëfimin frymëzues të Zotit, mund të justifikojmë pothuajse çdo gjë që bëjmë apo nuk e bëjmë. Ne gjithashtu mund ta justifikojmë veten duke i bërë gjërat sipas mënyrës sonë, duke thënë në fakt: “Unë thjesht po i bëj gjërat sipas mënyrës sime”.
Në një rast, ndërsa Shpëtimtari po shpallte doktrinën e Tij, disa njerëz, veçanërisht farisenjtë që e konsideronin veten të drejtë, e hodhën poshtë mesazhin e Tij dhe shpallën me guxim se ishin fëmijë të Abrahamit, duke nënkuptuar se prejardhja do t’u jepte atyre privilegje të veçanta në sytë e Perëndisë. Ajo lloj mendësie i shtyu të mbështeteshin tek të kuptuarit e tyre vetjak dhe të mos e besonin atë që po u mësonte Shpëtimtari. Reagimi i farisenjve ndaj Jezusit ishte dëshmi e qartë se qëndrimi i tyre mendjemadh nuk u la vend në zemër për fjalët e Shpëtimtarit dhe mënyrën e Perëndisë. Si përgjigje, Jezusi me mençuri dhe guxim shpalli se, nëse ata do të ishin fëmijë të vërtetë të besëlidhjes së Abrahamit, ata do të bënin veprat e Abrahamit, veçanërisht duke pasur parasysh se Perëndia i Abrahamit po qëndronte para tyre dhe po u mësonte të vërtetën pikërisht në atë çast.
Vëllezër dhe motra, siç mund ta shihni, të vepruarit sipas këtyre ushtrimeve gjimnastikore mendore të “asaj që funksionon për mua” përkundrejt bërjes së “asaj që vazhdimisht i pëlqen Zotit”, nuk është një prirje e re e cila është unike për kohën tonë. Është një mendësi e lashtë që i ka kapërcyer shekujt dhe shpesh i verbon të mençurit e vetëshpallur dhe pështjellon e sfilit shumë nga fëmijët e Perëndisë. Kjo lloj mendësie është në fakt një marifet i vjetër i kundërshtarit; është një shteg mashtrues që i largon me kujdes fëmijët e Perëndisë nga shtegu i vërtetë dhe besnik i besëlidhjeve. Ndërsa rrethana vetjake të tilla si gjenetika, gjeografia, sfidat fizike dhe mendore ndikojnë vërtet në udhëtimin tonë, në gjërat që kanë vërtet rëndësi, ekziston një hapësirë e brendshme ku jemi të lirë të zgjedhim a do të vendosim të ndjekim apo jo modelin që Zoti ka përgatitur për jetën tonë. Me të vërtetë, Ai “shtegun shënoi, udhën tregoi, në çdo drejtim na prin”.
Si dishepuj të Krishtit, ne dëshirojmë të ecim në shtegun që Ai shënoi për ne gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri. Ne jo vetëm që dëshirojmë të bëjmë vullnetin e Tij dhe gjithçka që do ta kënaqë Atë, por kërkojmë gjithashtu ta imitojmë Atë. Ndërsa përpiqemi të jemi të vërtetë ndaj çdo besëlidhjeje në të cilën kemi hyrë dhe jetojmë me “çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë”, do të mbrohemi që të mos biem viktima të mëkateve dhe gabimeve të botës, gabimeve të filozofisë dhe doktrinës që do të na largonin nga ata margaritarët më të çmuar.
Unë vetë jam frymëzuar nga mënyra se si një nënshtrim i tillë shpirtëror ndaj Perëndisë ka ndikuar në jetën e dishepujve besnikë të Krishtit, pasi ata zgjodhën të bënin ato gjëra që funksionojnë për Zotin dhe janë të pëlqyeshme në sytë e Tij. Njoh një të ri që qe i turbulluar rreth shkuarjes në mision, por i cili ndjeu frymëzimin për të shkuar dhe për t’i shërbyer Zotit kur dëgjoi një udhëheqës të lartë të Kishës të jepte dëshminë e vet dhe përvojën vetjake të shenjtë të shërbimit si misionar.
Me fjalët e tij, ky i ri, tashmë një misionar i kthyer, tha: “Kur dëgjova dëshminë e një Apostulli të Shpëtimtarit Jezu Krisht, munda të ndiej dashurinë e Perëndisë për mua dhe doja ta ndaja atë dashuri me të tjerët. Në atë çast e dija se duhej të shërbeja në një mision pavarësisht nga frika, dyshimet dhe shqetësimet e mia. Ndihesha plotësisht i sigurt për bekimet dhe premtimet e Perëndisë për fëmijët e Tij. Sot, jam një individ i ri; kam një dëshmi se ky ungjill është i vërtetë dhe se Kisha e Jezu Krishtit është rivendosur në tokë.” Ky i ri zgjodhi mënyrën e Zotit dhe u bë shembull i një dishepulli të vërtetë në çdo aspekt.
Një e re besnike vendosi të mos bënte kompromis për standardet e saj kur iu kërkua të vishej në mënyrë të pahijshme për t’iu përshtatur sektorit sipërmarrës të kompanisë së modës ku ajo punonte. Me kuptueshmërinë se trupi i saj është një dhuratë e shenjtë nga Ati ynë Qiellor dhe një vend ku Shpirti mund të banojë, ajo u nxit të jetonte sipas një standardi më të lartë nga ai i botës. Ajo jo vetëm që fitoi besimin e atyre të cilët e panë të jetonte sipas së vërtetës së ungjillit të Jezu Krishtit, por gjithashtu ruajti vendin e saj të punës, i cili për një çast u vu në rrezik. Gatishmëria për të bërë atë që ishte e pëlqyeshme në sytë e Zotit, në vend të asaj që funksiononte për botën, i dha siguri në besëlidhje mes zgjedhjeve të vështira.
Vëllezër dhe motra, ne vazhdimisht përballemi me vendime të ngjashme në rrugëtimin tonë të përditshëm. Duhet një zemër e guximshme dhe e gatshme që të ndalemi e të bëjmë një vetëshqyrtim të sinqertë dhe të butë së brendshmi për të pranuar praninë e dobësive të mishit në jetën tonë, të cilat mund të na e pengojnë aftësinë për t’iu nënshtruar Perëndisë, dhe që përfundimisht të vendosim të përvetësojmë udhën e Tij dhe jo tonën. Prova përfundimtare e dishepullimit tonë qëndron në gatishmërinë tonë për të hequr dorë nga njeriu që ishim dikur, dhe për ta humbur atë, dhe për t’ia dorëzuar zemrën dhe gjithë shpirtin Perëndisë, në mënyrë që vullneti i Tij të bëhet vullneti ynë.
Një nga çastet më të lavdishme të vdekshmërisë ndodh kur zbulojmë gëzimin që vjen kur bërja vazhdimisht e atyre gjërave që “funksionojnë për Zotin dhe e kënaqin Atë” dhe bërja e “asaj që funksionon për ne”, bëhen një dhe e njëjta gjë! Për ta bërë tonin vullnetin e Zotit, në mënyrë të prerë dhe të padiskutueshme, duhet dishepullim madhështor dhe heroik! Në atë çast sublim, bëhemi të përkushtuar ndaj Zotit dhe ia dorëzojmë plotësisht vullnetin tonë Atij. Një nënshtrim i tillë shpirtëror, si të thuash, është i bukur, i fuqishëm dhe shndërrues.
Ju dëshmoj se zbatimi i vullnetit të Zotit në jetën tonë do të na mundësojë të gjejmë margaritarin më të çmuar në botë, mbretërinë e qiejve. Lutem që secili prej nesh, në kohën e vet dhe kur t’i vijë radha, të jetë në gjendje t’iu shpallë, me siguri në besëlidhje, Atit tonë Qiellor dhe Shpëtimtarit Jezu Krisht: “Ajo që funksionon për Ty, funksionon për mua”. I them këto gjëra në emrin e shenjtë të Shpëtimtarit Jezu Krisht, amen.