Era Kurrë Nuk Pushoi së Fryri
Ne mund t’i ndihmojmë të tjerët të përparojnë në udhëtimin e tyre për të marrë bekimet e Perëndisë.
Në vitin 2015, në shtetin e Pernambukos në Brazil, 62 anëtarë të Shoqatës Ligjore “J. Ruben Klark” bashkëpunuan me Zyrën e Prokurorit të shtetit për hetimin e sfidave ligjore të banuesve në katër azile të ndryshme. Për pesë orë një të shtunë, këta avokatë intervistuan mbi 200 banues një e nga një, çdonjëri prej të cilëve ishte harruar dhe lënë pas dore nga shoqëria.
Gjatë intervistave të tyre, ata zbuluan disa krime që ishin kryer kundër banuesve të moshuar, të tillë si braktisja, keqtrajtimi dhe keqpërdorimi i fondeve. Një shtyllë kryesore e kësaj shoqërie ligjore është që të përkujdeset për të varfrit dhe nevojtarët. Vetëm dy muaj më vonë, prokurorja me sukses paraqiti akuza ligjore kundër palëve përgjegjëse.
Ndihma ndaj tyre është një shembull i përsosur i mësimit të dhënë nga mbreti Beniamin se “kur jeni në shërbimin e bashkëqenieve tuaja, ju jeni vetëm në shërbimin e Perëndisë tuaj”.
Një banuese që e intervistova personalisht gjatë projektit pro bono, ishte një grua zemërmirë 93‑vjeçare, e quajtur Lusia. Plot mirënjohje për shërbimin tonë, ajo me shaka bërtiti: “Martohu me mua!”
I befasuar iu përgjigja: “Shiko atje tek ajo grua e re dhe e bukur. Ajo është bashkëshortja ime dhe prokurorja e shtetit.”
Ajo me të shpejtë ma ktheu: “E pastaj? Ajo është e re, e pashme dhe mund të martohet me lehtësi përsëri. Gjithë çfarë kam unë, je ti!”
Për banuesit e mrekullueshëm nuk u zgjidhën të gjitha problemet e tyre atë ditë. Ata vazhduan pa dyshim që të përjetonin vështirësi herë pas here si jareditët në varkat e tyre gjatë udhëtimit sfidues drejt tokës së premtuar që “u mbuluan në thellësinë e detit nga dallgët si male që binin mbi ta”.
Por atë të shtunë, banuesit e azileve e dinin se pavarësisht nga anonimiteti i tyre tokësor, një Atë i dashur Qiellor i njihte ata personalisht, Njëri që i jep përgjigje edhe lutjes më të thjeshtë.
Mjeshtri i mjeshtrave shkaktoi që “një erë e tmerrshme” të frynte duke i shtyrë jareditët drejt bekimeve të premtuara. Po ashtu, ne mund të marrim vendim që të shërbejmë si një shkulm i përulur ere në duart e Zotit. Sikurse “era kurrë nuk pushoi së fryri” duke i shtyrë jareditët drejt tokës së premtuar, ne mund t’i ndihmojmë të tjerët të përparojnë në udhëtimin e tyre për të marrë bekimet e Perëndisë.
Disa vite më parë, kur Krisi, bashkëshortja ime e dashur, dhe unë u intervistuam për thirrjen time si peshkop, presidenti ynë i kunjit më kërkoi të merrja parasysh me lutje emrat që do t’i rekomandoja si këshilltarë. Pasi dëgjoi emrat që i rekomandova, ai tha se duhej të dija disa gjëra për njërin nga vëllezërit.
Së pari, ky vëlla nuk mund të lexonte. Së dyti, ai nuk kishte makinë që mund ta përdorte për të vizituar anëtarët. Së treti, ai gjithmonë, gjithmonë, përdorte syze dielli në kishë. Pavarësisht nga shqetësimet e sinqerta të presidentit, unë ndjeva fort se ende duhej ta rekomandoja atë si këshilltarin tim dhe presidenti i kunjit më përkrahu.
Të dielën që këshilltarët e mi dhe unë u mbështetëm në mbledhjen e sakramentit, ishte e dukshme habia në fytyrat e anëtarëve. Ky vëlla i dashur me ngadalë e bëri rrugën drejt podiumit, ku dritat nga lart u pasqyruan shndritshëm në syzet e tij të diellit.
Teksa u ul pranë meje, e pyeta: “Vëlla, a ke probleme me shikimin?”
“Jo”, – tha ai.
“Atëherë përse i përdor syzet e diellit në kishë?” – e pyeta. “Miku im, anëtarët kanë nevojë të shohin sytë e tu dhe ti gjithashtu duhet të jesh në gjendje t’i shohësh ata më mirë.”
Në atë çast, ai i hoqi syzet e diellit dhe kurrë nuk i përdori më në kishë.
Ky vëlla i shtrenjtë shërbeu përkrah meje deri në lirimin tim si peshkop. Sot ai vazhdon të shërbejë besnikërisht në Kishë dhe është një shembull përkushtimi dhe zotimi ndaj Zotit Jezu Krisht. Dhe prapëseprapë, vite më parë, ai ishte një i panjohur që mbante syze dielli, i ulur kryesisht i harruar në stolat e godinës së kishës. Shpesh pyes veten: “Sa vëllezër e motra besnike ulen të harruar mes nesh sot?”
Qofshim të mirënjohur apo të harruar, sprovat do të vijnë në mënyrë të pashmangshme për secilin prej nesh. Kur drejtohemi te Shpëtimtari, Ai mund t’i “shenjtërojë hidhërimet [tona] për të mirë[n tonë]” dhe të na ndihmojë që t’u përgjigjemi sprovave tona në një mënyrë që e lehtëson përparimin tonë shpirtëror. Qoftë për banuesit e azileve, për një anëtar të keqgjykuar të Kishës, ose për cilindo tjetër, ne mund të jemi “era [që] kurrë nuk pushoi së fryri”, duke sjellë shpresë dhe duke i udhërrëfyer të tjerët drejt shtegut të besëlidhjeve.
Profeti ynë i shtrenjtë, Presidenti Rasëll M. Nelson, i bëri një ftesë emocionuese dhe frymëzuese rinisë: “Sot e ripohoj fuqishëm se Zoti i ka kërkuar çdo të riu të denjë dhe të aftë të përgatitet dhe të shërbejë në një mision. Për të rinjtë shenjtorë të ditëve të mëvonshme, shërbimi misionar është një përgjegjësi priftërie. … Për motrat e reja dhe të afta, misioni është gjithashtu një mundësi e fuqishme, por me dëshirë.”
Çdo ditë, mijëra të rinj e të reja i përgjigjen thirrjes profetike të Zotit duke shërbyer si misionarë. Ju jeni të shkëlqyer dhe, siç ka thënë Presidenti Nelson, mund të keni “më shumë ndikim mbi botën sesa çdo brez i mëparshëm!” Sigurisht, kjo nuk do të thotë se ju do të jeni varianti më i mirë i vetes suaj në çastin kur të shkelni në qendrën e trajnimit të misionarëve.
Përkundrazi, ju mund të ndiheni si Nefi, të “udhëhequr nga Shpirti, duke mos ditur më parë gjërat që … duhet të bë[nit]. Megjithatë, vazhd[uat] të ec[nit].”
Ndoshta ndiheni të pasigurt siç u ndje Jeremia dhe doni të thoni: “Unë nuk di të flas, sepse jam një djalosh”.
Madje mund t’i shihni mangësitë tuaja vetjake dhe dëshironi të thërrisni siç bëri Moisiu: “O Zot, unë nuk jam njeri i gojës; … sepse jam i ngathët në fjalë dhe kuvend”.
Nëse ndonjëri prej jush, të rinj dhe të reja të shtrenjta e të fuqishme, ka pikërisht tani një mendim si ky, mbani mend se Zoti ka dhënë përgjigjen: “Mos thuaj: ‘Jam një djalosh’, sepse ti do të shkosh te të gjithë ata te të cilët do të të dërgoj unë”. Dhe Ai premton: “Tani shko, unë do të jem me gojën tënde dhe do të të mësoj atë që duhet të thuash”.
Shndërrimi juaj nga vetja juaj e natyrshme në atë shpirtërore do të ndodhë “rresht pas rreshti, parim pas parimi” ndërkohë që orvateni plot zell që t’i shërbeni Jezu Krishtit në fushën e misionit nëpërmjet pendimit të përditshëm, besimit, bindjes së përpiktë dhe punës së madhe për të “gjetur vazhdimisht, për të dhënë mësim pendimin dhe për të pagëzuar të kthyer në besim”.
Edhe pse mbani një etiketë emri si misionar, nganjëherë mund të ndiheni të panjohur ose të harruar. Megjithatë, ju duhet ta dini se keni një Atë të përsosur Qiellor, i cili ju njeh personalisht, dhe një Shpëtimtar, i cili ju do. Do të keni udhëheqës misioni të cilët, pavarësisht nga papërsosuritë e tyre, do t’ju shërbejnë si “era [që] kurrë nuk pushoi së fryri”, duke ju udhërrëfyer përgjatë udhëtimit tuaj të kthimit vetjak në besim.
Në “një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë”, ju do të shërbeni në misionin tuaj, do të rilindeni shpirtërisht dhe do të bëheni dishepull i Jezu Krishtit për tërë jetën teksa afroheni pranë Tij. Mund të arrini të dini se kurrë nuk ju kanë harruar.
Edhe pse disa mund të presin “prej shumë kohe” për lehtësim, ngaqë “s’ka[në] njeri” që ende mund të ndihmojë, Zoti Jezu Krisht na ka mësuar se askush nuk është harruar asnjëherë prej Tij. Përkundrazi, Ai ishte një shembull i përkryer i kërkimit të individit të vetëm në çdo çast të shërbesës së Tij në vdekshmëri.
Të gjithë ne, dhe njerëzit përreth nesh, përballemi me stuhitë tona vetjake të kundërshtimit dhe dallgët e sprovave që na përmbytin çdo ditë. Por “era kurrë nuk [do të] pusho[jë] së fryri në drejtim të tokës së premtuar … ; dhe kështu [ne do të] shtyhe[mi] përpara nga era”.
Secili prej nesh mund të jetë pjesë e kësaj ere, e njëjta erë që i bekoi jareditët në udhëtimin e tyre dhe e njëjta erë që, me ndihmën tonë, do t’i bekojë të panjohurit dhe të harruarit për të arritur në tokat e tyre të premtuara vetjake.
Dëshmoj se Jezu Krishti është Avokati ynë me Atin. Ai është një Perëndi i gjallë dhe vepron si një erë e fortë që gjithmonë do të na udhërrëfejë përgjatë shtegut të besëlidhjeve. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.