“Ky Është Ungjilli Im” – “Kjo Është Kisha Ime”
Ky është ungjilli i Shpëtimtarit dhe kjo është Kisha e Tij (shihni tek 3 Nefi 27:21; Mosia 26:22; 27:13). Ndërthurja e të dyjave është e fuqishme dhe shndërruese.
Për shekuj me radhë, baruti i zi qe lënda më e fuqishme plasëse në dispozicion. Ai mund të hidhte gjyle topash, por nuk qe i efektshëm për shumicën e projekteve të shpërthimit të shkëmbinjve dhe ndërtimit të rrugëve. Ishte thjesht tepër i dobët për ta copëtuar shkëmbin.
Në vitin 1846, një kimist italian, me emrin Askanio Sobrero, sintetizoi një lëndë të re plasëse, nitroglicerinën. Ky lëng vajor ishte të paktën një mijë herë më i fuqishëm se baruti. Mund ta copëtonte lehtësisht shkëmbin. Për fat të keq, nitroglicerina qe e paqëndrueshme. Po të binte nga një lartësi e vogël, plaste. Po të nxehej shumë, plaste. Po të ftohej shumë, plaste. Madje edhe nëse lihej pa prekur në një dhomë të freskët, të errët, përfundimisht plaste. Shumica e vendeve e ndaluan transportimin e saj dhe shumë e ndaluan edhe prodhimin.
Në vitin 1860, një shkencëtar suedez, me emrin Alfred Nobel, filloi të përpiqej ta bënte të qëndrueshme nitroglicerinën. Pas shtatë vjetësh eksperimentim, e arriti synimin duke e përthithur nitroglicerinën në një substancë thuajse të padobishme të njohur si gur algash diatomeje ose fosilgur. Fosilguri është një gur poroz, i cili mund të shkërmoqet duke u bërë pluhur i imët. Kur përzihet me nitroglicerinën, fosilguri e përthith nitroglicerinën dhe brumit të formuar mund t’i jepet forma e “shkopinjve”. Në këtë formë, nitroglicerina qe shumë më e qëndrueshme. Ajo mund të ruhej, të transportohej dhe të përdorej në mënyrë të sigurt duke mos iu dobësuar fuqia plasëse. Nobeli e quajti “dinamit” ndërthurjen e nitroglicerinës me fosilgurin.
Dinamiti e ndryshoi botën. Gjithashtu e bëri Nobelin të kamur. Pa lëndën që e bënte të qëndrueshme, nitroglicerina ishte tepër e rrezikshme për të qenë me vlerë për tregti, siç zbuloi Askanio Sobrero. Më vete, siç e përmenda, fosilguri, nuk kishte ndonjë vlerë të madhe. Por ndërthurja e dy përbërësve e bëri dinamitin diçka shndërruese dhe të çmuar.
Në mënyrë të ngjashme, ndërthurja e ungjillit të Jezu Krishtit me Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme na sjell dobi të fuqishme dhe shndërruese. Ungjilli është i përkryer, por duhet një kishë me mandat hyjnor që ai të predikohet, ta ruajë pastërtinë dhe të administrojë ordinancat e tij të shenjta me fuqinë dhe autoritetin e Shpëtimtarit.
Merreni parasysh ndërthurjen e ungjillit të Shpëtimtarit me Kishën e Tij sikurse u themelua nga profeti i Librit të Mormonit, Alma. Kisha kishte përgjegjësinë për të predikuar “asgjë tjetër përveç pendimit dhe besimit në Zotin që [do ta] shëlb[onte] popullin e tij”. Duke përdorur autoritetin e Perëndisë, Kisha qe përgjegjëse për administrimin e ordinancës së pagëzimit “në emrin e Zotit, si një dëshmi [për] hyr[jen] në një besëlidhje me të [që] do t’i shërbeni[n] atij dhe do të zbatoni[n] urdhërimet e tij”. Njerëzit që u pagëzuan, morën mbi veten emrin e Jezu Krishtit, iu bashkuan Kishës së Tij dhe atyre iu premtua fuqi e madhe nëpërmjet derdhjes së Shpirtit.
Njerëzit u mblodhën pranë Ujërave të Mormonit për të dëgjuar Almën tek predikonte ungjillin. Ndonëse kishin nderim për ato ujëra dhe pyjet që i rrethonin, Kisha e Zotit nuk ishte një vendndodhje ose një ndërtesë, as sot nuk është. Kisha është thjesht një grup njerëzish të zakonshëm, dishepuj të Jezu Krishtit, të mbledhur e të organizuar në një strukturë të caktuar hyjnisht, që e ndihmon Zotin të përmbushë qëllimet e Tij. Kisha është mjeti nëpërmjet të cilit mësojmë rolin qendror të Jezu Krishtit në planin e Atit Qiellor. Kisha ofron mënyrën e autorizuar që individët të marrin pjesë në ordinanca dhe të bëjnë besëlidhje të përhershme me Perëndinë. Mbajtja e atyre besëlidhjeve na afron më shumë me Perëndinë, na jep qasje te fuqia e Tij dhe na shndërron në atë që Ai synon që të bëhemi.
Ashtu sikurse dinamiti pa nitroglicerinën nuk përbën asgjë të jashtëzakonshme, Kisha e Shpëtimtarit është e veçantë vetëm nëse ndërtohet mbi ungjillin e Tij. Pa ungjillin e Shpëtimtarit dhe autoritetin për të administruar ordinancat e tij, Kisha nuk ka ndonjë veçanti.
Pa ndikimin e qëndrueshmërisë së fosilgurit, nitroglicerina kishte vlerë të pakët si lëndë plasëse. Sikurse e ka treguar historia, pa Kishën e Zotit, kuptueshmëria e njerëzimit për ungjillin e Tij ka qenë po ashtu e paqëndrueshme: e prirur për largim nga doktrina dhe e nënshtruar ndaj ndikimit të feve, kulturave dhe filozofive të ndryshme. Një shkrirje e atyre ndikimeve është shpërfaqur në çdo periudhë ungjillore përpara kësaj të fundit. Megjithëse ungjilli fillimisht u zbulua i pastër, interpretimi dhe zbatimi i atij ungjilli gradualisht mori një formë perëndishmërie së cilës i mungonte fuqia sepse mungonte struktura e autorizuar në mënyrë hyjnore.
Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme mundëson qasje në fuqinë e Perëndisë për shkak se autorizohet prej Tij për të dhënë mësim doktrinën e Krishtit si dhe për të ofruar ordinancat shpëtuese dhe ekzaltuese të ungjillit. Shpëtimtari është i etur të na i falë mëkatet, të na ndihmojë të kemi qasje në fuqinë e Tij dhe të na shndërrojë. Ai vuajti për mëkatet tona dhe është i dëshiruar të na shfajësojë nga dënimi që përndryshe do të meritonim. Ai dëshiron që të bëhemi të shenjtë dhe të përsosemi në Të.
Jezu Krishti ka fuqinë për ta bërë këtë. Ai nuk shfaqi thjesht mëshirë për papërsosuritë tona dhe [veç] vajtoi për ndëshkimin tonë të përjetshëm si pasojë e mëkatit. Jo, Ai shkoi përtej, pafundësisht përtej dhe e rivendosi Kishën e Tij për të mundësuar qasje në fuqinë e Tij.
Thelbi i ungjillit që Kisha jep mësim, është se Jezu Krishti i mbajti “sëmundjet tona dhe … [mori] përsipër dhembjet tona”. Ai bëri që të “bjerë mbi të paudhësia e ne të gjithëve”. Ai “duroi kryqin”, i këputi “lidhjet e vdekjes”, “u ngjit në qiell dhe [u] ul në krahun e djathtë të Perëndisë, për t’i kërkuar Atit të drejtat e tij të mëshirës që ai ka mbi fëmijët e njerëzve”. Shpëtimtari e bëri të gjithë këtë, sepse Ai e do Atin e Tij dhe Ai na do ne. Ai e ka paguar tashmë çmimin e pafund që të mund t’i “kërko[jë] të gjithë ata që kanë besim në të; dhe … [t’i] përkrah[ë]” ata, të na përkrahë ne. Jezu Krishti nuk do asgjë më shumë sesa që ne të pendohemi e të vijmë tek Ai në mënyrë që të mund të na shfajësojë e shenjtërojë. Në këtë dëshirë, Ai është i paepur dhe i palëkundur.
Qasja te fuqia besëlidhëse e Perëndisë dhe dashuria e Tij besëlidhëse, bëhet nëpërmjet Kishës së Tij. Ndërthurja e ungjillit të Shpëtimtarit me Kishën e Tij, na e shndërron jetën. Ajo i shndërroi gjyshërit e mi nga nëna. Gjyshi im, Oskar Andersoni, punonte në një kantier detar në Hëgmarshë, një ishull në arkipelagun e Stokholmit. Bashkëshortja e tij, Albertina, dhe fëmijët e tyre jetonin në pjesën joishullore të Suedisë. Çdo dy javë, të shtunave, Oskari voziste me varkë për të shkuar në shtëpi gjatë fundjavës, përpara se të kthehej në Hëgmarshë të dielën në mbrëmje. Një ditë, ndërsa ishte në Hëgmarshë, dëgjoi dy misionarë amerikanë të predikonin ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit. Oskari ndjeu se ajo që dëgjoi, ishte e vërteta e pastër dhe u mbush me gëzim të pashprehshëm.
Herën tjetër që u kthye në shtëpi, Oskari i tregoi me ngazëllim Albertinës gjithçka rreth misionarëve. I shpjegoi se i besonte asaj që dhanë mësim ata. I kërkoi që t’i lexonte broshurat që i kishin dhënë, dhe i tha se mendonte që asnjëri prej fëmijëve të tyre të ardhshëm nuk duhej të pagëzohej në foshnjëri. Albertina u inatos dhe i hodhi broshurat në pirgun e mbeturinave. Nuk i thanë më ndonjë gjë [kush e di çfarë] njëri-tjetrit derisa Oskari u kthye në punë të dielën në mbrëmje.
Sapo ai iku, Albertina i mori broshurat nga mbeturinat. E krahasoi me kujdes doktrinën e tyre me mësimet në Biblën e saj të vjetruar nga përdorimi. U habit kur ndjeu se ajo që lexoi, ishte e vërtetë. Herën tjetër që Oskari u kthye në shtëpi, ajo e priti shumë ngrohtë, sikurse bëri me kopjen e Librit të Mormonit që ai solli me vete. Albertina lexoi me padurim, sërish duke e krahasuar atë doktrinë me doktrinën në Bibël. Si Oskari, ajo e njohu të vërtetën e pastër dhe u mbush me gëzim të patreguar.
Oskari, Albertina dhe fëmijët e tyre u shpërngulën në Hëgmarshë që të ishin pranë anëtarëve të pakët të Kishës atje. Një javë pasi Oskari dhe Albertina u pagëzuan në vitin 1916, Oskarin e thirrën që të ishte udhëheqësi i grupit në Hëgmarshë. Si shumë të kthyer në besim, Oskari dhe Albertina u përballën me kritika për shkak të besimit të tyre të ri. Fermerët vendorë nuk pranonin t’u shitnin qumësht, ndaj Oskari voziste matanë fjordit çdo ditë për të blerë qumësht nga një fermer më tolerant.
Prapëseprapë, gjatë viteve pasuese, anëtarësia e Kishës në Hëgmarshë u shtua, pjesërisht për shkak të dëshmisë së fuqishme dhe zellit të zjarrtë misionar të Albertinës. Kur grupi u bë degë, Oskarin e thirrën si presidentin e degës.
Anëtarët e asaj dege në Hëgmarshë kishin nderim për atë ishull. Ky vend ishte si Ujërat e Mormonit për ta. Ai ishte vendi ku ata morën njohurinë për Shëlbuesin e tyre.
Përgjatë viteve, ndërsa e mbanin besëlidhjen e pagëzimit, Oskari dhe Albertina u shndërruan nga fuqia e Jezu Krishtit. Ata qenë të dëshiruar të bënin më shumë besëlidhje dhe të merrnin besëlidhjet e tempullit. Për t’i marrë ato bekime, ata emigruan përfundimisht nga shtëpia e tyre në Suedi drejt Solt-Lejk-Sitit në vitin 1949. Oskari pati shërbyer si udhëheqës i anëtarëve në Hëgmarshë për 33 vjet.
Ndërthurja e nitroglicerinës me fosilgurin e bëri dinamitin me vlerë; ndërthurja e ungjillit të Jezu Krishtit me Kishën e Tij nuk ka çmim. Oskari dhe Albertina dëgjuan për ungjillin e rivendosur sepse një profet i Perëndisë kishte thirrur, caktuar dhe dërguar misionarë në Suedi. Me mandat hyjnor, misionarët e dhanë mësim doktrinën e Krishtit dhe me autoritetin e priftërisë e pagëzuan Oskarin dhe Albertinën. Si anëtarë, Oskari dhe Albertina vazhduan të mësonin, të zhvilloheshin dhe t’u shërbenin të tjerëve. Ata u bënë shenjtorë të ditëve të mëvonshme ngaqë i mbajtën besëlidhjet që bënë.
Shpëtimtari i referohet Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme me fjalët “kisha ime” sepse Ai i dha asaj mandatin për të përmbushur qëllimet e Tij: predikimin e ungjillit të Tij, ofrimin e ordinancave dhe besëlidhjeve të Tij dhe bërjen të mundur që fuqia e Tij të na shfajësojë e shenjtërojë. Pa Kishën e Tij, nuk ka autoritet, nuk ka predikim të të vërtetave të zbuluara në emrin e Tij, nuk ka ordinanca ose besëlidhje, nuk ka manifestim të fuqisë së perëndishmërisë, nuk ka shndërrim në atë që Perëndia do që të bëhemi dhe plani i Perëndisë kthehet në hiç. Kisha në këtë periudhë ungjillore është pjesë përbërëse e planit të Tij.
Ju ftoj t’u zotoheni më plotësisht Shpëtimtarit, ungjillit të Tij dhe Kishës së Tij. Ndërsa e bëni këtë, do të zbuloni se ndërthurja e ungjillit të Shpëtimtarit me Kishën e Tij sjell fuqi në jetën tuaj. Kjo fuqi është shumë më e madhe se ajo e dinamitit. Ajo do t’i thërrmojë shkëmbinjtë që ju zënë udhën, do t’ju shndërrojë në një trashëgimtar në mbretërinë e Perëndisë. Dhe ju do të “mbush[eni] me atë gëzim që është i patregueshëm dhe plot lavdi”. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.