Shenjtëri Zotit në Jetën e Përditshme
Shenjtëria ndaj Zotit e bën të shenjtë të jetuarit e përditshëm. Ajo na bën më të afërt e më të lumtur me Zotin dhe me njëri-tjetrin.
Grumbullimi ynë si familje Gong herën e fundit përfshiu një shfaqje argëtuese talentesh, bashkë me një konkurs gjëzash komike me lojëra fjalësh.
Por ky konkurs ishte i pazakontë. Në njërën skuadër ishin gjyshi (unë) dhe dy mbesat, në moshën 12 dhe 11 vjeçe. Në skuadrën tjetër ishte një program inteligjence artificiale (IA), të cilin e nxiste një kushëri të thoshte gjëza komike sipas stilit të Gerit W. Gongut. Gjyshi Gerit Gong i vërtetë kundër Gerit Gongut të inteligjencës artificiale.
Mbesat dhe unë filluam të parët.
Çfarë e quan një dinozaur me gërshërë në dorë? Berberosaurus.
Gerit Gongut artificial iu dha udhëzimi – mendo si Gerit W. Gongu. Fol si ai.
Gerit Gongu i inteligjencës artificiale: “Ja një gjëzë komike siç do ta thoshte Gerit W. Gongu, duke përfshirë stilin e tij të ngrohtë, plot mendim dhe që të ngre moralisht: ‘Përse i bëri pema e përulur njerëzit të buzëqeshnin?’ Sepse ishte e rrënjosur në dashuri dhe i zgjati degët e mirësisë. Si ajo pemë, edhe ne mund të gjejmë forcë në rrënjët tona dhe gëzim kur u zgjatim mirësi të tjerëve.”
Pra, si ju duken? Kjo është arsyeja përse quhen gjëza komike.
Kudo përreth nesh ka mundësi për të qeshur, për t’u kënaqur, për të parë me sy mirënjohës. I yni është një ungjill i gëzimit dhe shenjtërisë në jetën e përditshme. Shenjtëria i veçon gjërat për një qëllim të shenjtë. Por shenjtëria gjithashtu na fton ta mbushim të jetuarit e përditshëm me gjëra të shenjta – të gëzohemi nga buka e përditshme mes ferrave dhe gjembave të kësaj bote. Për të ecur me Zotin, duhet të bëhemi të shenjtë, sepse Ai është i shenjtë; dhe që të na ndihmojë të bëhemi të shenjtë, Zoti na fton të ecim me Të.
Secili prej nesh e ka një histori. Teksa Motra Gong dhe unë takohemi me ju, anëtarët dhe miqtë e Kishës në shumë vende dhe rrethana, na frymëzojnë historitë tuaja me shenjtëri ndaj Zotit në jetën e përditshme. Ju i jetoni të shtata kërkesat: afërsi me Perëndinë; bashkësi dhe dhembshuri me njëri‑tjetrin; përkushtim dhe besëlidhje me Perëndinë, familjen dhe miqtë – qendërzim te Jezu Krishti.
Prova gjithnjë e në rritje e theksojnë këtë fakt befasues: besimtarët janë mesatarisht më të lumtur, më të shëndetshëm dhe më të përmbushur se njerëzit pa zotim ose lidhje shpirtërore. Lumturia dhe kënaqësia në jetë, shëndeti mendor e fizik, kuptimi dhe qëllimi, karakteri dhe virtyti, marrëdhëniet e ngushta shoqërore, madje dhe qëndrueshmëria financiare e materiale – në secilën kategori, praktikuesit e një besimi fetar lulëzojnë.
Ata gëzojnë shëndet më të mirë fizik e mendor dhe kënaqësi më të madhe në jetë në të gjitha moshat dhe grupet demografike.
Ajo që shkencëtarët e quajnë “qëndrueshmëria strukturore fetare”, ofron qartësi, qëllim e frymëzim mes dredhave dhe kthesave të jetës. Një vatër familjare besimi dhe komuniteti i shenjtorëve e luftojnë izolimin dhe turmën e vetmuar. Shenjtëria ndaj Zotit u thotë jo gjërave profane, jo zgjuarsisë poshtëruese në kurriz të të tjerëve, jo algoritmeve të internetit që i shndërrojnë në të ardhura zemërimin dhe polarizimin shoqëror. Shenjtëria ndaj Zotit u thotë po gjërave të shenjta dhe nderuese, po shndërrimit tonë në veten tonë më të lirë, më të lumtur, më autentike, më të mirë teksa e ndjekim Atë me besim.
Me çfarë ngjan shenjtëria ndaj Zotit në jetën e përditshme?
Shenjtëria ndaj Zotit në jetën e përditshme ngjan me dy të rinj në moshë madhore besnikë, të martuar prej një viti, që po flasin me vërtetësi dhe zemër në dorë për besëlidhjet e ungjillit, sakrificën dhe shërbimin teksa jeta e tyre shpaloset para tyre.
Ajo fillon: “Në shkollë të mesme pata një periudhë të zymtë. Ndieja se nuk e kisha pranë Perëndinë. Një natë, në një mesazh në telefon nga një shoqe thuhej: ‘Ej, a e ke lexuar ndonjëherë kapitullin tek Alma 36?’
Teksa fillova ta lexoja”, – tha ajo, – “më kaploi paqja dhe dashuria. Ndjeva sikur po më jepej një përqafim i madh. Kur lexova tek Alma 36:12, e dija se Ati Qiellor më shihte dhe e dinte saktësisht se si po ndihesha.”
Ajo vazhdon: “Përpara se të martoheshim, u tregova e sinqertë me të fejuarin për faktin se nuk kisha ndonjë dëshmi të madhe për të dhjetën. Përse kishte nevojë Perëndia që ne të jepnim para, kur të tjerët kishin kaq shumë për të dhënë? I fejuari im më ndihmoi duke shpjeguar se kjo nuk ka lidhje me paratë, por me zbatimin e një urdhërimi që na kërkohej. Ai më hodhi sfidën që të filloja ta paguaja të dhjetën.
Vërtet e pashë dëshminë time të rritej”, – tha ajo. “Nganjëherë jemi ngushtë për para, por pamë aq shumë bekime dhe disi rrogat na mjaftonin.”
Gjithashtu, “Në degën e infermierisë”, – tha ajo, – “isha e vetmja anëtare e Kishës dhe e vetmja e martuar. Shumë herë largohesha nga mësimi e acaruar ose duke qarë ngaqë ndieja se pjesëtarët e tjerë të klasës më veçonin dhe bënin komente negative rreth bindjeve të mia fetare, mbajtjes së veshjeve të brendshme të tempullit ose rreth faktit që isha martuar aq e re.”
Prapëseprapë, ajo vijon: “Këtë semestër që kaloi, mësova se si t’i shprehja më mirë bindjet e mia fetare dhe të isha një shembull i mirë i ungjillit. Njohuria dhe dëshmia ime u rritën ngaqë u vura në provë lidhur me aftësinë time për të qëndruar e vetme dhe për të qenë e fortë në atë që besoj.”
Bashkëshorti i ri në moshë shton: “Përpara misionit, kisha oferta që të luaja bejzboll në kolegj. Duke marrë vendimin e vështirë, unë i lashë mënjanë ato oferta dhe shkova t’i shërbeja Zotit. Nuk do t’i këmbeja ata dy vjet me asgjë.
Me kthimin në shtëpi”, – tha ai, – “prisja një fazë të vështirë kalimtare, por e pashë veten më të fortë, më të shpejtë dhe më të shëndetshëm. Po e hidhja topin më fort sesa kur u largova. Pata më shumë oferta për të luajtur sesa kur u largova, përfshirë edhe nga shkolla e ëndrrave të mia. Më e rëndësishmja”, – tha ai, – “unë mbështetem te Zoti më shumë se kurrë.”
Ai e mbyll: “Si misionar mësova se Ati Qiellor na premton fuqi nga lutjet tona, por nganjëherë e harroj këtë gjë kur bie fjala te vetja”.
Thesari ynë i bekimeve të marra kur i japim shenjtëri Zotit përmes shërbimit misionar, është i pasur dhe i mbushur plot. Financat, koha dhe rrethana të tjera shpesh nuk janë të lehta. Por kur misionarët e të gjitha moshave dhe prejardhjeve i përkushtojnë shenjtëri Zotit, gjërat mund të zgjidhen në kohën dhe mënyrën e Zotit.
Tani, për një përvojë që ndodhi përpara 48 vjetësh, një misionar në moshë tregon: “Babi im donte që unë të merrja arsimim në kolegj dhe të mos shkoja në mision. Pak kohë pas kësaj, ai pësoi një infarkt dhe vdiq në moshën 47‑vjeçare. U ndjeva fajtor. Si mund t’i rregulloja gjërat me atin tim?
Më vonë”, – vijon ai, – “pasi vendosa të shërbeja në një mision, pashë babanë në ëndërr. Plot paqe dhe kënaqësi, ai ishte i lumtur që do të shërbeja.”
Ky misionar në moshë vazhdon: “Siç na mësohet te Doktrina e Besëlidhje, seksioni 138, unë besoj se ati im mund të shërbente si misionar në botën e shpirtrave. E imagjinoj babanë tim duke ndihmuar stërgjyshin tonë, i cili u largua nga Gjermania në moshën 17‑vjeçare dhe ishte i humbur për familjen, që të gjendej përsëri.”
Bashkëshortja e tij shton: “Mes pesë vëllezërve në familjen e bashkëshortit tim, ata katër që shërbyen në misione, janë ata që morën diploma kolegji”.
Shenjtëria ndaj Zotit në jetën e përditshme ngjan me një misionar të ri në moshë, i kthyer nga misioni, i cili mësoi ta lejojë Perëndinë të triumfojë në jetën e tij. Më parë, kur iu kërkua të bekonte dikë që ishte shumë i sëmurë, ky misionar tha: “Kam besim; do ta bekoj që të shërohet. Prapëseprapë”, – thotë misionari i kthyer, – “mësova në atë çast që të lutesha jo për atë që dëshiroja, por për atë që Zoti e dinte se kishte nevojë personi. E bekova vëllanë me paqe e ngushëllim. Më vonë ai ndërroi jetë paqësisht.”
Shenjtëria ndaj Zotit në jetën e përditshme ndihet si një shkëndijë që kalon përmes velit për të lidhur, ngushëlluar e forcuar. Një administrator në një universitet të madh thotë se i ndien individët që i njeh vetëm nga emri, të luten për të. Ata individë ia përkushtuan jetën universitetit dhe vazhdojnë të kujdesen për misionin dhe studentët e tij.
Një motër bën gjithçka mundet çdo ditë, pasi bashkëshorti qe jo besnik ndaj saj dhe fëmijëve. I admiroj thellësisht atë dhe njerëz të tjerë si ajo. Një ditë, ndërsa po paloste rrobat e lara, me dorën mbi një grumbull veshjesh të brendshme të tempullit, ajo psherëtiu me vete: “Ç’vlerë kanë?” Ajo ndjeu një zë të butë që i dha siguri: “Besëlidhjet e tua janë me mua”.
Për 50 vjet një motër tjetër qe e dëshiruar të krijonte një marrëdhënie me të atin e saj. “Ndërkohë që rritesha”, – thotë ajo, – “ishin vëllezërit e mi dhe babi im si një grup, dhe pastaj vija unë, bija e vetme. Gjithçka që kisha dëshiruar gjithmonë, ishte që të isha ‘e mirë mjaftueshëm’ për babin tim.
Më pas, mami ndërroi jetë! Ajo ishte e vetmja ndërlidhëse midis meje dhe babit.
Një ditë”, – tha motra, – “dëgjova një zë të thoshte: ‘Ftoje babin dhe merre me vete në tempull’. Ai ishte fillimi i një takimi dy herë në muaj me babin në shtëpinë e Zotit. I thashë babit tim se e doja. Edhe ai më tha se më donte.
Shpenzimi i kohës në shtëpinë e Zotit na ka shëruar. Mami nuk mundi të na ndihmonte në tokë. U desh që ajo të ishte në anën tjetër të velit që të ndihmonte për të ndrequr atë që ishte e thyer. Tempulli e plotësoi rrugëtimin tonë drejt shërimit tërësor si një familje e përjetshme.”
Babai thotë: “Përkushtimi i tempullit ishte një përvojë e shkëlqyer shpirtërore për mua dhe për bijën time të vetme. Tani ne e frekuentojmë së bashku dhe e ndiejmë dashurinë të na forcohet.”
Shenjtëria ndaj Zotit në jetën e përditshme përfshin çaste të dhembshura kur ndërrojnë jetë njerëzit e dashur. Në fillim të këtij viti, nëna ime e dashur, Xhin Gongu, qetësisht e paqësisht kaloi në jetën tjetër, pak ditë përpara ditëlindjes së saj të 98‑të.
Po ta pyesnit nënën time: “A do akullore me çokollatë dhe arra, me çokollatë të bardhë dhe xhenxhefil, apo akullore me luleshtrydhe?” Mami do të thoshte: “Po, të lutem, a mund t’i provoj të gjitha?” Kush mund t’i thoshte jo nënës sime, veçanërisht kur asaj i pëlqenin shumë të gjitha shijet e jetës?
Njëherë e pyeta mamin se cilat vendime i kishin dhënë më shumë trajtë jetës së saj.
Ajo tha: “Pagëzimi si anëtare e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe shpërngulja nga Havai në pjesën kontinentale të SHBA‑së, ku u takova me babanë tënd”.
E pagëzuar si një 15‑vjeçare, e vetmja anëtare e familjes së saj të madhe që u bashkua me Kishën tonë, nëna ime pati besim besëlidhës dhe mirëbesim te Zoti që e bekuan jetën e saj dhe tërë brezat e familjes sonë. Më merr malli për nënën time, ashtu siç ju merr malli ju për pjesëtarë në familjen tuaj. Por e di se nëna ime nuk është zhdukur. Ajo thjesht nuk është këtu tani. E nderoj atë dhe të gjithë ata që ndërrojnë jetë si shembuj të guximshëm të shenjtërisë së përditshme ndaj Zotit.
Sigurisht, shenjtëria ndaj Zotit në jetën e përditshme përfshin ardhjen më shpesh te Zoti në shtëpinë e Tij të shenjtë. Kjo është e vërtetë, pavarësisht a jemi anëtarë apo miq të Kishës.
Tre miq të Kishës erdhën në shtëpinë e hapur të Tempullit të Bangkokut në Tajlandë.
“Ky është një vend ku shërohesh i tëri”, – tha njëri.
Në pagëzimore, një tjetër tha: “Kur jam këtu, dua të lahem që të pastrohem dhe kurrë të mos mëkatoj përsëri”.
I treti tha: “A e ndien fuqinë shpirtërore?”
Me pesë fjalë të shenjta, tempujt tanë ftojnë dhe shpallin:
“Shenjtëri Zotit.
Shenjtëria ndaj Zotit e bën të shenjtë të jetuarit e përditshëm. Ajo na bën më të afërt e më të lumtur me Zotin dhe me njëri-tjetrin; dhe na përgatit të jetojmë me Perëndinë, Atin tonë, me Jezu Krishtin dhe me njerëzit tanë të dashur.
Sikurse mikja ime, ju mund të pyesni veten a ju do Ati Qiellor. Përgjigjja është një po kumbuese, absolutisht po! Ne mund ta ndiejmë dashurinë e Tij ndërsa e bëjmë shenjtërinë ndaj Zotit diçka tonën çdo ditë, të lumtur dhe përgjithmonë. Veprofshim të gjithë kështu, unë lutem në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.