Konferenca e Përgjithshme
E Thjeshtë Është Doktrina e Jezu Krishtit
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2024


16:6

E Thjeshtë Është Doktrina e Jezu Krishtit

Unë jap dëshmi për punën e shenjtë të mësimdhënies ndaj fëmijëve të Atit Qiellor të doktrinës së thjeshtë të Jezu Krishtit.

Të gjithë ne kemi familjarë që i duam, të cilët po tundohen dhe sprovohen nga forcat – në dukje të vazhdueshme – të Satanit, shkatërruesit, i cili dëshiron t’i bëjë të gjithë fëmijët e Perëndisë të mjerueshëm. Për shumë prej nesh, ka pasur net pa gjumë. Jemi përpjekur t’i rrethojmë njerëzit që janë në rrezik me çdo forcë për mirë. Jemi përgjëruar në lutje për ta. U kemi dhënë dashuri. Kemi dhënë shembullin më të mirë që kemi mundur.

Alma, një profet i urtë i kohëve të lashta, u përball me sprova të ngjashme. Njerëzit që ai i udhëhoqi dhe i deshi, qenë herë pas here nën sulmin e një armiku të egër, e megjithatë ata prapë u përpoqën të rritnin fëmijë të drejtë në një botë me ligësi. Alma ndjeu se shpresa e tij e vetme për fitore, ishte një forcë të cilën nganjëherë ne mund ta nënvlerësojmë dhe shpesh e përdorim shumë pak. Ai u përgjërua për ndihmën e Perëndisë.

Alma e dinte se me qëllim që Perëndia të ndihmonte, kërkohej pendim nga ata që i udhëhiqte, si edhe nga kundërshtarët e tij. Si rrjedhim, ai zgjodhi një qasje tjetër në vend të betejës.

Libri i Mormonit e përshkruan në këtë mënyrë: “Dhe tani, pasi predikimi i fjalës kishte një prirje të madhe ta çonte popullin të bënte atë që ishte e drejtë – po, kishte … një ndikim më të fuqishëm mbi mendjet e njerëzve sesa shpata, ose çdo gjë tjetër që u kishte ngjarë atyre – prandaj Alma mendoi se ishte e nevojshme që ata të provonin virtytin e fjalës së Perëndisë”.

Fjala e Perëndisë është doktrina e dhënë mësim nga Jezu Krishti dhe nga profetët e Tij. Alma e dinte që fjalët e doktrinës kishin fuqi të madhe.

seksionin 18 te Doktrina e Besëlidhje, Zoti zbuloi themelin e doktrinës së Tij:

“Sepse, vini re, unë i urdhëroj gjithë njerëzit kudo të pendohen. …

Sepse, vini re, Zoti, Shëlbuesi juaj vuajti vdekjen në mish; prandaj ai vuajti dhembjen e gjithë njerëzve, që gjithë njerëzit të mund të pendohen e të vijnë tek ai.

Dhe ai është ngritur së vdekuri, që të mund t’i sjellë gjithë njerëzit te vetja, me kushtin e pendimit.”

“Dhe ju do të bini përtokë dhe do të adhuroni Atin në emrin tim.

… Ju duhet të pendoheni dhe të pagëzoheni, në emër të Jezu Krishtit.”

“I kërkoni Atit në emrin tim, me besim, duke besuar se do të merrni dhe ju do të keni Frymën e Shenjtë.”

“Dhe tani, pasi ta keni marrë këtë, ju duhet t’i zbatoni urdhërimet e mia në të gjitha gjërat.”

“Merrni mbi vete emrin e Krishtit dhe flisni të vërtetën me maturi.

Dhe sa vetë të pendohen dhe të pagëzohen në emrin tim, që është Jezu Krishti, dhe të durojnë deri në fund, të gjithë do të shpëtohen.”

Në ato pak fragmente, Shpëtimtari na jep shembullin e përkryer të mënyrës se si duhet ta japim mësim doktrinën e Tij. Kjo doktrinë është se besimi te Zoti Jezu Krisht, pendimi, pagëzimi, marrja e dhuratës së Frymës së Shenjtë dhe durimi deri në fund i bekon të gjithë fëmijët e Perëndisë.

Teksa ua mësojmë këto parime atyre që i duam, Fryma e Shenjta do të na ndihmojë të dimë të vërtetën. Për shkak se na nevojiten nxitjet e Frymës së Shenjtë, duhet të shmangim spekulimet apo interpretimet vetjake që shkojnë përtej mësimdhënies së doktrinës së vërtetë.

Kjo mund të jetë e vështirë për t’u bërë kur e doni njeriun tek i cili po përpiqeni të ndikoni. Ai ose ajo mund ta ketë shpërfillur doktrinën që është dhënë mësim. Është tunduese të provosh diçka të re ose të bujshme. Por Fryma e Shenjtë do ta zbulojë shpirtin e së vërtetës vetëm kur jemi të vëmendshëm e të kujdesshëm që të mos shkojmë përtej mësimdhënies së doktrinës së vërtetë. Njëra nga mënyrat më të sigurta për të shmangur madje edhe afrimin te doktrina e rreme, është të zgjedhim të jemi të thjeshtë në mësimdhënien tonë. Nga ajo thjeshtësi fitohet siguria dhe pakogjë humbet.

Mësimdhënia e thjeshtë na lejon ta përhapim doktrinën e shpëtimit që në fazë të hershme, ndërsa fëmijët mbeten të paprekur nga tundimet e mashtruesit, me të cilat do të përballen më vonë, kohë përpara se të vërtetat që nevojitet të mësojnë, të mbyten nga zhurma e rrjeteve sociale, bashkëmoshatarët dhe mundimet e tyre vetjake. Duhet të rrokim çdo mundësi për t’ua treguar fëmijëve mësimet e Jezu Krishtit. Këto çaste mësimdhënëse janë të paçmueshme dhe shumë më të pakta krahasuar me përpjekjet e pandërprera të forcave kundërshtare. Për çdo orë të shpenzuar duke rrënjosur doktrinën në jetën e një fëmije, ka orë të panumërta kundërshtimi përplot me mesazhe dhe imazhe që i sfidojnë apo i shpërfillin ato të vërteta shpëtuese.

Disa prej jush mund të pyesin veten nëse mund të jetë më mirë që t’i afroni fëmijët tuaj më pranë vetes nëpërmjet argëtimit, ose mund të pyesin veten nëse fëmija mund të fillojë të ndihet i mbingarkuar nga mësimet tuaja. Përkundrazi, duhet të kemi parasysh këtë: “Me kaq pak kohë e kaq pak mundësi, çfarë fjalësh doktrine mund t’u tregoj që do t’i forcojë kundër sfidave të pashmangshme ndaj besimit të tyre?” Fjalët që u thoni sot, mund të jenë ato që do të mbartin me vete; dhe e sotmja do të kalojë shpejt.

E kam admiruar gjithnjë përkushtimin e stërgjyshes sime, Meri Bomelit, për ta përhapur doktrinën e Jezu Krishtit. Familja e saj i mori mësimet nga misionarët në Zvicër, kur ajo ishte 24 vjeçe.

Pasi u pagëzua, Meri dëshiroi t’u bashkohej shenjtorëve në Amerikë, ndaj u nis nga Zvicra drejt Berlinit dhe gjeti punë te një grua që e punësoi për të thurur rroba për veshjet e familjes. Meri jetonte në dhomën e shërbyesve dhe e vendosi tezgjahun e saj në dhomën e ndenjjes.

Në atë kohë, dhënia mësim e doktrinës së Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ishte e paligjshme në Berlin. Mirëpo Meri zbuloi se nuk mund t’i mbante për vete gjërat që kishte mësuar. E zonja e shtëpisë dhe mikeshat e saj mblidheshin rreth tezgjahut për ta dëgjuar Merin ndërsa jepte mësim. Ajo foli për shfaqjen e Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit para Jozef Smithit, vizitën e engjëjve dhe Librin e Mormonit. Duke kujtuar rrëfimet e Almës, ajo dha mësim rreth doktrinës së Ringjalljes. Ajo dëshmoi se familjet mund të ribashkohen në mbretërinë çelestiale.

Entuziazmi i Merit për ta përhapur doktrinën e ungjillit të rivendosur shpejt shkaktoi telashe. Pa kaluar shumë kohë, policia e futi Merin në burg. Rrugës, ajo e pyeti policin për emrin e gjykatësit, tek i cili do të paraqitej të nesërmen në mëngjes. Ajo gjithashtu e pyeti për familjen e tij dhe nëse ishte një baba dhe një bashkëshort i mirë. Polici e përshkroi gjykatësin si një burrë të kësaj bote.

Në burg, Meri kërkoi një laps e ca letra. Ajo e kaloi natën duke i shkruar një letër gjykatësit, duke dëshmuar për Ringjalljen e Jezu Krishtit siç përshkruhej në Librin e Mormonit, duke diskutuar për botën e shpirtrave dhe duke i shpjeguar pendimin. Ajo sugjeroi se gjykatësit do t’i duhej kohë të reflektonte për jetën e tij përpara se të përballej me gjykimin përfundimtar. Ajo shkroi se e dinte se ai kishte shumë gjëra për të cilat të pendohej, shumë gjëra që do ta trishtonin thellë familjen e tij dhe do t’i sillnin atij hidhërim të madh. Në mëngjes, kur ajo e kishte përfunduar letrën, ia dha policit dhe i kërkoi t’ia dorëzonte atë gjykatësit, dhe ai pranoi ta bënte këtë.

Më vonë, polici u thirr nga gjykatësi në zyrën e tij. Letra që kishte shkruar Meri ishte provë e padiskutueshme se ajo po jepte mësim doktrinën e ungjillit të rivendosur dhe për rrjedhojë, po thyente ligjin. Megjithatë, nuk kaloi shumë kohë dhe polici u kthye në qelinë e Merit. Ai i tha se të gjitha akuzat ndaj saj ranë dhe se ishte e lirë të shkonte. Mësimdhënia nga ana e saj e doktrinës së ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit kishte bërë që ajo të futej në burg. Shpallja e doktrinës së pendimit te gjykatësi e nxori atë nga burgu.

Mësimdhënia e Meri Bomelit nuk përfundoi te lirimi i saj nga burgu. Rrëfimi i fjalëve të saj e përcolli doktrinën e vërtetë nëpër brezat që nuk kishin lindur ende. Besimi i saj se qoftë edhe një i kthyer rishtas në besim mund ta jepte mësim doktrinën e Jezu Krishtit, ka siguruar që pasardhësit e saj të forcohen në betejat e tyre vetjake.

Ndërsa bëjmë më të mirën për t’ua mësuar atyre që i duam doktrinën e Jezu Krishtit, disa mund të mos reagojnë. Në mendje mund t’u përvidhen dyshime. Mund të vini në diskutim faktin se a e dini doktrinën e Shpëtimtarit mjaftueshëm mirë sa për ta dhënë mësim me efektshmëri. Nëse keni bërë tashmë përpjekje për ta dhënë mësim atë, mund të pyesni veten se pse efektet pozitive nuk janë më [shumë] të dukshme. Mos u jepni ndaj atyre dyshimeve. Drejtojuni Perëndisë për ndihmë.

“Po, dhe përgjëroju Perëndisë, për gjithë mbështetjen tënde; … le të jetë dashuria e zemrës sate e vendosur përgjithnjë te Zoti.”

“Dhe tani unë do të doja që ju të jeni të përulur dhe të nënshtruar dhe të butë; të lehtë për t’u mësuar; plot durim dhe këmbëngulje; duke qenë të matur në të gjitha gjërat; duke qenë të zellshëm në zbatimin e urdhërimeve të Perëndisë në të gjitha kohët; duke kërkuar çdo gjë, për të cilën ju keni nevojë, qoftë shpirtërore ose tokësore, duke i dhënë falënderime gjithmonë Perëndisë për çdo gjë që ju merrni.”

Nëse luteni, nëse i flisni Perëndisë dhe nëse i përgjëroheni Atij për ndihmë për njeriun tuaj të dashur dhe nëse e falënderoni Atë jo vetëm për ndihmën, por edhe për durimin dhe zemërbutësinë që vjen nga mosmarrja e gjithçkaje që dëshironi menjëherë apo ndoshta dhe asnjëherë, atëherë ju premtoj se do t’i afroheni më shumë Atij. Ju do të bëheni të zellshëm dhe të përvuajtur. Atëherë mund të dini se keni bërë gjithçka që mund të bëni për të ndihmuar ata që i doni dhe ata për të cilët luteni, që të dalin fitimtarë përballë përpjekjeve të Satanit për t’i devijuar ata nga udha.

“Por ata që shpresojnë te Zoti fitojnë forca të reja, ngrihen me krahë si shqiponja, vrapojnë pa u lodhur dhe ecin pa u lodhur.”

Ju mund të gjeni shpresë në analin e shkrimit të shenjtë të familjeve. Ne lexojmë për ata që u larguan prej asaj që iu mësua, ose për ata që po përlesheshin me Perëndinë për falje, si Alma i Riu, bijtë e Mosias dhe Enosi. Në çastet e krizës, atyre iu kujtuan fjalët e prindërve të tyre, fjalët e doktrinës së Jezu Krishtit. Ata shpëtuan ngaqë i kujtuan [mësimet]. Mësimdhënia juaj e asaj doktrine të shenjtë do të kujtohet.

Unë jap dëshmi për punën e shenjtë të mësimdhënies ndaj fëmijëve të Atit Qiellor të doktrinës së thjeshtë të Jezu Krishtit, e cila na lejon të pastrohemi shpirtërisht dhe në fund të mirëpritemi në praninë e Perëndisë, për të jetuar me Të dhe Birin e Tij në lavdi përgjithmonë si familje. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.