Zoti Jezu Krisht do të Vijë Përsëri
Tani është koha që ju dhe unë të përgatitemi për Ardhjen e Dytë të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, Jezusit, Krishtit.
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, jam mirënjohës që Zoti më ka bekuar t’ju flas.
Në këtë konferencë, Zoti na ka folur nëpërmjet shërbëtorëve të Tij. Ju nxit t’i studioni mesazhet e tyre. Përdorini ato si një provë me lakmus për atë që është dhe nuk është e vërtetë, gjatë gjashtë muajve të ardhshëm.
Ruajtja dhe restaurimi i Tempullit të Solt‑Lejkut dhe zonave të tjera në Sheshin e Tempullit, kanë qenë në zhvillim e sipër për gati pesë vjet. Projektimet aktuale tregojnë se kjo punë do të përfundojë nga fundi i vitit 2026. Jemi mirënjohës për të gjithë ata që po punojnë për këtë projekt masiv.
Gjatë gjashtë muajve të fundit, kemi përkushtuar ose ripërkushtuar nëntë tempuj në pesë vende. Nga tani e deri në fund të vitit, do të përkushtojmë edhe pesë të tjerë.
Sot kemi kënaqësinë të shpallim planet për të ndërtuar 17 tempuj të tjerë. Ju lutem, dëgjoni me nderim ndërsa ju njoftoj vendndodhjet.
-
Huçitan‑de‑Saragosa, Meksikë
-
Santa‑Ana, Salvador
-
Medejin, Kolumbi
-
Santiago, Republika Domenikane
-
Puerto‑Mont, Kili
-
Dublin, Irlandë
-
Milano, Itali
-
Abuxha, Nigeri
-
Kampala, Ugandë
-
Maputo, Mozambik
-
Kër‑d’Elejn, Ajdaho
-
Kuin‑Krik, Arizonë
-
El Paso, Teksas
-
Hantsvill, Alabamë
-
Milluoki, Uiskonsin
-
Samit, Nju-Xhersi
-
Prajs, Jutë
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, a e shihni atë që po ndodh pikërisht përpara syve tanë? Lutem që të mos e humbasim madhështinë e këtij çasti! Zoti njëmend po e përshpejton veprën e Tij.
Përse po ndërtojmë tempuj me një ritëm kaq të pashembullt? Përse? Ngaqë Zoti na ka udhëzuar për ta bërë këtë. Bekimet e tempullit ndihmojnë për ta mbledhur Izraelin në të dyja anët e velit. Këto bekime ndihmojnë edhe për të përgatitur një popull i cili do të ndihmojë për ta përgatitur botën për Ardhjen e Dytë të Zotit!
Siç profetizoi profeti Isaia dhe sikurse përkujtohet te vepra Mesia e Hendelit, kur Jezu Krishti të kthehet, “lavdia e Zotit do të zbulohet dhe çdo qenie do ta shohë”.
Në atë ditë “mbi supet e tij do të mbështetet perandoria dhe do të quhet Këshilltar[, i A]dmirueshëm, Perëndi i fuqishëm, Atë i përjetshëm, Princ i paqes”.
Jezu Krishti do të qeverisë si nga Jerusalemi i vjetër, ashtu edhe nga Jerusalemi i Ri i “ndërt[uar] në kontinentin amerikan”. Nga këto dy qendra, Ai do të drejtojë punët e Kishës së Tij.
Në atë ditë Zoti do të njihet si “Mbreti i Mbretërve dhe Zoti i Zotërve”. Ata që janë me Të, do të jenë “të thirrur, të zgjedhur dhe besnikë”.
Vëllezër dhe motra, tani është koha që ju dhe unë të përgatitemi për Ardhjen e Dytë të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, Jezusit, Krishtit. Tani është koha ta bëjmë dishepullimin tonë përparësinë tonë më të lartë. Në një botë të mbushur me shpërqendrime marramendëse, si mund ta bëjmë këtë?
Adhurimi i rregullt në tempull do të na ndihmojë. Në shtëpinë e Zotit, ne përqendrohemi te Jezu Krishti. Mësojmë për Të. Bëjmë besëlidhje për ta ndjekur Atë. Arrijmë ta njohim Atë. Ndërsa i mbajmë besëlidhjet tona të tempullit, marrim qasje më të madhe te fuqia forcuese e Zotit. Në tempull, ne marrim mbrojtje nga goditjet e botës. Ne përjetojmë me bollëk të madh dashurinë e kulluar të Jezu Krishtit dhe të Atit tonë Qiellor! Ndiejmë paqe dhe siguri shpirtërore, në kontrast me trazirat e botës.
Ky është premtimi im për ju: Çdo kërkues i sinqertë i Jezu Krishtit do ta gjejë Atë në tempull. Do ta ndieni mëshirën e Tij. Do të gjeni përgjigje për pyetjet tuaja më shqetësuese. Do ta rrokni më mirë gëzimin e ungjillit të Tij.
Kam mësuar se pyetja më vendimtare që secili duhet t’i përgjigjet, është kjo: Kujt apo për çfarë do ta jap jetën?
Vendimi im për ta ndjekur Jezu Krishtin, është vendimi më i rëndësishëm që kam marrë ndonjëherë. Gjatë shkollës së mjekësisë, fitova një dëshmi për hyjninë e Perëndisë, Atit, dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit. Që nga ajo kohë, Shpëtimtari ynë ka qenë shkëmbi mbi të cilin e kam ndërtuar jetën time. Ajo zgjedhje ka sjellë të gjithë ndryshimin! Ai vendim i ka bërë kaq shumë vendime të tjera më të lehta! Ai vendim më ka dhënë qëllim e drejtim. Më ka ndihmuar gjithashtu t’i përballoj stuhitë e jetës. Më lejoni të jap dy shembuj:
Së pari, kur gruaja ime, Denzeli, ndërroi jetë papritur, nuk munda të vihesha në kontakt me asnjë nga fëmijët. Ja ku isha i vetëm, i shkatërruar dhe duke thirrur për ndihmë. Fatmirësisht, nëpërmjet Shpirtit të Tij, Zoti më mësoi se përse Denzeli ime e dashur u çua në shtëpi. Me atë kuptueshmëri, mora ngushëllim. Me kalimin e kohës, arrita ta përballoja më mirë pikëllimin. Më vonë, u martova me gruan time të dashur, Uendin. Ajo ishte pjesë qendrore e shembullit tim të dytë.
Kur unë dhe Uendi ishim me detyrë në një vend të largët, grabitës të armatosur më vunë një armë në kokë dhe e tërhoqën këmbëzën. Por arma nuk shkrepi. Gjatë gjithë asaj përvoje, të dyve na u kërcënua jeta. Megjithatë, unë dhe Uendi ndiem një paqe të pamohueshme. Ishte paqja “që ia tejkalon çdo zgjuarsie”.
Vëllezër dhe motra, Zoti do t’ju ngushëllojë edhe ju! Ai do t’ju forcojë. Ai do t’ju bekojë me paqe edhe mes kaosit.
Ju lutem, dëgjojeni këtë premtim të Jezu Krishtit për ju: “Unë do të jem në të djathtën e në të majtën tuaj dhe Shpirti im do të jetë në zemrat tuaja e engjëjt e mi përreth jush, për t’ju ngritur lart”.
Aftësia e Shpëtimtarit për t’ju ardhur në ndihmë, nuk ka kufij. Vuajtja e Tij e pakonceptueshme në Gjetseman dhe në Kalvar ishte për ju! Shlyerja e Tij e pafundme është për ju!
Ju nxit t’i kushtoni kohë çdo javë, gjatë gjithë pjesës tjetër të jetës, rritjes së kuptueshmërisë suaj për Shlyerjen e Jezu Krishtit. Më dhemb zemra për ata që janë të zhytur në mëkat dhe nuk dinë si të dalin. Vajtoj për ata që vuajnë shpirtërisht ose që i mbajnë barrët e rënda të vetëm, pasi nuk e kuptojnë se çfarë bëri Jezu Krishti për ta.
Jezu Krishti i mori mbi Vete mëkatet tuaja, dhembjet tuaja, pikëllimet tuaja dhe dobësitë tuaja. Nuk keni pse t’i mbani ato të vetëm! Ai do t’ju falë kur pendoheni. Ai do t’ju bekojë me atë çka ju nevojitet. Ai do ta shërojë shpirtin tuaj të plagosur. Ndërsa viheni nën një zgjedhë me Të, barrët tuaja do të duken më të lehta. Nëse do t’i bëni dhe do t’i mbani besëlidhjet për ta ndjekur Jezu Krishtin, ju do të zbuloni se çastet e dhimbshme të jetës suaj janë të përkohshme. Pikëllimet tuaja do të “përfshihe[n] … në gëzimin për Krishtin”.
Nuk është as tepër herët dhe as tepër vonë që të bëheni një dishepull i përkushtuar i Jezu Krishtit. Atëherë ju do të përjetoni plotësisht bekimet e Shlyerjes së Tij. Ju gjithashtu do të jeni më të efektshëm për të ndihmuar në mbledhjen e Izraelit.
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, në një ditë të ardhshme, Jezu Krishti do të kthehet në tokë si Mesia i mijëvjeçarit. Prandaj sot, ju bëj thirrje t’ia ripërkushtoni jetën tuaj Jezu Krishtit. Ju bëj thirrje të ndihmoni për ta mbledhur Izraelin e shpërndarë dhe për ta përgatitur botën për Ardhjen e Dytë të Zotit. Ju bëj thirrje të flisni për Krishtin, të dëshmoni për Krishtin, të keni besim te Krishti dhe të gëzoheni në Krishtin!
Ejani te Krishti dhe “dhuro[ja]ni tërë shpirt[in] tuaj” Atij. Ky është sekreti i një jete me gëzim!
Më e mira pritet të vijë, vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, sepse Shpëtimtari vjen përsëri! Më e mira pritet të vijë, sepse Zoti po e përshpejton veprën e Tij. Më e mira pritet të vijë, ndërsa e drejtojmë plotësisht zemrën dhe jetën tonë te Jezu Krishti.
Jap dëshminë time solemne se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë. Unë jam dishepull i Tij. E kam për nder që jam shërbëtor i Tij. Në Ardhjen e Tij të Dytë, “lavdia e Zotit do të zbulohet dhe çdo qenie do ta shohë”. Ajo ditë do të jetë e mbushur me gëzim për të drejtët!
Nëpërmjet fuqisë së çelësave të shenjtë të priftërisë që mbaj, jua shpall këtë të vërtetë juve dhe gjithë botës! Në emrin e Jezu Krishtit, amen.