Mos Ki Frikë, Vetëm Ki Besim
Kur zgjedhim të besojmë, të ushtrojmë besim deri në pendim dhe ta ndjekim Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin, ne i hapim sytë tanë shpirtërorë kundrejt madhështive që zor se mund t’i përfytyrojmë.
Babilonia dhe Danieli
Dymijë e gjashtëqind vjet më parë, Babilonia ishte superfuqia më e madhe e botës. Një historian i lashtë i përshkroi muret e Babilonisë që e rrethonin qytetin, të ishin më shumë se 90 metra të lartë dhe 25 metra të trashë. “Nga madhështia”, shkroi ai, “nuk ka asnjë qytet tjetër që i afrohet … asaj.”1
Në kohën e saj, Babilonia ishte qendra e botës për sa i përket diturisë, ligjit dhe filozofisë. Fuqia e saj ushtarake ishte e pakrahasueshme. Ajo e dërrmoi fuqinë e Egjiptit. E sulmoi, shkrumboi dhe plaçkiti kryeqytetin e Asirisë, Ninivën. E pushtoi me lehtësi Jerusalemin dhe i çoi në Babiloni fëmijët më të mirë dhe më të shkëlqyer mes fëmijëve të Izraelit për t’i shërbyer mbretit Nebukadnetsar.
Njëri nga këta robër ishte një djalosh i quajtur Daniel. Shumë studiues besojnë se Danieli ishte midis moshës 12 dhe 17 vjeç në atë kohë. Mendoni për këtë, mbajtësit e mi të rinj e të dashur të Priftërisë Aarone: Danieli ka të ngjarë të ketë pasur moshën tuaj kur u çua në oborrin e mbretit për t’u edukuar në gjuhësinë, ligjet, fenë dhe shkencën e Babilonisë së dhënë pas gjërave të botës.
A mund ta përfytyroni se si do të ishit ndier po të dëboheshit nga shtëpia juaj, të marshonit 800 kilometra drejt një qyteti të panjohur dhe t’ju jepej mësim doktrina e fesë së armiqve tuaj?
Danieli ishte rritur si një pasues i Jehovait. Ai besonte në Perëndinë e Abrahamit, Isakut e Jakobit dhe e adhuronte atë Perëndi. Ai i kishte studiuar fjalët e profetëve dhe e dinte se si Perëndia ndërvepronte me njeriun.
Por tani, në një moshë shumë të re, ai ishte një student i burgosur në Babiloni. Shtytja mbi të duhet të ketë qenë e jashtëzakonshme për t’i braktisur bindjet e tij të vjetra fetare dhe për t’iu përshtatur atyre të Babilonisë. Por ai qëndroi i vërtetë ndaj besimit të tij – me fjalë dhe me vepra.
Shumë prej jush e dini se çfarë ndjenje keni, kur mbroni një të vërtetë që njerëzit s’e përkrahin. Në gjuhën e sotme të internetit, ne flasim rreth të “djegies” nga ata që nuk janë dakord me ne. Por Danieli nuk po rrezikonte vetëm të tallej nga njerëzit. Në Babiloni, ata që i sfidonin autoritetet fetare, e kuptonin se çfarë do të thoshte – në mënyrë figurative dhe të mirëfilltë – të “digjeshe”. Po ashtu siç e kuptuan shokët e Danielit, Shadraku, Meshaku dhe Abed-negoja.2
Nuk e di nëse qe e lehtë për Danielin që të ishte besimtar në një mjedis të tillë. Disa njerëz bekohen me një zemër besuese – për ta, besimi duket se vjen si një dhuratë nga qielli. Por përfytyroj që Danieli ishte si shumë prej nesh që na duhet të veprojmë për dëshmitë tona. Besoj se Danieli kaloi shumë orë në gjunjë duke u lutur, duke i vendosur pyetjet dhe druajtjet e tij mbi altarin e besimit dhe duke pritur nga Zoti për kuptueshmëri dhe urtësi.
Dhe Zoti vërtet e bekoi Danielin. Edhe pse besimi i tij u sfidua dhe u përqesh, ai qëndroi i vërtetë ndaj asaj që e dinte prej vetë përvojës së tij që ishte e drejtë.
Danieli besoi. Danieli nuk dyshoi.
Dhe më pas, një natë, mbreti Nebukadnetsar pa një ëndërr që ia shqetësoi mendjen. Ai e mblodhi ekipin e tij të studiuesve e këshilltarëve dhe u kërkoi që t’ia përshkruanin atij ëndrrën dhe gjithashtu t’i zbulonin domethënien e saj.
Sigurisht, ata nuk mundeshin. “Askush nuk mund ta bëjë atë që ju na kërkoni”, u përgjëruan ata. Por kjo veçse e bëri Nebukadnetsarin më të egërsuar dhe ai urdhëroi që të bëheshin copë-copë të gjithë dijetarët, magjistarët, astrologët dhe këshilltarët – përfshirë Danielin dhe studentët e tjerë të rinj nga Izraeli.
Ju që keni njohuri për librin e Danielit, e dini se çfarë ndodhi më pas. Danieli i kërkoi Nebukadnetsarit pak më shumë kohë dhe ai dhe shokët e tij besnikë shkuan te burimi i besimit dhe i forcës së tyre morale. Ata iu lutën Perëndisë dhe kërkuan ndihmë hyjnore në këtë çast vendimtar në jetën e tyre. Dhe “atëherë sekreti iu zbulua Danielit në një vegim”3.
Danieli, djaloshi nga një komb i pushtuar – i cili ishte keqtrajtuar dhe përndjekur ngaqë besonte në fenë e tij të çuditshme – shkoi përpara mbretit dhe i zbuloi atij ëndrrën dhe interpretimin e saj.
Që nga ajo ditë e në vazhdim, si një rrjedhojë e drejtpërdrejtë e besueshmërisë së tij te Perëndia, Danieli u bë këshilltari i besuar i mbretit, i mirënjohur për urtësinë e tij në të gjithë Babiloninë.
Djali që besoi dhe e vuri në jetë besimin e tij, ishte bërë një njeri i Perëndisë. Një profet. Një princ i drejtësisë.4
A Jemi Ne si Danieli?
Ne të gjithëve që mbajmë priftërinë e shenjtë të Perëndisë, unë ju drejtoj pyetjen: A jemi ne si Danieli?
A i qëndrojmë besnikë Perëndisë?
A e vëmë në jetë atë që predikojmë apo jemi të krishterë vetëm të dielën?
A pasqyrojnë veprimet tona të përditshme me qartësi atë që shpallim se besojmë?
A i ndihmojmë “të varfërit dhe nevojtarët, të sëmurët dhe të brengosurit”?5
A i themi gjërat e duhura vetëm me fjalë, apo i bëjmë me entuziazëm ato që themi?
Vëllezër, neve na është dhënë shumë. Na janë mësuar të vërtetat hyjnore të ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit. Na është mirëbesuar autoriteti i priftërisë për të ndihmuar bashkëqeniet tona dhe për ta ndërtuar mbretërinë e Perëndisë në tokë. Ne jetojmë në një kohë të një vërshimi të madh të fuqisë shpirtërore. Ne e kemi plotësinë e së vërtetës. Ne kemi çelësat e priftërisë për të vulosur në tokë dhe në qiell. Shkrime të shenjta dhe mësime të profetëve dhe apostujve të gjallë janë në dispozicion si kurrë më parë.
Miqtë e mi të dashur, le të mos i marrim këto gjëra si të pavlera. Me këto bekime dhe privilegje vijnë përgjegjësi dhe detyrime të mëdha. Le t’i pranojmë e përmbushim ato.
Qyteti i lashtë i Babilonisë është i rrënuar. Madhështia e saj ka ikur prej kohësh. Por, sikurse me Babiloninë, dhënia pas gjërave të botës dhe ligësia vazhdojnë të jetojnë. Tani bie mbi supet tona që të jetojmë si besimtarë në një botë mosbesimi. Sfida është e jona që t’i ushtrojmë çdo ditë parimet e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit dhe të jetojmë të vërtetë ndaj urdhërimeve të Perëndisë. Ne do të qëndrojmë të qetë nën trysninë e shoqërisë, nuk do të ndikohemi nga prirjet e shumëpërhapura ose profetët e rremë, nuk do t’ia vëmë veshin talljes së të pafeve, do t’u bëjmë ballë tundimeve të të ligut dhe do ta mposhtim vetë përtacinë tonë.
Vetëm mendoni për këtë. Sa më e lehtë do të kishte qenë për Danielin që thjesht t’i ndiqte mënyrat e Babilonisë? Ai mund ta kishte lënë mënjanë kodin kufizues të sjelljes që Perëndia ua kishte dhënë fëmijëve të Izraelit. Ai mund të ishte ushqyer me bollëk me ushqimet e shumta, të siguruara nga mbreti dhe të ishte përfshirë në kënaqësitë që bota i ofronte një njeriu të natyrshëm. Do t’i ishte shmangur talljes.
Do të kishte qenë i shumënjohur.
Do të ishte përshtatur me shumë veta.
Shtegu i tij do të kishte qenë më pak i ndërlikuar.
Kjo është, sigurisht, deri në ditën kur mbreti të kërkonte një interpretim të ëndrrës së tij. Atëherë Danieli do të kishte mësuar që ai, sikurse pjesa tjetër e “dijetarëve” të Babilonisë, e kishte humbur lidhjen e tij me burimin e vërtetë të dritës dhe të urtësisë.
Danieli e kaloi provën e tij. E jona ende vazhdon.
Guximi për të Besuar
Satani, kundërshtari ynë, dëshiron që ne të dështojmë. Ai përhap gënjeshtra si pjesë të përpjekjes së tij për ta shkatërruar besimin tonë. Ai tinëzisht sugjeron që dyshuesi, skeptiku, ciniku është i përparuar dhe inteligjent, ndërkohë që ata që kanë besim te Perëndia dhe mrekullitë e Tij, janë naivë, të verbuar ose të pamend. Satani do të rekomandojë se është mirë fare të dyshosh ndaj dhuratave shpirtërore dhe mësimeve të dhëna nga profetët e vërtetë.
Do të doja që të mund të ndihmoja cilindo për ta kuptuar këtë fakt të thjeshtë, të vetëm: ne besojmë te Perëndia për shkak të gjërave që i dimë me zemrën dhe mendjen tonë, jo për shkak të gjërave që nuk i dimë. Përvojat tona shpirtërore nganjëherë janë tepër të shenjta për t’i shpjeguar me fjalët e botës, por kjo nuk do të thotë që ato nuk janë të vërteta.
Ati Qiellor ka përgatitur për fëmijët e Tij një ushqim të bollshëm shpirtëror, duke ofruar çdo lloj ushqimi të shijshëm që mund të përfytyrohet – dhe prapëseprapë, në vend që t’i gëzojnë këto dhurata shpirtërore, cinikët e kënaqin vetveten me vëzhgimin nga një largësi, duke pirë me gllënjka nga gotat e tyre të skepticizmit, dyshimit dhe mungesës së respektit.
Përse do të ecnin njerëzit përgjatë jetës të kënaqur me dritën nga kandili i vetë kuptueshmërisë së tyre, kur, duke iu afruar Atit tonë Qiellor, ata do të mund të përjetonin diellin e shndritshëm të diturisë shpirtërore, i cili do ta zgjeronte mendjen e tyre me urtësi dhe do t’i mbushte shpirtrat e tyre me gëzim?
Kur ju dhe unë u flasim njerëzve rreth besimit dhe bindjes, a nuk dëgjojmë shpesh: “Sa do të doja të besoja ashtu siç beson ti”?
E nënkuptuar në këtë thënie është një nga mashtrimet e tjera të Satanit: se besimi është në dispozicion të disa njerëzve, por jo të të tjerëve. Besimi nuk vjen nga ndonjë burim magjik. Por dëshira për të besuar është hapi i parë i domosdoshëm! Perëndia nuk tregohet i anshëm.6 Ai është Ati juaj. Ai dëshiron të flasë me ju. Megjithatë, kërkohet pak kureshtje shkencore – kërkohet një eksperiment me fjalën e Perëndisë – dhe një ushtrim i një “pjesëz[e] të besimit”7. Gjithashtu nevojitet pak përulësi. Dhe kërkohet një zemër e hapur dhe një mendje e hapur. Kërkohet hetim, në kuptimin e plotë të fjalës. Dhe, ndoshta më e vështira nga të gjitha, kërkohet të jini të duruar dhe ta prisni Zotin.
Nëse nuk bëjmë asnjë përpjekje që të besojmë, ne jemi si burri që e heq nga priza projektorin dhe më pas ia hedh fajin projektorit që nuk po sjell asnjë dritë.
Kohët e fundit u çudita dhe u trishtova kur dëgjova për një mbajtës të Priftërisë Aarone, i cili dukej se ndihej krenar për faktin që e kishte larguar vetveten nga Perëndia. Ai tha: “Nëse Perëndia më shfaqet, atëherë vërtet do të besoj. Deri atëherë, do të përpiqem ta gjej të vërtetën duke u mbështetur në vetë kuptueshmërinë dhe intelektin tim për të ma ndriçuar udhën përpara meje.”
Nuk e njoh zemrën e këtij të riu, por nuk mund të mos ndihesha jashtëzakonisht i trishtuar për të. Me sa lehtësi i mohoi dhuratat që Zoti i kishte ofruar atij. Ky i ri e kishte hequr nga priza projektorin dhe më pas dukej i vetëkënaqur nga vëzhgimi i tij i mençur se nuk kishte dritë.
Për fat të keq, ky duket se është një qëndrim i shumëpërhapur sot. Nëse mund ta vëmë barrën e provës mbi Perëndinë, ne mendojmë se e kemi justifikuar veten nga marrja me seriozitet e urdhërimeve të Perëndisë dhe nga marrja e përgjegjësisë për marrëdhënien tonë me Atin tonë Qiellor.
Vëllezër, më lejoni të jem i qartë: nuk ka asgjë fisnike apo mbresëlënëse tek të qenit cinik. Skepticizmi është i lehtë – çdokush mund ta bëjë atë. Është jeta besnike që kërkon forcë morale, përkushtim dhe guxim. Ata që mbahen fort te besimi, janë shumë më tepër mbresëlënës sesa ata që i dorëzohen dyshimit kur dalin pyetje apo shqetësime të mistershme.
Por nuk duhet të habitemi që besimi nuk vlerësohet nga shoqëria. Bota ka një histori të gjatë të mohimit të asaj që nuk e kupton. Dhe ajo ka një vështirësi të veçantë për t’i kuptuar gjërat që nuk mund t’i shohë. Por thjesht ngaqë ne nuk mund ta shohim diçka me sytë tanë fizikë, nuk do të thotë që ajo nuk ekziston. Me të vërtetë, “në tok’ e qiell, … më tepër gjëra ka se ç’ëndërro[het]” në librat tanë shkollorë, në gazetat shkencore dhe filozofitë tona të botës.8 Gjithësia është plot me çudira të thella dhe mahnitëse – gjëra që mund të kuptohen vetëm nëpërmjet syve shpirtërorë.
Prova e Besimit
Kur zgjedhim të besojmë, të ushtrojmë besim deri në pendim dhe ta ndjekim Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin, ne i hapim sytë tanë shpirtërorë kundrejt madhështive që mezi mund t’i përfytyrojmë. Kështu bindja jonë dhe besimi ynë do të rriten më të fortë dhe ne vërtet do të shohim edhe më shumë.9
Vëllezër, unë dëshmoj se edhe në kohët më të vështira, Shpëtimtari do t’ju thotë atë që Ai ia tha një babai plot ankth në një rrugë të mbushur me shumë njerëz në Galile: “Mok ki frikë, vetëm ki besim”10.
Ne mund të zgjedhim të besojmë.
Sepse brenda besimit, ne zbulojmë agimin e dritës.
Ne vërtet do të zbulojmë të vërtetën.11
Ne vërtet do të gjejmë paqe.12
Për shkak të besimit tonë, ne nuk do të kemi më kurrë uri, më kurrë etje.13 Dhuratat e hirit të Perëndisë do të na aftësojnë që të jemi të vërtetë ndaj besimit tonë dhe do ta mbushin shpirtin tonë si “një burim uji që gufon në jetë të përjetshme”14. Ne do të përjetojmë gëzim të vërtetë dhe jetëgjatë.15
Si rrjedhim, miqtë e mi të dashur, vëllezërit e mi të shtrenjtë në priftërinë e Perëndisë:
Kini guxim të besoni.
Mos kini frikë, vetëm kini besim.
Qëndroni me Danielin.
Unë lutem që secili prej nesh – të rinj dhe të moshuar – do të gjejë forcë, guxim dhe dëshirë të ripërtërirë për të besuar. Në emrin e Mësuesit tonë, Jezu Krishtit, amen.