Ata na Folën Neve
Ta Bëjmë Konferencën Pjesë të Jetës Sonë
Mbajeni parasysh që t’i përdorni disa nga këto veprimtari dhe pyetje si pikënisje për diskutim familjar apo përsiatje vetjake.
Për Fëmijët
Faqe 86: Presidenti Tomas S. Monson na kërkoi të jemi shembuj të mirë duke ndjekur Jezu Krishtin. Kur e ndjekim Atë, ne mund të jemi dritë për botën. Si mund të jesh një shembull për familjen dhe miqtë e tu? Mund ta fillosh duke vendosur një synim për të bërë një gjë që t’i ngjash më shumë Jezusit.
Faqe 104: Presidenti Henri B. Ajring, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë, tregoi një histori rreth babait të tij që kërkonte kishën një të diel ndërkohë që po vizitonte Australinë. Ndërsa kërkonte, ai u lut në çdo kryqëzim udhe që të dinte se në ç’drejtim duhej të ecte. Shpejt ai dëgjoi zëra që këndonin, dhe e dinte se Fryma e Shenjtë e kishte ndihmuar ta gjente rrugën. Mendo rreth një kohe kur e ke ndier Frymën e Shenjtë. Si të bëri të ndiheshe?
Faqe 6: Motra Rozmari Uiksom, Presidente e Përgjithshme e Fillores, tregoi një histori rreth një vajze të quajtur Emi. Emi u lut për të ditur a e donte vërtet Perëndia dhe a ishte atje për të. Lexojeni ose ritregojeni këtë histori si familje dhe flisni rreth një kohe kur e keni ndier dashurinë e Perëndisë. Si të bën të ndihesh dijenia se je një fëmijë i Perëndisë? Si mund t’i ndihmosh të tjerët që ta dinë se janë fëmijë të Perëndisë?
Faqe 121: Plaku Alen D. Hejni, i Të Shtatëdhjetëve, tregoi rreth një kohe kur ai dhe dy vëllezërit e tij më të mëdhenj hapën një gropë të madhe që e kthyen në një pishinë. Djemtë u bënë shumë pis me baltë duke luajtur në të. Gjyshja e Plakut Hejni nuk e lejoi atë të futej në shtëpi derisa të lahej e të pastrohej. Çfarë mësimi jep kjo histori për Shlyerjen e Jezu Krishtit? Pse është e rëndësishme të jesh i pastër përpara Perëndisë?
Për Rininë
Faqe 83: Presidenti Tomas S. Monson tha se urdhërimet e Perëndisë nuk janë pengesa por përkundrazi orientime për lumturinë tonë. “Ai që na krijoi dhe që na do”, tha ai “e di në mënyrë të përsosur pikërisht se si nevojitet ta jetojmë jetën tonë me qëllim që të fitojmë lumturinë më të madhe të mundshme.” Vërini në provë fjalët e Presidentit Monson dhe zbatojini urdhërimet e Zotit. Mos u befasoni nëse merrni ndihmë dhe mbrojtje hyjnore.
Faqe 6: Kur shikojmë tek të tjerët për vlerën e vetes sonë, ne shpesh zhgënjehemi. Motra Rozmari M. Uikson, presidente e përgjithshme e Fillores, tha: “Ne jemi në gjendje ta fitojmë ndjenjën e vlerës vetjake nga [Zoti] që është lart, jo nga bota përreth nesh apo nga njerëzit në Facebook ose Instagram”. Shkruani në ditarin tuaj këtë javë rreth natyrës suaj hyjnore dhe bekimeve që vijnë nga ajo njohuri.
Faqe 20: Presidenti Diter F. Uhtdorf, Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë, tha: “Nëse mendoni se ungjilli nuk po funksionon aq mirë për ju, unë ju ftoj të bëni një hap pas, të shihni jetën tuaj nga një nivel më i lartë dhe ta thjeshtësoni metodën tuaj të dishepullimit. Përqendrohuni te doktrinat, parimet dhe zbatimet themelore të ungjillit.” Nëse ndiheni të stresuar dhe të mbingarkuar, merrni parasysh mënyra në të cilat mund ta thjeshtësoni jetën dhe adhurimin tuaj të ungjillit.
Faqe 65: Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi një histori rreth një të riu që kishte shpresuar të shërbente në një mision por mësoi se, në vend të kësaj, do t’i duhej të kujdesej për familjen e tij. Nëpërmjet besimit të fuqishëm dhe bekimeve nga Zoti, i riu qe në gjendje të shërbente në një mision më së fundi. Si mund të jemi si ai dhe të shkojmë përpara me besim pavarësisht nga pengesat në shtegun tonë?
Faqe 33: Plaku Leri R. Lorens, i Të Shtatëdhjetëve, tregoi historinë e një misionari të kthyer i cili mundohej me detyrimet e tij të shumta derisa vendosi t’ia përkushtonte të dielën shërbimit ndaj Zotit dhe studimit të ungjillit. “Kjo përshtatje e vogël solli paqen dhe drejtpeshimin që ai po kërkonte”, tha Plaku Lorens. Çfarë mund të bëni për t’ia përkushtuar më mirë të dielën Zotit?
Për të Rriturit
Faqe 86: Presidenti Tomas S. Monson na kujtoi të jemi një shembull dhe një dritë për botën. “Kur e ndjekim shembullin e Shpëtimtarit dhe jetojmë siç jetoi Ai dhe siç na mësoi Ai”, tha Presidenti Monson, “ajo dritë do të digjet brenda nesh dhe ne do ta ndriçojmë udhën për njerëz të tjerë.” Çfarë mund të bëni për të qenë një dritë më e madhe që “do të shkëlqejë në një botë gjithnjë e më shumë të zymtë”?
Presidenti Rasëll M. Nelson, President i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, trajtuan rëndësinë e grave dhe të mëmësisë. Plaku Holland dha mësim: “Asnjë dashuri në vdekshmëri nuk vjen më pranë që t’i përafrohet dashurisë së pastër të Jezu Krishtit sesa dashuria vetëmohuese që ka një nënë e përkushtuar për fëmijën e saj” (faqe 47). Presidenti Nelson dha mësim se gratë e kthyera në besim që i mbajnë besëlidhjet e tyre “do të b[ien] në sy gjithnjë e më shumë në një botë që po përkeqësohet” (faqe 95). Përsiatini me lutje këto fjalime dhe diskutoni për mënyrën se si pjesëtarët e familjes mund t’i përkrahin gratë në rolet e tyre të rëndësishme të dhëna nga Perëndia.
Disa folës trajtuan temën e forcës gjatë fatkeqësisë. Plaku Hugo Montoja, i Të Shtatëdhjetëve, dha mësim se sprovat dhe tundimet u vijnë të gjithëve “por ato na japin gjithashtu forcë dhe zhvillim ndërsa i mposhtim me sukses” (faqe 53). Lexojeni bisedën e tij dhe bisedat nga Plaku Xhejms B. Martino, i Të Shtatëdhjetëve, (faqe 58); Plaku Koiçi Aojagi, anëtar nderi i Të Shtatëdhjetëve, (faqe 126); dhe Nill F. Mariot, Këshilltare e Dytë në presidencën e përgjithshme të Të Rejave, (faqe 30). Merrni parasysh mënyra se si mund ta forconi besimin tuaj te Jezu Krishti dhe si mund t’ju ndihmojë Ai gjatë fatkeqësisë.
Faqe 33: Në fjalimin e tij, Plaku Leri R. Lorens, i Të Shtatëdhjetëve, dha mësim: “Shpirti vazhdimisht na sfidon për të qenë më të mirë dhe për t’u ngjitur më lart. … Nëse jemi të përulur dhe të mësueshëm, Ai do të na marrë për dore dhe do të na drejtojë për në shtëpi.” Pasi ta lexoni bisedën e tij, kërkoni udhërrëfimin e Shpirtit për mënyra në të cilat mund të përmirësoheni e të ndryshoheni.
Faqe 104: Presidenti Henri B. Ajring, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë, dha mësim se “të kemi gjithmonë Shpirtin me ne është të kemi udhërrëfim dhe drejtim nga Fryma e Shenjtë në jetën tonë të përditshme”. Merrni parasysh gjëra që mund të bëni ose të ndaloni së bëri që të keni gjithmonë Shpirtin me vete.