Të Rregullt dhe Sipas Modës së Bristolit: Jini të Denjë për në Tempull – në Kohë të Mira dhe në Kohë të Këqija
Besnikëria ndaj parimeve të shenjta të ungjillit do të na lejojë të jemi të denjë për në tempull, do të na mundësojë të gjejmë lumturi në këtë jetë dhe do të na drejtojë sërish te shtëpia jonë qiellore.
Profeti Lehi shpalli: “Në qoftë se nuk ka drejtësi, nuk ka lumturi”1.
Kundërshtari ka qenë i suksesshëm në ngulitjen e një miti të madh në mendjet e shumë njerëzve. Ai dhe emisarët e tij shpallin se zgjedhja e vërtetë që ne kemi, është mes lumturisë dhe kënaqësisë tani, në këtë jetë, dhe lumturisë në një jetë që do të vijë (të cilën kundërshtari pohon se mund të mos ekzistojë). Ky mit është një zgjedhje e rreme, por është shumë joshës.2
Qëllimi përfundimtar dhe fisnik i planit të lumturisë të Perëndisë është që dishepujt e drejtë dhe familjet nën besëlidhje të jenë të bashkuara në dashuri, harmoni dhe paqe në këtë jetë3 dhe të arrijnë lavdinë çelestiale në përjetësi me Perëndinë Atin, Krijuesin tonë; dhe Birin e Tij të Dashur, Jezu Krishtin, Shpëtimtarin tonë.4
Kur isha një misionar i ri i caktuar në Misionin Britanik, zona ime e parë e punës ishte në atë që asokohe ishte Distrikti i Bristolit. Një nga udhëheqësit vendorë të Kishës theksoi se misionarët që shërbenin në atë zonë, duhej të ishin “të rregullt dhe sipas modës së Bristolit”.
Në fillim nuk e kuptova se ku donte të dilte ai. Shpejt e mësova historinë dhe kuptimin e frazës detare “të rregullt dhe sipas modës së Bristolit”. Dikur Bristoli ishte porti i dytë me më shumë aktivitet në Mbretërinë e Bashkuar. Ai kishte një shkallë batice shumë të lartë prej 13 metrash, i dyti më i larti në botë. Në kohë zbatice kur uji tërhiqej, anijet e vjetra e goditnin fundit e detit dhe ktheheshin në anë dhe, nëse anijet nuk ishin ndërtuar mirë, ato dëmtoheshin. Përveç këtyre, gjithçka që nuk ishte vendosur me kujdes ose lidhur fort do të hidhej në mënyrë të çrregullt dhe do të shkatërrohej ose prishej.5 Pasi e kuptova se çfarë kuptimi kishte ajo frazë, ishte e qartë se ky udhëheqës po na thoshte neve që, si misionarë, ne duhet të jemi të drejtë, të ndjekim rregullat dhe të jemi të përgatitur për situata të vështira.
E njëjta sfidë gjen zbatim për secilin prej nesh. Unë do ta përshkruaja të qenit “të rregullt dhe sipas modës së Bristolit” si të qenit të denjë për në tempull – në kohë të mira dhe në kohë të këqija.
Ndërkohë që lëkundja e baticës në≈kanalin e Bristolit është disi e parashikueshme dhe për të cilën mund të përgatitesh, stuhitë dhe tundimet e kësaj jete shpeshherë janë të paparashikueshme. Por një gjë ne e dimë: ato do të vijnë! Në mënyrë që t’i mposhtim sfidat dhe tundimet që secili prej nesh has pashmangshmërisht, do të kërkohet përgatitje e drejtë dhe përdorim i mbrojtjeve të siguruara në mënyrë të hyjnore. Ne duhet të vendosim që të jemi të denjë për në tempull pavarësisht nga çfarë na ndodh. Nëse jemi të përgatitur, nuk do të frikësohemi.6
Lumturia në këtë jetë dhe lumturia në jetën që do të vijë, janë të ndërlidhura nga drejtësia. Edhe në periudhën midis vdekjes dhe Ringjalljes, “shpirtrat e atyre që janë të drejtë pranohen në një gjendje lumturie që quhet parajsë, një gjendje e pushimit, një gjendje e paqes”7.
Në fillim të shërbesës tokësore të Shpëtimtarit në Izrael dhe më vonë midis nefitëve, Shpëtimtari iu drejtua çështjes së lumturisë në këtë jetë dhe në përjetësi. Ai theksoi ordinancat, por Ai gjithashtu vuri theks të madh mbi sjelljen morale. Për shembull, dishepujt do të bekoheshin nëse do të ishin të uritur dhe të etur për drejtësi, të mëshirshëm, të kulluar në zemër, të ishin paqebërës dhe të ndiqnin parime të tjera themelore morale. Qartësisht, Zoti ynë Jezu Krisht theksoi, si një mesazh themelor doktrinor, si qëndrimet ashtu edhe sjelljen e drejtë në jetën e përditshme. Mësimet e Tij jo vetëm që i zëvendësuan dhe tejkaluan pjesët përbërëse të ligjit të Moisiut8 por ato ishin gjithashtu një refuzim i filozofive të rreme të njerëzve.
Për shumë shekuj ungjilli i Jezu Krishtit ka frymëzuar besime dhe ka themeluar standarde të sjelljes lidhur me atë që është e drejtë, e dëshirueshme dhe e moralshme dhe që çon në lumturi, hare dhe gëzim. Sidoqoftë, parimet dhe moralshmëria bazë që dha mësim Shpëtimtari, janë nën sulm të rëndë në botën e sotme. Krishterimi është nën sulm. Shumë njerëz besojnë se ajo që është e moralshme ka ndryshuar në mënyrë themelore.9
Jetojmë në kohë të vështira. Ka një prirje në rritje për ta “quaj[tur] të keqen të mirë dhe të mirën të keqe”10. Një botë që e thekson rëndësinë vetjake dhe të qenit jofetar, është shkak për shqetësim të madh. Një shkrimtar i spikatur, jo i besimit tonë, e ka thënë atë në këtë mënyrë: “Fatkeqësisht shoh pak prova që njerëzit janë në fakt më të lumtur në periudhën ungjillore në zhvillim, ose se fëmijët e tyre janë më mirë, apo se kauzës së drejtësisë sociale po i jepet zgjidhje, apo se përqindjet në rënie të martesave dhe rrallimi i pemëve familjare … premtojnë ndonjë gjë më shumë përveç vetmisë më të madhe për shumicën dhe një amulli të përgjithshme”11.
Si dishepuj të Shpëtimtarit, nga ne pritet që të planifikojmë dhe të përgatitemi. Në planin e lumturisë, liria e zgjedhjes morale është një parim kryesor organizimi dhe zgjedhjet tona kanë rëndësi.12 Shpëtimtari e theksoi këtë gjatë gjithë shërbesës së Tij, duke përfshirë shëmbëlltyrat e Veta të virgjëreshave budallaçka dhe të talentave.13 Në secilën prej tyre, Zoti e përgëzoi përgatitjen dhe veprimin dhe e dënoi shtyrjen për më vonë dhe përtacinë.
E pranoj që, pavarësisht nga lumturia kapluese e mishëruar në planin hyjnor të Perëndisë, ndonjëherë ajo mund të ndihet larg dhe e paarritshme për shkak të rrethanave tona të tanishme. Mund të ndihet përtej mundësive tona si dishepuj që mundohen. Nga pikëpamja jonë e kufizuar, tundimet dhe shpërqëndrimet e tanishme mund të duken tërheqëse. Shpërblimet për t’u bërë ballë atyre tundimeve, nga ana tjetër, mund të duken të largëta dhe të paarritshme. Por një kuptim i vërtetë i planit të Atit zbulon se shpërblimet e drejtësisë janë të mundësuara pikërisht tani. Ligësia, e tillë si sjellja e pamoralshme, nuk është kurrë pjesë e përgjigjes. Alma ia tha qartësisht birit të tij, Koriantonit: “Vër re, unë të them se ligësia kurrë nuk ka qenë lumturi”14.
Doktrina jonë është deklaruar qartësisht nga Amuleku tek Alma 34:32: “Vini re, kjo jetë është koha për njerëzit që të përgatiten të takohen me Perëndinë; po, vini re, dita e kësaj jete është dita për njerëzit që të kryejnë punët e tyre”.
Si, pra, përgatitemi ne në një kohë kaq të vështirë? Krahas të qenit të denjë për në tempull, ka shumë parime që kontribuojnë në drejtësi. Unë do të theksoj tri.
Së pari: Vetëkontrolli dhe Sjellja e Drejtë
Unë besoj se ndonjëherë Ati ynë i dashur në Qiell duhet të na shohë me të njëjtën kënaqësi që ne ndiejmë kur shikojmë vetë fëmijët tanë të vegjël teksa mësojnë dhe rriten. Të gjithë pengohemi dhe biem teksa fitojmë përvojë.
E vlerësova bisedën e konferencës që Presidenti Diter F. Uhtdorf dha në vitin 201015 rreth eksperimentit të famshëm me alte të zhvilluar në Universitetin e Standfordit në vitet 1960. Ju do të mbani mend që katërvjeçarëve iu dha nga një alte e vetme. Nëse ata mund të prisnin për 15 ose 20 minuta pa e ngrënë, ata do të merrnin një alte të dytë. Janë prodhuar materiale filmike duke treguar dredhitë që shumë fëmijë përdorën për të shmangur ngrënien e altes. Disa nuk ia dolën mbanë.16
Vitin e kaluar profesori i cili e drejtoi eksperimentin fillestar, Dr. Uolter Mishel, shkroi një libër në të cilin ai tha se një pjesë e arsyes së bërjes së këtij studimi ishte shqetësimi i tij rreth vetëkontrollit dhe vetë varësisë së tij ndaj duhanit. Ai ishte veçanërisht i shqetësuar pasi raporti i përgjithshëm i kirurgëve në SHBA i vitit 1964, nxori si përfundim se pirja e duhanit shkakton kancer në mushkëri.17 Pas vite studimesh, një nga kolegët e tij profesionistë raportoi se “vetëkontrolli është si një muskul: sa më tepër ta përdorësh atë, aq më i fortë bëhet. Shmangia e diçkaje tunduese një herë do t’ju ndihmojë të zhvilloni aftësinë për t’u bërë ballë tundimeve të tjera në të ardhmen.”18
Një parim i përparimit të përjetshëm është që ushtrimi i vetëkontrollit dhe i të jetuarit me drejtësi e forcon aftësinë tonë për t’i bërë ballë tundimit. Kjo është e vërtetë si në çështjet shpirtërore dhe në çështjet tokësore.
Misionarët tanë janë një shembull i shkëlqyer. Ata zhvillojnë tipare si të Krishtit dhe theksojnë bindjen dhe shpirtshmërinë. Ata pritet t’i përmbahen një orari strikt dhe t’i kalojnë ditët e tyre në shërbim të të tjerëve. Ata kanë një pamje të thjeshtë dhe të matur, në vend të veshjes rastësore apo jo të thjeshtë që mbizotëron kaq shumë sot. Sjellja dhe pamja e tyre e jashtme përçojnë një mesazh moral dhe serioz.19
Ne kemi afërsisht 230.000 të rinj që po shërbejnë aktualisht si misionarë ose që janë kthyer nga shërbimi misionar në pesë vitet e fundit. Ata kanë zhvilluar forcë shpirtërore dhe vetëdisiplinë të mrekullueshme që duhet të ushtrohen vazhdimisht, ose këto cilësi do të atrofizohen njësoj si muskujt të cilët nuk përdoren. Të gjithë ne duhet të zhvillojmë dhe të shfaqim me vepra sjellje dhe pamje që shpallin se ne jemi ndjekës të vërtetë të Krishtit. Ata që e braktisin sjelljen e drejtë apo pamjen e përshtatshme dhe modeste, e ekspozojnë veten ndaj stileve të jetesës që nuk sjellin as lumturi as gëzim.
Ungjilli i rivendosur na jep skemën e planit të lumturisë dhe një shtysë për të kuptuar dhe për të ushtruar vetëkontroll dhe për të shmangur tundimin. Gjithashtu na mëson si të pendohemi kur kanë ndodhur shkelje.
Së dyti: Nderimi i Shabatit do ta Rritë Drejtësinë dhe do të Jetë një Mbrojtje për Familjen
Kisha e hershme e Krishterë e ndryshoi respektimin e Shabatit nga e shtuna në të dielën për të përkujtuar Ringjalljen e Zotit. Qëllimet e tjera të shenjta themelore të Shabatit mbetën të pandryshuara. Për judenjtë dhe të krishterët, Shabati simbolizon punët e fuqishme të Perëndisë.20
Gruaja ime dhe unë, dhe dy nga kolegët e mi dhe gratë e tyre, së fundi morëm pjesë në një Shabat të judenjve me ftesën e një miku të dashur, Robert Abramsit dhe gruas së tij, Dianës, në shtëpinë e tyre në Nju-Jork.21 Fillimi i Shabatit të judenjve niste mbrëmjen e të premtes. Përqendrimi ishte te nderimi i Perëndisë si Krijuesi. Ai filloi me bekimin e familjes dhe këndimin e një himni Shabati.22 U bashkuam me ta në ceremoninë e larjes së duarve, bekimin e bukës, lutjet, ushqimin e judenjve, recitimin e shkrimit të shenjtë dhe këndimin e këngëve të Shabatit me një gjendje kremtuese. Në dëgjuam fjalët hebraike, të shoqëruara së bashku me përkthimin në anglisht. Shkrimet e shenjta më prekëse që u lexuan nga Dhiata e Vjetër, të cilat janë shumë të dashura edhe për ne, ishin nga Isaia, duke e shpallur Shabatin një kënaqësi23, dhe nga Ezekieli, që Shabati “[do] të je[të] një shenjë midis meje dhe jush, në mënyrë që ju të pranoni që unë jam Zoti, Perëndia juaj”24.
Përshtypja mbizotëruese nga kjo mbrëmje e mrekullueshme ishte ajo e dashurisë familjare, besnikërisë dhe përgjegjësisë ndaj Perëndisë. Teksa mendoja rreth kësaj ngjarjeje, unë reflektova mbi përndjekjen ekstreme që judenjtë kanë përjetuar përgjatë shekujve. Qartësisht, nderimi i Shabatit ka qenë “një besëlidhje [e] përjetshme”, që e ka ruajtur dhe e ka bekuar popullin e judenjve gjatë përmbushjes së shkrimit të shenjtë.25 Ai ka dhënë ndihmesë gjithashtu në jetën familjare dhe në lumturinë e jashtëzakonshme që janë të dallueshme në jetën e shumë judenjve.26
Për anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, nderimi i Shabatit është një formë e drejtësisë që do t’i bekojë dhe forcojë familjet, do të na lidhë me Krijuesin tonë dhe do ta shtojë lumturinë. Shabati mund të na ndihmojë të veçohemi nga ajo që është e pavlerë, e papërshtatshme ose e pamoralshme. Ai na lejon të jemi në botë, por jo të botës.
Në gjashtë muajt e kaluar, një ndryshim shumë mbresëlënës ka ndodhur në Kishë. Kjo ka qenë një përgjigje e anëtarëve ndaj theksimit të ripërtërirë mbi Shabatin nga Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Të Dymbëdhjetëve dhe sfida nga Presidenti Rasëll M. Nelson për ta bërë Shabatin një kënaqësi.27 Shumë anëtarë e kuptojnë që mbajtja me të vërtetë e shenjtë e ditës së Shabatit është një strehë nga stuhitë e kësaj jete. Ajo është gjithashtu një shenjë e përkushtimit tonë ndaj Atit tonë në Qiell dhe një rritje e kuptimit për shenjtërinë e mbledhjes së sakramentit. Ende, ne kemi një rrugë të gjatë për të bërë, por kemi një fillim të mrekullueshëm. Hedh një sfidë për të gjithë ne që të vazhdojmë ta përqafojmë këtë këshillë dhe ta përmirësojmë adhurimin tonë të Shabatit.
Së treti: Sigurohet Mbrojtje Hyjnore Kur Ne Jemi të Drejtë
Si pjesë e planit hyjnor të Perëndisë, ne jemi bekuar me dhuratën e Frymës së Shenjtë. Kjo dhuratë është “e drejta për të pasur shoqërinë e vazhdueshme të Frymës së Shenjtë, kurdo[herë] që dikush është i denjë”28. Ky anëtar i Kreut-Perëndi luan rolin e një faktori pastrues nëse ungjilli është i pari në jetët tona. Ai është gjithashtu një zë paralajmërimi kundër së ligës dhe një zë mbrojtës kundër rrezikut. Teksa lundrojmë në detet e jetës, ndjekja e mbresave të Frymës së Shenjtë është thelbësore. Shpirti do të na ndihmojë t’i shmangim tundimet e rreziqet dhe do të na ngushëllojë e drejtojë përmes sfidave. “Fryti i Frymës është: dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirëdashja, mirësia, besimi.”29
Besnikëria ndaj parimeve të shenjta të ungjillit do të na lejojë të jemi të denjë për në tempull, do të na mundësojë të gjejmë lumturi në këtë jetë dhe do të na drejtojë sërish te shtëpia jonë qiellore.
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, jeta nuk është e lehtë dhe as nuk synohej të ishte. Është një kohë prove dhe sprove. Sikurse anijet e vjetra në portin e Bristolit, do të ketë kohë kur batica ikën dhe duket sikur gjithçka në këtë botë që na mbante mbi ujë, zhduket. Ne mund të godasim fundin dhe madje të përmbysemi në anë. Mes këtyre sprovave, unë ju premtoj se të jetuarit dhe mbajtja e një jete të denjë për në tempull do ta mbajnë të bashkuar gjithçka që ka me të vërtetë rëndësi. Bekimet e ëmbla të paqes, lumturisë dhe gëzimit, së bashku me bekimet e jetës së përjetshme dhe lavdisë çelestiale me Atin tonë Qiellor dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin, do të përmbushen. Unë dëshmoj kështu në emrin e Jezu Krishtit, amen.