Qëndro në Udhën Tënde
Vëreni Perëndinë të parin, pavarësisht nga sprovat me të cilat përballeni. Duajeni Perëndinë. Kini besim te Krishti dhe lëreni veten tuaj në dorë të Tij, në të gjitha gjërat.
Më 11 mars 2011, po qëndroja në një platformë në stacionin e trenit Shinagaua të Tokios për të vizituar misionin e Kobes në Japoni. Rreth orës 14:46, ra një tërmet i madh i shkallës 9.0 ballë. Unë nuk isha në gjendje të qëndroja në këmbë për shkak të dridhjes së fuqishme dhe u mbajta fort te një parmak shkallësh. Dritat në tavanet aty pranë filluan të binin në dysheme. Të gjithë Tokion e zuri paniku.
Fatmirësisht, unë nuk u lëndova dhe, katër orë më vonë, u lehtësova kur mësova se e gjithë familja ime qe e sigurt.
Në televizion kishte një lumë videosh tmerruese, ngjethëse. Një cunam tejet i madh vërshoi në zonën e misionit në Sendai – duke marrë me vete çdo gjë që i dilte përpara: makina, shtëpi, fabrika dhe fusha. U shtanga nga pamjet tragjike dhe qava. Dhe u luta me zjarr që mbrojtja dhe ndihma e Atit tonë Qiellor do të ishte mbi njerëzit që jetonin në atë krahinë, të cilën e doja kaq shumë.
Më vonë u vërtetua se të gjithë misionarët dhe anëtarët e Kishës ishin të sigurt. Sidoqoftë, shumë anëtarë patën pasoja, duke humbur pjesëtarë të familjes, shtëpi dhe orendi shtëpiake. Gati 20.000 njerëz vdiqën, komunitetet u shkatërruan dhe shumë njerëz u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre si rrjedhojë e një avarie të një centrali me energji bërthamore.
Shkatërrime të tilla janë duke bërë kërdinë në shumë pjesë të botës sot, duke shkaktuar humbjen e shumë jetëve. Ne jemi paralajmëruar se në botë do të ndodhin shkatërrime, luftëra dhe vështirësi të panumërta.
Kur sprova të tilla na vijnë papritur, ne mund të pyesim: “Përse më ndodhin mua këto gjëra?” ose “Përse duhet të vuaj?”
Për një periudhë të gjatë pasi u ktheva në besim në ungjill, unë nuk kisha një përgjigje të qartë për pyetjen “Përse më jepen sprova?” Unë e kuptoja pjesën e planit të shpëtimit që thotë se ne do të vihemi në provë. Sidoqoftë, në të vërtetë, kur vija te kjo pyetje, unë nuk kisha një bindje që të ishte mjaftueshëm e fuqishme për t’iu përgjigjur ashtu siç duhej. Por erdhi një çast në jetën time kur edhe unë përjetova një sprovë të madhe.
Kur isha 30 vjeç, po vizitoja misionin e Nagojës si pjesë të punës sime. Pas mbledhjes, presidenti i misionit caktoi me dashamirësi dy misionarë që të më çonin në aeroport. Sidoqoftë, kur mbërritëm te kryqëzimi në fund të një kodre të gjatë, një kamion i madh erdhi me shumë shpejtësi nga prapa nesh. U përplas me pjesën e pasme të makinës sonë dhe e shtyu atë më shumë se 20 metra përpara. Pjesa tmerruese e gjithë kësaj ishte se nuk kishte shofer. Pjesa e pasme e makinës sonë u ngjesh sa gjysma e madhësisë së saj fillestare. Fatmirësisht, unë dhe të dy misionarët mbijetuam.
Megjithatë, të nesërmen, unë fillova të përjetoja dhembje në qafë dhe në shpatulla dhe pata një dhembje koke të fortë. Që nga ajo ditë, unë nuk mund të flija dhe isha i detyruar të jetoja çdo ditë si me dhembje fizike, ashtu edhe me dhembje mendore. Iu luta Perëndisë që ta shëronte dhembjen time, por këto simptoma zgjatën për afro 10 vjet.
Në këtë kohë, ndjenja dyshimi filluan të përvidheshin gjithashtu në mendjen time dhe e pyesja veten: “Përse duhet të vuaj kaq shumë dhembje?” Megjithatë, edhe pse lloji i shërimit që kërkova nuk m’u dha, unë u përpoqa të isha besnik në zbatimin e urdhërimeve të Perëndisë. Vazhdova të lutesha që të isha në gjendje t’i zgjidhja pyetjet që kisha rreth sprovave të mia.
Erdhi një çast kur e pashë veten time të luftonte me disa çështje të tjera vetjake dhe isha i shqetësuar sepse nuk dija se si të përballesha me këtë sprovë të re. Po lutesha për një përgjigje. Por nuk e mora përgjigjen menjëherë. Prandaj shkova dhe bisedova me një udhëheqës të besuar të Kishës.
Ndërsa po bisedonim, me dashuri në zërin e tij, ai tha: “Vëllai Aojagi, a nuk është qëllimi yt i të qenit në tokë që ta përjetosh këtë sprovë?” A nuk do të thotë që t’i pranosh të gjitha sprovat e kësaj jete për atë që janë dhe pastaj t’ia lësh pjesën tjetër Zotit? A nuk mendon se ky problem do të zgjidhet kur ne të ringjallemi?
Kur i dëgjova këto fjalë, e ndjeva Shpirtin e Zotit shumë fort. E kisha dëgjuar këtë doktrinë me qindra herë, por kurrë nuk isha bekuar më parë me një kuptim kaq të qartë për të. E kuptova se kjo ishte përgjigjja që kisha kërkuar nga Zoti në lutjet e mia. Unë isha në gjendje ta kuptoja qartësisht planin e shpëtimit të Atit tonë Qiellor dhe ta mësoja sërish këtë parim të rëndësishëm.
Te Abrahami, Zoti Perëndi shpalli: “Dhe ne do t’i provojmë me këtë, për të parë nëse ata do t’i bëjnë të gjitha gjërat që Zoti, Perëndia i tyre, do t’i urdhërojë”1.
Parimi është që Perëndia, i cili krijoi qiejt dhe tokën, e di qëllimin e madh të kësaj toke, që Ai sundon mbi të gjitha gjërat në qiej dhe në tokë dhe me qëllim që të bëjë të ndodhë plani i shpëtimit, Ai na jep shumë përvoja të ndryshme – duke përfshirë disa sprova – ndërkohë që jemi në këtë tokë.
Dhe Zoti i tha sa më poshtë Jozef Smithit:
“Dije, biri im, se gjithë këto gjëra do të të japin përvojë dhe do të jenë për të mirën tënde. …
Si rrjedhim, qëndro në udhën tënde … , sepse Perëndia do të jetë me ty përherë e përgjithmonë.”2
Sprovat e kësaj toke – përfshirë sëmundjen dhe vdekjen – janë pjesë e planit të shpëtimit dhe janë përvoja të pashmangshme. Është e nevojshme që të “qëndro[jmë] në udhën [tonë]” dhe t’i pranojmë sprovat tona me besim.
Sidoqoftë, qëllimi i jetës sonë nuk është thjesht që t’i durojmë sprovat. Ati Qiellor e dërgoi Birin e Tij të Dashur, Jezu Krishtin, si Shpëtimtarin dhe Shëlbuesin tonë, në mënyrë që ne të mund t’i mposhtim sprovat që hasim në këtë tokë; me fjalë të tjera, Ai bën që gjërat tona të dobëta të bëhen të forta3, Ai shlyen për mëkatet tona dhe papërsosuritë tona dhe bën të mundur që ne të marrim pavdekësinë dhe jetën e përjetshme.
Presidenti Henri B. Ajring tha: “Prova që një Perëndi i dashur ka vënë përpara nesh nuk është që të shohim nëse mund ta durojmë vështirësinë. Është që të shohim nëse mund ta durojmë atë mirë. Ne e kalojmë provën duke treguar se ne e kujtuam Atë dhe urdhërimet që Ai na dha.”4
“Qëndro në udhën tënde” është një zgjedhje kyçe gjatë kohës së sprovës. Kthejeni zemrën tuaj nga Perëndia, veçanërisht kur përballeni me sprova. Bindiuni përulësisht urdhërimeve të Perëndisë. Tregoni besim për t’i pajtuar dëshirat tuaja me vullnetin e Perëndisë.
Tani le të marrim në shqyrtim atë përplasje me makinë në Nagoja. Unë mund të kisha vdekur në atë aksident. Megjithatë, nëpërmjet hirit të Zotit, unë mrekullisht mbijetova. Dhe unë e di se vuajtjet e mia ishin që unë të mësoja dhe të rritesha.5 Ati Qiellor më edukoi ta kalitja durimin, të zhvilloja ndjeshmërinë dhe t’i ngushëlloja ata që vuajnë. Kur e kuptova këtë, zemra ime u mbush me ndjenja mirënjohjeje ndaj Atit tim Qiellor për këtë sprovë.
Vëreni Perëndinë të parin, pavarësisht nga sprovat me të cilat përballeni. Duajeni Perëndinë. Kini besim te Krishti dhe lëreni veten tuaj në dorë të Tij, në të gjitha gjërat. Moroni bën premtimin vijues për njerëz të tillë: “Dhe në qoftë se do t’i mohoni vetes çdo ligësi dhe ta doni Perëndinë me gjithë fuqinë, mendjen dhe forcën tuaj, atëherë hiri i tij mjafton për ju, se me anë të hirit të tij ju mund të bëheni të përsosur në Krisht”6.
Dëshmoj sinqerisht se Perëndia, Ati, dhe Biri i Tij i Dashur, Jezu Krishti, jetojnë dhe premtimet e Perëndisë ndaj atyre që “qëndro[jnë] në udhën [e tyre]” dhe e duan Atë, do të përmbushen edhe në mes të sprovave, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.